Kosova ndërmerr hapa për të rritur vlerën e pronave të sekuestruara të ndërlidhura me krimin e organizuar.
Edhe pse legjislacioni penal i Kosovës rregullon konfiskimin e aseteve të siguruara në rrugë kriminale dhe të të ardhurave nga krimi i organizuar, arritjet e sistemit të drejtësisë penale në vend, deri tani, kanë qenë të pamjaftueshme. Nga analiza e të dhënave për vitet 2017-2021, del se 6,3 milionë euro asete janë konfiskuar në 28 raste, duke përfshirë trafikim të lëndëve narkotike, kontrabandim mallrash dhe trafikim armësh. Megjithatë, statistikat tregojnë edhe një mospërputhje të madhe midis vlerës së aseteve të sekuestruara përkohësisht dhe vlerës së atyre që janë konfiskuar përfundimisht (në mënyrë të përhershme). Për ta mbyllur këtë hendek, qeveria e Kosovës ka marrë një numër hapash, ku përfshihet krijimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe parashikimi me ligj i konfiskimit të aseteve jo mbi bazën e dënimit për veprën penale. A do të arrijnë këto masa të rrisin vlerën e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara? Dhe, duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera të rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, a mund të bëhet më shumë për të përmirësuar ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara?
Mospërputhshmëria midis vlerës së aseteve të sekuestruara dhe asaj të aseteve të konfiskuara
Rikuperimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi i organizuar i pengojnë kriminelët të përfitojnë pasurinë e vënë nëpërmjet veprimtarive penale. Në teori, kjo duhet të veprojë si mjet për të dekurajuar krijimin, sepse rrit rreziqet dhe ul përfitimet nga veprimtaritë e paligjshme. Megjithatë, në Kosovë, pavarësisht legjislacionit dhe institucioneve të ngritura, asetet e konfiskuara kanë qenë të pakta. Për të rritur konfiskimin e aseteve dhe për të çuar më tutje legjislacionin, në vitin 2019 hyri në fuqi një ligj me të cilin bëhej e mundur zgjerimi i konfiskimit.
Konfiskimi standard rregullohet me Kodin e Procedurës Penale (KPP). Autoritetet mund të mbështeten në këtë kod për të konfiskuar asetet dhe përfitimet materiale që janë siguruar nga veprat penale për të cilat personi është shpallur fajtor (shih kutizën: Kuadri kryesor legjislativ dhe institucional për konfiskimin e aseteve). Nga ana tjetër, zgjerimi i konfiskimit mund të përdoret atëherë kur dispozitat e KPP-së nuk mjaftojnë. Kështu, mund të konfiskohen asete që nuk kanë të bëjnë me veprën penale për të cilën personi në fjalë është shpallur fajtor. Konfiskimi i përkohshëm, në aspektin procedural, kryhet me kërkesën e prokurorit të shtetit dhe me miratimin e gjyqtarit të procedurës paraprake. Krahas kësaj, prokurorët kanë mundësinë të marrin masa hetimore për të ngrirë përkohësisht asetet ose për të nxjerrë urdhra kufizues të vlefshëm për 72 orë, me qëllim parandalimin e shitjes, transferimin e pronësisë ose tërheqjen nga llogaria.1
Siç tregohet në figurën 1, të dhënat për periudhën 2014-2021 tregojnë një mospërputhje prej 185,98 milionë eurosh midis vlerës së aseteve të sekuestruara dhe vlerës së aseteve të konfiskuara përfundimisht.2 Me fjalë të tjera, vetëm 3,3% e aseteve të sekuestruara janë konfiskuar përfundimisht. Në nivelin e BE-së, përqindja është rreth 50.3 Gjëja më e rëndësishme është që, edhe pse me ligjin “Për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale” prokurorëve u janë dhënë më shumë burime,4 që kur ligji hyri në fuqi në vitin 2019 nuk ka pasur asnjë rast.5
Gjatë periudhës 2017-2021, janë kryer vetëm 28 konfiskime nga 1 695 raste të aseteve të sekuestruara (ose 2%), siç tregohet në figurën 2. “Shumë raste janë ende në faza të ndryshme të gjykimit, për shkak të vonesës së procedurave gjyqësore, ngurrimit të gjykatave për marrë vendime për shitjen e aseteve dhe mungesës së gjyqtarëve të specializuar”, u shpreh Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike.6 Nga ana tjetër, një gjyqtar i Gjykatës së Apelit nënvizoi mungesën e hetimeve me bazë në prova dhe ndjekjes së rasteve sipas ligjit për konfiskimin e zgjeruar, si dhe mangësi në zbatimin dhe interpretimin e saktë të standardeve përkatëse.7 Mungesa e rezultateve u theksua nga ekspertë të lartë të pavarur nga shtetet anëtare të BE-së gjatë misionit vlerësues në Kosovë në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ekspertët kanë vënë re se nuk përdoret as konfiskimi në bazë të vlerës, as konfiskimi me palë të tretë dhe as konfiskimi i zgjeruar, dhe se mungon vullneti i sistemit gjyqësor për të bërë përparim të prekshëm.8
