Rrëzimi i mitit të ekzistencës së një karteli ballkanik.

“Karteli kriminal” është aleancë e sofistikuar e shumë organizatave dhe grupeve kriminale që bashkëpunojnë për një kohë të gjatë nën drejtimin e disa shefave dhe një “mbreti” dhe ka lidhje të shtrira me kriminelë të tjerë të organizuar në nivelin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Media dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke përfshirë edhe Europolin, ndonjëherë flasin për ekzistencën e një “karteli ballkanik”. A është ky kartel mit apo ekziston vërtet një organizatë e tillë kriminale? Dhe pse paraqet rëndësi diçka e tillë? 1

Burimi kryesor i të ardhurave të karteleve është trafikimi i drogës.2 Ato prodhojnë, transportojnë dhe shpërndajnë drogë të paligjshme me ndihmën e organizatave kriminale që janë ose anëtare të kartelit ose bashkëpunojnë me të ngushtësisht. Gjithashtu, ato bëjnë larjen e parave që vijnë nga trafikimi i drogës.

Disa prej shembujve historikë përfshijnë kartelin e Medelinit, nën drejtimin e Pablo Eskobarit ose kartelin separatist të Kalit, të dy në Kolumbi. Disa prej shembujve bashkëkohorë janë karteli i Sinaloas, karteli i Gjirit [të Meksikës] ose karteli i Huarezit në Meksikë, të cilët realizojnë shpërndarjen e drogës nëpërmjet celulave në qytete anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që raportojnë te drejtuesit në Meksikë ose drejtpërdrejt ose tërthorazi nëpërmjet ndërmjetësve. Këto kartele përbëhen nga celula të ndryshme të veçuara, të cilat kanë role specifike dhe, për këtë arsye, formojnë një zinxhir të plotë të bizneseve të drogës: prodhim, transportim, shpërndarje dhe pastrim larash.3

Karteli ballkanik, pra, do të ishte një aleancë e organizatave kriminale nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Serbia (ose, të paktën, nga disa prej këtyre vendeve) me një strukturë të ngurtë dhe një udhëheqës të shquar të sipërmarrjes kriminale dhe do të ishte në gjendje të prodhonte, transportonte dhe shpërndante drogë dhe të pastronte para. Nuk ekzistojnë prova që do të tregonin se ekziston një kartel i tillë i bashkuar. Nëse do të ekzistonte, do të ishte një fuqi e madhe në botën e krimit.

Nga të dhënat e disponueshme, del se panorama është disi më e nuancuar. Nga njëra anë, kriminelët nga ish-Jugosllavia vazhdojnë të veprojnë në njëfarë “sfere jugosllave” të kriminalitetit. Shpesh ata shfaqin karakteristikat e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e paligjshëm të komoditeteve, por nuk kanë kontroll territorial ose ndonjë tipar tjetër që është karakteristikë e grupeve të stilit mafioz. Këto rrjete zakonisht janë ndërkombëtare dhe bashkëpunojnë përtej kufijve dhe ndasive etnike. Në fakt, kriminelët në Ballkan shpesh duket se janë më efikas në bashkëpunimin ndërkufitar sesa agjencitë e zbatimit të ligjit.

Në Ballkan ka edhe organizata të stilit mafioz. Ka katër tipare, edhe pse jo ekskluzive, që përcaktojnë një grup mafioz: një emër i njohur, një udhëheqës ose udhëheqje (zakonisht hierarkike) e përcaktuar, kontrolli mbi një territor dhe anëtarësia e identifikueshme. Këto grupe (të cilat, shpesh, kanë për bazë një fis) mund të gjenden në pjesë të Shqipërisë ose në vatra të krimit të organizuar në pjesë të ndryshme të rajonit. Zakonisht ato përqendrohen në një qytet ose rajon të caktuar dhe, ndonëse mund të kenë bashkëpunëtor jashtë vendit, ato nuk kanë komunikim ndërkombëtar siç kanë rrjetet kriminale ose kartelet.

