A mund të ndikojë lufta në Ukrainë te krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor?
Teksa shohim të llahtarisur shkatërrimin e Ukrainës, krimi i organizuar nuk është gjëja më kryesore që na vjen në mendje. Por të gjitha luftërat kanë ndikime dhe pasoja të tërthorta afatgjata, siç kemi parë në rastin e Jugosllavisë në vitet 1990. Lufta në Ukrainë mund të shtojë mundësitë për krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, si pasojë e trafikimit të armëve, pastrimit të parave, anashkalimit të sanksioneve, lëvizjes së luftëtarëve ose ndonjë ndryshimi të mundshëm të rrugëve të trafikimit.
Fotoja: Sean Gallup/Getty Images
Një prej reagimeve më mbresëlënëse të Perëndimit ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ishte imponimi i kufizimeve ekonomike, duke përfshirë këtu sanksionet dhe ndalimin e udhëtimeve. Një prej pak rrugëve që rusët kanë në dispozicion për të udhëtuar është Beogradi. Nuk ka dyshim se edhe paratë e tyre mund të hyjnë në këtë rajon ose të lëvizin përmes tij. Në fakt, gjatë viteve të fundit, me mijëra të huaj kanë përfituar nga ajo që quhet “skema e pasaportave të arta” në disa prej vendeve Evropiane, duke përfshirë Evropën Juglindore.1 Dhe disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, vazhdojnë të ofrojnë skema për “shtetësinë në këmbim të investimit”.2 Në një rast të kohëve të fundit, Mali i Zi i ofroi azil një oligarku rus i cili kërkohej për vrasje.3
Edhe pse nuk janë ndër investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, në të kaluarën, oligarkët rusë dhe ukrainas e kanë “parkuar” pasurinë e tyre, për shembull, në Serbi ose përgjatë bregdetit malazez. Bregdeti Adriatik është fushë loje për ultra të pasurit. Një prej superjahteve të oligarkut rus, Roman Abramoviç, u ankorua kohëve të fundit në një port të vogël jahtesh të Malit të Zi.4
Rusët e pasur në lëvizje mund të kërkojnë mundësi investimi në rajon dhe mund të shfrytëzojnë fare mirë edhe lidhjet me grupet kriminale jetëgjata që kanë kontakte me politikën dhe biznesin. Ekziston rreziku që paratë e rusëve mund të pastrohen në fusha si pasuria e paluajtshme, turizmi, lojrat e fatit dhe sektorë të tjerë që janë të cenueshëm ndaj PFP-ve, duke ndikuar në këtë mënyrë ekonominë dhe politikën vendore.
Rusia po përballet me sanksione pothuaj të pashoqe, dhe nëse konflikti vazhdon, numri i penaliteteve mund të ritet. Disa vende të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar ndalimit të fluturimeve me Rusinë, prandaj aeroportet si ai i Beogradit (dhe përmes Stambollit, drejt të gjitha kryeqyteteve të vendeve të rajonit) janë bërë portalet kyçe për udhëtarët rusë. Ekziston mundësia që asetet e rusëve, të cilat janë ngrirë në shumë vende, mund të gjejnë një “parajsë të sigurt” në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rusët ndihen si në shtëpinë e tyre për t’u marrë me veprimtari afariste. Ballkani Perëndimor mund të jetë edhe shteg për trafikimin e mallrave luksoze, alkoolit dhe cigareve. Por rajoni nuk kufizohet as me Ukrainën dhe as me Rusinë dhe niveli i anashkalimit të sanksioneve ndoshta do të jetë i kufizuar, por ia vlen që kjo dukuri të mbahet nën vrojtim.
Një shenjë frikësuese e kohëve që po jetojmë është se mund të krijohet një treg i zi për barnat që janë prodhuar për të ulur ndikimin ndaj rrezatimit bërthamor. Tani për tani, në farmacitë e Maqedonisë së Veriut nuk ka pothuaj fare pilula me jodur kaliumi.5 Sikurse ndodh në pjesë të tjera të Evropës, ekzistojnë shqetësime edhe për mungesa të komoditeteve te caktuara dhe për rritjen e çmimeve. Deri më tani, dy prej artikujve që kanë çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor janë nafta dhe vaji i lulediellit.6 Tregjet ku mallrat janë të pakta mund të shërbejnë si nxitje për shfaqjen e kontrabandimit.