Burimi: Këshilli Prokurorial i Kosovës
Vlera më e lartë e aseteve të sekuestruara u arrit në vitin 2016, ku, në dy operacione të mëdha, u sekuestruan asete me vlerë të përgjithshme midis 60,4 milionë dhe 70,4 milionë eurosh. Prokuroria e Shtetit hapi një rast për lëshimin e 65 pronave të zëna në mënyrë të paligjshme, me vlerë të përgjithshme pak më të vogël se 42 milionë euro.9 Nga ana tjetër, atë vit, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) sekuestroi 39 parcela me vlerë të përgjithshme midis 15 milionë dhe 25 milionë eurosh.10
Burimi: Prokuroria
Administrimi i aseteve të sekuestruara ose të konfiskuara
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), si institucion ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ruan dhe administron asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara.11 Aktualisht, në AAPSK janë punësuar 26 vetë. Pozicioni i drejtorit të përgjithshëm është i lirë që prej prillit të vitit 2021.
Në një raport të vitit 2022 për ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara, të botuar nga GI-TOC-ja, u identifikuan disa sfida në vendet e Ballkanit Perëndimor, disa prej të cilat janë më të dukshme në Kosovë. Këtu përfshihet transparenca e pamjaftueshme në administrimin dhe transferimin e aseteve të konfiskuara dhe mungesa e dispozitave që mundësojnë ripërdorimin social të tyre dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.12 Ligji aktual nuk parashikon ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara për qëllime publike, prandaj qeveria i ripërdor asetet vetën për të kompensuar palët e dëmtuara. Më tej, transferimi i aseteve të konfiskuara nuk rregullohet me asnjë akt nënligjor ose procedurë standarde të veprimit.
AAPSK-ja nuk e ka krijuar ende faqen e internetit. Informacionet që jepen në faqen e internetit të ministrisë kanë vetëm disa fakte bazë, mandatin dhe kompetencat e Agjencisë dhe një link për thirrjet për ankand. Deri në prill të vitit 2022, janë botuar 67 thirrje.13 Megjithatë, nuk ka të dhëna publike në lidhje me përfundimet e këtyre ankandeve.
Burimi: AAPSK
Zhvillimet e reja
Mungesa e rezultateve lidhur me konfiskimin e përhershëm të aseteve e ka bërë qeverinë e re të nisë në vitin 2021 një projektligj për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe të parashikojë konfiskimin jo në bazë të veprës për të cilën dënohet i pandehuri.14 Pasi të hyjë në fuqi, ky ligj do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së fituar në rrugë të paligjshme në procedurë civile dhe në mungesë të dënimit penal. Kur byroja, gjatë procedurave të verifikimit, vëren ndonjë mospërputhje më të madhe se 25 000 euro midis të ardhurave dhe aseteve, ajo e dërgon rastin në gjykatë për nisjen e procedurave civile të konfiskimit.15 Ky ligj do të zbatohet vetëm për personat zyrtarë,16 anëtarët e familjes së tyre, personat e ekspozuar politikisht dhe palët e treta, dhe do t’i mundësojë Byrosë të konfiskojë pasurinë e pajustifikuar, të vënë që prej vitit 2008, deri në 10 vjet pas mbarimit të detyrës së tyre zyrtare.17