Nga ana tjetër, edhe pse mund të argumentohet se disa rrjete kriminale nga rajoni kanë disa karakteristika të karteleve, nuk ekziston asnjë kartel ballkanik homogjen dhe i unifikuar nën një komandë të centralizuar dhe me një strukturë kontrolli. Në fakt, ka rivalitet të dhunshëm midis disa grupeve dhe organizatave, madje edhe nga i njëjti vend, si klanet Kavaçi dhe Shkaljari në Mal të Zi ose klanet rivale në Shqipëri. Kriminelët nga Ballkani janë efikas edhe kur është fjala për bashkëpunimin me homologët e tyre jashtë rajonit, për shembull për t’u lidhur me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine ose me shpërndarësit në Evropën Perëndimore. Shkurt, pjesa më e madhe e grupeve kriminale në Ballkan ose nga Ballkani veprojnë më shumë si rrjete kriminale ose, në situata të izoluara, si grupe mafioze, dhe jo si kartele.

Krahas vlerësimit të vërtetësisë së këtij miti, pse është e rëndësishme të përcaktohet ekzistenca e një karteli ballkanik? Në bazë të përvojës së Amerikës Latine dhe Meksikës, ekzistenca e një karteli të tillë mund të paraqesë rrezik serioz për sigurinë e vendeve në rajon, duke përfshirë kërcënimin e sovranitetit dhe monopolit të shtetit në përdorimin e forcës, çka do të shkaktonte nivele të larta dhune vdekjeprurëse dhe përmbysje dhe madje zëvendësim të disa funksioneve shtetërore, siç është ofrimi i sigurisë, krijimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe kontrollimi i disa pikave kyçe të kalimit të kufirit.4 Kjo mund të kishte ndikim serioz edhe te siguria brenda vendeve ku ushtron aktivitetin karteli, për shembull në Amerikën Latine dhe Evropën Perëndimore, dhe tek ekuilibri i forcës (ose rivaliteteve të tregut) brenda ekonomive të paligjshme.

Origjinat e mitit

Nëse nuk ka kartel ballkanik per se, cili është burimi i mitit dhe pse vazhdon të ekzistojë? Në vitet 1980, të rinj, që vinin nga ajo që atëherë njihej me emrin Jugosllavi, ishin të përfshirë në botën e krimit në disa prej vendeve të Evropës Perëndimore. Disa punonin në “lagje me drita të kuqe” si roje klubi ose trafikues të qenieve njerëzore, ndërsa të tjerët i fitonin paratë nga marrëveshjet për mbrojtje, zhvatja dhe shitja e drogës ose si vrasës me pagesë.5 Në Holandë, për shembull, ata njiheshin me termin “Yugomafia” ndërsa në Suedi me termin “Juggemaffian”.

Grupet kriminale nga Ballkani u bënë më të organizuara dhe më të dhunshme gjatë dhe pas luftërave në Jugosllavi, sidomos sepse kishin përvojë në luftë dhe qasje në armë. Të tjerët shijonin një shkallë mbrojtjeje nga ekonomitë kriminale, të zhvilluar me qëllim shmangien e sanksioneve. Edhe pse ata po krijonin një faktor frike, ata ishin ende operatorë të papërfillshëm në skenën e krimit në Evropë: ata ishin aktiv sidomos në trafikimin e heroinës, armëve dhe njerëzve.

Miti i kartelit ballkanik lindi me grupin famëkeq kriminal që drejtohej nga Darko Shariçi, shtetas serb i Malit të Zi, i njohur si “mbreti i kokainës”.6 Shariçi ra në sy të autoriteteve fillimisht në vitin 2000 kur policia serbe mori informata nga kolegët jashtë Serbisë lidhur me dyshime për pastrim parash.7 Në vitin 2007, policia italiane filloi procesin hetimor kundër Shariçit dhe klaneve të tjera kriminale serbe dhe malazeze që po merrnin nën kontroll tregun e kokainës nga mafia kalabreze “Ndrangeta”.8 Në tetor të 2009-ës, në një jaht luksoz pranë Montevidoes së Uruguait, në kuadër të operacionit “Luftëtari Ballkanik”, u sekuestruan më shumë se dy tonë kokainë. U arrestuan dy vetë: një uruguaian dhe një kroat.9 Operacioni “Luftëtari Ballkanik” u përshkrua si operacion që parandaloi krijimin e një karteli ballkanik.10

Deri diku, përdorimi i shprehjes “kartel ballkanik” është gazetari e bujshme, e cila mbështetet në njohuri të kufizuara edhe rreth krimit të organizuar edhe rreth rajonit. Termi “kartel” përdoret si shkurtore për “grupet kriminale”, ndërsa fjala “ballkanik” portretizohet si një monolit aktorësh kriminalë nga Evropa Lindore. Kur këta dy terma vihen bashkë, shprehja ka kuptimin e “një grupi kriminal gjithërajonal tepër të organizuar”. Edhe pse nuk duket se ekziston asnjë kartel i tillë, ekziston një numër i mjaftueshëm aktorësh të cilët ose kërkojnë ta përjetësojnë mitin, ose, me anë të veprimtarive të tyre, shfaqin njëfarë shkalle bashkëpunimi ndërkombëtar.

