Luftëtarët e Ballkanit marrin armët në Ukrainë: rritet rreziku i krimit të organizuar.
Lufta në Ukrainë ka bërë që disa tregje kriminale (p.sh. trafikimi i heroinës) të zhvendosen, duke krijuar kështu mundësi të reja për krimin e organizuar, për shembull, për trafikimin e armëve, drogave sintetike dhe njerëzve. Në fakt, në një takim të mbajtur rishtas të Platformës Multidisiplinare Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), të organizuar nga EUROPOL-i, u dha paralajmërimi se lufta në Ukrainë mund të ndikojë te 10 tregje kriminale dhe te “rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë”.1 Edhe pse i frikshëm, në këtë paralajmërim nuk përmendet rreziku i mundshëm ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë politike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), rrezik ky që mund të vijë si pasojë e kthimit të luftëtarëve ballkanas nga lufta në Ukrainë. Kërcënimi duket se nuk është trajtuar nga politikëbërësit evropianë ose nga qeveritë e gjashtë vendeve të BP-së,2 qoftë në strategjitë kombëtare kundër terrorizmit, qoftë në vlerësimet e kërcënimit nga krimi i organizuar.3
Studimet e fundit kanë treguar se grupet e krimit të organizuar, duke përfshirë ato nga gjashtë vendet e BP-së, kanë mënyra të sofistikuara të veprimit dhe metoda të përparuara për rekrutimin. Për shembull, grupet nga gjashtë vendet e BP-së i kanë shtrirë rrjetet e tyre deri në Amerikën Latine, Afrikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme.4 Në të kaluarën, të rinjtë që kishin përvojë në luftërat e ish-Jugosllavisë u bënë ushtarë këmbësorie (terreni) të grupeve kriminale, si në gjashtë vendet e BP-së, ashtu edhe jashtë rajonit. Ata ishin sipërmarrës në tregun e dhunës dhe kontraktoheshin si banditë, truproje, snajperë, vrasës me pagesë dhe ekspertë të komunikimit, si dhe për kontrabandimin e armëve dhe instalimin e lëndëve plasëse. Sot, grupet kriminale nga gjashtë vendet e BP-së, që veprojnë brenda dhe jashtë rajonit, kërkojnë individë me aftësi ushtarake, që dinë të përdorin armët e zjarrit dhe janë të aftësuar për t’u marrë me lëndët plasëse, me komunikim dhe kundërzbulimin, ose që janë të aftë të kontrabandojnë para fizike ose drogë dhe të neutralizojnë armiqtë duke përdorur metoda të sofistikuara vrasjeje.5 Disa prej organizatave kriminale më të fuqishme në rajon dhe në tregjet e tjera kryesore të krimit si Amerika Latine drejtohen nga individë me trajnim ushtarak ose kanë në përbërje të tyre individë të këtillë.6 Grupet e krimit të organizuar janë duke shtuar kërkesën për njerëz të tillë.7 Për këtë arsye, luftëtarët e huaj që kthehen në atdhe janë grupi i shënjestruar i grupeve të krimit. Edhe pse nuk ka prova të fuqishme që lënë të kuptohet se ka lidhje të drejtpërdrejtë midis luftëtarëve të huaj të kthyer dhe grupeve të krimit të organizuar në gjashtë vendet e BP-së, ky rrezik duhet të shqyrtohet në mënyrë serioze, sidomos për shkak se rajoni ka treguar edhe më përpara që është edhe burim, edhe destinacion i luftëtarëve të huaj.