Në tetor të vitit 2021, Komisioni Evropian vuri në dukje se projektligji duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe të drejtat themelore dhe të parashikojë masa të qarta mbrojtëse kundër keqpërdorimit ose abuzimit të mundshëm.18 Projektligji i ri është shqyrtuar me kujdes nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili ka konstatuar se janë të pamjaftueshme masat për të siguruar pavarësinë e Byrosë dhe se ekzistojnë shqetësime në lidhje me sigurimin e provave në kuadër të procedurës së konfiskimit.19 Partitë opozitare e kanë kundërshtuar projektligjin duke thënë se ai bie ndesh me kushtetutën dhe nuk ka dispozita për të siguruar pavarësinë nga ndërhyrjet politike.20 Për pasojë, kryetari i Kuvendit, në përputhje me kërkesën e partive opozitare, e dërgoi projektligjin në Komisionin e Venedikut për t’i kërkuar opinion. Më 20 qershor 2022, komisioni doli me opinionin e tij ku identifikoi një numër mangësish që mund të çojnë në shkeljen e të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më tej, Komisioni argumentoi se, nëse qeveria e krijon Byronë, ajo duhet të japë garanci të forta për pavarësinë e Byrosë, të sigurojë një numër të mjaftueshëm personeli të specializuar dhe të parashikojë kompetenca të mjaftueshme.21 Kuvendi e miratoi projektligjin në korrik të vitit 2022, pas leximit të parë. Mbetet të shihet se si do të trajtohen rekomandimet e Komisionit të Venedikut përpara miratimit të dytë dhe përfundimtar.22
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike e mbështet këtë nismë, të cilën e sheh si pjesë të rëndësishme të plotësimit të kuadrit ligjor. Megjithatë, ai vuri në dukje se kufizimi i fushëveprimit të ligjit vetëm te personat zyrtarë, anëtarët e familjeve të tyre, personat e ekspozuar politikisht dhe palët e treta është mangësi e madhe.23
Në të njëjtën kohë, qeveria është duke krijuar një fond konfiskimi dhe ka miratuar “Koncept-dokumentin për fondin e konfiskimit” në qershor të vitit 2022.24 Do të krijohet një grant qeveritar në kuadër të AAPSK-së, i cili do të mundësojë ripërdorimin e aseteve për qëllime sociale dhe për nevojat e institucioneve, duke përfshirë veprimtaritë për ngritjen e kapaciteteve.25 Nga projektligji përfundimtar i miratuar është hequr propozimi fillestar që një pjesë e caktuar e fondit të konfiskimit t’u jepej viktimave, institucioneve të gjyqësorit dhe agjencive ligj-zbatuese, buxhetit të shtetit dhe të përdorej për ripërdorim social.26 Kriteri për zbatimin dhe shpërndarjen e fondeve dhe aseteve duhet të rregullohet me ligjin e ri ose me akt nënligjor, me të cilin duhet të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia si dhe vendimmarrja e paanshme. GI-TOC-ja, në një raport për ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara, jep disa shembuj të mirë nga vendet e rajonit, të cilat mund të shërbejnë si frymëzim për Kosovën.27
Hapat e radhës
Për të përmirësuar rezultatet, duhet t’i jepet përparësi konfiskimit të aseteve, sidomos nga prokuroria dhe sistemi gjyqësor. Rezultatet e punës të Prokurorisë duhet të përmirësohen duke ngritur dhe zbatuar me rreptësi një sistem me synime dhe tregues specifikë për konfiskimin e aseteve. Gjithashtu, duhet të zhvillohen më shumë trajnime të përbashkëta për agjencitë ligj-zbatuese, prokurorët dhe gjykatësit. Është e rëndësishme që zyra e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike të plotësohet e gjitha me personelin e duhur, me përfaqësues të agjencive ligj-zbatuese, në përputhje me rregulloren, me qëllim që të zbatojë mandatin në mënyrë efektive.
Lista e aseteve të sekuestruara ose të konfiskuara, që administrohen nga AAPSK-ja, duhet të jetë lehtësisht të qasshme nga publiku, me qëllim që të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia, sidomos për asetet që shiten, jepen me qira ose transferohen. Në ndryshimet legjislative, që janë duke ndodhur tani, mund të përfshihen edhe dispozitat për të parashikuar ripërdorimin social të ndërtesave të konfiskuara dhe të fondeve që mund të mbështetnin mjaft OJQ-të që u ofrojnë strehim viktimave të krimit dhe rehabilitim përdoruesve të drogës dhe që zbatojnë projekte për rininë ose ofrojnë shërbime të tjera sociale në nivel lokal dhe kombëtar. Ky mund të jetë hap i rëndësishëm për rritjen e rreziqeve dhe uljen e përfitimeve të atyre të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion dhe për të përdorur një pjesë të fitimeve të nxjerra nga veprimtaritë e paligjshme për të mirën e shoqërisë.
