Zhvatja në Serbi është e nënvlerësuar dhe raportohet sikur është më pak nga sa është në të vërtetë.

Sa problem i madh janë zhvatja dhe fajdja në Serbi? Kjo është pyetja që Milos Katiçi, president ekzekutiv i bordit të Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës deshi t’i përgjigjej me anë të një hulumtimi në vitin 2021 falë një burse të Fondit të Qëndrueshmërisë të GI-TOC-së. I motivuar nga përvoja e tij personale në një komunitet të vogël, Katiçi analizoi reagimet e institucioneve dhe perceptimet e qytetarëve ndaj zhvatjes, dallavereve dhe fajdes në Serbi. Gjetjet e tij u publikuan në dhjetor të vitit 2021.1

Dallimi kryesor midis zhvatjes dhe fajdes (edhe kur i referohemi si “kredi grabitqare”) është se, në rastin e zhvatjes, kryerësi i veprës e detyron viktimën me qëllim që t’ia marrë pronën në mënyrë të paligjshme, ndërsa në rastin e fajdes, viktima kërkon shërbime financiare nga kryerësi i veprës në formën e një kredie dhe më pas viktima shfrytëzohet. Në kodin penal të Serbisë, shfrytëzimi konsiderohet vepër penale me natyrë pronësore. Ky koncept nënkupton qëllimin për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme ose përfitime të tjera nëpërmjet dhunës ose kërcënimit. Dhuna mund të ushtrohet drejtpërdrejt ose tërthorazi, ndërsa kërcënimi duhet të ketë intensitet të tillë që të krijojë te viktima ndjenjën e frikës. Kryerësi i veprës nuk duhet patjetër të ketë për qëllim që këtë përfitim ta marrë për vete. Zhvatja mund të kryhet edhe për përfitim të dikujt tjetër.

Sipas raportit të Katiçit, individët, në përgjithësi, zhvatin shuma relativisht të vogla parash nga njerëzit që janë në vështirësi financiare. Për shembull, grupet kriminale huligane që drejtojnë kompani të shërbimit të ruajtjes fizike në Beograd dhe Novi Sad shpesh u zhvatin mijëra euro restoranteve ose klubeve “për t’i mbrojtur”. “Kjo është dallavere klasike”, thotë Katiçi. “Pronarët paguajnë për t’u mbrojtur edhe pse nuk kanë kërkuar mbrojtje sepse kjo është e vetmja mënyrë për të punuar ose për të mos cenuar reputacionin.”

Në studimin e tij, Katiçi arrin në përfundimin se zhvatja është e përhapur në Serbi, por nënvlerësohet. “Njerëzit në Serbi nuk e marrin seriozisht zhvatjen derisa u vjen atyre radha për t’u zhvatur. Kur ndodh kjo, ata nuk dinë si të reagojnë.” tha Katiçi. Gjithashtu, kjo është dukuri për të cilën njerëzit janë relativisht të painformuar. “Njerëzit dinë më shumë për dallaveret dhe fajden, ndoshta për shkak të telenovelave dhe filmave, por edhe sepse njohin më shumë viktima ose autorë të këtij krimi”, shpjegoi ai.

Në studimin e tij, ai vuri re një dallim të madh midis numrit të rasteve të raportuara dhe mënyrës se si i shohin qytetarët këto krime. Sipas Katiçit, njerëzit besojnë se sistemi juridik serb nuk do t’i mbrojë. Kjo është arsyeja pse “nuk është për t’u habitur që shumica e njerëzve kanë frikë të kallëzojnë në polici zhvatjen, dallaveret dhe fajden”.

Ai shtoi: “Për shembull, një person mori hua 500 000 euro dhe ra dakord të paguajë një normë interesi. Kalon ca kohë dhe ai nuk arriti ta kthejë shumën. Kështu, për shkak të kredisë grabitqare, atij ia morën hotelin. Nisi procedura gjyqësore. Eksperti i gjykatës ia reduktoi vlerën e hotelit në 1 milionë euro, që nuk mjaftonin për të shlyer borxhin ndaj huadhënësit grabitqar, i cili kërkonte gjithmonë e më shumë para. Në fund, doli që huadhënësi grabitqar ishte duke punuar në mënyrë të organizuar dhe se ky nuk ishte i vetmi hotel që ai kishte përvetësuar. Ai kishte punësuar një ekip avokatësh që hartonin kontratat dhe kishin njohje me gjyqësorin.”

Gjetjet e Katiçit nxjerrin në dritë faktin që njerëzit në qytete janë ata që guxojnë më shpesh që të kallëzojnë rastet e zhvatjes, sidomos kur zhvaten nga individë dhe jo nga grupe të organizuara. Nga ana tjetër, njerëzit në komunitetet e vogla kanë frikë sepse viktima rrezikon të përballet me autorët e krimit. Në figurat 3 dhe 4 tregohet se më shumë se një e treta e të gjitha ankesave penale për zhvatje dhe fajde në Serbi janë bërë në kryeqytet, Beograd.

Në Ballkanin Perëndimor, dënimet më të larta për zhvatje janë në Serbi dhe Mal të Zi. Për këtë vepër penale parashikohet dënim me burg me deri në tetë vjet. Ndëshkimet më të buta janë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, ku autorët e krimit dënohen me tre muaj burg.

Sipas Katiçit, shumica e dallaveraxhinjve janë burra, edhe pse këtë praktikë e zbatojnë edhe gratë. Shpesh ata që i realizojnë skemat e dallavereve dhe zhvatjes janë të mitur. Bastoret janë vatra ku bëhen tok viktimat dhe autorët dhe ku realizohet rekrutimi i të miturve, sidomos në qytete.

Përfundimi që arrihet në studim është se ekziston nevoja për më shumë bashkëpunim midis medias dhe shoqërisë civile, për shkak të qasjes së bujshme të shtypit ndaj kësaj teme. “Shtypi raporton për këto raste kryesisht kur ndodh ndonjë gjë tragjike. Ekziston nevoja për një qasje më profesionale. Profesionistët, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe median, duhet t’i parandalojnë këto krime dhe është e rëndësishme që në qendër të këtij parandalimi të jenë autorët e rinj të krimeve. Edukimi është çelësi. Besimi midis shoqërisë civile, medias dhe institucioneve shtetërore është e vetmja zgjidhje që mund të sjellë rezultate të vërteta”, vuri në dukje Katiçi.

Shënime

  1. Miloš Katić dhe Sanja Kosović, Extortion and Usury in Serbia between 2016 and 2020 [Zhvatja dhe fajdja në Serbi midis viteve 2016 dhe 2020], GI-TOC, dhjetor 2021, https://voice.org.rs/wp-content/uploads/2021/12/Case-study-2021-1.pdf