Ndryshimet e Rrugëve Të Trafikimit
Pasi Turqia i mbylli rrugët e trafikimit (sidomos të emigrantëve) pas vitit 2015, mendohet se disa rrugë të trafikimit të drogës kanë ndryshuar dhe se tani trafikimi bëhet përmes rrugëve detare nëpërmjet Detit të Zi, madje edhe drejt Adriatikut.7 Kjo prirje e fundit konfirmohet nga sekuestrimi i famshëm i 400 kilogramëve heroine nga Irani në portin e Varnës në Bullgari, dhe i 1 400 kilogramëve në Konstancë të Rumanisë nga autoritetet, përkatësisht në shkurt dhe maj të vitit 2021.8 Këto porte mund të bëhen më tërheqëse për prurjet e paligjshme nëse rrugët e trafikimit ndërpriten në Odesë dhe në portet e tjera të Detit të Zi për shkak të luftës në Ukrainë. Rritja e trafikimit nëpërmjet rrugës Ballkanike detare mund të vihet re edhe nga sekuestrimet e konsiderueshme që janë bërë gjatë viteve të fundit në portet e Adriatikut verilindor të Koperit në Slloveni (ku midis viteve 2019 dhe 2021 janë konfiskuar më shumë se një tonë heroinë), Ploçe të Kroacisë dhe Trieste të Italisë.9 Ky ndryshim i rrugëve të trafikimit të heroinës ndodh në një kohë kur ka prova të shumta se kokaina po trafikohet drejt porteve të Adriatikut. Edhe lumi i Danubit mund të bëhet rrugë trafikimi.
Në Ukrainë po derdhet një sasi e stërmadhe armësh, të cilat vijnë edhe nga Ballkani Perëndimor. Ka burime që tregojnë se pushkët automatike dhe mortajat e prodhuara në Serbi janë duke u përdorur në fushëbetejë.10 Sipas një burimi që e njeh mjedisin kriminal të Bosnjës dhe Hercegovinës, çmimet e armëve të zjarrit në tregun e zi të këtij shteti janë rritur me më shumë se 100 për qind që prej fundit të shkurtit. Kjo prirje vihet re edhe në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Ekziston mundësia që lufta të ketë krijuar një rritje të kërkesës, edhe për shkak të atyre që shkojnë këtë rajon si luftëtarë vullnetarë. Ekziston rreziku që disa prej armëve që po përmbysin Ukrainën do të kthehen në Ballkanin Perëndimor për t’u përdorur nga grupet kriminale ose paramilitarët, ose për t’u shitur përsëri në tregun e zi.
Të rinjtë nga Evropa Juglindore kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë—në të dy anët—që prej shpërthimit të krizës në vitin 2014,11edhe pse një veprim i tillë është i paligjshëm në shumicën e vendeve të rajonit. Me zgjatjen e luftës, pritet që ky numër të rritet, edhe për shkak se Ukraina ka krijuar të ashtuquajturin “legjion i huaj”.12 Sikurse ndodh në raste të tjera, p.sh. si rasti i luftëtarëve që shkonin nga Evropa drejt Sirisë ose Irakut, shumë prej tyre nuk do të kthehen në atdhe.
Por lëvizja e armëve dhe luftëtarëve midis Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës mund të rrisë rrezikun për ekstremizëm të dhunshëm (sidomos të djathtë), vrasje dhe dhunë paramilitare. Ky kërcënim i fundit është shqetësues sidomos në lidhje me ndikimin destabilizues që kanë grupet e armatosura në rajonet ku tensionet etnike mund të rriten shpejt. Klubi i motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, për shembull, ka degë në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Malin e Zi. Në të kaluarën, ka pasur raportime se në Serbi dhe në Republikën Serbe ka pasur mercenarë të trajnuar nga rusët, të cilët kishin lidhje me krimin e organizuar.13 Lëvizja e armëve dhe e luftëtarëve drejt zonës së luftës në Ukrainë dhe prej saj mund të rrisë numrin e grupeve kriminale dhe paramilitare në Ballkanin Perëndimor, të fuqizojë arsenalin e tyre dhe të rrisë radikalizimin.
