Përdorimi i kriptovalutave po fillon të marrë hov në rajon.
Ka shumë publicitet dhe debat lidhur me potencialin e kriptovalutës digjitale, ndërkohë që çmimet e bitkoinit (“Bitcoin”) po arrijnë nivele rekord me mbi 55 000 euro për njësi. El Salvadori është vendi i parë në botë që e ka pranuar bitkoinin si monedhë zyrtare. Në Ballkanin Perëndimor, edhe pse niveli i përdorimit të kriptovalutave është relativisht i ulët, përdorimi i tyre në rajon është duke u rritur dalëngadalë. Kriptovalutat sjellin mundësi të reja, por krijojnë edhe rreziqe të reja, duke qenë se përdoren nga kriminelët për të lëvizur dhe pastruar paratë. Në këtë artikull shqyrtohet mënyra se si funksionojnë kriptovalutat dhe rreziku që ato paraqesin për rajonin, sidomos në lidhje me prurjet financiare të paligjshme.
Sistem financiar i hapur apo skemë “Ponzi”?
Kriptovalutat janë sisteme pagesash përmes internetit nga kompjuterë të barabartë (“peer-to-peer”) të cilat kanë për bazë kriptografinë. Ato funksionojnë si “njësi digjitale shkëmbimi që nuk mbështetet nga tenderët ligjorë të emetuar nga qeveria”.1 Ato janë skedarë kompjuterikë të tenderuar si formë pagese për mallra dhe shërbime reale. Kriptovalutat funksionojnë duke përdorur bllokun-zinxhir (“block chain”), një libër digjital transaksionesh, i cili dublikohet dhe shpërndahet nëpër të gjithë rrjetin e përdoruesve të sistemit. Secili bllok në zinxhir përmban një numër transaksionesh dhe sa herë që kryhet një transaksion i ri, në librin e secilit pjesëmarrës shtohet një zë i atij transaksioni.
Ithtarët i konsiderojnë valutat virtuale si valë e së ardhmes për sistemet e pagesave. Ata e lavdërojnë shpejtësinë dhe thjeshtësinë e transaksioneve, çlirimin nga ndërmjetësit, siç janë bankat, dhe transparencën e bllokut-zinxhir, çka mund të ulë mundësitë e mashtrimit dhe modifikimeve të paautorizuara.2
Kritikët argumentojnë se kriptovalutat mbështeten më shumë në spekulim sesa në vlerën reale. Një analist në Maqedoninë e Veriut u shpreh kështu: “Kriptovalutat janë para imagjinare… Prapa tyre nuk ka asnjë ekonomi të kësobotshme”. Ai paralajmëroi se vlera e kriptovalutave nuk i nënshtrohet rregullimit të autoriteteve monetare dhe se ato janë të cenueshme nga spekulimet financiare.3 Disa madje i kanë quajtur ato si “marifet” dhe “skemë “Ponzi””.4
Një kritikë tjetër e përhapur që dëgjohet shpesh është se anonimiteti dhe rregullimi i dobët bëjnë të mundur që kriminelët t’i përdorin kriptovalutat për të lëvizur dhe ruajtur fonde të paligjshme dhe që personat që u shmangen detyrimeve tatimore të shmangin zbulimin, duke qëndruar aty ku agjencitë e zbatimit të ligjit dhe rregullatorët nuk arrijnë dot.