Për shembull, në vitin 2015, autoritetet amerikane e klasifikuan Naser Kelmendin si “mbret kryesor droge” dhe udhëheqës të një familjeje kriminale në Ballkan, me një rrjet bashkëpunëtorësh nga i gjithë rajoni (sidomos në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi) dhe nga Evropa Perëndimore. Organizata kriminale e Kelmendit akuzohej për trafik droge dhe pastrim parash dhe madje u sanksionua edhe nga Shtëpia e Bardhë në kuadër të ligjit amerikan “Për mbretërit e drogës” të vitit 2012.11 Në vitin 2018, ai u shpall fajtor për menaxhimin e operacioneve të narkotikëve, por më pas u lirua ndërkohë që pret për rigjykim.12

Në anën tjetër të botës, në vitin 2015, kriminelët e Ballkanit u damkosën në Australi si kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së vendit. Lojtarët kryesorë njiheshin si gangsterët e lagjes “Kings Kros” dhe kontrollonin trafikimin e drogës drejt porteve të Australisë.13 Media e quajti udhëheqësin e pretenduar, Vaso Uliçin,14 si Pablo Eskobarin e ri. Uliçi pranoi në vitin 2019 në Mal të Zi se kishte organizuar një klan për trafikimin ndërkombëtar të drogës.15

Uliçi nuk ishte i vetmi të cilit iu vu ai titull. Edhe veprimtaria e Kelmend Balilit nga Shqipëria është portretizuar si “kartel ballkanik” dhe – për ta bërë mitin më të fuqishëm – Balilin e kanë quajtur edhe “Eskobar i Ballkanit”.16 Në maj të 2016-ës, policia greke arrestoi 15 pjesëtarë të një rrjeti kriminal që kontrabandonte kanabis nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës, i cili financohej dhe drejtohej nga Balili, i cili në atë kohë ishte drejtor transportesh në Sarandë të Shqipërisë. Në fund ai u pushua nga puna dhe për të u lëshua një urdhër arresti. Ai ishte në gjendje të lirë deri në janar të 2019-ës, kur iu dorëzua policisë,17 njëlloj siç kishte bërë Shariçi.18

Një tjetër shembull “mbreti droge i Ballkanit” ishte edhe Edin Gaçanini, udhëheqës i kartelit “Tito dhe Dino”. Grupi i tij njihet si aktor i madh në kontrabandimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Holandës.19 Shërbimet serbe të sigurisë besojnë se karteli “Tito dhe Dino” mori në kontroll biznesin e kokainës nga “Grupi Amerika” në vitin 2016, pas arrestimit të njërit prej pjesëtarëve të nivelit të lartë, Zoran Jakshiçit.20

Fakti që ka disa lojtarë të mëdhenj në rajon ose nga rajoni tregon se ka një numër grupesh, por jo një kartel të unifikuar. Vetëm në Spanjë, përllogaritet se ka 100 grupe kriminale të organizuara nga Ballkani.21

Dhe prapëseprapë, edhe Europoli përdor shprehjen “kartel ballkanik”, të cilin e përshkruan si “rrjet i krimit të organizuar”. Në kuadër të strategjisë së gjerë evropiane kundër të ashtu-quajturit “kartel ballkanik” janë realizuar disa operacione.22 Trafikimi i kokainës nga Kolumbia, Ekuadori dhe Panamaja drejt Evropës dhe Azisë është biznesi kryesor i kriminelëve të Ballkanit, por këta merren edhe me trafikim armësh. Pjesëtarët e kartelit ballkanik, sipas këtyre operacioneve, janë kryesisht kriminelë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Miti përforcohet sa herë që rrëzohet një grup kriminal shumëkombësh. Për shembull, kohëve të fundit u arrestuan 48 persona në Slloveni, të cilët pretendohet se janë pjesë e një celule të një grupi kriminal malazez. Sipas akuzave penale të ngritura nga policia, 20 prej tyre ishin shtetas të Sllovenisë, 11 ishin nga Serbia, 9 nga Bosnje dhe Hercegovina, 5 nga Kroacia, 2 nga Mali i Zi dhe 1 nga Maqedonia e Veriut. Këta shembuj tregojnë se ekzistojnë rrjete shumetnike ose grupime nga Ballkani ose celula të lidhura me ndonjë klan të dhunshëm, por këto nuk provojnë ekzistencën e një karteli ballkanik.