Fotografia: Goran Uzunovic/EyeEM
Në të kaluarën, gjashtë vendet e BP-së kanë qenë edhe destinacion, edhe burim i luftëtarëve të huaj. Besohet se numri i luftëtarëve të huaj që janë angazhuar në të gjitha palët gjatë luftërave në ish-Jugosllavi nuk kalonte 5% të numrit të përgjithshëm të të gjithë luftëtarëve.8 Megjithatë, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, luftëtarët etnikë serbë mbështeteshin nga luftëtarë të huaj, të cilët njiheshin me nofkën “kontraktniki” ose “luftëtarë me kontratë”, që vinin kryesisht nga vendet ku mbizotëron feja ortodokse si Rusia, Greqia, Rumania, Ukraina dhe Polonia.9 Rreth 700 luftëtarë të huaj rus morën pjesë vetëm në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës, sipas qeverisë së Republikës Serbe.10 Ana boshnjake u mbështet nga disa qindra luftëtarë të huaj (përllogaritjet variojnë nga 400 deri në 1 200), që vinin kryesisht nga Lindja e Mesme.11 Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, pati qindra luftëtarë të huaj që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata vinin kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Suedia, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.12 Edhe gjatë konfliktit në atë që më përpara njihej si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në vitin 2001, luftëtarët vinin nga Kosova për të mbështetur shqiptarët etnikë, ndërsa Forcat Maqedonase të Sigurisë u mbështetën me mjete fluturuese nga Ukraina deri në korrik të vitit 2001.13
Nga ana tjetër, gjashtë vendet e BP-së janë rajon që “eksporton” luftëtarë të huaj. Për shembull, llogaritet se rreth 1 000 të rinj e të reja nga gjashtë vendet e BP-së iu bashkuan Shtetit Islamik në konfliktet në Siri dhe Irak, gjatë periudhës 2012-2016.14 Ka pasur shqetësime në lidhje me radikalizimin e atyre që janë kthyer.15
Më tej, ka shenja që qytetarët serbë, që morën anën e forcave proruse në Krime në vitin 2014 kishin qenë pjesë e forcave paramilitare serbe.16 Për këto arsye, rreziku i luftëtarëve të huaj është se ata, jo vetëm që mund të kthehen me pikëpamje radikale ideologjike ose politike, por që, ish-kriminelët, mund t’i kthehen jetës së krimit pasi kanë fituar më shumë përvojë luftarake, pasi kanë krijuar rrjete të reja dhe kanë, në këtë mënyrë, qasje në ekonomitë e reja të paligjshme.17
Luftëtarët ballkanas në Ukrainë
Përllogaritet se rreth 1 500 luftëtarë të huaj nga e gjithë bota iu bashkuan luftës gjatë pushtimit të parë të Ukrainës në vitin 2014 (deri në qershor të vitit 2016).18 Gjatë pushtimit të dytë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, ka pasur rreth 36 000 (deri në korrik të vitit 2022).19 Kur krahasojmë shifrën e përafërt prej 40 000 luftëtarësh të huaj që iu bashkuan Shtetit Islamik gjatë ekzistencës së tij katërvjeçare në Siri dhe Irak (2014-2018), numri i luftëtarëve të huaj që u bënë pjesë e konfliktit të dytë (2022) në Ukrainë vetëm në muajt e parë të luftës është relativisht i lartë. Gjatë viteve të para (2022) të krizës në Ukrainë dhe rreth saj, mendohet se në luftimet e atjeshme kanë marrë pjesë rreth 300 individë nga gjashtë vendet e BP-së, ku disa janë bërë palë me separatistët prorusë, ndërsa të tjerët janë pjesë e batalioneve të vullnetarëve ukrainas.20 Serbia ka qenë një prej furnitoreve kryesore të luftëtarëve që luftojnë në krah të separatistëve prorusë: rreth 100 burra.21 Mendohet se disa prej tyre kanë kontribuuar edhe në aneksimin e Krimesë në vitin 2014.22
Nuk dihet ende numri i luftëtarëve të huaj nga gjashtë vendet e BP-së që kanë luftuar në Ukrainë që prej shkurtit të vitit 2022. Sipas mediave, shumë serbë etnikë nga Serbia dhe Bonja dhe Hercegovina kanë dalë vullnetarë për të mbështetur anën ruse,23 madje edhe si pjesë e grupit “Wagner Group”.24
Nga ana tjetër, kur shpërtheu lufta në shkurt të vitit 2022, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se mercenarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutoheshin dhe po transferoheshin për në Donbas të Ukrainës për të luftuar kundër rebelëve të mbështetur nga Moska.25^^ Përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës kanë mohuar të ketë mercenarë nga vendet e tyre në Ukrainë, pretenduan se deklaratat e Rusisë, përkundrazi, janë “akuza false”.26