Kritikët vënë në dukje edhe ndikimin negativ të kriptovalutave5 në mjedis. Jo vetëm që nxjerrja e kriptovalutave (“cryptomining”) konsumon shumë energji, por edhe pajisjet e nxjerrjes dhe qarqet kompjuterike që përdoren për nxjerrjen e bitkoinit zakonisht kanë jetë të shkurtër. Më tej, transaksionet në bitkoin kërkojnë një sasi shumë të madhe energjie dhe krijojnë mbetje elektronike.6
Foto: Chris Delmas/AFP nëpërmjet “Getty Images”
Përdorimi i kufizuar dhe rregullimi i ulët në Ballkanin Perëndimor
Përhapja e kriptovalutave në Ballkanin Perëndimor ka qenë relativisht e ngadaltë krahasuar me pjesët e tjera të Evropës. Një hartë-temperaturë e krijuar nga faqja “Coinmap”, një sajt ueb ku shfaqen pikat ku pranohen pagesa në kriptovalutë në të gjithë botën, tregon se ka pak shkëmbime kriptovalutash ose bankomatë në Ballkanin Perëndimor, përveç në qytete të mëdha dhe përgjatë vijës bregdetare të Malit të Zi.7
Njëlloj si paratë fizike, edhe kriptovalutat mund të përdoren nëpërmjet bankomatëve. Me rritjen e çmimit dhe popullaritetit të kriptovalutave, është duke u rritur ndjeshëm edhe numri i bankomatëve të kriptovalutave. Në të gjithë botën ka rreth 29 000 pajisje të tilla.8 Por fare pak prej tyre gjenden në Ballkanin Perëndimor. Sipas një burimi, në Serbi janë instaluar 5 bankomatë kriptovalutash (një në Nish dhe nga dy në Beograd dhe Novi Sad), katër në Kosovë (të gjithë në Prishtinë) dhe gjashtë në Bosnjë dhe Hercegovinë (nga tri në Banja Luka dhe Prijedor). Zyrtarisht, nuk ka asnjë bankomat të tillë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri ose Mal të Zi.9 Edhe pse, për nga pamja e jashtme, bankomatët e bitkoinit ngjajnë me bankomatët e zakonshëm, ata nuk janë të lidhur me asnjë llogari bankare, por me një pikë këmbimi kriptovalutash. Klientët kanë mundësi të përdorin portofolin e tyre digjital për të blerë dhe shitur asete virtuale.
Gjithashtu, njerëzit po paguajnë gjithmonë e më shumë për mallra dhe shërbime duke përdorur kriptovaluta, për shembull, në bare, kafene, restorante, hotele dhe spitale që e ofrojnë këtë opsion. Në Mal të Zi është e mundur të marrësh me qira edhe jahte duke paguar me kriptovalutë.10 Një biznes që pranon më shumë se 10 000 euro në para fizike nga një klient është i detyruar të plotësojë një formular për transaksionin valutor. Por këto rregulla nuk zbatohen edhe për kriptovalutat. Një biznes veturash të përdorura, i cili pranon 20 000 euro në bitkoin nga një klient, nuk është i detyruar të dorëzojë asnjë raport për transaksionin valutor. Këto të ardhura mund të mos tatohen nëse nuk raportohen në kthimin e taksave të pronarit të biznesit. Kjo nuk është situatë hipotetike: tri apartamente luksoze në Budva të Malit të Zi u shitën për 420 bitkoin (3,2 milionë dollarë amerikanë), ndërkohë një shoqatë lokale investimesh po nxit përdorimin e valutave digjitale në hotele dhe resorte në këtë destinacion të famshëm turistik.11
Kjo teknologji ka hyrë në përdorim më shpejt sesa miratimi i ligjit për rregullimin e saj. Disa vende në rajon, si Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk kanë miratuar ligje për tregtimin e kriptovalutave ose rregullore për bankomatët e kriptovalutave. Por, megjithatë, këto pajisje nuk janë të paligjshme. Kjo krijon një zonë gri e cila është duke u shfrytëzuar.
Serbia dhe Shqipëria, nga ana tjetër, janë dy prej vendeve të para në botë që kanë krijuar një kuadër të qartë dhe siguri ligjore për investitorët dhe përdoruesit e aseteve digjitale.12 Vendet e tjera në rajon kanë krijuar grupe pune të ngarkuar me detyrën e hartimit të kuadrove ligjorë.13
Në internet, larg librave të llogarive
Edhe pse kriptovaluta dhe nxjerrja e kriptovalutave janë të ligjshme, paratë digjitale janë një fushë e re për pastrimin e parave nga zyrtarë të korruptuar, biznesmenë ose grupe kriminale. Duke qenë se pjesa e konsiderueshme e veprimtarive joligjore në Ballkanin Perëndimor janë ndërkombëtare, grupet kriminale kanë nevojë për metoda të lëvizjes së parave të fituara nga trafikimi i drogës, armëve dhe njerëzve.