Tentakula pa kokë

Nuk ka dyshim se organizatat kriminale nga Ballkani Perëndimor bashkëpunojnë. Disa kontrabandojnë sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt Evropës, Amerikës së Veriut, Afrikës dhe Azisë. Një tjetër grup është edhe rrjeti i Panterës Rozë: një grup hajdutësh bizhuterish. Disa prej këtyre grupe janë shumetnike dhe përbëhen nga pjesëtarë të cilët janë nga ish-Jugosllavia. Bashkëpunimi lehtësohet ngaqë pjesëtarët edhe kuptojnë gjuhët e njeri-tjetrit, por edhe kanë ngjashmëri kulturore. E njëjta logjikë vlen edhe për bashkëpunimin midis grupeve shqipfolëse. Disa grupe nga Ballkani Perëndimor bashkëpunojnë me organizata kriminale nga pjesa tjetër e Evropës Juglindore si Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania dhe Sllovenia.

Referencat në lidhje me “kartelin ballkanik” në artikujt e medieve dhe në deklaratat e agjencive të zbatimit të ligjit.

Referencat në lidhje me “kartelin ballkanik” në artikujt e medieve dhe në deklaratat e agjencive të zbatimit të ligjit.

Pavarësisht kësaj, këto grupe ballkanike bashkëpunojnë edhe me grupe jashtë rajonit, që ndodhen, për shembull, në Evropën Lindore dhe Amerikën Latine. Në të vërtetë, disa kriminelë të Ballkanit duket se janë anëtarë kyç të grupeve që u ngjajnë karteleve, siç është rrjeti shumëkombësh “Kompanio Bello”, i cili u kap në shtator të 2020-ës.23 Ky grup kryesisht shqipfolës, kishte organizuar dërgesa të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës Perëndimore.24 Në tetor të 2021-shit, kur u arrestua drejtuesi i kartelit të fuqishëm kolumbian “Klani i Gjirit” (“Clan del Golfo”), u raportua se grupi i tij kishte lidhje me një numër rrjetesh të tjera kriminale, duke përfshirë ato nga Ballkani.25 Prandaj, ngjashmëria etnike ose gjuha nuk duket se janë parakusht për bashkëpunim, por as nuk garantojnë bashkëpunimin. Sikurse vumë në dukje më lart, ndonjëherë ka konkurrencë të dhunshme edhe midis grupeve nga i njëjti rajon, madje edhe nga i njëjti vend.

Sikurse ka vënë në dukje organizata “InSight Crime”, “në botën e sotme të krimit, e cila është më fleksible se kurrë më parë, askush prej këtyre grupeve nuk ka kapacitet të menaxhojë i vetëm rrugëtimin e kokainës nga prodhimi te shitja me pakicë. Përkundrazi, këto grupe formojnë dhe prishin rrjete dhe hyjnë e dalin nga aleancat me aktorë të ndryshëm nga i gjithë globi.”26 Me pak fjalë, edhe pse është e qartë se ekziston një bashkëpunim ndëretnik midis grupeve kriminale nga Ballkani dhe që tentakulat e këtyre grupeve zgjaten në gjithë botën, këto tentakula as nuk janë të lidhura me një grup të vetëm dhe as nuk koordinohen nga i njëjti “tru”.

Shënime

  1. Artikulli mbështetet në referencën: Saša Đorđević, Balkanski kartel – razbijanje mita: Braća po narkoticima, Vreme, 14 tetor 2021, https://www.vreme.com/cms/view.php?id=1972245

  2. Carlo DeVito, The Encyclopedia of International Organized Crime [Enciklopedia e krimit të organizuar ndërkombëtar]. Facts On File Crime Library, Checkmark Books, 2005. 

