Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e Pikave Kryesore
-
A mund të ndikojë lufta në Ukrainë te krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor?
Lufta në Ukrainë ka vazhduar për dy muaj, me ndikime shkatërrimtare në vend dhe në popull. Kjo luftë po jep efekte të tërthorta edhe jashtë vendit. Në këtë buletin do të shqyrtojmë mënyrën se si lufta në Ukrainë mund të shtojë numrin e mundësive për krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, si pasojë e trafikimit të armëve, pastrimit të parave, anashkalimit të sanksioneve, lëvizjes së luftëtarëve ose ndonjë ndryshimi të mundshëm të rrugëve të trafikimit.
-
Bosnja dhe Hercegovina është bërë qyteti kyç i tranzitit për trafikimin e armëve në Evropë.
Bosnja dhe Hercegovina është njëherazi vend burimor dhe tranziti për trafikimin e armëve të vogla dhe armëve të lehta. Që prej fundit të luftës së Bosnjës në vitin 1995, vendi ka pasur armë të bollshme. Këtu do të shqyrtojmë se nga vijnë armët, ku shkojnë dhe kush është i përfshirë në këtë biznes që kontribuon në terrorizëm, luftë dhe krim të organizuar.
-
Bërçkoja: Treg për krimin e organizuar.
Në këtë numër, do të përqendrohemi te vatrat e nxehta të Bërçkos në Bosnjën dhe Hercegovinën e veriut. Ky rreth, i cili ndodhet pranë kufijve të Bosnjës me Kroacinë dhe Serbinë dhe që njihet që prej fillimit të viteve 1990 si treg i gjithçkaje, kohëve të fundit ka parë një numër incidentesh që kanë të bëjnë me trafikimin e emigrantëve, armëve dhe drogës. Ne shqyrtojmë këtu faktorët e cenueshmërisë dhe situatën aktuale.
-
Zhvatja në Serbi është e nënvlerësuar dhe raportohet sikur është më pak nga sa është në të vërtetë.
Ka pasur raporte sipas të cilave në Serbi ka zhvatje, fajde dhe dallavere, por sa i madh është ky problem? Një studim i ri, i realizuar falë një burse të dhënë nga Fondi i Qëndrueshmërisë i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC), tregon se problemi është i nënvlerësuar dhe raportohet më pak nga sa duhet.
-
Pretendimet për foshnja të zhdukura vazhdojnë të jenë makthi i Serbisë.
Pretendohet se gjatë disa dekadash, nga maternitetet e Serbisë janë zhdukur mijëra foshnja të cilat u janë shitur prindërve që donin të adoptonin fëmijë. Kjo tregti tronditëse doli në dritë si rezultat i një rasti kundër Serbisë, të ngritur në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si është e mundur një praktikë e tillë, sa e organizuar është ajo dhe çfarë po bëhet për t’i dhënë zgjidhje?
Rreth Këtij Numri
Mirë se vini në numrin e 12-të të “Buletinit të rreziqeve”, i cili botohet nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore të GI-TOC-së.
Si shumë të tjerë, edhe ne jemi të tronditur thellë nga ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur e po ndodhin në Ukrainë. Ajo që na shqetëson është edhe ndikimi i luftës, si në Ukrainë ashtu edhe tek populli ukrainas, por edhe ndikimet “jehonë” që mund të ndihen gjetkë. Në harmoni me misionin tonë, ne i kushtojmë vëmendje të veçantë ndikimit të mundshëm të luftës te krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor. Sikurse vepruam në rastin e pandemisë “KOVID-19”, ne do t’i monitorojmë nga afër pasojat që lufta në Ukrainë ka tek ekonomitë e paligjshme të Evropës Juglindore.
Flitet shpesh për mënyrën se si armët nga Ballkani Perëndimor kontrabandohen për t’u përdorur, për shembull, nga grupet kriminale ose terroristët në Evropën Perëndimore. Në këtë buletin, do ta shohim këtë problem më nga afër duke u përqendruar te rasti i Bosnjës dhe Hercegovinës. Ndonëse kemi qenë në dijeni për faktin që armët që janë trashëgimi e luftës së Bosnjës kontrabandohen në tregun e zi, ne u habitëm kur mësuam se Bosnja dhe Hercegovina ishte edhe vend tranziti. Më tej, arrestimet dhe konfiskimet e realizuara së fundmi përbëjnë provë që dëshmon për bashkëpunimin ndërkombëtar, edhe nga kriminelët, edhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo sipas të vërtetave të zbardhura nga disa hetime të kryera kohëve të fundit.
