Drogat sintetike në Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor shpesh etiketohet si një rajon tranzit për trafikimin e drogave, si kanabisi, kokaina dhe heroina. Por, ka shenja që tregojnë se rajoni është gjithashtu edhe një prodhues i drogave sintetike, si edhe një treg në rritje i konsumit të tyre.

Drogat kryesore sintetike që kontrabandohen në Ballkanin Perëndimor janë amfetaminat, metamfetamina dhe ekstasia (MDMA), si dhe versione të reja sintetike të kanabisit dhe opioideve si heroina. Burimi kryesor i drogave janë vendet në Evropën Perëndimore, veçanërisht Holanda, Belgjika, Republika Çeke dhe Bullgaria.1 Në Serbi, ekziston gjithashtu një tendencë në rritje për të importuar droga sintetike nga vendet Baltike2 dhe Euroazia, duke përfshirë Afganistanin, Iranin, Kirgistanin, Pakistanin dhe Uzbekistanin.3

Për më tepër, prodhimi vendas duket se po rritet, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Midis viteve 2009 dhe 2019, policia në Serbi zbuloi mbi 140 laboratorë të paligjshëm të drogës, kryesisht në ambiente banimi.4 Shumica e laboratorëve kryesorë në Serbi janë në rrethinat e Beogradit ose në Nish.5 Një prej zbulimeve më të mëdha ishte në vitin 2003 në qytetin e vogël Stara Pazova (në provincën veriore të Vojvodinës), ku policia gjeti rreth 2 milionë tableta ekstasie me vlerë mbi 4 milionë euro, si dhe afërsisht 20 tonë acid për prodhimin e ekstasisë, me vlerë që mendohet të jetë mbi 10 milionë euro. Megjithatë, vetëm 245 persona u dënuan, mesatarisht më pak se dy persona për laborator të paligjshëm të zbuluar.6 Kjo tregon që policia po kap vetëm “gatuesit” dhe jo të gjithë ata që përfshihen në rrjetet e prodhimit dhe shpërndarjes.

Rritja e aksesit të të rinjve në drogat sintetike ka shtuar shqetësimet shëndetësore në Serbi.

Rritja e aksesit të të rinjve në drogat sintetike ka shtuar shqetësimet shëndetësore në Serbi.

Foto: serpeblu/iStock

Në vitin 2020, shumica e sekuestrimeve të drogave sintetike në Serbi u bënë ose në Beograd dhe Novi Sad ose afër kufirit me Hungarinë, për shembull në pikën e kalimit kufitar të Horgosit. Sekuestrime u bënë gjithashtu në Kragujevaç dhe Bor.7

Problemi nuk është i kufizuar me Serbinë. Në dhjetor 2017, policia zbuloi laboratorë të paligjshëm të drogës në fshatin Batinçi dhe në një shtëpi afër Tetovës në Maqedoninë e Veriut.8 Ata sekuestruan rreth 910 000 tableta Captagon, 52 kilogramë amfetaminë të pastër dhe sasi të mëdha substancash që përdoren për prodhimin e lëndëve narkotike. I dyshuari kryesor, Milan Zarubica, ishte dënuar më parë në lidhje me një laborator në Stara Pazova, Serbi. Disa muaj më vonë, policia maqedonase gjeti edhe një laborator tjetër që përdorej për prodhimin e paligjshëm të drogave sintetike.

Përveç trafikimit dhe prodhimit, duket se ka një treg vendas në rritje për drogat sintetike.9 Në Serbi po shfaqen substanca të reja psikoaktive, kryesisht kanabinoide sintetike, të cilat imitojnë drogat tradicionale të paligjshme si kanabisi, kokaina, MDMA dhe LSD-ja.

Në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, çmimet për drogat sintetike janë relativisht të ulëta, që është një faktor kryesor në rritjen e përqindjes së tyre të tregut krahasuar me drogat me bazë bimore.10 Pesë tableta ekstasie mund t’i blini për rreth 25 euro.11 Përveç kësaj, ka edhe substanca si amfetamina Tucibi (2C-B) e cila njihet si një “drogë elitare” për shkak të kostos së saj të lartë dhe efekteve të forta psikodelike. Droga zakonisht shitet në tregun e zi në formën e tabletave ose kapsulave, por gjithashtu mund të përzihet me ekstasi.12 Në vitin 2019, policia në Nish arrestoi një person që zotëronte pothuajse 175 gramë Tucibi.13

Drogat sintetike gjenden lehtësisht, veçanërisht në qytetet e mëdha.14 “Tregu në Serbi është i mirëfurnizuar me amfetaminë, ekstasi dhe MDMA”, tha një person me njohuri të situatës në rrugë. Metamfetamina është më pak e pranishme në Serbi.15 Por, marijuana dhe heroina janë drogat më të përdorura në Serbi, të ndjekura nga “speed”.16

Është e paqartë se si COVID-19 ka ndikuar në tregun e drogës sintetike në Ballkanin Perëndimor, por ekziston një ndjesi se tregu është relativisht elastik, ku disa droga sintetike që përdoren si zëvendësues të heroinës.17 Përdoruesit po i drejtohen internetit për të gjetur furnitorë pasi ata nuk mund t’i takojnë shpërndarësit nëpër klube ose nëpër festivale si në të kaluarën.18

