Dokumentet ballkanike të rreme ose të siguruara në mënyrë të paligjshme po ua lehtësojnë udhëtimin kriminelëve kudo në botë.

Zyrtarët policorë që hetojnë grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Ballkanin Perëndimor ose që vijnë prej tij kanë vënë në dukje herë pas here diçka të ngjashme: lehtësinë me të cilën shumë kriminelë udhëtojnë nëpër botë duke përdorur pasaporta false ose dokumente emigrimi të siguruara në mënyrë të paligjshme, të lëshuara nga vendet e rajonit. Nga vetë natyra e tij, krimi i organizuar ndërkombëtar është krim që kapërcen kufijtë. Disa prej këtyre veprimtarive të paligjshme kryhen në internet, duke përdorur hapësirën kibernetike, rrjetet e komunikimit të koduar ose kriptovalutat. Por, për të kryer shumë veprimtari që kanë të bëjnë me krime si trafikimi, kriminelëve u duhet të kalojnë fizikisht kufijtë e shteteve pa u zbuluar. Prandaj, u duhen dokumente të falsifikuara.

Sipas disa hetuesve me të cilët biseduam për këtë artikull, shpeshtia e problemit në Ballkanin Perëndimor lë të kuptohet se ka grupe që përgatisin dokumente të falsifikuara si shërbim kriminal. Kriminelët kombinojnë informacionet e vërteta të identifikimit me ato të fabrikuara për të krijuar të ashtuquajturat identitete sintetike ose të rreme, të cilat mund t’i përdorin kur udhëtojnë, që të mos bien në sy ose për të kaluar nëpër procesin e verifikimit të identitetit kur kanë të bëjnë me ndonjë institucion financiar. Megjithatë, me përdorimin e dokumenteve biometrike, prodhimi i dokumenteve false nuk është aq i shpeshtë sa ishte dikur. Në vend të kësaj, kriminelet priren të përdorin dokumente të vërteta ose i modifikojnë ato për të kryer veprimtari të paligjshme.1

Ka dy mënyra me të cilat kriminelët i sigurojnë këto dokumente. Ose modifikojnë fizikisht pasaportën e vlershme që është vjedhur ose blerë në tregun e zi, duke ndryshuar foton ose të dhënat biografike, ose blejnë në mënyrë të paligjshme një pasaportë të vlefshme me emrin e tyre ose me një nofkë, pasi i kanë dhënë ryshfet një zyrtari të korruptuar. Duke vepruar kështu, krimineli që është shpallur në kërkim jashtë vendit mund të ndryshojë identitetin dhe të lëvizë lirshëm, pa u penguar, si qytetar i një vendi të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, kriminelët nga Ballkani Perëndimor mund të sigurojnë dokumente udhëtimi nga një vend i BE-së dhe të lëvizin lirshëm brenda zonës “Shengen”. Gjithashtu, ndonjëherë kriminelët nga rajoni kanë disa identitete, me qëllim shmangien e zbulimit. Identitete të tilla u mundësojnë atyre të kryejnë veprat e mashtrimit.

Identifikimi i këtyre njerëzve bëhet më i vështirë, sepse zyrtarët e zbatimit të ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk shkëmbejnë mjaftueshëm të dhëna midis tyre. Ekziston tendenca për të punuar nëpërmjet INTERPOL-it dhe jo drejtpërdrejtë.2

Renditja krahasuese e pasaportave të gjashtë vendeve të BP-së.

Figura 1 Renditja krahasuese e pasaportave të gjashtë vendeve të BP-së.

Burimi: Passport Index, https://www.passportindex.org

Kohët e fundit, ka pasur një numër rastesh nga të cilat u vu re se zyrtarët e korruptuar u kanë lëshuar, në mënyrë të paligjshme, pasaporta disa personave me qëllim që këta të shmangin ndjekjen penale në vendet e tjera. Problemi më i madh i identifikuar ka qenë në Maqedoninë e Veriut, në rastin “Dvojnik” të bërë publik. Në prill të vitit 2021, partia opozitare e Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE, pretendoi se të paktën 215 pasaporta u ishin lëshuar nga Ministria e Brendshme kriminelëve të huaj dhe individëve me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe disa prej shefave kryesorë të grupeve kriminale.3 Ai që tregon se sa i thellë ishte skandali është rasti i lordit turk të krimit, Sedat Pekerit, i cili është dënuar më përpara për veprimtari kriminale. Ai kishte marrë një pasaportë të Maqedonisë së Veriut duke përdorur identitet të rremë.4 Fotografitë e postuara në rrjetet sociale tregonin një polic jashtë detyrës që vepronte si truprojë i Pekerit ndërkohë që ky ecte në rrugët e Shkupit.5