Më tej, shumë grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë rajonit. Për këtë arsye, kriptovaluta u mundëson atyre t’i lëvizin paratë me shpejtësi dhe në mënyrë anonime përtej kufijve, duke përfshirë edhe dërgimin e parave drejt vatrës së tyre: Ballkanit Perëndimor. Aty ku rregullimi është i dobët, kriptovalutat, si asete lehtësisht të lëvizshme, shihen si mundësi e mirë për t’i futur në sistemin financiar të ardhurat nga veprimtaritë e paligjshme.
Njëlloj si procesi i pastrimit të parave fizike, edhe procesi i pastrimit të parave nëpërmjet kriptovalutave ka tri faza kryesore:
- Depozitimi: Fondet e paligjshme futen në sistemin financiar, për shembull, nëpërmjet këmbimit kriptovalutor ose bankomatëve.
- Transferimi në llogari të ndryshme: Në këtë fazë, kriminelët fshehin burimin e paligjshëm të fondeve, për shembull, duke e këmbyer një kriptovalutë me një tjetër ose duke marrë pjesë në ofertën fillestare të një monedhe.
- Integrimi: Paratë e paligjshme më pas futen në ekonominë e ligjshme si “të pastra”, për shembull, duke e kthyer kriptovalutën në para fizike nëpërmjet bankomatëve ose nëpërmjet ndërmjetësve të tregut të decentralizuar, të cilët përfitojnë një komision të majmë.
Në vendet që kanë rregullim ose zbatim të dobët të rregullave për “njohjen e klientit tënd”, vetë bankomatët mund të bëhen portal për pastrimin e parave. Për shembull, ata mund t’u lejojnë njerëzve të blejnë bitkoin nëpërmjet kartave të kreditit ose debitit ose, në disa raste, duke depozituar para fizike ose duke këmbyer kriptovalutat me para fizike. Në këmbim të një shpërblimi, pronarët e paskrupullt mund t’u lejojnë trafikantëve të drogës ose grupet e tjera kriminale të depozitojnë shuma të mëdha parash fizike në pajisjet e valutave virtuale dhe të fshehin burimin e fondeve.
Këmbimi kriptovalutor u mundëson klientëve të këmbejnë monedhat e reale me kripto-asete dhe anasjelltas.
Kjo krijon likuiditet në tregjet kriptovalutore. Kjo do të thotë edhe se këto këmbime janë portalet kyçe për pastrimin e parave që kanë të bëjnë me kripto-asetet. Kriminelët kërkojnë qëllimisht metoda këmbimi me rrezik të ulët, për të lëvizur fondet e tyre nga para letre (të emetuara nga qeveria) në kripto-asete dhe anasjelltas ose nga njëri kripto-aset tek një tjetër. Në një hapësirë e cila, deri më tani, nuk është e rregulluar sa duhet, kriminelët kërkojnë metoda këmbimi që janë të palicencuara dhe jo në pajtim me kërkesat ligjore, në lidhje me të cilat nuk është e nevojshme të zbatohen rregullat e “njohjes së klientit tënd” ose të “verifikimit të klientit”. Kriminelët përfitojnë edhe nga shërbimet e decentralizuara të këmbimit (siç është rrjeti “Ethereum”) për të dhënë hua ose për të marrë hua para, për të anashkaluar kontrollet e pajtueshmërisë me ligjet dhe për të përfituar nga fakti që këto sisteme nuk kanë administrator qendror me mbikëqyrje aktive të llogarive të përdoruesve, regjistrave, identiteteve ose veprimtarive. Sajtet e kumarit në internet, të cilat pranojnë pagesa në kriptovalutë, u mundësojnë kriminelëve të blejnë çipsa me kripto-asete dhe t’i këmbejnë ato për para fizike pas disa transaksionesh.
