Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e pikave kryesore
-
Vendet e Ballkanit dalin me rezultate të dobëta në Indeksin Global të Krimit të Organizuar për vitin 2021.
Rezultatet e Indeksit Global të Krimit të Organizuar, nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC - Global Initiative Against Transnational Organized Crime), tregojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor, në aspektin e kriminalitetit, arrijnë pikë më të larta sesa mesatarja globale. Në fakt, katër prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) bëjnë pjesë në 10 vendet me pikët më të larta në Evropë për sa i përket kriminalitetit. Rajoni pasqyron edhe prirjen globale të nënvizuar në Indeks, sipas së cilës aktorët e lidhur me shtetin janë tipi më dominues i aktorit kriminal në botë. Megjithatë, vendet e rajonit në përgjithësi kanë arritur pikë më të larta sesa mesatarja botërore edhe në aspektin e aftësisë së shtetit për të luftuar krimin e organizuar.
-
Rrëzimi i mitit të ekzistencës së një karteli ballkanik.
Media dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke përfshirë edhe Europolin, shpesh ia kanë atribuuar kriminalitetin në rajon “kartelit ballkanik”. Megjithatë, edhe pse në rajon ekzistojnë modele të qarta të bashkëpunimit ndëretnik midis grupeve kriminale, nuk ka tregues që këto grupe janë pjesë e një strukture të ngjashme me atë të karteleve.
-
Përdorimi i kriptovalutave po fillon të marrë hov në rajon.
Rritja e përdorimit të kriptovalutave në Ballkanin Perëndimor sjell mundësi të reja, por edhe rreziqe të tjera siç është pastrimi i parave. Ne shqyrtojmë mënyrën se si funksionojnë kriptovalutat, japim shembuj të nxjerrjes së kriptovalutave (“cryptomining”) dhe ndalemi më hollësisht te sfidat me të cilat rajoni po fillon të përballet, sidomos në lidhje me kriptovalutat si element i prurjeve financiare të paligjshme.
-
Ndërtimi i urave midis shoqërisë civile dhe qeverisë në Maqedoninë e Veriut.
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore aktualisht është duke zhvilluar një sërë dialogësh rreth qëndrueshmërisë në secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë artikull diskutohet takimi i zhvilluar në Shkup dhe nënvizohen sfidat dhe mundësitë që paraqet forcimi i bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
-
“Shkapja” e shtetit: Intervistë me OJQ-në maqedonase “Eurothink”.
Maqedonia e Veriut ka një shoqëri civile aktive, e cila merret me shumë problematika, duke përfshirë këtu edhe problematikat e ndërlidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Bisedojmë me organizatën “Eurothink - Qendra për Strategji Evropiane”, një prej organizatave kryesore joqeveritare në vend, në lidhje me objektivat dhe aktivitetet e saj dhe përqendrimin e saj te krimi mjedisor.
Rreth këtij numri
Mirë se vini në numrin e dhjetë të “Buletinit të rreziqeve”, i cili botohet nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore të GI-TOC-së. Në këtë numër, analizojmë gjetjet kryesore të GI-TOC-së lidhur me Ballkanin në Indeksin Global të Krimit të Organizuar, i pari i këtij lloji. Për një analizë më të hollësishme, duke përfshirë edhe profilet e të gjitha vendeve të rajonit, jeni të lutur të vizitoni faqen: ocindex.net.
Gjatë hulumtimit tonë në lidhje me ekonomitë e paligjshme në Evropën Juglindore, herë pas here kemi ndeshur shprehjen “kartel ballkanik”. Edhe pse grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë bërë më ndërkombëtare dhe, në disa raste, më të fuqishme gjatë viteve të fundit, sipas nesh, ato nuk janë të bashkuara, ashtu siç lë media të kuptohet. Për këtë arsye, ne e shqyrtuam këtë term dhe origjinën e mitit dhe konstatuam se situata është më e ndërlikuar sesa përfytyrimi i grupeve kriminale të Ballkanit si oktapod gjigant me udhëheqës të përcaktuar që kontrollojnë tentakulat.
Tani për tani, kriptovalutat janë në modë. Çmimi i bitkoinit (“Bitcoin”) ka arritur nivele rekord me mbi 55 000 euro për njësi, por gjithashtu ekziston edhe një debat në rritje lidhur me rregullimin e kriptovalutave. Në punën tonë lidhur me prurjet financiare të paligjshme dhe me analizimin e konfiskimit të aseteve, kemi parë, gjithmonë e më shumë, referenca lidhur me përdorimin e kriptovalutave nga grupet kriminale në dhe nga Ballkani Perëndimor. Deri më tani, përdorimi i kriptovalutave në rajon është relativisht i kufizuar. Megjithëkëtë, kjo është një problematikë të cilës duhet t’i kushtohet vëmendje, sidomos nga hetuesit financiarë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).
Falë financimit nga partnerët tanë financues, ku përfshihen Gjermania, Norvegjia dhe Holanda, kemi mundur të mbështesim organizatat e shoqërisë civile në Evropën Juglindore, të cilat janë duke kryer aktivitete në drejtim të përmirësimit të qëndrueshmërisë ndaj krimit të organizuar. Një pjesë e kësaj pune përfshin një varg dialogësh për qëndrueshmërinë ndaj krimit të organizuar në secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i parë u zhvillua në Shkup në datat 22 dhe 23 shtator 2021 dhe pesë të tjerë do të zhvillohen deri në fillim të dhjetorit.
Do të nxirren disa raporte tematike lidhur me disa prej çështjeve kryesore të trajtuara në dialogë dhe projektet e realizuara nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në rajon, domethënë rinia, çështjet gjinore dhe ripërdorimi social i aseteve. Në këtë buletin, raportojmë lidhur me dialogët për qëndrueshmërinë që kemi organizuar në Shkup, në veçanti lidhur me përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë.
Ndërkohë që ishim në Shkup, intervistuam dy drejtues të OJQ-së “Eurothink - Qendra për Strategji Evropiane” në kuadër të fokusit tonë të përmuajshëm mbi OSHC-të që punojnë për rritjen e qëndrueshmërisë ndaj krimit të organizuar. Në punën e tyre, organizatat përqendrohen sidomos në fuqizimin e zbatimit të kapitullit 24 të acquis-it të BE-së në Maqedoninë e Veriut, kapitull ky që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Në fund të këtij numri reviste, paraqesim një vështrim të përgjithshëm të publikimeve të kohëve të fundit që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe paraqesim raportet e reja dhe të ardhshme nga GI-TOC-ja.
Nëse dëshironi të sugjeroni ndonjë histori ose të bëni komente, jeni të lutur të na kontaktoni në adresën e emailit: almedina.dodic@globalinitiative.net.