Një tjetër kriminel i madh i identifikuar në këtë skandal ishte Jovan Vukotiçi.6 Vukotiçi pretendohet se ka qenë drejtuesi i klanit malazez “Shkaljari”, njëri nga dy grupet më të mëdha të trafikimit të drogës në Ballkanin Perëndimor. Ai ishte shpallur në kërkim në Greqi për shkak të dyshimeve për trafikim të drogës dhe për krime të tjera të rënda. Ai u arrestua në Turqi në vitin 2018 dhe u dërgua në Serbi, ku bëri 15 muaj burg për përdorim të një pasaporte të falsifikuar, dhe pastaj u ekstradua në Mal të Zi në shkurt të vitit 2020. Ai ishte shpallur në kërkim në Mal të Zi për vrasje të mbetur në tentativë, por prokuroria i ndërpreu procedurat kundër tij në korrik të vitit 2020. Pasi doli nga burgu në janar të vitit 2022, prokuroria e akuzoi se kishte shmangur tatimin mbi 22 800 euro. Pas disa muajsh, ai u vra në Stamboll.7 Sipas të dhënave nga policia turke, Vukotiçi kishte hyrë në Turqi në mënyrë të paligjshme duke përdorur një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, të cilën e kishte siguruar në Kosovë duke përdorur emrin e rremë Predrag Popoviç.8

Në nëntor të vitit 2022, media zbuloi se biznesmeni dhe politikani ukrainas, Oleksandër Onishçenko (Oleksandr Onyshchenko) kishte siguruar pasaportën e tij të tretë nga Maqedonia e Veriut, në rrethana të dyshimta.9 Onishçenkoja ka qenë në listën e sanksioneve të SHBA-së që prej janarit të vitit 2021, sepse ishte “anëtar i rrjetit rus që u përzje me zgjedhjet presidenciale në SHBA”. Krahas kësaj, Onishçenkoja është person i shpallur në kërkim në Ukrainë: ai u arratis nga vendi në vitin 2016 pasi komisioni kundër korrupsionit nisi një hetim kundër tij për pastrim parash dhe për korrupsion të ndërlidhur me shitjen e gazit.10 Vetëm pesë muaj pasi mori shtetësinë nga Maqedonia e Veriut në maj të vitit 2022, Onishçekoja mori pjesë në një garë me kuaj në San-Trope të Francës si përfaqësues i vendit të tij të ri.11 Megjithatë, në datën 3 dhjetor 2022, autoritetet e Maqedonisë së Veriut e tërhoqën shtetësinë që i kishin dhënë të arratisurit ukrainas dhe ia anuluan pasaportën.12

Një zyrtar dogane verifikon një pasaportë në pikën e kalimit kufitar Serbi-Hungari në Horgos, dhjetor 2009. Duke filluar nga 19 dhjetori, BE-ja u ka mundësuar Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi lëvizje të lirë pa vizë brenda bllokut të 27 shteteve.

Një zyrtar dogane verifikon një pasaportë në pikën e kalimit kufitar Serbi-Hungari në Horgos, dhjetor 2009. Duke filluar nga 19 dhjetori, BE-ja u ka mundësuar Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi lëvizje të lirë pa vizë brenda bllokut të 27 shteteve.

Fotografia: Reuters/Djordje Kojadinovic

Shkalla e praktikës së shitjes së pasaportave individëve të dyshimtë ka ngritur dyshime si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në shtetet mike të saj.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk është i vetmi shtet në Evropën Juglindore që ka probleme me pasaportat e rreme. Në vitin 2022, policia greke, me mbështetjen e EUROPOL-it, goditi një rrjet kriminal që merrej me prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara në Greqi. EUROPOL-i i kishte nisur hetimet në mars të vitit 2021 dhe kishte zbuluar se banda kishte ngritur një pikë printimi në Athinë për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme të udhëtimit. Në qershor të vitit 2022, autoritetet arrestuan tetë persona që dyshoheshin se u kishin dhënë dokumente udhëtimi kontrabandistëve të emigrantëve, duke lehtësuar kështu lëvizjen e paligjshme të njerëzve nga Egjipti drejt BE-së. U sekuestruan 362 dokumente të falsifikuara.13