Më tej, rrjetet e kompjuterëve të barabartë të kriptovalutave (“peer-to-peer”) u mundësojnë kriminelëve të lëvizin paratë, për shembull, drejt juridiksioneve ku rregulloret për parandalimin e pastrimit të parave janë më pak të rrepta. Gjithashtu, këto rrjete i ndihmojnë kriminelet që të kenë qasje në kurset e këmbimit ose te ndërmjetës që mund t’i kthejë kripto-asetet në para letre (të emetuara nga qeveria). Edhe teknologjia paraqet pengesa – si teknike, ashtu edhe ligjore – lidhur me sekuestrimin dhe rikuperimin e aseteve në kriptovalutë. Kjo është një fushë që paraqet vështirësi për avokatët dhe ata që merren me zbatimin e ligjit.
Platformat e kriptovalutave janë duke u përdorur edhe për mashtrime.14 Në një rast mashtrimi që kishte ndodhur në prill të vitit 2021, zyrtarët turq u bënë thirrje kolegëve të tyre shqiptarë për të ndihmuar në gjurmimin e një tregtari të arratisur i cili pretendohej se ishte larguar nga Tirana me 2 milionë dollarë amerikanë në asete digjitale, të cilat u përkisnin 700 000 personave. 15 Krahas këtyre marifeteve brendapërbrenda sistemit, ekziston edhe rreziku i krimeve kundër protokollit të financave të decentralizuara (platformat e kriptovalutave) nga personat e jashtëm, nëpërmjet hakimit ose sulmeve me ransomuerë.
Minatorët digjitalë: Nxjerrja e kriptovalutave në Ballkanin Perëndimor
Edhe pse dalëngadalë kriptovalutat janë duke u bërë më të njohura dhe më të përhapura në Ballkanin Perëndimor, disa pjesë të rajonit, si veriu i Kosovës dhe disa komuna në Maqedoninë e Veriut, janë qendra aktive të nxjerrjes së kriptovalutave, domethënë përftimit të kriptovalutave duke zgjidhur ekuacione kriptografike nëpërmjet përdorimit të kompjuterëve, teknikë kjo që kërkon sasi të stërmëdha pajisjesh dhe energjie elektrike.
Duke përfituar nga statusi i tyre i paqartë juridik që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, serbët në veri të Kosovës – në komunat e Leposaviqit, Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Zveçanit – kanë më shumë se dy dekada që nuk paguajnë për energjinë elektrike. Papafingot, bodrumet, garazhet e madhe edhe e gjithë shtëpia – për të cilat kërkohet qira e madhe – janë konvertuar për nxjerrjen e kriptovalutave. Në këtë proces, çdo vit konsumohen rreth 12 milionë euro energji elektrike pa pagesë. Është raportuar se nxjerrja e kriptovalutave në këtë zonë të vogël, ku popullsia përllogaritet të jetë më e vogël se 50 000 banorë, konsumon 32 teravat-orë energji elektrike çdo vit, pothuaj aq sa e gjithë Danimarka.16
Foto: Tony karumba/AFP nëpërmjet “Getty Images”
Nxjerrja e kriptovalutave po fillon të bëhet dukuri e zakonshme edhe në Maqedoninë e Veriut, për shembull, në Shkup, Tetovë dhe Aracinovë. Kompanitë e energjisë elektrike po vënë re se konsumimi i energjisë elektrike në disa pjesë të këtyre qyteteve është shumë më i lartë sesa konsumi normal.