  3. Agjencia e Zbatimit të Ligjit për Drogën, Vlerësimi kombëtar për kërcënimin nga droga 2020, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, mars 2021, www.dea.gov/sites/default/files/2021-02/DIR-008-21%202020%20National%20Drug%20Threat%20Assessment_WEB.pdf

  4. Robert J Bunker dhe John P Sullivan, Cartel evolution: Potentials and consequences [Evoluimi i karteleve: Potencialet dhe pasojat], Transnational Organized Crime, 1998, 4, 2, 55-74. 

  5. GI-TOC, Guns for gangs in Sweden: the Balkan connection [Armë për bandat në Suedi: Lidhja me Ballkanin], Buletini i Rreziqeve 4, janar-shkurt 2021, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2021/01/Western-Balkans-RB-04_AL_web.pdf

  6. Bojana Jovanović dhe Stevan Dojčinović, Saric case: from international investigation to second judgement [Rasti i Sariçit: Nga hetimi ndërkombëtar te gjykimi i dytë], KRIK, 5 dhjetor 2018, www.krik.rs/en/saric-case-international-investigation-second-judgement

  7. Utisak nedelje, B92, 14 shkurt 2010, youtu.be/cLBCiaZwDBE

  8. Enco Manjini, Italijanska veza Darka Šarića, Vreme, 25 nëntor 2010, www.vreme.com/cms/view.php?id=963550

  9. Bojana Jovanović dhe Stevan Dojčinović, Saric Case: from International Investigation to Second Judgement [Rasti i Sariçit: Nga hetimi ndërkombëtar te gjykimi i dytë], KRIK, 5 dhjetor 2018, www.krik.rs/en/saric-case-international-investigation-second-judgement

  10. Djordje Odavic dhe Ratko Femic, Serbian Bureau victorious over ‘Balkan cartel’ [Byroja Serbe fitimtare ndaj “kartelit ballkanik”], Novi Magazin, 17 shkurt 2012, novimagazin.rs/english/11741-serbian-bureau-victorious-over-balkan-cartel

  11. Treasury Sanctions Network of Naser Kelmendi, U.S. Department of the Treasury [Rrjeti i sanksioneve të thesarit të Naser Kelmendit, Departamenti Amerikan i Thesarit], 24 mars 2015, www.treasury.gov/press-center/press-releases/Pages/jl10007.aspx

  12. Labinot Leposhtica dhe Die Morina, Kosovo Court Jails Kelmendi For Drugs Running, BalkanInsight [Gjykata e Kosovës dënon me burg Kelmendin për trafikim droge], 1 shkurt 2018, balkaninsight.com/2018/02/01/naser-kelmendi-verdict-02-01-2018/ Naser Kelmendi released from prison [Lirohet nga burgu Naser Kelmendi], Radio Televizija Crne Gore, 3 gusht 2018, www.rtcg.me/english/balkans/210833/naser-kelmendi-released-from-prison.html

  13. Charles Miranda, Aussies running drug cartel [Australianët që drejtojnë kartel droge], Townsville Bulletin, 1 qershor 2015; Charles Miranda, Balkan link in drug web [Rrjeti i drogës lidhje me Ballkanin], Gold Coast Bulletin, 1 qershor 2015. 

  14. Dimitrije Jovićević, Vaso Ulić, ‘crnogorski Escobar’?, Radio Slobodna Evropa, 30 gusht 2017, www.slobodnaevropa.org/a/crna-gora-vaso-ulic/28705187.html

  15. Milica Vojinović, Vasu Uliću dve godine zatvora za organizovanje međunarodnog šverca droge, KRIK, 1 tetor 2019, www.krik.rs/vasu-ulicu-dve-godine-zatvora-za-organizovanje-medjunarodnog-sverca-droge/

  16. «Πολιτικοί προστατεύουν» το βαρόνο του καρτέλ των Βαλκανίων, CNN Greece, 11 mars 2016. www.cnn.gr/ellada/story/31784/politikoi-prostateyoyn-to-varono-toy-kartel-ton-valkanion

  17. Accused Albanian drug lord surrenders to police [Dorëzohet në polici mbreti shqiptar i akuzuar i drogës], Reuters, 15 janar 2019, www.reuters.com/article/us-albania-crime-surrender-idUSKCN1P924Q

