Ndërtimi i urave midis shoqërisë civile dhe qeverisë në Maqedoninë e Veriut.
Foto: Zefart | Dreamstime
Në datat 22 dhe 23 shtator 2021, Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore i GI-TOC-së ftoi përfaqësues të shoqërisë civile për të marrë pjesë në një sërë konsultimesh në Shkup. Takimet ofruan mundësinë për të fuqizuar qëndrueshmërinë dhe rrjetet e OSHC-ve që trajtojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, për të bërë përpjekje për ndërtimin e urave midis shoqërisë civile dhe qeverisë në lidhje me këto çështje, dhe për t’i bërë një ekspoze punës së GI-TOC-së në kryeqytetin e Maqedonisë. Ky ishte takimi i parë i një vargu “dialogësh rreth qëndrueshmërisë” që do të zhvillohen në kryeqytetet e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor midis shtatorit dhe dhjetorit të 2021-shit.
Për këta dialogë rreth qëndrueshmërisë ndiqet një proces i ngjashëm që filloi në vitin 2020, i cili bëri tok një grup të shumëllojshëm aktorësh të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës dhe fuqizimin e rrjeteve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga seria e evenimenteve komunitare dolën të dhëna të detajuara rreth një shumëllojshmërie të madhe aktorësh të shoqërisë civile dhe rreth nismave të ndërmarra në gjithë rajonin. Rezultatet e procesit u publikuan në mars të vitit 2021 në raportin me titull “Së bashku jemi më të fortë: Forcimi i qëndresës së shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Takimi në Shkup nisi vitin e dytë të dialogëve dhe përfshiu aktorë të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut, sidomos ata që janë përfitues të granteve të Fondit të Qëndrueshmërisë të GI-TOC-së, si dhe OSHC-të që janë pjesë e Rrjetit rajonal të Ekspertëve të GI-TOC-së. Në këtë rreth të ngushtë, pjesëmarrësit bashkëndanë pikëpamjet e tyre lidhur me sfidat me të cilat përballen OSHC-të gjatë punës së tyre në trajtimin e krimit të organizuar dhe identifikuan nevojat për ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e rrjeteve. Një pjesëmarrës u shpreh: “Këtë problem nuk e luftojmë dot të vetëm”.
Në sfidat e identifikuara bënin pjesë: efekti shkatërrues i korrupsionit (për shembull, në politikë dhe në sektorin e kujdesit shëndetësor), instrumentalizimi i fushatave kundër korrupsionit për qëllime të agjendave politike, kapja e qeverisë (duke përfshirë edhe atë lokale), mungesa e qasjes në informacione zyrtare dhe ndjekja e dobët penale e rasteve. Kishte edhe zhgënjime që ndryshimi i qeverisë në vitin 2017 nuk kishte sjellë ndryshime të konsiderueshme, pavarësisht përfshirjes së ish-anëtarëve të shoqërisë civile në pushtetin ekzekutiv.
Më tej, u vu në dukje se duhet të ketë më shumë mbështetje për kërkime shkencore lidhur me krimin e organizuar, rritje të mbështetjes për OSHC-të jashtë kryeqytetit, përqendrim më të fuqishëm tek arsimi (sidomos për të kundërvepruar ndaj “kulturës së korrupsionit”), më shumë vëmendje ndaj problematikave që paraqesin shqetësim për të rinjtë dhe më shumë hulumtime shkencore lidhur me efektet pozitive dhe negative të digjitalizimit, si dhe bashkëpunim më të madh midis OSHC-ve, medies dhe akademisë në ekspozimin dhe adresimin e krimit mjedisor. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan rreth mënyrave për vënien në dukje të dëmeve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit dhe mënyrave për të zhvilluar narrativa për ndryshim dhe për promovimin e rol-modeleve pozitive për frymëzimin e njerëzve.
Një problem i përsëritshëm në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë rajonin është mungesa e dialogut domethënës ose angazhimit midis OSHC-ve dhe qeverisë. OSHC-të shpesh konsiderohen nga qeveria si faktor bezdisës e madje edhe antiqeveritar. Ekstremi tjetër është që OJQ të caktuara janë kooptuar nga qeveria, marrin fonde dhe mbështesin pozicionet që merr qeveria, çka i bën ato de facto OJQ të drejtuara nga qeveria.
Për ta trajtuar këtë problematikë, GI-TOC-ja, së bashku me institutin kërkimor me seli në Shkup, “Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane”, organizuan së bashku një takim midis OSHC-ve dhe zyrtarëve qeveritarë në lidhje me “ndërtimin e urave midis shoqërisë civile dhe qeverisë” për të diskutuar mekanizmat ekzistues të bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë dhe për fushat e mundshme që kanë nevojë për përmirësim. Pjesëmarrësit nga shoqëria civile dhe qeveria, ku bënin pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Parlamenti, Komiteti Kombëtar për Ekstremizmin e Dhunshëm dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ranë dakord se, kur është fjala për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe luftën ndaj tyre, shoqëria civile dhe qeveria duhet të jenë në të njëjtin krah.
Kjo seancë ishte një mundësi edhe për të shkëmbyer haptas pikëpamjet dhe idetë lidhur me mënyrën se si duhet përmirësuar bashkëpunimi, sidomos në lidhje me çështjen e migrimit. Disa pjesëmarrës nga shoqëria civile bënë thirrje për një rol më të madh të OJQ-ve në vlerësimin e performancës së qeverisë në trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për shembull, në kuadrin e anëtarësimit në BE. U vu në dukje edhe se OJQ-të duhet të konsultohen më gjerësisht gjatë procesit të hartimit të legjislacionit përkatës dhe të strategjive kombëtare dhe se duhet t’u jepen mundësi të barabarta për të ndërvepruar me zyrtarë qeveritarë në organet konsultative.
U diskutuan edhe mënyrat për të ruajtur qëndrueshmërinë e projekteve dhe vazhdimësinë e angazhimit midis OSHC-ve dhe qeverisë, për shembull, nëpërmjet krijimit të një sekretariati shtetëror për sektorin e OJQ-ve. Disa pjesëmarrës shprehën mendimin se është e rëndësishme që sektori privat dhe drejtuesit fetarë të angazhohen në mënyrë më aktive në drejtim të forcimit të integritetit dhe luftimit të korrupsionit.
Gjatë vizitës së tij, ekipi i GI-TOC-së u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Takimi ofroi mundësinë për të përshkruar punën dhe përpjekjet e GI-TOC-së në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të folur për rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit më efikas rajonal në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Konsultimet treguan se urat midis qeverisë dhe shoqërisë civile nuk mund të ngrihen brenda natës. Megjithatë, themelet mund të hidhen përmes dialogut.