Fotografia: Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës
Profili dhe motivet e luftëtarëve të huaj
Në këtë studim të hollësishëm të luftëtarëve të huaj, që kanë pasur bindje ekstremiste ideologjike në konfliktin e vitit 2014 në Ukrainë, Kasper Rekaveku (Kacper Rekawek) vëren se luftëtarët e huaj perëndimorë në të dyja anët kanë prapavija të ndryshme ideologjike, duke përfshirë individë me bindje të djathta ekstreme, të majta ekstreme dhe nacional-komunistë kuq e kaf. Megjithatë, ata që shkuan në vitin 2022, duken më pak të radikalizuar dhe të politizuar.27
Kur bëhet fjalë për historikun dhe motivimet e luftëtarëve nga gjashtë vendet e BP-së, të cilët po marrin pjesë në luftën e tanishme në Ukrainë, disa duket se janë motivuar nga bindje nacionaliste, ideologjike (si ekstremizmi i djathtë) ose fetare, ndërsa të tjerët janë thjesht mercenarë. Disa luftëtarë nga Kroacia pretendonin se po e mbështesnin Ukrainën, sepse “ishte ndër vendet e para që njohën sovranitetin e Kroacisë” në vitin 1991 dhe e kishte ndihmuar më vonë vendin “pas tërmeteve në Zagreb dhe Banovinë” në vitin 2020.28 Disa luftëtarë serbë prorusë thuhet se motivohen nga solidariteti sllav,29 mirënjohja për mbështetjen e Rusisë në konfliktet e mëparshme (për shembull, në rastin e krizës së Republikës Serbe),30 hakmarrja kundër Perëndimit ose lidhjet me organizatat e së djathtës ekstreme si grupi serb “Patrullat e Popullit”.31 Edhe pse pjesëmarrësit janë kryesisht njerëz të rinj, të ndikuar nga propaganda dhe ideologjitë, disa janë veteranë të luftërave në ish-Jugosllavi.32 Ekziston rreziku që individët që marrin pjesë në njësitë me nivel të lartë orientimi politik dhe ideologjik — nëse mbijetojnë — do të kthehen në atdhe me më shumë përvojë luftarake, por edhe me pikëpamje të radikalizuara.33
Studimet për motivet e luftëtarëve të huaj nga gjashtë vendet e BP-së që u bënë pjesë e Shtetit Islamik dhe pushtimit të vitit 2014 të Ukrainës tregojnë edhe se disa luftëtarë të huaj me historik kriminal kanë marrë pjesë në konfliktet jashtë vendit me qëllim që të shmangnin ndjekjen penale në atdhe.34
Efektiviteti i gjashtë vendeve të BP-së në drejtim të trajtimit të luftëtarëve që kthehen
Gjashtë vendet e BP-së kanë pasur njëfarë përvoje me trajtimin e luftëtarëve të huaj që u kthyen në vendin e tyre pasi kishin qenë pjesë e Shtetit Islamik në konfliktet në Siri dhe Irak. Që prej vitit 2020, pothuaj të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë prekur nga kjo dukuri, janë duke zbatuar programe për rehabilitimin dhe riintegrimin e njerëzve të riatdhesuar nga zonat e konfliktit, shumica e të cilëve janë të mitur dhe gra që nuk kanë marrë pjesë në luftime, por edhe luftëtarë meshkuj të moshës madhore.35 Kjo është tepër e rëndësishme, sepse, në disa raste, si në Kosovë, burrat dhe gratë e riatdhesuara janë futur në burg në bazë të akuzave për terrorizëm.36 Këto programe përfshijnë këshillim psikologjik dhe fetar për të burgosurit, mbështetje sociale për familjet dhe hartim të programeve të reja të punësimit për ata që bëhen përsëri pjesë e shoqërisë.37
Duhet shënuar që të gjashta vendet e BP-së i kanë miratuar rezolutat 2178 (2014) dhe 2396 (2017) të Këshillimit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar rekrutimin dhe lëvizjen e luftëtarëve të huaj terroristë dhe për të siguruar që shtetet të hartojnë strategji për ndjekjen penale, rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve që kthehen.38 Megjithatë, shumica e gjashtë vendeve të BP-së nuk e kanë nënshkruar “Konventën ndërkombëtare kundër rekrutimit, përdorimit, financimit dhe trajnimit të mercenarëve”, e cila hyri në fuqi në vitin 2001.39 Rreziku që vjen nga mosnënshkrimi i kësaj konvente është që vendet e rajonit mund t’i lejojnë vetes të përdorin, financojnë dhe trajnojnë mercenarë, të cilët, më pas, mund të merren në punë nga grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar për të kryer vepra penale dhe për të destabilizuar shtetin e së drejtës.
