Ujëra të trazuara: kontrabanda e emigrantëve përmes Adriatikut.

Portet dhe molet në rrezik për t’u përdorur për kontrabandën e emigrantëve.

Figura 3 Portet dhe molet në rrezik për t’u përdorur për kontrabandën e emigrantëve.

Më 9 janar 2021, u shpëtuan në një det të trazuar pranë brigjeve të Shqipërisë 55 emigrantë nga Siria, Irani dhe Egjipti, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Skafi me të cilën kishin udhëtuar, i cili ishte nisur nga Vlora e Shqipërisë, ishte prishur rrugës për në Itali. Skafistët ishin larguar dhe skafin po e merrnin rrymat dhe po rridhte karburant.1

Ky operacion shpëtimi ndodhi pas dy incidenteve në tetor dhe dhjetor 2020 ku autoritetet malazeze kapën dy varka me vela që po përpiqeshin të kontrabandonin kurdë nga Turqia përmes Ballkanit Perëndimor në Itali. Këto ndodhi tregojnë se zbatimi më efektiv i ligjit dhe kufizimet e lidhura me COVID-19 përgjatë itinerarit tradicional të Ballkanit kanë bërë që kontrabandistët të zgjedhin rrugë alternative, duke përfshirë itinerarin detar të Adriatikut. Mbyllja e itinerarit të Ballkanit në mars 2016 çoi në një rënie të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve dhe emigrantëve që lëviznin përmes Ballkanit Perëndimor. Por që nga viti 2019, numri i refugjatëve dhe emigrantëve është rritur përsëri në mënyrë të vazhdueshme.

Për shkak të përmirësimit të kontrolleve të kufirit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, një numër në rritje njerëzish në lëvizje po udhëtojnë përmes Shqipërisë. Sapo kalojnë në vend, ata ose drejtohen në veri drejt Malit të Zi ose në verilindje përmes Kosovës në Serbi. Për më tepër, në muajt e fundit ka pasur shenja të përpjekjeve në rritje për të kontrabanduar njerëz nëpërmjet detit Adriatik në Itali.

Të 55 emigrantët që u shpëtuan më 9 janar thonë se u kishin paguar kontrabandistëve nga 2000 deri 4000 dollarë secili për transport të sigurt me jaht në Itali. Në vend të kësaj, u transportuan me skaf.2 Në fillim të janarit, policia në Vlorë ndaloi 21 emigrantë të tjerë që po planifikonin të kalonin në mënyrë të paligjshme Adriatikun.3

Itineraret e kontrabandës janë të përcaktuara prej kohësh, që nga fillimi i viteve 1990 kur dhjetëra mijëra shqiptarë u përpoqën të emigronin në Itali. Në vitin 2004, saktësisht 17 vjet nga dita para shpëtimit të 55 emigrantëve, u mbytën në det 28 shqiptarë ndërsa përpiqeshin të kalonin nga Vlora përmes Ngushticës së Otrantos për në Itali.4 Tani janë kryesisht të huajt nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ata që po kontrabandohen në Itali nga brigjet shqiptare.

Në të kaluarën, të njëjtat itinerare përdoreshin për të kontrabanduar drogë, veçanërisht kanabis, duke përdorur skafet. Problemi ishte aq i rëndë sa skafet u sekuestruan dhe u dogjën nga qeveria shqiptare. Në vitin 2006 u vendos një moratorium i skafeve në ujërat territoriale shqiptare;5 i cili më në fund u hoq në vitin 2013, për të lehtësuar industrinë e turizmit.6 Itinerari i kontrabandës nga vija bregdetare përreth Fierit dhe Vlorës përmes ngushticës së Otrantos për në Itali u bë përsëri i famshëm në vitin 2016 kur kishte prodhime të mëdha të kanabisit në Shqipëri, por më pas u ndalua. Do të jetë interesante të shihnim se si do të reagojë qeveria shqiptare nëse problemi përsëri përkeqësohet.

Mali i Zi fqinj po përballet me një sfidë të ngjashme. Në tetor 2020, në molin e Zelenikës policia malazeze kapi një anije me vela të quajtur Poseidon me flamur kroat dhe ekuipazh serb; ajo ishte nisur nga Budva dhe po shkonte drejt Italisë.7 Gjatë inspektimit të anijes, policia zbuloi 52 emigrantë kurdë në bord.8 Kontrabandistët në Turqi që kishin përgatitur udhëtimin kërkonin nga 5000 deri 8000 euro për person për transferimin në Itali, sipas burimeve të policisë. 9 Kjo do të thotë që kontrabandistët fitonin afërsisht 300 000 euro vetëm nga një grup prej rreth pesëdhjetë emigrantësh, ndërsa kostot vlerësoheshin në rreth 100 000 euro,10 duke lënë një marzh të konsiderueshëm fitimi.