Në fillim të nëntorit të vitit 2022, oficerët e policisë serbe nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar Financiar, në bashkëpunim me personelin e Shërbimit për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit, arrestuan tre kriminelë nga Novi Pazari në bazë të dyshimeve se kishin krijuar dhe shitur dokumente të falsifikuara. Në reportazhet e medieve serbe pretendohej se grupi kriminal kishte shitur dokumente në tregun e zi për 500 euro copa.14

Në Shqipëri, nga viti 2016 janë arrestuar mbi 1 200 persona për mashtrim me viza dhe pasaporta. Në vitin 2021 u krye një hetim i madh gjatë të cilit u zbulua se kërkesa më e madhe për pasaporta false vinte nga qytetarët aziatikë që kërkonin të lidhnin kontakte me grupet kriminale në Shqipëri, si dhe nga njerëz që kërkonin dokumente udhëtimi për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara.15 Shqiptarët janë viktimat më të zakonshme të trafikimit në Mbretërinë e Bashkuar: disa prej tyre kanë dokumente të falsifikuara. Në vend që të kërkojnë azil, disa emigrantë zgjedhin të zhduken dhe të punojnë në të zezë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe pastaj kthehen në atdhe. Çmimi i një pasaporte të rreme ose i një dokumenti të falsifikuar udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar varion nga 5 000 euro në 10 000 euro.16

Ka pretendime se kriminelët e Ballkanit blejnë pasaporta kroate për të lehtësuar hyrjen në BE.17 Pasaportat kroate mundësojnë hyrjen e lehtë në BE, sidomos tani që Kroacia është pjesë e zonës “Shengen”. Në të kaluarën, raportohet se janë arrestuar disa figura kryesore serbe të krimit, me pasaporta kroate false, duke përfshirë Sinisa Petriçin, Vladimir Milisavljeviçin, i njohur me nofkën “Budallai” dhe shefin e tij, Luka Bojoviç, i njohur me nofkën “Furrxhiu”.18 Kohëve të fundit, ka pasur një numër rastesh ku dokumentet kroate janë siguruar në mënyrë të paligjshme,19 duke përfshirë rastin me profil të lartë të Filip Koraçit (i cili raportohet se ka lidhje me aktorët kryesorë të krimit në Ballkan), i cili u dënua me një vit heqje lirie në qershor të vitit 2022 për shkak të falsifikimit të një pasaporte kroate.20

Byroja Kroate për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kreu një hetim nga i cili zbuloi se midis vitit 2017 dhe nëntorit të vitit 2019, ishin prodhuar dhe shitur të paktën 42 letërnjoftime kroate dhe mbi 40 pasaporta të mbështetura në dokumente serbe false. Çmimi fillonte nga 3 500 euro për dokument.21 Si pasojë e hetimit u arrestuan 19 persona.22

Më tej, është raportuar se qindra persona, duke përfshirë kriminelë, kanë arritur të sigurojnë dokumente identifikimi dhe dokumente udhëtimi boshnjake të falsifikuara. Kjo çoi në bastisje dhe arrestime, nga ana e policisë kroate, në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Hetimeve dhe Mbrojtjes.23 Për shembull, kriminelët ballkanas nga klani famëkeq i Kavaçit, Almir Jahoviçi dhe Radoje Zhivkoviçi, u arrestuan në Turqi për shkak të dyshimeve për vrasje. Ata u kapën me pasaporta false të lëshuara në Bosnjë dhe Hercegovinë.24

Një tjetër faktor që ndikon në marrjen e paligjshme të identitetit boshnjak është se, ndryshe nga vendet fqinje, në Bosnjë dhe Hercegovinë dënimet me më pak se një vit burg mund të shmangen duke paguar gjobë.25 Sipas hulumtimeve nga Qendra për Gazetari Investigative, midis viteve 2017-2019, gjykatat në Bosnjë dhe Hercegovinë u kanë lejuar të dënuarve të blejnë gjithsej 263 vjet heqje lirie për rreth 4,6 milionë euro.26 Prandaj, kriminelët nga Serbia dhe Kroacia përdorin shtetësinë boshnjake për t’i transferuar dënimet e tyre në Bosnjë, me qëllim që të mos vuajnë dënimin në burg.27

Bosnja dhe Hercegovina po përdoret edhe si pikë tranziti për njerëzit me dokumente të falsifikuara, të cilët përpiqen të hyjnë në BE. Sipas policisë kufitare boshnjake, qytetarët etnikë çeçenë të Rusisë janë përpjekur së fundmi të hyjnë në Bosnjë dhe Hercegovinë nëpërmjet aeroporteve të Sarajevës dhe Tuzlës duke përdorur regjimin e lëvizjes pa viza.28 Ata mbanin lejeqëndrime të falsifikuara nga disa vende të BE-së dhe udhëtonin me qëllim që të hynin në BE.

