“Shkapja” e shtetit: Intervistë me OJQ-në Maqedonase “Eurothink”.
Në pjesën më të fundit të serisë së rregullt ku profilizohet puna e organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor që janë duke punuar për të fuqizuar qëndrueshmërinë ndaj krimit të organizuar, ne flasim me Dimitar Nikolovskin dhe Aleksandar Stojanovskin të organizatës “Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane” me seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Cili është historiku dhe kompetenca e organizatës “Eurothink”?
Organizata “Eurothink” u themelua në vitin 2002 me emrin “Qendra Maqedonase për Trajnime Evropiane”. Në fillim, fokusi ishte te trajnimet për ata që punojnë në administratën publike, shoqërinë civile dhe media, në lidhje me temat që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në vitin 2007, organizata ndërroi emrin dhe u quajt “Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane”. Ky ndryshim ishte pasqyrim i ndryshimit të fokusit nga trajnimet te një OSHC e orientuar më shumë nga kërkimi shkencor, e përkushtuar ndaj kryerjes dhe bashkëndarjes së kërkimeve rreth politikave dhe ndaj aktiviteteve të mbështetura në dëshmi e prova.
Kur dhe pse e ndryshoi organizata “Eurothink” fokusin nga përqendrimi te BE-ja te puna lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin?
BE-ja vazhdon të jetë fokusi kryesor i punës sonë, por në vitin 2016, ne zgjeruam fushëveprimin tonë për të adresuar disa prej çështjeve kryesore me të cilat përballet vendi ynë, si p.sh. ekstremizmi i dhunshëm, emigracioni, korrupsioni, krimi i organizuar dhe çështjet mjedisore. Pas ngjarjeve dramatike në lidhje me rrëzimin e qeverisë së Nikola Gruevskit, ne menduam se ekzistonte nevoja të përqendroheshim më shumë te çështjet që kanë të bëjnë me kapitullin 24 të acquis-it të BE-së lidhur me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. OJQ-të që kishin për fokus korrupsionin ishin të pakta në numër, por pothuaj asnjëra prej tyre nuk kishte për fokus problematikat e krimit të organizuar, në lidhje me proceset e kapitullit 24.
Si do ta vlerësonit ju përparimin e Maqedonisë së Veriut, sidomos në lidhje me kapitullin 24?
Qeveria aktuale, sigurisht, po bën një punë më të mirë sesa qeveria e mëparshme: ia vlen të përmend këtu që Komisioni Evropian një herë e përshkroi Maqedoninë e Veriut, nën regjimin e Gruevskit, si “shtet të kapur”. Në fakt, ecuria ka qenë aq e mirë saqë arritëm të merrnim ftesë për hapjen e negociatave me BE-në rreth anëtarësimit, përpara se kjo të bllokohej nga Bullgaria. Por ka vend për përmirësim, për shembull, në lidhje me uljen e nivelit të politizimit të policisë (duke përfshirë edhe procesin e shqyrtimit të hollësishëm (vetingut)), përmirësimin e hetimeve financiare dhe konfiskimin dhe rikuperimin e aseteve, përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe krijimin e procedurave më efektive të kërkimit të azilit.
Si mund të ndihmojnë organizatat e shoqërisë civile si “Eurothink”-u në zbatimin e kapitullit 24?
Ne mund të luajmë rolin e mbrojtësve të demokracisë, duke monitoruar zbatimin. Në Maqedoninë e Veriut, kemi krijuar një rrjet OJQ-sh të interesuara të quajtura “Rrjeti 24” (“Network 24”) posaçërisht për të luajtur këtë rol. Megjithatë, shoqëria civile – sikurse ne – mund të ndihmojë edhe në mënyra të tjera, nëpërmjet bërjes së analizave dhe dhënies së rekomandimeve, realizimit të sondazheve për matjen e opinionit publik rreth çështjeve me rëndësi, ofrimin e informacioneve lidhur me nevojat, interesat dhe pikëpamjet e qytetarëve, rritjen e vetëdijesimit dhe ofrimin e mbështetjes profesionale. Ne kemi publikuar edhe udhëzues specifikë për përfshirjen e OSHC-ve në kapitullin 24.1
Ju publikoni një “Eurometer” periodik, i cili mat qëndrimet e publikut ndaj BE-së. Si e vlerësoni ju opinionin publik aktual në Maqedoninë e Veriut në lidhje me anëtarësimin në BE, duke marrë parasysh sinjalin e dobët nga samiti i fundit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo dhe bllokimin e vazhdueshëm nga Bullgaria të ambicieve të Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE?
