Bërçkoja: Treg për krimin e organizuar.

Gjatë viteve të fundit, Rrethi i Bërçkos në Bosnjë dhe Hercegovinë është bërë skenë e një numri incidentesh që ka të bëjë me kontrabandimin e migrantëve, armëve dhe drogës. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se Bërçkoja ndodhet përgjatë rrugëve të trafikimit dhe për shkak të qeverisjes së dobët dhe korrupsionit.

Përpara se të shpërthente lufta e vitit 1992 në Bosnjë dhe Hercegovinë, Bërçkoja ishte një qytet shumetnik dhe pikë transportimi e mirënjohur rajonale ku takoheshin hekurudha kryesore, rrugët tokësore dhe ato ujore, duke lidhur kështu gjithë Jugosllavinë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Bërçkoja tani ndodhet në një trekëndësh ku takohen kufijtë e Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Porti i Bërçkos dikur ishte një prej porteve më të rëndësishëm lumorë në ish-Jugosllavi. Ky pozicion strategjik ishte arsyeja pse Bërçkoja pësoi shkatërrim kolosal gjatë luftës. Si pasojë e luftimeve të mëdha, qyteti u shkatërrua dhe popullsia kroate dhe boshnjake u dëbua. Statusi i Bërçkos u kontestua aq shumë, saqë gjatë bisedimeve për paqen në Dejton u vendos që qyteti, jo vetëm që do të ishte pjesë e Bosnjës dhe Hercegovinës, por do të merrte statusin e një entiteti të veçantë të përzierë i cili u njoh zyrtarisht si rreth.

Gjatë luftës, Bërçkoja u bë portali i veprimtarive të tregut të zi. Pas luftës, paqeruajtësit pastruan një zonë dhe, pa kaluar shumë kohë, tregtarët filluan të konfiguronin ndërtesa të improvizuar për të shitur mallrat e tyre. I ashtuquajturi “tregu i Arizonës” u bë një pazar famëkeq pa taksë ku ishte e mundur të blije pothuaj gjithçka. Për pasojë, ai u bë magnet që tërhoqi kontrabandën dhe llojet e tjera të krimit, duke përfshirë edhe prostitucionin.1 Përllogaritet se në vitin 1996, tregu i zi përbënte 98 për qind të ekonomisë së rrethit.

Për të vënë nën kontroll tregtinë, qeveria lokale dhe partnerët e saj ndërkombëtarë ndërtuan një treg të ri, i cili u bë vendi ku njerëzit, nga i gjithë rajoni, mund të blejnë dhe shesin mallra. Sot, ky treg përbëhet nga më shumë se 2 000 njësi biznesi. Përllogaritet se tregun e vizitojnë çdo ditë 5 000 deri në 6 000 vetë.2 Rreth 10 milionë euro taksa derdhen çdo vit në buxhetin e shtetit nga të ardhurat e tregut të Arizonës, i cili është bërë tregu më i madh në ish-Jugosllavi.3 Megjithatë, Bërçkoja vazhdon të mbetet një prej rajoneve më të varfra në vend. Në dhjetor të vitit 2021, rroga mesatare mujore ishte 502 euro, më e ulëta në Bosnjë dhe Hercegovinë.4

Por shndërrimi i tregut të zi për mallra të ligjshme në treg të ligjshëm nuk i eliminoi veprimtaritë e paligjshme në rreth. Kriminelët kërkuan mundësi të tjera, sidomos për të trafikuar drogë dhe qenie njerëzore dhe për të kontrabanduar armë zjarri dhe mallra me tarifa të larta.

Bashkëpunimi në radhët e kriminelëve, korrupsioni në radhët e policisë

Gjeografia e Bërçkos e bën këtë rreth nyjë kyçe të kontrabandimit midis Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë. Ai ndodhet në anën tjetër të lumit Sava që ndan vendin me Evropen. Kjo e bën atë magnet për kontrabandimin jashtë rajonit, duke përfshirë këtu edhe kontrabandimin e migrantëve. Grupet kriminale në Bërçko merren me veprimtari kriminale ndërkombëtare me homologët e tyre në dy vendet fqinje. Gjatë dy viteve të fundit, disa operacione policore kanë prishur kontrabandimin e drogës, armëve të zjarrit dhe migrantëve nga ana e grupeve kriminale shumëkombëshe.5 Dihet se ndonjëherë kriminelët nga Kroacia dhe Serbia e kapërcejnë kufirin dhe shkojnë në Bërçko ku nuk ndihen.6 Me këtë nuk duam të themi që Bërçkoja është vend ku ka paqe të përhershme. Për shkak të mjedisit kriminal, ka ndodhur një numër incidentesh të dhunshme, si në aspektin e larjes së hesapeve midis grupeve kriminale, ashtu edhe të grabitjeve me armë dhe sulmeve.7