Numri i lartë i njerëzve—sidomos i grave dhe i fëmijëve—që po largohen nga Ukraina mund të rrisë ekspozimin ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Sa më shumë të zgjasë kjo krizë dhe sa më shumë të dëshpërohen njerëzit, aq më shumë do të rritet rreziku që disa njerëz të bëhen viktima të shfrytëzimit seksual edhe në Ballkanin Perëndimor, për shembull në qytetet e mëdha, në resortet në linjën bregdetare të Adriatikut ose në internet. Në fakt, Europoli ka lëshuar një njoftim për paralajmërim të hershëm, në të cilin vë në dukje mënyrën se si gratë, fëmijët dhe personat e cenueshëm janë viktima të mundshme të rrjeteve kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.14 Europoli ka paralajmëruar se të miturit e pashoqëruar janë më të ekspozuarit ndaj rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe për qëllime pune si dhe për kriminalitet të detyruar dhe lypje ose për veprimtari të tjera.
Lufta në Ukrainë ka krijuar trazirën më të madhe në sigurinë Evropiane që prej fundit të Luftës së Ftohtë dhe tronditjen më të thellë të rendit botëror që prej vitit 1945. Kriminelët janë gjithmonë ata që bëjnë lëvizjen e parë kur ndodhin ndryshime dhe kur ka konflikte. Nuk ka dyshim se lufta do të ketë ndikim në gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor dhe ndoshta edhe në politikën kombëtare dhe marrëdhëniet ndëretnike. Ajo mund të ringjallë diskutimet për procesin e anëtarësimit në BE, sidomos duke marrë parasysh aplikimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE.15
Por lufta mund të ketë ndikim edhe te tregjet kriminale dhe PFP-të. Ajo ka nxitur largimin e të rinjve drejt fushëbetejës së re të Evropës. Kjo është diçka që agjencitë kombëtare të zbatimit të ligjit, organizatat rajonale dhe të gjitha palët e interesuara për qëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor, duhet të parashikojnë dhe monitorojnë situatën nga afër, sidomos pasi këta luftëtarë dhe armët e tyre të kthehen në atdhe. Për sa i takon GI-TOC-së, ne do të vazhdojmë të monitorojmë ndikimin e luftës në tregjet kriminale.
Shënime
-
Clara Hernanz Lizarraga, Russia’s war puts Europe’s ‘golden passports’ under microscope [Lufta e Rusisë vë nën mikroskop “pasaportat e arta”], Bloomberg, 15 mars 2022, https://www.bloomberg.com/news/articles/2022-03-15/russia-s-war-puts-europe-s-golden-passports-under-microscope. ↩
-
Samir Kajosevic, Montenegro extends ‘golden passport’ program despite EU criticism [Mali i Zi zgjat programin e “pasaportave të arta” pavarësisht kritikave të BE-së], BalkanInsight, 31 dhjetor 2021, https://balkaninsight.com/2021/12/31/montenegro-extends-golden-passport-program-despite-eu-criticism/. ↩
-
Montenegro grants asylum to tycoon wanted in Russia for murder [Mali i Zi i jep azil manjatit që kërkohet në Rusi për vrasje], The Moscow Times, 23 tetor 2021, https://www.themoscowtimes.com/2021/10/23/montenegro-grants-asylum-to-tycoon-wanted-in-russia-for-murder-a75381. ↩
-
Abramovich’s superyacht cruises in to Montenegro marina [Superjahti i Abramoviçit ankorohet në portin e jahteve të Malit të Zi], France24, 12 mars 2022, https://www.france24.com/en/live-news/20220312-abramovich-s-superyacht-cruises-in-to-montenegro-marina. ↩
-
Срѓан Стојанчов, За пандемијата се бараше тоалетна, за нуклеарната закана јод, Радио Слободна Европа, 3 mars 2022, https://www.slobodnaevropa.mk/a/за-пандемијата-се-бараше-тоалетна-за-нуклеарната-закана-јод-/31734027.html. ↩
-
N1, Zašto je poskupilo domaće suncokretovo ulje – 4,85 KM po litru?, 15 mars 2022, https://ba.n1info.com/vijesti/zasto-je-poskupilo-domace-suncokretovo-ulje-485-km-po-litru. ↩
-
Ben Crabtree, Black Sea: A rising tide of illicit business? [Deti i Zi: A po ngrihet vala e biznesit të paligjshëm?], GI-TOC, 1 prill 2020, https://globalinitiative.net/analysis/black-sea-illicit-flows/. ↩