Gjashtë vendet e BP-së i kanë ndryshuar ligjet në mënyrë të tillë që të kriminalizojnë të gjitha format e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë vendit,40 ku Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk e ka kriminalizuar haptas dhe qartë mbështetjen e publikut ndaj udhëtimit drejt zonave të konfliktit. Veprat penale për luftëtarët e huaj ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por legjislacioni i Shqipërisë dhe Kosovës parashikon dënimet më të ashpra: midis 5 deri në 15 vjet burg.41
Çështja e kthimit të luftëtarëve të huaj — që mori vëmendje të konsiderueshme kur qindra njerëz nga rajoni u bënë pjesë e Shtetit Islamik — duhet të shqyrtohet më nga afër. Mund të thuhet se rreziku i radikalizimit të burrave që luftojnë në Ukrainë është më i ulët sesa ai i atyre që luftuan në Lindjen e Mesme. Në fakt, deri më tani, lidhjet midis krimit të organizuar dhe luftëtarëve të huaj në Ukrainë nga Ballkani duken të dobëta. Pavarësisht kësaj, kthimi në atdhe i të rinjve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kanë luftuar në Ukrainë, mund të fryjë radhët e paramilitarëve, të rrisë tensionet ndëretnike dhe të shtojë numrin e ushtarëve këmbësorë që mund të rekrutohen nga grupet kriminale, sikurse është vënë re pas luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Prandaj, strategjitë për vlerësimin e rrezikut të luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të mundësojnë monitorimin dhe analizimin e rreziqeve të mundshme që paraqet kthimi i luftëtarëve të huaj.
Shënime
-
“Rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë” nuk përkufizohen nga EMPACT-i, por, me sa duket, kanë të bëjnë me ato rrjete që përdorin “korrupsionin, aktet e dhunës, armët e zjarrit dhe pastrimin e parave nëpërmjet sistemeve financiare paralele të botës së krimit”. Council of the EU, Fight against organised crime: Council sets out 10 priorities for the next 4 years, 26 maj 2021, https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2021/05/26/fight-against-organised-crime-council-sets-out-10-priorities-for-the-next-4-years. ↩
-
Cooperation on the fight against organised crime in the Western Balkans (P9_TA(2021)0506), European Parliament resolution, 15 dhjetor 2021, https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/TA-9-2021-0506_EN.html. ↩
-
Në strategjinë e BE-së përmendet bashkëpunimi për luftën kundër terrorizmit, por nuk trajtohet rreziku që vjen nga luftëtarët e huaj të kthyer. Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions on the EU Strategy to tackle Organised Crime 2021–2025, COM/2021/170 final, European Commission, 14 prill 2021, https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52021DC0170&qid=1632306192409. ↩
-
EUROPOL, Joint investigation team leads to dismantling of one of Europe’s most active Albanian-speaking networks trafficking cocaine into Europe, 17 shtator 2020, https://www.europol.europa.eu/media-press/newsroom/news/joint-investigation-team-leads-to-dismantling-of-one-of-europe%E2%80%99s-most-active-albanian-speaking-networks-trafficking-cocaine. ↩
-
Walter Kemp, Transnational tentacles: Global hotspots of Western Balkan organised crime, GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/07/Transnational-Tentacles-Global-Hotspots-of-Balkan-Organized-Crime-ENGLISH_MRES.pdf. ↩
-
Carter Smith, Gangs and the military note 2: Military-trained gang members as criminal insurgents, Small Wars Journal, 31 maj 2018, https://smallwarsjournal.com/jrnl/art/gangs-and-military-note-2-military-trained-gang-members-criminal-insurgents. ↩
-
Po aty. ↩
-
Evan F Kohlmann, Al-Qaida’s Jihad in Europe: The Afghan-Bosnian Network, Oxford/New York: Berg Publishers, 2004, 18–19. ↩
-
