GI-TOC-ja bashkorganizoi një konferencë shkencore në Athinë për të trajtuar mungesën e temave të krimit të organizuar në arsimin e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Thuhet shpesh që ka nevojë për politika të mbështetura në fakte dhe për analiza më të thelluara të krimit të organizuar dhe të bashkëpunimit. Megjithatë, këto tema janë të vështira për t’u hulumtuar, për shkak të natyrës së fshehtë të krimit të organizuar. Për ta trajtuar këtë problematikë, GI-TOC-ja, Organizata Evropiane e së Drejtës Publike (EPLO) dhe Qendra Evropiane për Drejtësi Penale e Universitetit të Panteionit bashkorganizuan në Athinë, midis datave 21-22 tetor 2022, një konferencë shkencore në bashkëpunim me Rrjetin Akademik Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore dhe për Kriminalistikën në Ballkan. Në këtë konferencë morën pjesë mbi 80 individë, duke përfshirë akademikë nga rajoni, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, studentë të universiteteve greke dhe përfaqësues nga departamenti grek i drejtësisë dhe nga institucione të tjera qeveritare (si Autoriteti Kombëtar i Transparencës), duke krijuar kështu një forum për shkëmbimin e njohurive dhe për krijimin e mundësive të reja të nxënies.

Siç dokumentohet në raportin e radhës të GI-TOC-së, të titulluar “Analiza e hendekut në kërkimet për ekonomitë e paligjshme në Ballkanin Perëndimor”, “kapaciteti për hulumtim kriminologjik në fushën e krimit të organizuar, në përgjithësi, është i dobët” në Ballkanin Perëndimor. Analiza e hendekut tregon se midis vitit 2017 dhe 2021, janë botuar 514 studime për ekonomitë e paligjshme, nga studiues të akademisë, shoqëria civile, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare e rajonale. Revistat akademike zënë vetëm 36% të numrit të përgjithshëm të botimeve. Megjithatë, tezat e doktoraturës zënë më pak se 5% të totalit, çka tregon se hulumtuesit e rinj nuk janë të interesuar për temat që ndërlidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më tej, hulumtimet financohen kryesisht nga donatorët. Sipas një hulumtuesi: “Po të mos ishte për donatorët, nuk do të kishte fare studime për krimin e organizuar dhe korrupsionin” në Ballkanin Perëndimor.1

Constantine Palicarsky, Ugljesa Zvekic, Dimitris Ziouvas dhe John Collins marrin pjesë në konferencën shkencore në Athinë në tetor të vitit 2022, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimeve rreth krimit të organizuar.

Constantine Palicarsky, Ugljesa Zvekic, Dimitris Ziouvas dhe John Collins marrin pjesë në konferencën shkencore në Athinë në tetor të vitit 2022, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimeve rreth krimit të organizuar.

Foto: E dhënë

Një prej arsyeve për të cilat në rajon ka pak kërkime rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit është se, në të gjitha nivelet arsimore në rajon, nuk ka programe arsimore që përqendrohen te kurset e mësimdhënies për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo mund të ketë ardhur si pasojë e mungesës së mbështetjes së shtetit për studimin e këtyre temave, shkëmbimi i kufizuar i informacioneve dhe mungesa e bashkëpunimit midis akademive në rajon, zhvillimi i pamjaftueshëm i metodologjisë në fakultetet e specializuara gjatë 30 viteve të fundit, mungesa e programeve tërheqëse të studimit ose perceptimi se mungojnë karrierat përkatëse pas diplomimit. Më tej, akademikët në rajon zakonisht botojnë në gjuhët e tyre amtare, çka kufizon përdorimin e tyre nga kolegët e vendeve të tjera të rajonit ose nga gazetarët me renome ndërkombëtare.