“Eurometer”-in e kemi publikuar që prej vitit 2014. Duke qenë se bëjmë të njëjtat pyetje çdo herë, është interesante të gjurmosh se si evoluojnë opinionet.2 Që prej vitit 2014, mbështetja e popullsisë për BE-në ka qenë e lartë (rreth 70%), por kohët e fundit kemi vënë re një rënie të saj. Njerëzit po fillojnë të humbin shpresën dhe po kërkojnë për alternativa ndaj anëtarësimit në BE. Për fat të mirë, opsionet autoritare nuk janë ende aq të përhapura.
Në të shkuarën, Maqedonia e Veriut është përshkruar si “shtet i kapur”. Si do ta vlerësonit ju mbikëqyrjen demokratike të sigurisë dhe shërbimeve të inteligjencës?
Skandali i përgjimeve që ndodhi në vitin 2015 vërtet e tronditi vendin. Me sa duket, bisedat private të më shumë se 20 000 personave ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme, nën drejtimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të agjencisë së inteligjencës. Kjo demonstroi tiparet e disa prej regjimeve më jodemokratike. Sfida tani është ta “shkapim” shtetin. Janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për të përforcuar mbikëqyrjen parlamentare dhe civile të sektorit të sigurisë, për ta bërë aparatin e inteligjencës më llogaridhënës dhe më transparent. Megjithatë, ende ekziston nevoja për përparim, sidomos në lidhje me gjyqësorin dhe prokurorinë, të cilat vazhdojnë të jenë hallkat më të dobëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në këtë vend. Kjo është një problematikë që duhet të jetë në fokus të BE-së dhe të të gjithë atyre që përpiqen të shërojnë plagët e shkaktuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në Maqedoninë e Veriut.
“Eurothink”-u është përqendruar edhe te krimi mjedisor në Maqedoninë e Veriut. Kësaj teme i kushtohet relativisht pak vëmendje në rajon. Pse vendosët të përqendroheni te prerja dhe transportimi i paligjshëm i drurëve dhe çfarë zbuluat gjatë kërkimeve tuaja?
Gjatë viteve të fundit, çështjet mjedisore janë bërë ndër prioritetet kryesore në agjendat politike në shumë vende, por jo në Maqedoninë e Veriut. Ka të ngjarë që kjo që të ketë ndodhur për shkak të të gjitha problemeve të tjera që kanë ndodhur në lidhje me skandalet politike, marrëdhëniet dypalëshe dhe anëtarësimin në BE. Ne donim të përqendroheshim te ndikimi i çështjeve mjedisore sepse menduam se kjo fushë ishte lënë pas dore. Sa më shumë që e shqyrtonim situatën, aq më shumë e kuptonim se politikat dhe menaxhimi i keq i burimeve natyrore po çonin në ndotjen e ajrit dhe në probleme shëndetësore.
Ka një numër faktorësh që po kontribuojnë në problemet mjedisore në këtë vend, që kanë të bëjnë, për shembull, me menaxhimin e mbetjeve, politikën për energjetikën, planifikimin urban dhe menaxhimin e trafikut. Rezultati është që Shkupi ka disa prej niveleve më të larta të ndotjes në Evropë, madje edhe pse nuk ka shumë industri të rëndë. Një prej gjërave që konstatuam ishte se numri i njerëzve që i ngrohin shtëpitë me dru është shumë më i lartë sesa numri që raportohet zyrtarisht. Disa lloje pemësh që priten në Maqedoninë e Veriut po shiten si dru ekzotik. Të dy këto lloje drurësh po priten dhe transportohen në mënyrë të paligjshme nga pyjet e Maqedonisë. Nga kërkimi ynë, doli se gjysma e të gjithë lëndës drusore që nevojitet për të ngrohur shtëpitë në Maqedoninë e Veriut merret nga burimi në mënyrë të paligjshme. Sipas përllogaritjeve tona, ky është treg i paligjshëm me vlerë 60 milionë euro në vit. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, do të ketë pasoja të rënda për vendin tonë brenda vetëm 10 deri në 15 vjet.