Edhe pse kriminelët lëvizin nëpër rajon relativisht lehtë, sistemi kompleks i qeverisë së Bosnjës—i cili pasqyrohet edhe në polici dhe sistemin gjyqësor—ndonjëherë pengon bashkëpunimin midis zyrtarëve të agjencive të zbatimit të ligjit. Bashkëpunimi i dobët midis agjencive të kantoneve, atyre federale dhe agjencive shtetërore në aksione të përbashkëta në drejtim të luftës kundër krimit, për të mos përmendur këtu mungesën e shkëmbimit të të dhënave, u jep kriminelëve hapësirë për të vepruar.

Edhe korrupsioni e pengon luftën kundër krimit të organizuar. Grupet kriminale kanë arritur të rekrutojnë efektivë të policisë nga Bërçkoja për të marrë pjesë personalisht në trafikimin dhe kontrabandimin e drogës dhe për të mbrojtur dhe ndërmjetësuar në dorëzimin e drogës. Në vitin 2018, asistent shefi i policisë penale të Rrethit të Bërçkos u arrestua pasi në makinë iu gjetën 1,1 kilogramë kokainë e pastër me vlerë 130 000 euro.8 Meqë parregullsitë vazhduan, në prill të vitit 2019, shefi i policisë pezulloi përkohësisht shtatë efektivë policie për shkak të dyshimeve se kishin bërë shkelje të rënda të detyrës zyrtare.9 Pak kohë pas kësaj, efektivët e policisë u arrestuan përsëri në zonën e Rrethit të Bërçkos, bashkë me efektivë të policisë kufitare, për shkak të veprave penale të ryshfetit dhe kontrabandimit të migrantëve dhe drogës. Ajo që të habit këtu është që ka shumë raste korrupsioni në një zonë aq të vogël, pavarësisht faktit që policia paguhet më mirë se në pjesët e tjera të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka pajisje më të mira, trajnohet dhe merr mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe punon në një ndërtesë të re që kushton më shumë se 5 milionë euro.10

Pavarësisht problemeve me krimin e organizuar në rajon dhe me korrupsionin brenda shërbimit policor, policia e Bërçkos ka kryer disa operacione të suksesshme kundër kontrabandimit të migrantëve, armëve dhe drogës, sidomos në bashkëpunim me homologët e saj në Kroaci, Gjermani dhe Austri.

Në operacionin policor të koduar me emrin “Cer”, të realizuar në vitin 2019, 17 veta u arrestuan, duke përfshirë edhe dy ish-efektivë policie dhe një efektiv policie që ishte ende në detyrë. U gjet një sasi e madhe lëndësh narkotike e destinuar për shitje në rrugë dhe u konfiskuan rreth 3 kilogramë drogë. Këtu përfshihen marihuana, metamfetaminë dhe ekstazi, në vlerën 20 000 euro si dhe aksesorë ambalazhimi, armë dhe telefona celularë. U konfiskuan mbi 8 000 euro në monedhë vendase.11

Gjatë një aksioni policor të koduar “Bjegunac”, i realizuar në nëntor të vitit 2021, dy anëtarë të policisë së Bërçkos ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që merrej me blerje dhe shitje droge në Rrethin e Bërçkos dhe në zonën e Bijelinës, Pelagiçevës dhe Orashjes. Gjatë këtij operacioni, u gjet rreth një kilogramë marihuanë dhe pak më shumë se një qind gramë kokainë.12

Bërçkoja ka shumë prej karakteristikave që vihen re në vatrat e tjera të nxehta të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor: një vend tërheqës për trafikimin, qeverisje të dobët (në këtë rast, të përkeqësuar nga korrupsioni) dhe dobësi ekonomike. Ai vuan edhe nga handikapi i keqpërdorimit të fondeve që nevojiten aq shumë për të forcuar aftësinë e shoqërisë civile për t’i bërë ballë krimit të organizuar. Në këtë vend kaq të vogël, të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Kjo e bën ndryshimin të vështirë. Nga ana tjetër, qasja e dedikuar e zyrtarëve të ndershëm, e përforcuar me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, mund të sjellë ndryshime të mëdha brenda një kohe të shkurtër. Ekziston nevoja për më shumë përpjekje për të fuqizuar shoqërinë civile dhe për të ngritur ura bashkëpunimi midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare me integritet, për të zvogëluar hapësirën që shfrytëzohet nga grupet kriminale.

