Grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor kontribuojnë në dhunën e ndërlidhur me drogën në Ekuador.
Në vitin 2022, Ekuadori u pllakos nga shpërthimi i dhunës së grupeve të krimit të organizuar, duke përfshirë sulme me bombë, protesta të dhunshme në burgje dhe vrasjen e tre prokurorëve. “Narkodhuna” arriti deri në atë pikë saqë qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në nëntor të vitit 2022. Ndonëse ky vend i vogël i Amerikës Latine ndodhet mijëra kilometra larg Evropës Juglindore, paqëndrueshmëria e tij vjen pjesërisht si pasojë e veprimtarive të grupeve kriminale të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë bërë faktorë të rëndësishëm të kontrabandimit të kokainës nga Ekuadori drejt Evropës Perëndimore. Në vend që të çojë në ndërprerjen e veprimtarive të tyre, dhuna e kohëve të fundit në Ekuador mund të jetë duke i ndihmuar këto grupe që të forcojnë pozitën e tyre në ekonomikë joshëse lokale të drogës.
Faktorë të rëndësishëm në një portal të madh kokaine
Ekuadori, i cili gjendet midis dy vendeve kryesore të prodhimit të kokainës, Kolumbia dhe Peruja, është bërë portal kryesor për dërgimin me anije të kokainës drejt Evropës.1 Porti i Guajakilit, më i madhi në Ekuador, është njëherazi pikë e rëndësishme nisjeje për drogat dhe epiqendër e dhunës që ndërlidhet me drogën. Midis janarit dhe gushtit të vitit 2022, në Ekuador janë regjistruar 145 sulme me bombë, gjysma e të cilave ndodhën në Guajakil.2 Qytetin e kanë pllakosur dhuna e bandave, vrasjet makabre, rrëmbimet dhe zhvatja. Në shumë raste — për shembull, në gusht të vitit 2021 — qeveria është detyruar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të dhunës.3
Fotografia: Michele Westmorland
Dhuna ka përfshirë edhe burgjet, ku grupet kriminale bashkërendojnë trafikimin e kokainës.4 Në vitin 2021, rreth 316 të burgosur u vranë në burgjet e vendit, të cilat shpesh janë të mbipopulluara. Kjo prirje vazhdoi edhe në vitin 2022, duke përfshirë një përleshje të përgjakshme në tetor, e cila mendohet se është nxitur nga një përpjekje për pushtet mbi rrjetet e shpërndarjes së drogës.5
Për njëfarë kohe, Ekuadori ka vuajtur nga paqëndrueshmëria politike dhe drejtësia e dobët penale dhe konsiderohet si një prej demokracive më të paqëndrueshme të Amerikës Latine.6 Në vitin 2021, ky shtet zuri vendin e 31-të në botë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.7 Një prej pikëve më të larta të kriminalitetit (7,5 nga 10) kishte të bënte me ndikimin e faktorëve të huaj. Disa prej faktorëve të huaj më të fuqishëm dhe më të dhunshëm janë grupet kriminale nga Meksika, të cilët transportojnë kokainë nga Ekuadori drejt Shteteve të Bashkuara.8 Megjithatë, në Ekuador veprojnë edhe grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor. Ndonëse kanë arritur të mos bien në sy, prania dhe veprimtaria e tyre ka lënë gjurmë gjaku. Gjatë pesë viteve të fundit, në Ekuador janë vrarë pesë shtetas të Ballkanit: tre shqiptarë, një serb dhe një malazez. U plagos edhe një qytetar i Kosovës. Të gjitha këto raste besohet se kanë lidhje me trafikimin e kokainës dhe me mosmarrëveshjet në radhët e faktorëve të huaj dhe midis këtyre dhe bandave kriminale lokale.9
Mendohet se pjesa më e madhe e narkodhunës në Ekuador ka të bëjë me konkurrencën midis grupeve lokale në lidhje me atë se cili do t’u ofrojë mbrojtje faktorëve të fuqishëm të huaj.10 Grupet kriminale nga Ballkani punojnë ngushtë me bandat lokale për të garantuar mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre. Për shembull, grupet lokale ndihmojnë me sigurimin e kokainës, transportin, logjistikën dhe sigurinë dhe krijojnë lidhjet me politikanët e korruptuar dhe me aleatët në sektorin e sigurisë dhe në sistemin e drejtësisë. Meqë ky biznes është mjaft fitimprurës, sipërmarrësit lokalë konkurrojnë midis njëri-tjetrit, duke përfshirë edhe përdorimin e dhunës.
Deri më tani, sistemi i drejtësisë penale në Ekuador nuk ka arritur ta vërë nën kontroll situatën. Intervistat me zyrtarët e lartë të policisë në Ekuador tregojnë se ata nuk i njohin sa duhet grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor dhe se bashkëpunimi i tyre me homologët në Evropën Juglindore është i paktë. Gjithashtu, ekziston edhe një historik korruptimi. Shpesh, ata që guxojnë të ngrihen kundër krimit e pësojnë. Në vitin 2022 u vranë tre prokurorë ekuadoras: dy në Manabi dhe një në Guajakil.11
Grupet nga Ballkani përfitojnë nga kriza
Çuditërisht, vala më e fundit e dhunës mund të jetë mundësi e mirë për grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor që veprojnë në Ekuador. Së pari, ata nuk janë shënjestër e dhunës. Në fakt, bandat lokale ekuadorase luftojnë për të mbrojtur grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor dhe mundësojnë veprimtaritë e këtyre të fundit, dhe kështu përfitojnë bandat ekuadorase. Nëse grupet ballkanase nuk bien në sy dhe notojnë me valën, ato mund të përfitojnë nga rivaliteti i ashpër midis bandave, për ta blerë kokainën me çmim më të ulët dhe për të gjetur sipërmarrës të dhunshëm që janë të gatshëm t’u ofrojnë mbrojtje.