Nxjerrja e kriptovalutave është e ligjshme dhe mund të jetë joshëse: fitimet zakonisht janë dy deri në tri herë më të larta sesa kostoja e investimit në qira, pajisjet e nxjerrjes dhe energjia elektrike.17 Ajo që është joligjore është bërja e lidhjeve të paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike për të vjedhur energjinë që duhet për të nxjerrë kriptovaluta. Kjo është raportuar në qytetet e lartpërmendura të Maqedonisë së Veriut. Problemi është raportuar edhe në vende të tjera. Në gusht të vitit 2021, vjedhja e energjisë elektrike u raportua në ish-fabrikën e mbushjes së ujit “Kruna”, pranë Banja Lukës në Bosnjë dhe Hercegovinë: në vendngjarje u zbuluan 360 kompjuterë që përdoreshin për nxjerrje kriptovalutash dhe u ngritën akuza për konsumim të paautorizuar të energjisë elektrike.18
Një prej efekteve anësore të nxjerrjes së kriptovalutave është ndërprerja e energjisë elektrike që shkaktohet nga mbingarkesa e rrjetit të shpërndarjes së energjisë. Sipas një përfaqësuesi të një kompanie lokale energjetike, “një shtëpi, nëse instalon kompjuterë për nxjerrjen e kriptovalutave… mund të konsumojë energji sa 20 ose 30 shtëpi, çka pengon seriozisht furnizimin me energji të të gjithë përdoruesve fqinjë në atë pikë furnizimi me energji”.19 Në gjysmën e parë të vitit 2021, në Maqedoninë e Veriut u ngritën 120 akuza për vjedhje të energjisë elektrike. Në vitin 2020, u ngritën 250 akuza për përdorim të paautorizuar të energjisë elektrike.20
Si përfundim, tregtia elektronike duket qartë se është valë e së ardhmes. Ndonëse përdorimi i kriptovalutave në Ballkanin Perëndimor aktualisht është i kufizuar dhe shkalla e përdorimit të tyre për të pastruar paratë dhe shmangur detyrimet tatimore mbetet e vështirë për t’u matur, është e qartë se kriptovalutat po tërheqin shumë vëmendje. Sfida e vendeve të rajonit është të krijojnë një kuadër të fuqishëm rregullator dhe të sigurojnë që agjencitë ligj-zbatuese dhe rregullatorët të kenë mjete dhe kapacitete për të monitoruar kriptovalutat, për të ulur rrezikun e pastrimit të parave dhe për t’i pajisur ekspertët e inteligjencies financiare me njohuri praktike me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të kriptovalutave për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Foto: Pazar3
Shënime
-
Government Accountability Office, Virtual economies and currencies: Additional IRS guidance could reduce tax compliance risks (GAO-13-516), Report to the U.S. Senate Committee on Finance [Zyra për Llogaridhënie Qeveritare, Ekonomitë virtuale dhe valutat virtuale: Udhëzuesi shtesë i IRS-së mund të ulë rreziqet e pajtueshmërisë ligjore për detyrimet tatimore (GAO-13-516), Raport për Komitetin për Financa të Senatit të Shteteve të Bashkuara], 15 maj 2013, www.gao.gov/assets/gao-13-516.pdf. ↩
-
Brian Armstrong, Cryptocurrencies’ Time to Shine? [Koha për shkëlqimin e kriptovalutave?], Project Syndicate, 8 prill 2020, www.project-syndicate.org/commentary/rise-of-cryptocurrencies-after-covid19-pandemic-by-brian-armstrong-2-2020-04. ↩
-
Kripto-valuti: Od zelba za brza zaraboptuvacka do kolaps, NOVA TV, 20 shkurt 2018, novatv.mk/kripto-valuti-od-zhelba-za-brza-zarabotuvachka-do-kolaps/. ↩
-
Kevin Stankiewicz, ‘Black Swan’ author calls bitcoin a ‘gimmick’ and a ‘game,’ says it resembles a Ponzi scheme [Kevin Stankieviçi, autor i “Mjellmës së Zezë”, e quan bitkoinin “truk” dhe “lojë”, duke shtuar se ai i ngjan skemës “Ponzi”], CNBC, 23 prill 2021, www.cnbc.com/2021/04/23/bitcoin-a-gimmick-and-resembles-a-ponzi-scheme-black-swan-author-.html. ↩
-