Sipas një zyrtari policor të nivelit të lartë: “Jemi të vetëdijshëm që kemi probleme. Por jemi të përkushtuar ta luftojmë krimin. Për një kohë të gjatë, korrupsioni këtu në polici ishte standard, por tani po fryn era e ndryshimit.”13

Shënime

  1. Balkanski shopping u Arizoni, Nacional, 30 gusht 2019, https://www.nacional.hr/balkanski-shopping-u-arizoni/

  2. Tregu ka faqen e tij të internetit: https://tobd.ba/objekti/313/trznica-arizona

  3. M Nikolić, Arizona dream: Od šverca do proizvodnje, Radio Slobodna Evropa, 2 mars 2016, https://www.slobodnaevropa.org/a/arizona-dream-od-sverca-do-proizvodnje/27585352.html

  4. BILTEN Statistički podaci Brčko distrikta BiH, Agencija za statistiku BiH, 14 mars 2022, https://bhas.gov.ba/data/Publikacije/Bilteni/2022/BRC_00_2022_B1_1_BS.pdf

  5. Odličan učinak policijske akcije „KALIBAR“, Radio Brčko, 30 nëntor 2016, https://radiobrcko.ba/arhiva/odlican-ucinak-policijske-akcije-kalibar/; D B, Velika policijska akcija u Njemačkoj: Trojka iz BiH upletena u krađu vozila vrijednih 1,5 milion eura, Klix, 23 shkurt 2022, https://www.klix.ba/vijesti/svijet/velika-policijska-akcija-u-njemackoj-trojka-iz-bih-upletena-u-kradju-vozila-vrijednih-1-5-miliona-eura/220223139; A K dhe A B, Ko je bio meta akcije „Wolf“ u kojoj je učestvovalo 250 policajaca, Avaz, 16 dhjetor 2020, https://avaz.ba/vijesti/crna-hronika/616880/ko-je-bio-meta-akcije-wolf-u-kojoj-je-ucestvovalo-250-policajaca; Hapšenja u BiH i Austriji: Pali dileri droge i oružja, ATV BL, 29 maj 2016, https://www.atvbl.rs/hapsenja-u-bih-austriji-pali-dileri-droge-o-oruzja; Velika akcija razbijanja lanca krijumčara droge i ljudi u Republici Srpskoj, dio robe redovno je završavao i u Hrvatskoj, Slobodna Dalmacija, 8 dhjetor 2021, https://slobodnadalmacija.hr/vijesti/regija/velika-akcija-razbijanja-lanca-krijumcara-droge-i-ljudi-u-republici-srpskoj-dio-robe-redovno-je-zavrsavao-i-u-hrvatskoj-1149492

  6. Intervistë me një efektiv të lartë policor në Rrethin e Bërçkos, 14 janar 2022. 

  7. N N, Brčak optužen za 20 teških pljački i ranjavanje nožem, Nezavisne novine, 23 tetor 2017, https://www.nezavisne.com/novosti/hronika/Brcak-optuzen-za-20-teskih-pljacki-i-ranjavanje-nozem/448468

  8. S Bandić, Uhićeni muškarac pomoćnik šefa Krim-policije Brčko distrikta Zlatko Androšević, Zadarski list, 27 tetor 2018, https://www.zadarskilist.hr/clanci/27102018/uhiceni-muskarac-pomocnik-sefa-krim-policije-brcko-distrikta-zlatko-androsevic

  9. E Redžić, Sedmorica policajaca suspendirana zbog napada na imovinu uglednog privrednika, Avaz, 18 prill 2019, https://avaz.ba/vijesti/bih/477094/sedmorica-policajaca-suspendirana-zbog-napada-na-imovinu-uglednog-privrednika

  10. Svečano otvorena nova zgrada Policije Brčko distrikta BiH, Vlada Brčko distrikta BiH, 17 shkurt 2016, http://vlada.bdcentral.net/Publication/Read/svecano-otvorena-nova-zgrada-policije-brcko-distrikta-bih?lang=en.M

  11. M N, Akcija Cer u Brčkom: Od 17 uhapšenih u pritvoru ostao samo jedan osumnjičeni, Klix, 24 tetor 2019, https://www.klix.ba/vijesti/crna-hronika/akcija-cer-u-brckom-od-17-uhapsenih-u-pritvoru-ostao-samo-jedan-osumnjiceni/191024121

  12. M M, “Bjegunac“: Akcijom SIPA-e obuhvaćeno 15 osoba, među njima i policajci, Faktor, 22 nëntor 2021, https://faktor.ba/vijest/bjegunac-akcijom-sipa-e-obuhvaceno-15-osoba-medu-njima-i-policajci/145052

  13. Intervistë me një inspektor të lartë në Rrethin e Bërçkos, 8 janar 2022.