Së dyti, dhuna në rrugë dhe në burgje bën që policia të jetë e zënë me punë, gjë që u mundëson faktorëve të huaj të përfitojnë nga situata. Identifikimi i trafikantëve ballkanas në vendet e Amerikës Latine nuk ka qenë i drejtpërdrejtë. Kjo falë identiteteve të tyre të shumta (duke përfshirë edhe përdorimin e dokumenteve false), korrupsionit dhe lidhjeve me njerëz të pushtetshëm. Vala e re e dhunës ia bën edhe më të vështirë zyrtarëve të agjencive ligj-zbatuese që të shënjestrojnë grupet e huaja kur i kanë duart të zëna me grupet e dhunshme të vendit të tyre.
Së treti, grupet kriminale nga Ballkani përfitojnë nga rrëmuja e përgjithshme që ka pllakosur Ekuadorin si pasojë e rritjes së dhunës. Raportohet se kufijtë po bëhen gjithmonë e më të depërtueshëm dhe siguria portuale më pak e rreptë. Rrëmuja u ka mundësuar kriminelëve të dalin nga rrjeta e sistemit të drejtësisë. Për shembull, trafikanti famëkeq shqiptar i drogës, Dritan Rexhepi, që ka qenë në burg në Ekuador që prej vitit 2014, përfitoi arrest shtëpiak në fund të vitit 2021. Sipas medieve, nga ai vit ai është zhdukur nga shtëpia në Guajakil për të vazhduar me veprimtaritë kriminale.12
Dhuna e kohëve të fundit në Ekuador tregon natyrën ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe faktin që zbatimi i ligjit në arenën ndërkombëtare është në gjendje të copëzuar. Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Evropën Perëndimore dhe Juglindore nuk do të kenë mundësi të ndërpresin dërgesat e mëdha të drogës, përveç nëse bashkëpunojnë më shumë me homologët e tyre në vendet burimore siç është Ekuadori. Ndërkohë, policia në Ekuador do ta ketë të vështirë të ulë dhunën në vend, përveç nëse e kuptojnë që narkodhuna po nxitet, pjesërisht, nga konkurrenca midis grupeve lokale për të mbrojtur faktorët kriminalë të huaj. Thënë ndryshe, ky është shembull i mirë i një problemi “glokal”, ku flukset botërore ndikojnë te gjendja lokale. Për këtë arsye, zgjidhja duhet të jetë e bashkërenduar dhe shumëpalëshe.
Shënime
-
Walter Kemp, Transnational tentacles: Global hotspots of Western Balkan organized crime, GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/07/Transnational-Tentacles-Global-Hotspots-of-Balkan-Organized-Crime-ENGLISH_MRES.pdf. ↩
-
International Crisis Group, Ecuador’s high tide of drug violence, 4 nëntor 2022, https://www.crisisgroup.org/latin-america-caribbean/andes/ecuador/ecuadors-high-tide-drug-violence. ↩
-
Dan Collins, Ecuador city declares state of emergency amid dramatic rise in gang bombings, The Guardian, 15 gusht 2022, https://www.theguardian.com/world/2022/aug/15/ecuador-state-emergency-guayaquil-rise-bombings-gangs-cocaine. ↩
-
UN experts sound alarm as Ecuador sees more deadly prison clashes, Al Jazeera, 6 tetor 2022, https://www.aljazeera.com/news/2022/10/6/un-experts-sound-alarm-as-ecuador-sees-more-deadly-prison-clashes. ↩
-
Associated Press, Ecuador prison clash leaves at least 15 dead, 20 injured, VOA News, 4 tetor 2022, https://www.voanews.com/a/ecuador-prison-clash-leaves-at-least-15-dead-20-injured/6774888.html. ↩
-
Walter Kemp, Transnational tentacles: Global hotspots of Western Balkan organized crime, GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/07/Transnational-Tentacles-Global-Hotspots-of-Balkan-Organized-Crime-ENGLISH_MRES.pdf. ↩
-
Shih: GI-TOC, Global Organized Crime Index – Criminality in Ecuador, https://ocindex.net/country/ecuador. ↩
-
Dan Collyns, Agony of Ecuador’s brutal prison massacre endures for bereaved relatives, The Guardian, 10 tetor 2021, https://www.theguardian.com/global-development/2021/oct/10/ecuador-prison-massacre-relatives. ↩
-
Alessandro Ford, Albanian mafia leaves trail of blood in Ecuador, InSight Crime, 5 janar 2021, https://insightcrime.org/news/analysis/adriatik-tresa-albanian-mafia-ecuador; European mafias operate from Ecuador, even from prison they coordinate the exit of the drug, 24/7 News Agency, 6 shkurt 2022, https://247newsagency.com/opinion/60609.html. ↩
-
Intervistë me një gazetar investigativ në Bogota, shtator 2022. ↩
-
Inci Sayki, Two charged for the killing of Ecuadorian prosecutor, OCCRP, 21 shtator 2022, https://www.occrp.org/en/daily/16787-two-charged-for-the-killing-of-ecuadorian%20prosecutor. ↩
-
Judge let the ‘cocaine czar’ escape in Ecuador, Ecuador Times, 11 nëntor 2022, https://www.ecuadortimes.net/judge-let-the-cocaine-czar-escape-in-ecuador. ↩