Arielli Nir, In search of meaning: Foreign volunteers in the Croatian armed forces, 1991–95, Contemporary European History 21, 1, 1–17; Wspomnienia byłego najemnika, Polaka – uczestnika wojny w Bośni i Hercegowinie / Johny B., ‘Kurier WNET’ 70/2020, Radia Wnet, 1 maj 2020, https://wnet.fm/kurier/wspomnienia-bylego-najemnika-polaka-uczestnika-wojny-w-bosni-i-hercegowinie-johny-b-kurier-wnet-70-2020. ↩
-
Meliha Kešmer, Od Bosne do Ukrajine ista lica među ruskim dobrovoljcima, Radio Slobodna Evropa, 10 mars 2022, https://www.slobodnaevropa.org/a/rusi-placenici-bih-rat-visegrad-ukrajina/31746321.html. ↩
-
Vlado Azinović and Merdijana Sadović, Otkuda strani mudžahedini u BiH?, Radio Slobodna Evropa, 20 prill 2008, https://www.slobodnaevropa.org/a/1107532.html; Edin Subašić, ‘Džihad’ u BiH (1): Mudžahedini su podvala Zapada, Al Jazeera, 3 mund 2019, https://balkans.aljazeera.net/opinions/2019/5/3/dzihad-u-bih-1-mudzahedini-su-podvala-zapada. ↩
-
Adriatik Kelmendi, Kosovars refute Islamic terror claims, Institute for War and Peace Reporting, 11 nëntor 2001, https://iwpr.net/global-voices/kosovars-refute-islamic-terror-claims. ↩
-
Taraz Kuzio, Ukraine forges military alliance with Macedonia, The Jamestown Foundation, 7, 10, https://jamestown.org/program/ukraine-forges-military-alliance-with-macedonia/#.VUfxKvmqqko. ↩
-
Vlado Azinović, ed, Between salvation and terror: Radicalization and the foreign fighter phenomenon in the Western Balkans, School of Political Science and Atlantic Initiative, 2017, https://atlanticinitiative.org/wp-content/uploads/2017/05/images_BetweenSalvationAndTerror_BetweenSalvationAndTerror.pdf. ↩
-
Leonie Vrugtman, Future challenges of violent extremism in the Western Balkans, Institute for Democracy and Mediation, shkurt 2019, https://idmalbania.org/future-challenges-of-violent-extremism-in-the-western-balkans-february-2019. ↩
-
Aleksandar Vasovic, Serbian paramilitaries join pro-Russian forces in Crimea, Reuters, 14 mars 2014, https://www.reuters.com/article/us-crimea-volunteers-idUSBREA2D0C020140314. ↩
-
Tanya Mehra dhe Abigail Thorley, Foreign fighters, foreign volunteers and mercenaries in the Ukrainian armed conflict, International Centre for Counter-Terrorism, 11 korrik 2022, https://icct.nl/publication/foreign-fighters-volunteers-mercenaries-in-ukraine. ↩
-
Asya Metodieva, Balkan fighters in Eastern Ukraine: Why are they there?, Riddle, 29 prill 2019, https://ridl.io/balkan-fighters-in-eastern-ukraine-why-are-they-there/#:~:text=About%20300%20Balkan%20fighters%20have,if%20it%20was%20their%20own. ↩
-
Tanya Mehra dhe Abigail Thorley, Foreign fighters, foreign volunteers and mercenaries in the Ukrainian armed conflict, International Centre for Counter-Terrorism, 11 korrik 2022, https://icct.nl/publication/foreign-fighters-volunteers-mercenaries-in-ukraine. ↩
-
Vuk Velebit, Serb fighters in Ukraine continue to worry the West, European Western Balkans, 19 dhjetor 2017, https://europeanwesternbalkans.com/2017/12/29/serb-fighters-ukraine-continue-worry-west. ↩
-
Po aty. ↩
-
Jelena Beslin dhe Marija Ignjatijevic, Balkan foreign fighters: From Syria to Ukraine, Brief issue 20, European Union Institute for Security Studies, qershor 2017, https://www.iss.europa.eu/sites/default/files/EUISSFiles/Brief%2020%20Balkan%20foreign%20fighters.pdf. ↩
-
Nermina Kuloglija dhe Azra Husaric Omerovic, Serb Volunteers Answer Call to Fight in Ukraine, BalkanInsight, 8 mars 2022, https://balkaninsight.com/2022/03/08/serb-volunteers-answer-call-to-fight-in-ukraine. ↩
-
Maja Zivanovic, Donbass brothers: How Serbian fighters were deployed in Ukraine, BalkanInsight, 13 dhjetor 2018, https://balkaninsight.com/2018/12/13/donbass-brothers-how-serbian-fighters-were-deployed-in-ukraine-12-12-2018. ↩