Për t’i zgjidhur këto mangësi, simpoziumi në Athinë u mundësoi akademikëve dhe studiuesve të ekspozojnë punimet e tyre dhe të diskutojnë rreth mënyrave për t’i shtrirë më tej kërkimet rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit Gjatë evenimentit dyditor, akademikët që japin mësim në universitetet e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Greqisë, Italisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë patën mundësinë të prezantonin, përpara të pranishmëve dhe atyre që e ndoqën simpoziumin nga interneti, kurset e specializuara të nivelit “master” dhe “doktoraturë” rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat ofrohen në universitetet e tyre përkatëse. Këtu mund të përmendim programin trevjeçar të doktoraturës të Universitetit të Milanos për “Studime mbi krimin e organizuar”. Ata folën për përvojat dhe praktikat e mira që ndiqen në kuadër të metodologjive kërkimore, shprehive dhe njohurive, dhe patën mundësinë të forconin rrjetet e tyre.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit mësuan për burimet që ofrohen nga organizatat ndërkombëtare. Për shembull, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin prezantoi nismën “Burimi Global për Edukimin Kundër Korrupsionit dhe për Fuqizimin e Rinisë”, që përmban module dhe manuale mësimdhënieje për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për kultivimin e integritetit. Këto module dhe manuale janë në dispozicion të akademikëve, arsimtarëve, autoriteteve të parandalimit të korrupsionit dhe rinisë. Përfaqësues të organizatës “Transparency International” në Greqi foli për përdorimin e rasteve të korrupsionit të madh për qëllime mësimdhënieje dhe prezantoi “Indeksin e perceptimit të korrupsionit”.2 Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit shtjelloi më tej rolin që luan arsimi në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal kundër korrupsionit, ndërsa Akademia Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit bëri një prezantim për kurset e specializuara “master” për parandalimin e korrupsionit. Përfaqësuesit e organizatës “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” folën për përpjekjet e gjera të organizatës për të përfshirë rininë dhe dhanë kontributin e tyre në diskutimin rreth ndikimeve që mund të ketë te krimi i organizuar legalizimi i kanabisit në rajon. Së fundi, por po aq e rëndësishme, GI-TOC-ja prezantoi raportin kryesor të saj, “Indeksin Global të Krimit të Organizuar”,3 si dhe gjetjet kryesore nga analiza e hendekut të raporteve dhe botimeve të fundit rreth parandalimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, domethënë serinë “Infrastruktura e integritetit”.4 Kjo analizë pritet të botohet së shpejti.

Një prej gjërave që u përmenden më së shpeshti gjatë simpoziumit ishte nevoja për më shumë edukim rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar me qëllim të pasurimit të bazës së njohurive mbi këto tema; përmirësimit të parandalimit të tyre dhe krijimit të një kulture integriteti. Kjo kërkesë u ngrit edhe në Konferencën e Shibenikut në maj të vitit 2022 për “Kulturën e integritetit”, ku morën pjesë ministra të drejtësisë, përfaqësues të agjencive të specializuara për luftën kundër korrupsionit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë, përfaqësues të agjencive ligj-zbatuese dhe të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni. Sa më herët të mësojnë studentët dhe nëpunësit civilë për dëmet dhe pasojat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, aq më të mëdha do të jenë gjasat për ngushtimin e hendekut midis sistemit arsimor dhe tregut të punës në këto fusha.

Një tjetër arsye pse duhet përmirësuar i arsimi i lartë në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin është rritja e numrit të ekspertëve që mund të zënë vendet e përshtatshme të punës në sistemin e drejtësisë penale dhe në agjencitë ligj-zbatuese, si dhe në fusha më të specializuara siç janë inteligjencia financiare, siguria kibernetike dhe kriminalistika. Megjithatë, sfida është që programi mësimor të hartohet në mënyrë të tillë që studentët të pajisjen me shprehitë dhe aftësitë e nevojshme për të analizuar dhe luftuar krimin në botën e vërtetë.

Rritja e bazës së njohurive mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin mund të çojë edhe në përmirësimin e politikave që mbështeten në prova dhe mund të kontribuojë në reagime strategjike më efektive. Në këtë kuptim, një prej sfidave është të shkallmohen barrierat midis akademisë, shoqërisë civile dhe agjencive ligj-zbatuese me qëllim që të nxitet më shumë gërshetimi i fushave përkatëse, dhe kjo në të mirën e tyre të ndërsjellë.

Disa prej ideve që mund të ndiqen më vonë janë shkollat verore të specializuara për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe hartimi i një plani mësimor të përshtatur. Modeli i simpoziumit, që është testuar në Evropën Juglindore, mund të imitohet dhe të zbatohet edhe në pjesë të tjera të botës, me qëllim nxitjen e shkëmbimit të njohurive midis akademisë, organizatave ndërkombëtare dhe nxënësve, si në nivel rajonal, ashtu edhe në nivel global.

Shënime

  1. Shih “Analizën e hendekut në kërkimet për ekonomitë e paligjshme në Ballkanin Perëndimor”, GI-TOC, që pritet të dalë së shpejti. 

  2. Shih: https://www.transparency.org/en/cpi/2021

  3. Shih: https://ocindex.net

  4. Shih, për shembull, Uglješa Ugi Zvekić dhe Sunčana Roksandić Vidlička, Corruption and anti-corruption pledges in the Western Balkans, GI-TOC, tetor 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/10/Infrastructure-of-Integrity-GI-TOC.pdf