Shënime
-
Code no.04/L-123 Procedure Code, Official Gazette of the Republic of Kosovo, 28 dhjetor 2012, https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2861. ↩
-
Në vitin 2016, vlera e aseteve të sekuestruara dhe të ngrira ishte midis vlerave 60 411 328 dhe 70 411 328 euro. Për qëllime të analizës dhe të paraqitjes grafike të të dhënave (grafiku 1), u zgjodh një vlerë mesore (65 511 328 euro). ↩
-
EUROPOL, Does crime still pay? Criminal asset recovery in the EU, 2016, https://www.europol.europa.eu/sites/default/files/documents/criminal_asset_recovery_in_the_eu_web_version_0.pdf. ↩
-
Law no.06/L-087 on Extended Powers for Confiscation of Assets, Official Gazette of the Republic of Kosovo, 26 dhjetor 2018, https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=18337. ↩
-
Reports of activities and recommendations of National Coordinator Against Economic Crime 2014–2021, Kosovo Prosecutorial Council, shkurt 2022; intervistë me Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, 19 prill 2022. ↩
-
Intervistë me Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, më 19 prill 2022. ↩
-
Intervistë me një gjyqtar të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, më 17 maj 2022. ↩
-
TAIEX Case-based peer review mission on countering organized crime and corruption, dokument i pabotuar, korrik 2022. ↩
-
Reports of activities and recommendations of National Coordinator Against Economic Crime April–June 2016, Kosovo Prosecutorial Council, korrik 2016. ↩
-
Po aty. ↩
-
Law no. 05/L-049 on the Management of Sequestrated and Confiscated Assets, Official Gazette of the Republic of Kosovo, 14 prill 2016, https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=12360. ↩
-
Sasa Djordjevic, Social reuse of confiscated assets, GI-TOC, mars 2022, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2022/02/GMFA-Social-Reuse-of-Confiscated-Assets-Eng.pdf. ↩
-
Kosovo Ministry of Justice, Publication of auctions, https://md.rks-gov.net/page.aspx?id=2,99. ↩
-
Government of the Republic of Kosovo, Concept paper on the issue of unjustifiably acquired assets, prill 2021, https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/07/Concept-Paper-on-the-Issue-of-Unjustifiably-Acquired-Assets-converted.pdf. ↩
-
Government of the Republic of Kosovo, Draft Law on the State Bureau for Verification and Confiscation of Unjustified Assets, 29 dhjetor 2021, https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/Projektligji-per-Byrone-Shteterore-per-Verifikimin-dhe-Konfiskimin-e-Pas….pdf. ↩
-
Në projektligjin “Për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, “personi fizik” është: personi i cili në organin shtetëror kryen punët zyrtare; personi i zgjedhur, i emëruar ose i caktuar në organin shtetëror, në organin e pushtetit lokal ose personi që përherë ose përkohësisht kryen detyrat zyrtare ose funksionet zyrtare në ato organe; personi në institucion, ndërmarrje ose në ndonjë subjekt tjetër, të cilit i janë besuar kryerja e autorizimeve publike, që vendos për të drejtat, obligimet ose interesat e personave fizikë ose juridikë ose për interesin publik; “person zyrtar” konsiderohet edhe personi të cilit i është besuar kryerja faktike e detyrave të caktuara zyrtare apo punëve; person ushtarak. ↩
-
Government of the Republic of Kosovo, Draft Law on the State Bureau for Verification and Confiscation of Unjustified Wealth, 29 dhjetor 2021, https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/Projektligji-per-Byrone-Shteterore-per-Verifikimin-dhe-Konfiskimin-e-Pas….pdf. ↩
-
European Commission, Kosovo Country Report 2021, 19 tetor 2021, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/kosovo-report-2021_en. ↩
-
Kosovo Law Institute, Confiscation of unjustified assets: the legal issues of the current Draft Law, janar 2022, https://kli-ks.org/en/confiscation-of-unjustified-assets-the-legal-issues-of-the-current-draft-law. ↩
-
Sefer Zogaj, Konjufca do ta dërgojë në Komisionin e Venecias Projektligjin për Byronë, KOHA, 24 shkurt 2022, https://www.koha.net/arberi/312558/kurti-projektligji-per-byrone-shteterore-nuk-e-cenon-pavaresine-e-pushteteve. ↩
-
Kosovo - Opinion on the Draft Law N°08/L-121 on the State Bureau for verification and confiscation of unjustified assets, Venice Commission, Opinion No. 1083/2022, 20 qershor 2022, https://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2022)014-e. ↩
-
Ilirjana Hoti, Kuvendi miraton në parim projektligjin për Byronë Shtetërore, Kallxo, 14 korrik 2022, https://kallxo.com/lajm/kuvendi-miraton-ne-parim-projektligjin-per-byrone-shteterore. ↩
-
Intervistë me Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, më 19 prill 2022. ↩
-
Office of the Prime Minister, 84th meeting of the Government, 22 qershor 2022, https://kryeministri.rks-gov.net/blog/mbledhja-e-84-te-e-qeverise. ↩
-
Ministry of Justice, Concept paper for establishment of confiscation fund, 22 dhjetor 2022, marr nga posta elektronike. ↩
-
Po aty. ↩
-
Sasa Djordjevic, Social reuse of confiscated assets, GI-TOC, mars 2022, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2022/02/GMFA-Social-Reuse-of-Confiscated-Assets-Eng.pdf. ↩