-
Alice Taylor, Moscow claims mercenaries from Western Balkans fight in Ukraine, Euractiv, 22 shkurt 2022, https://www.euractiv.com/section/politics/short_news/moscow-claims-mercenaries-from-western-balkans-fight-in-ukraine. ↩
-
Talha Ozturk, Western Balkan countries rebuff Russian claims they sent mercenaries to Ukraine, Anadolu Agency, 21 shkurt 2022, https://www.aa.com.tr/en/politics/western-balkan-countries-rebuff-russian-claims-they-sent-mercenaries-to-ukraine/2508795. ↩
-
Kacper Rekawek, Western extremists and the Russian invasion of Ukraine in 2022: All talk, but not a lot of walk, Counter Extremism Project, 2022, https://www.counterextremism.com/sites/default/files/2022-05/Western%20Extremists%20and%20the%20Russian%20Invasion%20of%20Ukraine%20in%202022_May%202022.pdf. ↩
-
Matea Grgurinovic, Croatian volunteer fighters head for Ukrainian frontline, BalkanInsight, 28 shkurt 2022, https://balkaninsight.com/2022/02/28/croatian-volunteer-fighters-head-for-ukrainian-frontline. ↩
-
Meliha Kešmer, Od Bosne do Ukrajine ista lica među ruskim dobrovoljcima, Radio Slobodna Evropa, 10 mars 2022, https://www.slobodnaevropa.org/a/rusi-placenici-bih-rat-visegrad-ukrajina/31746321.html. ↩
-
Marko Didić, Dobrovoljci iz Republike Srpske vraćaju ratni dug ‘braći Rusima’? Evo gdje ova teorija vuče korijene, riječi umirovljenog generala otkrivaju sve: ‘Dok su Srbi i Rusi zajedno, Allahov put neće biti uspostavljen‘, Slobodna Dalmacija, 24 maj 2022, https://slobodnadalmacija.hr/vijesti/regija/dobrovoljci-iz-republike-srpske-vracaju-ratni-dug-braci-rusima-evo-gdje-ova-teorija-vuce-korijene-rijeci-umirovljenog-generala-otkrivaju-sve-dok-su-srbi-i-rusi-zajedno-allahov-put-nece-biti-uspostavljen-1195334. ↩
-
Nermina Kuloglija dhe Azra Husaric Omerovic, Serb volunteers answer call to fight in Ukraine, BalkanInsight, 8 mars 2022, https://balkaninsight.com/2022/03/08/serb-volunteers-answer-call-to-fight-in-ukraine. ↩
-
Po aty. ↩
-
Snezana Bjelotomic, Serbian and Russian ultra-right joining forces, Serbian Monitor, 22 korrik 2022, https://www.serbianmonitor.com/en/serbian-and-russian-ultra-right-joining-forces. ↩
-
Jelena Beslin dhe Marija Ignjatijevic, Balkan foreign fighters: From Syria to Ukraine, Brief issue 20, European Union Institute for Security Studies, qershor 2017, https://www.iss.europa.eu/sites/default/files/EUISSFiles/Brief%2020%20Balkan%20foreign%20fighters.pdf. ↩
-
Fjori Sinoruka, Xhorxhina Bami and Sinisa Jakov Marusic, Welcome Home? ISIS returnees test Balkan countries’ ability to reintegrate, BalkanInsight, 20 gusht 2021, https://balkaninsight.com/2021/08/20/welcome-home-isis-returnees-test-balkan-countries-ability-to-reintegrate. ↩
-
Po aty. ↩
-
Adrian Shtuni, Rehabilitation and reintegration path of Kosovar minors and women repatriated from Syria, International Republican Institute, 14 shtator 2021, https://www.iri.org/resources/new-report-supports-rehabilitation-of-kosovo-youth-and-women-with-connection-to-violent-extremism. ↩
-
Naureen C Fink dhe Colin P Clarke, Foreign fighters are heading to Ukraine. That’s a moment for worry, Politico, 10 mars 2022, www.politico.com/news/magazine/2022/03/10/foreign-fighters-are-heading-to-ukraine-thats-a-moment-for-worry-00016084. ↩
-
United Nations, List of signatories to the International Convention against the Recruitment, Use, Financing and Training of Mercenaries, 11 dhjetor 2022, https://treaties.un.org/Pages/ViewDetails.aspx?src=IND&mtdsg_no=XVIII-6&chapter=18&clang=_en. ↩
-
Luka Glusac, Criminalization as anxious and ineffective response to foreign fighters phenomenon in the Western Balkans, Journal of Regional Security, 15, 1, 39–74. ↩
-
Po aty. ↩