Më 17 dhjetor 2020, policia malazeze dhe autoritetet e sigurisë detare, duke përdorur një sensor me imazheri termike, zbuluan një mjet lundrimi të panjohur rreth gjirit të Tërstenos, pranë Budvës. Në bashkëpunim me autoritetet italiane, u nis një helikopter vëzhgimi nga Guardia di Finanza. Anija, e quajtur Marina, kishte flamur suedez; ajo u interceptua dhe u shoqërua në portin e Tivarit.11 Në bord, policia gjeti 39 emigrantë (duke përfshirë gra dhe fëmijë) dhe arrestoi dy kontrabandistë nga Turqia.12

Këto incidente na tregojnë një numër gjërash. Së pari, kontrabanda e emigrantëve përmes Ballkanit Perëndimor nuk është zhdukur; përkundrazi, ajo ka lëvizur më në perëndim. Shqipëria, e cila për tre dekada ka qenë vend burimi për emigracionin, tani është gjithashtu edhe vend tranziti. Së dyti, përveç përpjekjeve për të arritur Bashkimin Evropian përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugë tokësore, disa emigrantë po përpiqen të hyjnë në Itali me skaf. Historitë e përfshira në këtë artikull tregojnë se ka kontrabandistë që janë të gatshëm të ofrojnë udhëtime të tilla me fitim të konsiderueshëm. Së treti, këto incidente nxjerrin në pah vulnerabilitetin e moleve dhe zonave informale të ankorimit në bregdetin e Adriatikut si parajsa të kontrabandës. Ky është një rrezik që meriton më shumë vëmendje, sidomos nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Shënime

  1. Gomonia me 55 emigrantë në bord nga Vlora drejt Italisë/ Arrestohet 63 vjeçari nga Tirana. Roli që kishte ai, Panorama, 10 janar 2021, www.panorama.com.al/trafiku-i-emigranteve-drejt-italise-me-gomone-arrestohet-63-vjecari-nga-tirana-roli-qe-kishte-ai

  2. Rikthehet trafiku me gomone drejt Italisë, shpëtohen 55 emigrantë në det, Zëri i Amerikës (VOA), 9 janar 2021, www.zeriamerikes.com/a/5731085.html

  3. Jerola Ziaj, Trafik klandestinësh me gomone, policia ndalon 21 emigrantë dhe arreston pronarin e një shtëpie stehimi, Reporter, 4 qershor 2020, www.reporter.al/trafik-klandestinesh-me-gomone-policia-ndalon-21-emigrante-dhe-arreston-pronarin-e-nje-shtepie-stehimi

  4. Isa Myzyraj, Përsëri emigrantë/ 9 Janari i 2004 dhe 9 Janari i 2021, Historia ime, 9 janar 2021, www.historiaime.al/ndodhi-sot/perseri-emigrante-9-janari-i-2014-dhe-9-janari-i-2021

  5. Moratoriumi i skafeve, rrezik per turizmin, Top Channel, 22 qershor 2009, top-channel.tv/2009/06/22/moratoriumi-i-skafeve-rrezik-per-turizmin

  6. Moratoriumi i skafeve, pas 7 vjetësh rikthehet liria e lundrimit, Durrës Lajm, 2 mars 2013, durreslajm.al/moratoriumi-i-skafeve-pas-7-vjet%C3%ABsh-rikthehet-liria-e-lundrimit

  7. Intervistë me një gazetar nga Mali i Zi, dhjetor 2020. 

  8. Emma Wallis, 52 migrantë të interceptuar nga autoritetet malazeze gjatë rrugës për në Itali (52 migrants intercepted by Montenegrin authorities on route to Italy), Info Migrants, 19 tetor 2020, www.infomigrants.net/en/post/27994/52-migrants-intercepted-by-montenegrin-authorities-en-route-to-italy

  9. Intervistë me një oficer policie nga Mali i Zi, dhjetor 2020. 

  10. Ibid. 

  11. Jelena Jovanović dhe Blažo Hajduković, Otkriven brod sa 50 ilegalnih migranata, Vijesti, 17 dhjetor 2020, www.vijesti.me/vijesti/crna-hronika/495615/up-otkriven-brod-sa-50-ilegalnih-migranata

  12. Intervistë me një gazetar nga Vranja, janar 2021.