Pas publikimit të raportit tuaj, a pati ndonjë monitorim nga ana e qeverisë?
Ndoshta ishte rastësi, por pak kohë pasi u publikua raporti, policisë pyjore iu dhanë uniforma të reja, pajime më të mira dhe paga më të larta.3 Krahas kësaj, u themelua një organ ndërministror për të trajtuar çështjen e prerjes dhe transportimit të paligjshëm të drurëve. Pavarësisht kësaj, zjarret shkatërruese që rrënuan pyjet në Maqedoninë e Veriut këtë verë lënë të kuptohet se mund të ketë individë që i vënë zjarret në mënyrë të qëllimtë për të përfituar leje për të pastruar pemët e djegura. Këto raste dhe vazhdimi i prerjes dhe transportimit të paligjshëm të drurëve tregojnë se mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të shkatërrimit të pyjeve tona.
A keni shqyrtuar lloje të tjera të krimeve mjedisore?
Ka shenja për importim të paligjshëm të mbetjeve drejt Maqedonisë së Veriut.4 Ky është biznes i madh. Ka një problem me mungesën e rregullimit në landfille dhe ekziston rreziku i shfrytëzimit mineral. Ka shenja që tregojnë se procesi i kalimit në ekonomi të gjelbër është duke u shfrytëzuar nga grupe të fuqishme lobimi me lidhje të mundshme me elitën politike, afariste dhe kriminale.
Si punoni me qeverinë për të sjellë ndryshime?
Mund t’ju duket për të qeshur, por aty ku është e mundur, ne përpiqemi të nënshkruajmë memorandume mirëkuptimi me homologët tanë në qeveri. Kjo praktikë mund të hapë dyert kur kemi probleme në nivelin lokal. Gjithashtu, përpiqemi të jemi këmbëngulës, pra që t’i mbajnë problematikat tona në agjendë, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në prioritetet kryesore aktuale të politikës. Në përgjithësi, ne përpiqemi të kemi kontakte të mira personale me homologët tanë dhe të krijojmë besim. Ndonjëherë, të punosh me qeverinë është si të vallëzosh: duhet të bësh lëvizje të ndryshme sipas rastit dhe kjo varet edhe nga partneri. Ne përpiqemi të ndjekim një qasje konstruktive. Në fund të fundit, kur është fjala për çështjet që ne mbulojmë, qeveria dhe shoqëria civile duhet të jenë në të njëjtën anë.
Shënime
-
Udhëzuesit mund t’i gjeni në faqen: eurothink.mk/2021/03/23/5066. ↩
-
Për krahasimin gjatësor, vizitoni faqen: eurothink.mk/2021/05/04/duplicated-2014-2021-5117. ↩
-
Raportin mund ta gjeni në linkun: eurothink.mk/wp-content/uploads/2021/02/CIP-FINAL-Izvestaj-Drvokradci-AN.pdf. ↩
-
Për më shumë hollësi, shihni: Saska Cvetkovska et al., ‘Europe’s waste dump’: How dangerously polluting oil ended up heating North Macedonia’s hospitals [Vendshkarkimi i mbetjeve të Evropës: Si përfundoi vaji ndotës i rrezikshëm si lëndë ngrohjeje në spitalet e Maqedonisë së Veriut], Organized Crime and Corruption Reporting Project, 21 maj 2021, www.occrp.org/en/investigations/europes-waste-dump-how-dangerously-polluting-oil-ended-up-heating-north-macedonias-hospitals. ↩