Lajmet Më Të Fundit Nga Observatori i Ekonomive Të Paligj-shme Në Evropën Juglindore
Roli i shoqërisë civile në zbulimin e prurjeve financiare të paligjshme
Në një raport të ri të GI-TOC-së për PFP-të në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi vihet në dukje nevoja për rritjen e informimit për ndikimin dhe dëmin që shkaktojnë PFP-të dhe për rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile për të hetuar dhe rritur vetëdijesimin për këto lloje krimi. Në këtë raport vihet në dukje mënyra se si PFP-të nxirren nga këto tri ekonomi për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal dhe krimit të organizuar.
Sistemi financiar është kanali kyç përmes së cilit lëvizin të ardhurat e paligjshme. Të tri vendet kanë sektorë të konsiderueshëm bankarë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të gjitha kanë probleme me pastrimin e parave. Përllogaritet se vetëm në vitin 2020 të jetë pastruar rreth 2 deri në 5% e PBB-së. Pjesa më e madhe e këtyre parave shkojnë në sektorin e pasurive të paluajtshme, turizmit dhe bizneseve që përdorin para fizike.
Të tre vendet i kanë kushtuar vëmendje të madhe PFP-ve duke shtuar përpjekjet kundër korrupsionit, duke përmirësuar qeverisjen financiare dhe transparencën e sektorit publik. Pavarësisht kësaj, ndikimi i tyre dëmtuar duket se nuk kuptohet sa duhet as nga shoqëria civile dhe as nga faktorët qeveritarë. Ekziston nevoja që shoqëria civile të rrisë sasinë dhe cilësinë e të dhënave të disponueshme për të gjithë përbërësit dhe kanalet e PFP-ve dhe të nisë dialogun me zyrtarët shtetërorë, sektorin privat dhe publikun e përgjithshëm në lidhje me këtë temë.
Shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor mund të mos ketë ende ekspertizë thelbësore në lidhje me PFP-të, por ajo përbën një grup të rëndësishëm palësh të interesuara që duhet të angazhohet duke ofruar të dhëna dhe prova për politikat e reja, mbikëqyrje dhe monitorim të përparimit të qeverisë, si dhe duke rritur vetëdijesimin e publikut.
Ky raport është vazhdim i publikimit të një vlerësimi të ngjashëm në vitin 2020 ku analizoheshin faktorët kyç të nxitjes dhe prirjet aktuale të PFP-ve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.1
Vegla e re në internet gjurmon kontrabandimin e migrantëve në Ballkanin Perëndimor
Në vitin 2015, vlerësohet se 1,5 milionë azilkërkues dhe migrantë—të nxitur pjesërisht nga luftërat në Siri dhe Irak—kaluan nëpër Turqi dhe Greqi për të arritur në Ballkanin Perëndimor dhe, prej këtej, drejt Evropës Perëndimore. Deri më sot, Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë vatër për emigrantët që përpiqen të arrijnë në Evropën Perëndimore.
Në vitin 2021, GI-TOC-ja analizoi tregun e kontrabandimit të migrantëve në një raport të titulluar “Çmimet në pikat kyçe: Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”.2 Në kuadër të studimit përcjellës, duke marrë parasysh natyrën dinamike të tregjeve kriminale, GI-TOC-ja ka zhvilluar një vegël ndërvepruese në internet, e cila paraqet një panoramë të trafikimit të migrantëve në rajon.
Kjo vegël ofron të dhëna për kalimet e parregullta të kufirit përgjatë rrugës së Ballkanit, numrin dhe kombësinë e migrantëve dhe azil-kërkuesve, fitimet e përllogaritura të tregut të kontrabandimit të migrantëve dhe një hartë ndërvepruese ku shfaqen rrugët e kontrabandimit dhe çmimet që paguhen për secilën rrugë.
Kjo vetëm, e cila ka një konfigurim të lehtë për t’u përdorur dhe përditësohet herë pas here, është e disponueshme për publikun, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, mediat, analistët, studentët dhe autoritetet e zbatimit të ligjit. Përdoruesit mund të bashkëndajnë me rrjetet e tyre në mediet sociale të gjithë veglën dhe/ose pjesë specifike dhe grafikë.
Kjo është vegla e parë e një vargu veglash analitike ndërvepruese të zhvilluara nga Observatori, të cilat kanë për synim jo vetëm ofrimin e një mënyre alternative të publikimit të gjetjeve të hulumtimeve, por edhe nxitjen e dialogut të mbështetur në analizë, politikave dhe vetëdijesimit në radhët e palëve të interesuara.
Për ta përdorur mjetin, vizitoni linkun: https://globalinitiative.net/analysis/migrant-smuggling-western-balkans.
Shënime
-
Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhauser, Prurjet financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut: Faktorët kryesorë dhe prirjet aktuale, GI-TOC, gusht 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/Prurje-Financiare-Te%CC%88-Paligjshme-Ne%CC%88-Shqipe%CC%88ri-Kosove%CC%88-Dhe-Maqedonine%CC%88-E-Veriut-Faktore%CC%88t-Kryesore%CC%88-Dhe-Prirjet-Aktuale.pdf. ↩
-
Walter Kemp, Kristina Amerhauser dhe Ruggero Scaturro, Çmimet në pikat kyçe: Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor, GI-TOC, maj 2021, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2021/05/Hotspots3_PR_AL.docx. ↩