Buletini i rreziqeve Shkarkoni PDF

Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore

Numri
14
Shkurt
2023

Përmbledhje e pikave kryesore

  1. Rritet numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla nga Franca.

    Që prej korrikut të vitit 2022, numri i madh i shqiptarëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca ka marrë shumë vëmendje nga media dhe politika britanike, ku fokusi ka qenë përmirësimi i kontrollit kufitar dhe ulja e migracionit të paligjshëm. Në këtë artikull, në bazë të intervistave dhe analizës së të dhënave të ndara, të marra nga faqet e internetit të rrjeteve sociale në gjuhën shqipe, do të shohim se si kryhet ky biznes i paligjshëm, çmimet e tij dhe teknikat që përdoren për reklamë (p.sh. në rrjetet sociale), si dhe faktorët që i nxisin dhe i tërheqin shqiptarët drejt Mbretërisë së Bashkuar.

    Lexo më shumë

  2. Grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor kontribuojnë në dhunën e ndërlidhur me drogën në Ekuador.

    Në vitin 2022, Ekuadori u pllakos nga shpërthimi i dhunës së grupeve të krimit të organizuar, duke përfshirë sulme me bombë, protesta të dhunshme në burgje dhe vrasjen e tre prokurorëve. “Narkodhuna” arriti deri në atë pikë saqë qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në nëntor të vitit 2022. Ndonëse ky vend i vogël i Amerikës Latine ndodhet më shumë se 10 000 kilometra larg Evropës Juglindore, paqëndrueshmëria e tij rrjedh pjesërisht për shkak të veprimtarive të grupeve kriminale të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë bërë faktorë të rëndësishëm të kontrabandimit të kokainës nga Ekuadori drejt Evropës Perëndimore. Mbështetur në analizën e të dhënave parësore nga rajoni, do të shqyrtojmë mënyrën dhe arsyet pse po ndodh kjo dhe do të shpjegojmë pse dhuna aktuale mund të jetë duke i ndihmuar këto grupe që të forcojnë pozitën e tyre në ekonominë joshëse lokale të drogës.

    Lexo më shumë

  3. Kosova ndërmerr hapa për të rritur vlerën e pronave të sekuestruara të ndërlidhura me krimin e organizuar.

    Legjislacioni penal i Kosovës rregullon konfiskimin e aseteve të siguruara në rrugë kriminale dhe të të ardhurave nga krimi i organizuar, por, deri më tani, arritjet e sistemit të drejtësisë penale në vend kanë qenë fare të pakta. Më tej, ka një mospërputhje të madhe midis vlerës së aseteve të konfiskuara përkohësisht dhe vlerës së atyre që janë konfiskuar përfundimisht, për shkak të ngurrimit të gjykatave për të nxjerrë vendime për konfiskimin përfundimtar të aseteve dhe të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të specializuar. Qeveria e Kosovës ka marrë disa hapa për ta mbyllur këtë hendek. A do të arrijnë këto masa të rrisin vlerën e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara? Dhe, duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera të rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, a mund të bëhet më shumë për të përmirësuar ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara?

    Lexo më shumë

  4. Luftëtarët e Ballkanit marrin armët në Ukrainë: rritet rreziku i krimit të organizuar.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili tashmë ka rreth një vit që vazhdon, u ka dhënë gjallëri ekonomive të paligjshme në këto dy vende, ndërsa pasojat për rajonin, duke përfshirë Evropën Juglindore, janë të rënda. Vëzhguesit, duke përfshirë Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC), e kanë ndjekur këtë situatë nga afër. Megjithatë, ka qenë e paktë vëmendja që u është kushtuar disa mijëra burrave nga Evropa Juglindore që kanë marrë armët për të luftuar në anën e Rusisë ose Ukrainës. Në këtë numër, do të analizojmë këtë dukuri dhe do të shqyrtojmë lidhjet e saj me krimin e organizuar, si dhe sfidat që paraqet kthimi i këtyre luftëtarëve në vendet e tyre në rajon.

    Lexo më shumë

  5. Dokumentet ballkanike të rreme ose të siguruara në mënyrë të paligjshme po ua lehtësojnë udhëtimin kriminelëve kudo në botë.

    Zyrtarët policorë që hetojnë grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Ballkanin Perëndimor ose që vijnë prej tij kanë vënë në dukje herë pas here diçka të ngjashme: lehtësinë me të cilën shumë kriminelë udhëtojnë duke përdorur pasaporta false ose dokumente emigrimi të siguruara në mënyrë të paligjshme, të lëshuara nga vendet e rajonit. Ka dy mënyra me të cilat kriminelët i sigurojnë këto dokumente. Ose modifikojnë fizikisht pasaportën e vlefshme që është vjedhur ose blerë në tregun e zi, duke ndryshuar foton ose të dhënat biografike, ose blejnë në mënyrë të paligjshme një pasaportë të vlefshme me emrin e tyre ose me një nofkë, pasi i kanë dhënë ryshfet një zyrtari të korruptuar. Do të shqyrtojmë arsyet dhe mënyrat në të cilat ekziston ky problem në rajon dhe se çfarë mund të bëhet për ta zbutur atë.

    Lexo më shumë

  6. GI-TOC-ja bashkorganizoi një konferencë shkencore në Athinë për të trajtuar mungesën e temave të krimit të organizuar në arsimin e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Ndonëse krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sfida madhore në Ballkanin Perëndimor, këto çështje nuk analizohen sa duhet. Ky problem shkaktohet pjesërisht nga mungesa e edukimit për këto tema në arsimin e lartë. Për ta trajtuar këtë problem, GI-TOC-ja bashkorganizoi një konferencë shkencore në Athinë. Këtu po përmbledhim temat kryesore që u trajtuan në takim dhe idetë që duhen ndjekur më pas.

    Lexo më shumë