Sikurse veprojmë në çdo numër buletini, edhe kësaj radhe do të përqendrohemi te një vatër e nxehtë e krimit të organizuar. Këtë herë, kjo vatër është Bërçkoja në Bosnjën dhe Hercegovinën e veriut. Duke u mbështetur në intervista dhe vrojtime të drejtpërdrejta, ne do të shpjegojmë faktorët e cenueshmërisë dhe tipat e trafikimit që mbizotërojnë në këtë rajon të vogël, si dhe problemet e korrupsionit në radhët e policisë.
Falë një burse të Fondit e Qëndrueshmërisë të GI-TOC-së, Milos Katiçi (Milos Katić) nga Vojvodina e Serbisë realizoi një hulumtim shkencor në lidhje me zhvatjen dhe fajden në këtë shtet. Do të profilizojmë edhe disa prej gjetjeve kryesore të këtij hulumtimi, të publikuara në dhjetor të vitit 2021.
Gjatë viteve të fundit, media serbe ka publikuar raporte për foshnjat e zhdukura. Edhe pse shumica e rasteve që jemi duke shqyrtuar kanë ndodhur dekada më parë, me sa duket, vjedhja dhe kontrabandimi i bebeve dhe madje i embrioneve mund të vazhdojë të jetë problem në një numër shtetesh, ku shfaqen karakteristikat e krimit të organizuar.
Kohëve të fundit kemi publikuar një raport për prurjet financiare të paligjshme (PFP) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, i cili vjen pas publikimit të një vlerësimi të ngjashëm që kemi kryer në vitin 2020 ku analizuam faktorët kryesorë nxitës dhe prirjet aktuale të PFP-ve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.1 Në raport vihet në dukje nevoja për rritjen e informimit për ndikimin dhe dëmin që shkaktojnë PFP-të dhe për rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile për të hetuar dhe rritur vetëdijesimin për këto lloje krimi. Shpresojmë që të përqendrohemi te këto tema në të ardhmen.
Ne kërkojmë vazhdimisht mënyra të reja përmes të cilave mund të paraqesim punën tonë. Prandaj, kemi projektuar një platformë ndërvepruese në internet për të vënë në dukje disa prej të dhënave dhe gjetjeve kryesore të raporteve tona. Vizualizimi i parë është një panoramë e përgjithshme e kontrabandimit të migrantëve përmes Ballkanit Perëndimor. Ky informacion mbështetet në të dhënat e marra nga raporti ynë i vitit 2021 i titulluar “Çmimet në pikat kyçe: Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”.2 Kjo vegël ofron të dhëna për kalimet e parregullta të kufirit përgjatë rrugës së Ballkanit, numrin dhe kombësinë e migrantëve dhe azil-kërkuesve, fitimet e përllogaritura të tregut të kontrabandimit të migrantëve dhe një hartë ndërvepruese ku shfaqen rrugët e kontrabandimit dhe çmimet që paguhen për secilën rrugë. Përdoreni këtë hapësirë për të parë në mënyrë grafike punën tonë, e cila përfshin edhe lidhjen midis krimit të organizuar dhe huliganizmit në futboll, si dhe trafikimin përmes portave të Evropës Juglindore.
Nëse dëshironi të sugjeroni ndonjë histori ose të bëni komente, jeni të lutur të na kontaktoni në adresën e e-mailit: almedina.dodic@globalinitiative.net
Shënime
-
Robin Cartwright dhe Kristina Amerhauser, Prurjet financiare të paligjshme në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi: Faktorët kryesorë dhe prirjet aktuale, GI-TOC, janar 2022. Për raportin e vitit 2020, shihni: Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhauser, Prurjet financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut: Faktorët kryesorë dhe prirjet aktuale, GI-TOC, gusht 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/Prurje-Financiare-Te%CC%88-Paligjshme-Ne%CC%88-Shqipe%CC%88ri-Kosove%CC%88-Dhe-Maqedonine%CC%88-E-Veriut-Faktore%CC%88t-Kryesore%CC%88-Dhe-Prirjet-Aktuale.pdf. ↩
-
Walter Kemp, Kristina Amerhauser dhe Ruggero Scaturro, Çmimet në pikat kyçe: Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor, GI-TOC, maj 2021, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2021/05/Hotspots3_PR_AL.docx. ↩