Megjithëse heroina mbetet shkaku kryesor i rreth 50 vdekjeve të lidhura me drogën në Serbi çdo vit,19 rritja e aksesit në drogat sintetike dhe e përdorimit të tyre kanë shtuar shqetësimet shëndetësore në vend dhe kanë çuar në vdekje tragjike të të rinjve të lidhura me drogën. Pas vdekjes së një vajze 15-vjeçare në nëntor të vitit 2018 në qytetin e vogël të Arandjelovaçit, pas marrjes së ekstasisë për herë të parë në një festë, vendasit organizuan një seri protestash duke kërkuar masa më të forta parandaluese.20 Në qytetin fqinj të Lazarevaçit, banorët vendosën afishe nëpër qytet me fotografi të shpërndarësve lokalë të drogës. Në vitin 2018, katër të rinj të moshës 17 deri 21 vjeçare vdiqën pasi morën ekstasi, ndërsa midis viteve 2009 dhe 2019 më shumë se pesëdhjetë vetë vdiqën në vend nga drogat e ndryshme sintetike.21

Megjithëse fokusi te drogat në Ballkanin Perëndimor zakonisht ka qenë te tranziti i substancave me bazë bimore si kokaina, heroina dhe kanabisi, është gjithashtu e rëndësishme të mbahet nën radar edhe prodhimi dhe përdorimi i drogave sintetike.

Shënime

  1. Instituti Ndërkombëtar i Sirakuzës për Drejtësi Penale dhe të Drejtat e Njeriut, Mbyllja e hendekut të implementimit (Siracusa International Institute for Criminal Justice and Human Rights, Closing the implementation gap): Përgjigjet e drejtësisë penale ndaj tregtisë së paligjshme në Evropën Juglindore dhe sfidat që i shoqërojnë ato, (Criminal justice responses to illicit trade in South Eastern Europe and associated challenges), nëntor 2020, fq. 125, www.siracusainstitute.org/app/wp-content/uploads/2020/11/SII-Regional-crime-trends-report_web.pdf

  2. Intervistë me një ish-oficer policie nga njësia anti-drogë e Beogradit, Beograd, nëntor 2020. 

  3. Intervistë me një oficer policie, Beograd, dhjetor 2020. 

  4. Intervistë me një profesor të kriminologjisë, Beograd, dhjetor 2020. 

  5. Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile, Beograd, nëntor 2020. 

  6. Intervistë me një ish-oficer policie, Beograd, dhjetor 2020. 

  7. Bazuar në një analizë të deklaratave të ndryshme për shtyp të Ministrisë së Brendshme, mup.gov.rs/wps/portal/sr/

  8. Jelena Radivojević, Zarubici 11 godina zatvora zbog proizvodnje droge, KRIK, 25 shtator 2018, www.krik.rs/zarubici-11-godina-zatvora-zbog-proizvodnje-droge

  9. Ministria e Brendshme e Serbisë, Vlerësimi i Kërcënimit të Krimit të Rëndë dhe të Organizuar (Serbian Ministry of Interior, Serious and Organized Crime Threat Assessment), 2020, fq. 47, mup.gov.rs/wps/wcm/connect/3d0a3df4-4e1d-4b70-8475-3d69f6d21107/SOCTA+2019+-+ENG-compressed.pdf?MOD=AJPERES&CVID=nnvYIq8. Shikoni gjithashtu: Siracusa Institute, op. cit., p 49. 

  10. Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore, Raport mbi Konfiskimet e Drogave në Evropën Juglindore (Southeast European Law Enforcement Center, Report on Drug Seizures in Southeast Europe), dhjetor 2019, fq. 23, www.selec.org/wp-content/uploads/2019/12/SELEC-Report-on-Drug-Seizures-2019-Public-version.pdf

  11. Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile, Beograd, nëntor 2020. 

  12. Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile, Beograd, nëntor 2020. 

  13. Irena Molnar, Përdorimi i substancave të reja psikoaktive në Republikën e Serbisë (New psychoactive substance use in the Republic of Serbia): Rezultatet e hulumtimit (Research results). Eurasian Harm Reduction Association and School of Law, Swansea University, 2020, fq. 26, harmreductioneurasia.org/wp-content/uploads/2020/09/2020_8_20_EHRA_NPS-Report_Serbia_EN.pdf

  14. Intervista me aktivistë të shoqërisë civile në Beograd, nëntor 2020 dhe Podgoricë, dhjetor 2020. 

  15. Ibid. 

  16. Intervistë me një ish-oficer policie, Beograd, dhjetor 2020. 

  17. Saša Djordjević dhe Bojan Dobovšek, Krimi i organizuar në Gjashtë Vendet e Ballkanit Perëndimor në fillim të koronavirusit (Saša Djordjević and Bojan Dobovšek, Organized crime in Western Balkans Six at the onset of coronavirus), International Journal of Sociology and Social Policy, 40, 9/10, 807–820, doi.org/10.1108/IJSSP-06-2020-0229

  18. Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile, Beograd, nëntor 2020. 

  19. Podaci o preminulima od posledica vezanih za korišćenje droge u Srbiji u periodu 2008-2019. godine, Drug Policy Network South East Europe, dhjetor 2020, fq. 8. 

  20. N G dhe M M, ‘Svako zna da nabroji bar 50 dilera’, Sofija (15) je umrla posle jedne tablete ekstazija, a godinu dana posle smrti, njeni sugrađani su na nogama, Blic, 15 nëntor 2019, www.blic.rs/vesti/drustvo/svako-zna-da-nabroji-bar-50-dilera-sofija-15-je-umrla-posle-jedne-tablete-ekstazija-a/gfr3bs1

  21. Podaci o preminulima od posledica vezanih za korišćenje droge u Srbiji u periodu 2008-2019. godine, Drug Policy Network South East Europe, dhjetor 2020, fq. 8.