Rreziqet për sigurinë, që paraqesin pasaportat false të lëshuara nga vendet e Evropës Juglindore, duhet të shqyrtohen me më shumë vëmendje dhe kontrollet duhet të bëhen më të rrepta. Dokumentet e falsifikuara të udhëtimit ose dokumentet e vërteta, por që janë siguruar në rrugë të dyshimta, përbëjnë një prej metodave kryesore të mundësimit të krimit të organizuar. Ato u mundësojnë kriminelëve ose personave të ekspozuar politikisht që të lëvizin pa u zbuluar. Më tej, këto dokumente bëhen treg kriminal në vetvete: dokumentet e falsifikuara përdoren dhe shiten në masë të madhe midis anëtarëve të grupeve të krimit të organizuar. Kjo praktikë dëmton edhe emrin e vendeve ku prodhohen ose lëshohen këto dokumente.

Autoritetet kombëtare në rajon duhet të hartojnë strategji më të mira për vlerësimin e kontrollit dhe të punojnë me partnerët në rajon (si BE-ja dhe Turqia) për të monitoruar situatën. Gjithashtu, ekziston një nevojë e madhe për shkëmbimin e informacioneve në lidhje me dokumentet e rreme të udhëtimit dhe për nofkat. Kjo është temë të cilës duhet t’i jepet përparësi në kuadër të bashkëpunimit rajonal, për shembull, nëpërmjet Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) dhe Nismës Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI), të cilat kanë bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e zbatimit të ligjit në kuadër të sigurisë së dokumenteve të udhëtimit.

Shënime

  1. INTERPOL, Identity and travel document fraud, https://www.interpol.int/en/Crimes/Counterfeit-currency-and-security-documents/Identity-and-travel-document-fraud

  2. Intervistë me një polic nga Maqedonia e Veriut, 22 nëntor 2022. 

  3. Sinisa Jakov Marusic, North Macedonia claims to bust police gang forging passports, BalkanInsight, 7 prill 2021, https://balkaninsight.com/2021/04/07/north-macedonia-claims-to-bust-police-gang-forging-passports

  4. Observatory of Illicit Economies in South-Eastern Europe, Passports and protection: the Macedonian connection of a Turkish crime boss, Risk Bulletin – Issue 8, GI-TOC, korrik-gusht 2021, https://globalinitiative.net/analysis/seeobs-risk-bulletin-8

  5. Po aty. 

  6. Sinisa Jakov Marusic, North Macedonia arrests police in crackdown on passport-forgers, BalkanInsight, 6 prill 2021, https://balkaninsight.com/2021/04/06/north-macedonia-arrests-police-in-crackdown-on-passport-forgers

  7. Jelena Radivojević, Ubijen vođa škaljarskog klana Jovan Vukotić, KRIK, 8 shtator 2022, https://www.krik.rs/ubijen-vodja-skaljarskog-klana-jovan-vukotic

  8. Jovan Vukotić lažni pasoš nabavio na Kosovu, RTCG, 8 dhjetor 2022, https://rtcg.me/vijesti/crna_hronika/389458/jovan-vukotic-lazni-pasos-nabavio-na-kosovu.html?fbclid=IwAR1DB1gdjO-luyBfE91PcU6LM9wBXdH_cTHDy2fmFGqsie85xh8EiygBsAg

  9. Frosina Dimeska, Fugitive Ukraine politician under US sanctions wins North Macedonia citizenship, BalkanInsight, 11 nëntor 2022, https://balkaninsight.com/2022/11/11/fugitive-ukraine-politician-under-us-sanctions-wins-north-macedonia-citizenship

  10. Anna Kholodnova, Fugitive ex-lawmaker Oleksandr Onyshchenko received citizenship of North Macedonia date, Babel, 11 nëntor 2022, https://babel.ua/en/news/86912-media-fugitive-ex-lawmaker-oleksandr-onyshchenko-received-citizenship-of-north-macedonia

  11. Po aty. 

  12. European Observatory of Crimes and Security, North Macedonia scraps fugitive Ukrainian citizenship date, 7 dhjetor 2022, https://www.eu-ocs.com/north-macedonia-scraps-fugitive-ukrainian-citizenship

