Vendet e Ballkanit dalin me rezultate të dobëta në Indeksin Global të Krimit të Organizuar për vitin 2021.
Më 28 shtator 2021, GI-TOC-ja publikoi Indeksin Global të Krimit të Organizuar, rezultat i hulumtimeve disavjeçare ku morën pjesë mbi 350 ekspertë nga e gjithë bota dhe që mbulon të 193 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Bazë e Indeksit është analiza e thellë e tregjeve kriminale dhe aktorëve kriminalë. Sipas nivelit të tij të kriminalitetit, çdo vend vlerësohet me një notë nga 1 në 10, ku 1-shi nënkupton një tip tregu ose aktori që ose nuk ekziston ose është i papërfillshëm për nga ndikimi që ka, ndërsa 10-a nënkupton që nuk ka asnjë aspekt të shoqërisë që nuk është prekur nga krimi i organizuar.
Indeksi mat edhe qëndrueshmërinë e vendit ndaj krimit të organizuar, domethënë aftësinë e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë për t’i bërë ballë dhe shkatërruar veprimtaritë e krimit të organizuar si tërësi, dhe jo tregjet individuale, nëpërmjet marrjes së masave politike, ekonomike, ligjore dhe sociale. Edhe këtu, shteteve u jepet një notë që varion nga 1 në 10, por në këtë rast shkalla është e përmbysur: njëshi nënkupton mungesën e mekanizmave të përshtatshëm të qëndrueshmërisë ndërsa dhjeta nënkupton praninë e masave tepër efektive për të luftuar krimin e organizuar dhe ndikimin e tij.
Vlerësimi i nivelit të kriminalitetit në lidhje me nivelet e qëndresës, dhe jo fokusimi vetëm te përhapja e ekonomive të paligjshme dhe tek aktorët kriminalë, siguron kushtet për analizimin e cenueshmërisë përmes lenteve shumëdimensionale. Për shembull, një vend si Maqedonia e Veriut mund të ketë notë relativisht të lartë kriminaliteti (5,31 krahasuar me mesataren globale që është 4,88), por kjo zbutet pjesërisht nga nota relativisht e lartë e qëndrueshmërisë (5,21 krahasuar me mesataren globale që është 4,82).
Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina zënë, respektivisht, vendin e dytë (pas Rusisë), të katërt dhe të pestë, në renditjen e kriminalitetit për të gjithë Evropën. Problemet e Malit të Zi përbëhen nga një notë relativisht e ulët e qëndrueshmërisë (4,46), ndërkohë që Bosnja dhe Hercegovina ka një prej notave më të ulëta të qëndrueshmërisë në të gjithë Evropën (3,92) dhe renditet e 138-a në botë në aspektin e qëndrueshmërisë ndaj krimit të organizuar.
Panorama është disi më e mirë për vendet e Evropës Juglindore të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian. Sllovenia, Kroacia dhe Rumania arritën rezultate relativisht të larta në aspektin e qëndrueshmërisë, ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve të BE-së nga rajoni kanë nivele relativisht të ulëta të kriminalitetit. Bullgaria përbën përjashtim meqenëse është vlerësuar me notën 5,43 në aspektin e kriminalitetit, çka e vendos këtë vend në vendin e 10-të në Evropë.
Meqenëse Kosova nuk është anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ajo nuk është përfshirë zyrtarisht në Indeks në kuadër të renditjes së vendeve. Pavarësisht kësaj, Kosova u shqyrtua me po aq imtësi sa edhe vendet e tjera dhe u vlerësua gjatë raundeve të ndryshme të verifikimit që qëndrojnë në thelb të instrumentit vlerësues. Pra Kosova* u vlerësua me notën 5,19 në aspektin e kriminalitetit (më i ulëti në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor) dhe me notën 4,42 në aspektin e qëndresës, vlerësim ky relativisht i ulët (çka e bën këtë vend të zërë vendin e dytë pas Bosnjës dhe Hercegovinës).
Indeksi Global i Krimit të Organizuar, GI-TOC, ocindex.net
Edhe pse Kosova ka vendosur kanale alternative të bashkëpunimit ndërkombëtar, fakti që vendi nuk njihet zyrtarisht ndikon në kufizimin e mekanizmave të disponueshëm të bashkëpunimit në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar.
Indeksi u mundëson përdoruesve që të identifikojnë edhe karakteristikat dhe prirjet rajonale. Për shembull, në Ballkan, notat e larta për kriminalitetin kanë të bëjnë me kontrabandimin e njerëzve dhe trafikimin e heroinës, të cilat, të dyja, arrijnë një mesore mesatare prej 6,25 për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, çka është konsiderueshëm më e lartë sesa mesorja kontinentale prej notave 4,73 dhe 4,41 respektivisht, ndërkohë që notat për trafikimin e kanabisit (5,91) dhe kokainës (5,66) janë më të larta sesa mesorja e Evropës me notat 0,81 dhe 0,84 respektivisht.
Një prej gjetjeve më shqetësuese të Indeksit është që aktorët e lidhur me shtetin janë tipi më dominues kriminal në botë. Shkalla në të cilin kriminaliteti depërton në institucionet shtetërore varion nga korrupsioni në nivele të ulëta e deri te kapja e plotë e shtetit, por në të gjithë spektrin e tij, ky depërtim ka pasoja në aftësinë e shteteve për të reaguar ndaj krimit të organizuar.
Ndonëse ky rrezik është relativisht i ulët në Evropën Perëndimore, nota mesatare për aktorët e lidhur me shtetin në Evropën Qendrore dhe Lindore arrin në 6,76 (kjo notë arrin kulmin me vlerën 8 në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi). Kjo është alarmuese, sepse një prej bashkëshoqërimeve më të fuqishme që dalin nga Indeksi u gjet se qëndron midis pranisë së aktorëve kriminalë që kanë lidhje me shtetin dhe qëndrueshmërisë së dobët, çka lë të kuptohet se këta aktorë mund të jenë duke e minuar kapacitetin dhe aftësinë së shtetit për të parandaluar prurjet e paligjshme.
Edhe pse Indeksi përbën matjen e parë botërore të krimit të organizuar, ai nuk është projektuar për të mos qenë tjetër veçse një instrument kërkimor krahasues. Qëllimi i Indeksit është të sigurojë informacione të mbështetura në metrikë, të cilat u mundësojnë politikëbërësve, praktikuesve dhe palëve të tjera të interesuara që të informohen më mirë gjatë procesit të hartimit të strategjive për luftën ndaj krimit të organizuar në vendet dhe/ose rajonet e tyre. Pritet që ky Indeks të përditësohet çdo dy vjet.
Për të lexuar raportin e plotë dhe për të parë profilet e secilit vend veç e veç, vizitoni faqen: ocindex.net.