  18. Marija Ristic, Dusica Tomovic dhe Bojana Barlovac, alleged Balkan drugs lord Darko Saric surrenders [Dorëzohet mbreti i akuzuar i drogës në Ballkan, Darko Sariçi], BalkanInsight, 18 mars 2014, balkaninsight.com/2014/03/18/alleged-drug-boss-saric-arrested/

  19. Avdo Avdić, Povezani sa italijanskom i južnoameričkom mafijom: Bosanski kartel Tito i Dino kontrolira narko tržište u Evropi, Žurnal, 1 gusht 2019, zurnal.info/novost/22296/bosanski-kartel-tito-i-dino-kontrolira-narko-trziste-u-evropi

  20. Tamra Marković Subota, Ko je kralj kokaina? Čovek koji je video Tita, Ekspres, 1 janar 2020, www.ekspres.net/hronika/ko-je-kralj-kokaina-covek-koji-je-video-tita

  21. Patricia Ortega Dolz, The Balkan mafias wielding their power in Spain [Mafiet e Ballkanit që ushtrojnë pushtet në Spanjë], El Pais, 3 shtator 2020, english.elpais.com/spanish_news/2020-09-03/the-balkans-mafias-wielding-their-power-in-spain.html

  22. Europol, 100 kg of cocaine and 150kg of marijuana seized in major international operation dismantling Balkan cartel [Sekuestrohen 100 kg kokainë dhe 150 kg marihuanë në operacionin kryesor ndërkombëtar për shkatërrimin e kartelit ballkanik], 8 mars 2018, www.europol.europa.eu/newsroom/news/100kg-of-cocaine-and-150kg-of-marijuana-seized-in-major-international-operation-dismantling-balkan-cartel; Europol, Coordinated hit against two big gun running operations in Europe [Operacioni i koordinuar kundër dy operacioneve të mëdha armësh në Evropë], 19 qershor 2018, www.europol.europa.eu/newsroom/news/coordinated-hit-against-two-big-gun-running-operations-in-europe; Europol, Balkan cartel trafficking cocaine around the globe in private planes busted [Asgjësohet karteli ballkanik që transportonte kokainë në gjithë botën me aeroplanë privatë], 23 korrik 2019, www.europol.europa.eu/newsroom/news/balkan-cartel-trafficking-cocaine-around-globe-in-private-planes-busted; Europol, Balkan cocaine cartel taken down in Montenegro [Bie karteli ballkanik i kokainës në Mal të Zi], 11 mars 2020, www.europol.europa.eu/newsroom/news/balkan-cocaine-cartel-taken-down-in-montenegro; Europol, Over 60 charged in crackdown on Balkan cartel behind cocaine pipeline to Europe [Mbi 60 persona të akuzuar pas operacionit policor kundër kartelit ballkanik që kontrollonte linjën e kokainës drejt Evropës], 27 shtator 2021, www.europol.europa.eu/newsroom/news/over-60-charged-in-crackdown-balkan-cartel-behind-cocaine-pipeline-to-europe

  23. Xhorxhina Bami, Interpol operation busts top ethnic Albanian drug smuggling ring [Operacioni i Interpolit shkatërron bandën kryesore shqiptare të kontrabandimit të drogës], BalkanInsight, 17 shtator 2020, balkaninsight.com/2020/09/17/interpol-operation-busts-top-ethnic-albanian-drug-smuggling-ring

  24. Eurojust, Joint investigation team leads to dismantling of one of Europe’s most active Albanian-speaking networks trafficking cocaine into Europe [Ekipi hetimor i përbashkët çon në përmbysjen e një prej rrjeteve shqipfolëse më aktive në Evropë në fushën e trafikimit të kokainës drejt Evropës], 17 shtator 2020, www.eurojust.europa.eu/joint-investigation-team-leads-dismantling-one-europes-most-active-albanian-speaking-networks

  25. Hervé Bar, Narcotrafic: le Clan del Golfo, meilleur ami des mafias [Klani i Gjirit, miku më i mirë i mafies], TV5 Monde, 3 nëntor 2021, https://information.tv5monde.com/info/narcotrafic-le-clan-del-golfo-meilleur-ami-des-mafias-431023

  26. Maria Fernanda Ramírez, Cocaine – The criminal steroid [Kokaina: Steroidi kriminal], InSight Crime, 9 February 2021, insightcrime.org/investigations/cocaine-criminal-steroid