  13. Balkan police arrest 13 for gang-related identity theft, Reuters, 20 qershor 2016, https://www.reuters.com/article/us-bosnia-crime-arrests-idUSKCN0Z61PO

  14. Falsifikovali dokumenta: Uhapšen trojac iz Novog Pazara, Nportal, 1 nëntor 2022, https://www.nportal.rs/vest/36979/vesti/crna-hronika/novi-pazar-lazna-dokumenta-falsifikovanje

  15. Nora Muci, Over 1,200 arrested in a 5-year timespan for visa and passport fraud, Euronews, 18 shkurt 2022, https://euronews.al/en/250-arrested-in-a-year-for-visa-and-passport-fraud

  16. Valbona Bezati, London calling: Albanians count cost of UK illegality, BalkanInsight, 29 tetor 2020, https://balkaninsight.com/2020/10/29/london-calling-albanians-count-cost-of-uk-illegality

  17. Srpskoj mafiji naše lažne putovnice omogućuju kretanje po Europi, praktične zbog sličnih imena, Večernji list, 4 korrik 2021, https://www.vecernji.hr/vijesti/srpskoj-mafiji-nase-lazne-putovnice-omogucuju-kretanje-po-europi-prakticne-zbog-slicnih-imena-1505287

  18. OCCRP, Six arrested in croatia for falsifying passports for gangsters, 26 mars 2012, https://www.occrp.org/en/daily/1453-six-arrested-in-croatia-for-falsifying-passports-for-gangsters

  19. Dušan Miljuš, Hrvatsku putovnicu podigao i crnogorski narkobos, objavljujemo snimke razgovora i SMS-ove mafijaša, Jutarnji list, https://www.jutarnji.hr/vijesti/crna-kronika/hrvatsku-putovnicu-podigao-i-crnogorski-narkobos-objavljujemo-snimke-razgovora-i-sms-ove-mafijasa-15036566

  20. Marin Dešković, Šef Zemunskog klana na sudu u Zagrebu: ‘Da, koristio sam krivotvorenu putovnicu RH. Prijetilo mi je ubojstvo’, Jutarnji list, 7 qershor 2022, https://www.jutarnji.hr/vijesti/crna-kronika/sef-zemunskog-klana-na-sudu-u-zagrebu-da-koristio-sam-krivotvorenu-putovnicu-rh-prijetilo-mi-je-ubojstvo-15207431

  21. Court remands thought to be involved in large-scale fake passports scheme, HINA/N1, 29 nëntor 2019, https://hr.n1info.com/english/news/a463992-court-remands-21-thought-to-be-involved-in-large-scale-fake-passports-scheme

  22. Po aty. 

  23. State Investigation and Prosecution Agency, SIPA apprehended three individuals for forging of documents in operation codenamed ‘Art’, 22 shtator 2015, http://www.sipa.gov.ba/en/news/sipa-apprehended-three-individuals-for-forging-of-documents-in-operation-codenamed-art/13225

  24. Pasoš Izdat u Banjaluci: Organizator ubistva vođe ‘Škaljarskog klana’ u Tursku letio sa dokumentima BiH, Vecernje Novosti, 23 shtator 2022, https://vecernjenovosti.ba/99758/hronika/pasos-izdat-u-banjaluci-organizator-ubistva-vodje-skaljarskog-klana-u-tursku-letio-sa-dokumentima-bih

  25. Goran Katić, Otkup zatvorske kazne u BiH po tarifi od 25 do 50 evra za dan, Slobodna Evropa, 23 nëntor 2021, https://www.slobodnaevropa.org/a/zatvor-kazna-otkup-tarifa/31573655.html

  26. Selma Boračić-Mršo, Službenici u BiH otkupljuju kazne umjesto da idu u zatvor, Slobodna Evropa, 12 qershor 2019, https://www.slobodnaevropa.org/a/29995187.html

  27. Hrvatski i srpski kriminalci kazne plaćaju u BiH, Glas Srpske, 17 nëntor 2019, https://www.glassrpske.com/lat/novosti/vijesti_dana/hrvatski-i-srpski-kriminalci-kazen-placaju-u-bih/297587

  28. Goran Katić, Zašto je BiH stanica za Čečene u bijegu od mobilizacije?, Radio Slobodna Europa, 30 dhjetor 2022, https://www.slobodnaevropa.org/a/cecenija-rusija-bih-evropska-unija/32201177.html