Bojan Stojkovski, Ditching dinars: Will the Balkans take to Cryptocurrency?, BalkanInsight [Të heqësh qafe dinarët: A do të përqafojë Ballkani kriptovalutat?], 17 shtator 2020, balkaninsight.com/2020/09/17/ditching-dinars-will-the-balkans-take-to-cryptocurrency. ↩
-
Kriptovalutat dhe dëmtimi nga mbetjet elektronike, Vrabotuvanje.com, 20 shtator 2021, www.vrabotuvanje.com.mk/Sovet/12417/Kriptovaluti-i-shtetite-od-elektronskiot-otpad/7. ↩
-
Shihni: https://coinmap.org/view/#/world/47.19717795/17.24853516/6. ↩
-
Për hartën e bankomatëve të bitkoinit, vizitoni faqen: coinatmradar.com. ↩
-
Klasifikimi i bankomatëve të bitkoinit sipas vendeve jepet në këtë faqe interneti: https://coinatmradar.com/countries. ↩
-
Business Wire, Royal yacht brokers to accept cryptocurrencies and gold as payment for luxury yacht rental services [Ndërmjetësit e jahteve mbretërore do të pranojnë kriptovaluta dhe ar si pagesa për shërbimet e jahteve luksoze me qira], 28 tetor 2017, https://www.businesswire.com/news/home/20171028005014/en/Royal-Yacht-Brokers-Accept-Cryptocurrencies-Gold-Payment. ↩
-
Jamie Redman, Three luxury apartments sold for 420 BTC in the coastal region of Montenegro [Shiten për 420 bitkoin tri apartamente luksoze në rajonin bregdetar të Malit të Zi], Bitcoin.com, 8 qershor 2018, news.bitcoin.com/three-luxury-apartments-sold-for-420-btc-in-the-coastal-region-of-montenegro. ↩
-
Ligji “Për asetet digjitale”, Republika e Serbisë, Gazeta Zyrtare nr. 153/2020, www.nbs.rs/export/sites/NBS_site/documents-eng/propisi/zakoni/digitalna_imovina_e.pdf; Ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, http://www.parlament.al/Files/Akte/20200603130931ligj%20nr.%2066,%20dt.%2021.5.2020.pdf. ↩
-
Intervista me përfaqësues të Zyrave të Inteligjencës Financiare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, 1 tetor 2021. ↩
-
Two charged, one wanted on cryptocurrency fraud in Albania [Dy të akuzuar, një i shpallur në kërkim për mashtrim me kriptovalutat në Shqipëri], Exit News, 26 qershor 2021, exit.al/en/2021/06/26/two-charged-one-wanted-on-cryptocurrency-fraud-in-albania. ↩
-
Hamdi Firat Buyuk, Turkey asks Albania to detain fugitive cryptocurrency fraud suspect [Hamdi Fërat Byjyku, Turqia i kërkon Shqipërisë të ndalë të dyshuarin e arratisur për mashtrim me kriptovaluta], BalkanInsight, 23 prill 2021, balkaninsight.com/2021/04/23/turkey-asks-albania-to-detain-fugitive-cryptocurrency-fraud-suspect. ↩
-
Arbesa Hoxha-Dobrunaj, Smuggling, cryptocurrencies and illegal mining in northern Kosovo [Kontrabandimi, kriptovalutat dhe nxjerrja joligjore e kriptovalutave në veriun e Kosovës], Robert Lansing Institute for Global Threats and Democracies Studies, 19 maj 2021, lansinginstitute.org/2021/05/19/smuggling-cryptocurrencies-and-illegal-mining-in-northern-kosovo. ↩
-
Adelina Ahmeti dhe Kreshnik Gashi, Crypto mining machines confiscated by Kosovo authorities in Pristina [Autoritetet kosovare në Prishtinë konfiskojnë pajisjet për nxjerrjen e kriptovalutave], BalkanInsight, 12 maj 2021, balkaninsight.com/2021/05/12/in-north-kosovo-mining-for-bitcoin-on-free-electricity. ↩
-
Dejan Tovilović, U Damjanovićevoj „Kruni“ kradu struju za rudarenje kriptovaluta, Capital, 14 tetor 2021, www.capital.ba/u-damjanovicevoj-kruni-kradu-struju-za-rudarenje-kriptovaluta. ↩
-
Tose Ognjanov, Некои со легални влогови, а некои и со крадење струја: Сè повеќе македонски граѓани „копаат“ криптовалути, VOA, 10 qershor 2021, mk.voanews.com/a/voa-crypto-currency-mkd-article-toshe-ognjanov/5923962.html. ↩
-
Aleksandra Filipovska, Лесна заработувачка со копање на биткоини- однесе во полициска станица жител на Ѓорче Петров, Telma, 17 korrik 2021, telma.com.mk/2021/07/17/лесна-заработувачка-со-копање-на-битк. ↩