-
Bulgarian prosecutors say heroin found in cargo from Iran [Prokurorët bullgarë thonë se kanë gjetur heroinë në mallrat që vinin nga Irani], ABC News, 16 shkurt 2021, https://abcnews.go.com/International/wireStory/bulgarian-prosecutors-heroin-found-cargo-iran-75923810; ‘Historical seizure’ of heroin at Romanian Black Sea port [“Sekuestrim historik” i heroinës në portin e Rumanisë në Detin e Zi], AP News, 20 maj 2021, https://apnews.com/article/black-sea-europe-romania-business-government-and-politics-a048a5d3cb5ad48f20067c3d11edc58e. ↩
-
I. Hina, Slovenska policija u Kopru otkrila 730 kilograma iranskog heroina, T Portal, 13 nëntor 2019, https://www.tportal.hr/vijesti/clanak/slovenska-policija-u-kopru-otkrila-730-kilograma-iranskog-heroina-20191113; R K, V Luki Koper zasegli več kot 200 kilogramov heroina; Siol, 16 qershor 2021, https://siol.net/novice/slovenija/v-luki-koper-zasegli-vec-kot-200-kilogramov-heroina-554783; Maxi sequestro di eroina al porto, i cani fiutano un carico da 50 chili, Trieste Prima, 20 korrik 2018, https://www.triesteprima.it/cronaca/maxi-sequestro-eroina-porto-trieste.html; Hina, Croatian police seize 220 kg of heroin and 62 kg of cocaine in the port of Ploce [Hinë, Policia kroate sekuestron 220 kg heroinë dhe 62 kg kokainë në portin e Plocës], N1, 11 janar 2022, https://hr.n1info.com/english/news/croatian-police-seize-220-kg-of-heroin-and-62-kg-of-cocaine-in-the-port-of-ploce/. ↩
-
Aleksandar Radić, Oružje iz ex YU na ukrajinskom ratištu, Balkanska bezbednosna mreža, 15 mars 2022, https://www.balkansec.net/post/oru%C5%BEje-iz-ex-yu-na-ukrajinskom-rati%C5%A1tu; Vuk Cvijić, Srpske mine na ukrajinskom frontu, NIN, 31 mars 2022, https://www.nin.co.rs/pages/article.php?id=102361781; Battle of Kyiv [Beteja e Kievit]. Moshchun. Hostomel, Direction Ukrainian military TV, 13 mars 2022, https://youtu.be/NdZVNU93Bvs. ↩
-
Mila Đurđević, Dobrovoljci iz Srbije u Ukrajini: Politička i vojna smetnja, Radio Slobodna Evropa, 24 shkurt 2022, https://www.slobodnaevropa.org/a/srbija-ukrajina-borci/31718923.html. ↩
-
Rusko ministarstvo: ‘U Ukrajini je 200 hrvatskih plaćenika‘. Tvrde da ih je organizirao Hrvat koji je šest godina ratovao u pukovniji Azov, Slobodna Dalmacija, 3 mars 2022, https://slobodnadalmacija.hr/vijesti/svijet/rusko-ministarstvo-u-ukrajini-je-200-hrvatskih-placenika-tvrde-da-ih-je-organizirao-hrvat-koji-je-sest-godina-ratovao-u-pukovniji-azov-1172456. ↩
-
Julian Borger, Russian-trained mercenaries back Bosnia’s Serb separatists [Mercenarët e trajnuar nga rusët mbështesin separatistët serb të Bosnjës], The Guardian, 12 janar 2018, https://www.theguardian.com/world/2018/jan/12/russian-trained-mercenaries-back-bosnias-serb-separatists. ↩
-
European Migrant Smuggling Centre, War in Ukraine – refugees arriving to the EU from Ukraine at risk of exploitation as part of THB, Europol [Qendra Evropiane për Kontrabandimin e Migrantëve, Lufta në Ukrainë – refugjatët që vijnë në BE nga Ukraina rrezikojnë të shfrytëzohen në kuadër të trafikimit të qenieve njerëzore], mars 2022, https://www.europol.europa.eu/cms/sites/default/files/documents/Early_Warning_Notification__War_in_Ukraine_–_refugees_arriving_to_the_EU_from_Ukraine_at_risk_of_exploitation_as_part_of_THB.pdf. ↩
-
Erwan Fouéré, Can the war in Ukraine revive the EU’s enlargement agenda for the Western Balkans? [A mund të ringjallë lufta në Ukrainë agjendën e zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor?], CEPS Policy Insights, nr. 2022-11, 24 mars 2022, https://www.ceps.eu/download/publication/?id=35980&pdf=PI2022-11_Can-the-war-in-Ukraine-revive-the-EUs-enlargement.pdf. ↩