Community Building Mitrovica: Një derë e hapur për të rinjtë.
Fotografitë: Community Building Mitrovica
Community Building Mitrovica (CBM) është një organizatë e shoqërisë civile me seli në Mitrovicë, Kosovë. Më shumë se 20 vjet pas luftës, qyteti vazhdon të jetë i ndarë me një komunitet me shqiptarë të Kosovës të vendosur në pjesën jugore të qytetit dhe një komunitet me serbë të Kosovës në pjesën veriore, të ndarë nga lumi Ibër. Tensionet mbeten dhe sundimi i ligjit është i dobët. Si rezultat, rajoni vazhdon të ketë një reputacion si strehë për krimin e organizuar.
Genti Behramaj dhe Afërdita Sylaj Shehu flasin për punën e ndërmarrë nga organizata e tyre, disa nga sfidat me të cilat përballen dhe se si aktivitetet e CBM-së ndihmojnë në rritjen e rezistencës ndaj krimit të organizuar në këtë mjedis të vështirë.
Kur dhe pse u themelua CBM-ja dhe çfarë bën organizata?
Njëzet vjet më parë, CBM-ja filloi si një projekt ndërkombëtar i paqes për pajtimin e komunitetit financuar nga Këshilli Ndërkishtar i Paqes. Në vitin 2003, ajo u regjistrua si OJQ lokale që kishte për qëllim bashkimin e komuniteteve të ndryshme dhe krijimin e dialogut midis komuniteteve serbe dhe shqiptare. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se, që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, mbylljet e herëpashershme të urës mbi lumin Ibër si dhe sulmet e dhunshme kundër atyre që e kalonin atë çuan në një ndarje de facto të dy komuniteteve. Ura është bërë më shumë simbol i ndarjes sesa i lidhjes, me shumë njerëz nga të dyja anët që ende hezitojnë ta kalojnë atë.
Sot, CBM-ja është një nga OSHC-të më të mëdha në rajon, me rreth 15 të punësuar. Ndërsa hendeku midis komuniteteve serbe dhe shqiptare mbetet i gjerë, ne jemi duke punuar në disa projekte të hartuara për të reduktuar tensionet dhe ndarjet ndëretnike brenda sistemit politik, nivelin e ulët të punësimit (veçanërisht midis të rinjve) dhe tendencat lokale të krimit të organizuar. CBM-ja jo vetëm që punon në qytetin e Mitrovicës, por mbulon gjithashtu tërë rajonin e Veriut të Kosovës. Ne gjithashtu kryejmë aktivitete në pjesë të tjera të Kosovës dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ne shpesh punojmë me fëmijë në shkollat e mesme dhe ato fillore lokale për t’u përqendruar te parandalimi. Ne përpiqemi t’i mbajmë këta të rinj larg nga ndikimet negative dhe punojmë me ta për çështje që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme përmes edukimit qytetar. Ne gjithashtu u sjellim atyre modele për të diskutuar sfidat e mundshme. Shkurtimisht, ne përpiqemi t’u tregojmë atyre se ekziston një mënyrë tjetër se si bëhen gjërat.
CBM-ja është gjithashtu një derë e hapur për të rinjtë, për gjithçka që ata kanë nevojë. Ne mbështesim idetë e tyre në komunitet, organizojmë seanca trajnimi për kolegët dhe seminare se si të identifikojmë vulnerabilitetin dhe pastaj përpiqemi t’i përfshijmë ata në aktivitetet tona. Pas 20 viteve funksionimi, ne kemi filluar të shohim frytet e punës sonë. Fëmijët që morën pjesë në trajnimin tonë vite më parë tani janë aktivistë ose ndërtues të paqes - ata janë njerëz të suksesshëm që punojnë për të mirën e shoqërisë.
Fotografia: © Community Building Mitrovica
Cilat janë sfidat kryesore për organizatat e shoqërisë civile në një zonë ku janë kaq të rrënjosura ndarjet etnike dhe krimi i organizuar?
Një nga sfidat tona kryesore është të qëndrojmë të përqendruar, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë. Një sfidë tjetër është të pranohesh. Për shkak të situatës së polarizuar etnike këtu, ka perspektiva të ndryshme. Në varësi se me kë bisedoni, disa njerëz mendojnë se ne jemi organizatë serbe, të tjerët se jemi organizatë shqiptare. Kryesorja për ne është të krijojmë besim dhe të angazhojmë njerëz nga të dyja komunitetet. Për shembull, deri vonë, institucionet në zonat me shumicë serbe nuk kanë punuar me OJQ-të e regjistruara në Kosovë. Por CBM-ja arriti të krijojë një kanal komunikimi me ta dhe tani po implementon projekte dhe aktivitete së bashku me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve.
Si e shohin dhe e përjetojnë të rinjtë ndarjen në rajonin e Mitrovicës?
Për shkak të mungesës së kontaktit dhe dialogut mes komuniteteve, vazhdojnë të ekzistojnë shumë stereotipa dhe paragjykime, duke përfshirë këtu edhe të rinjtë të cilët janë rritur në një mjedis ku mësohen të mos i besojnë njëri-tjetrit. Por kur i sjellim ata bashkë në CBM, gjërat ndryshojnë. Ne përqendrohemi në një temë me interes të përbashkët në vend që t’i detyrojmë të bashkëpunojnë. Pastaj ata fillojnë të komunikojnë dhe të punojnë së bashku. Për të përmendur vetëm një shembull: u krijuan miqësi të mira përmes “shkollës së rock-ut” të CBM-së së Mitrovicës dhe tani ka disa grupe me të rinj të përzierë etnikisht që luajnë muzikë së bashku.
Ndryshimi kërkon kohë, por ne i shohim rezultatet çdo ditë. Ju mund të shihni shumë njerëz që kalojnë mbi urën e re përtej lumit Ibër. Që nga marrëveshja e vitit 2013 midis Serbisë dhe Kosovës, e cila përfshinte integrimin e komunave me shumicë serbe në sistemin e Kosovës, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm. Qyteti duket se është politikisht më i qëndrueshëm dhe bizneset kanë filluar të investojnë gjithashtu. Fakti se ata investojnë në Mitrovicë na jep shpresë se nuk do të ketë një konflikt tjetër dhe kështu njerëzit komunikojnë më shumë dhe ndihen më të sigurt.
Si perceptohet krimi i organizuar dhe cili është ndikimi i tij në komunitetin tuaj?
Krimi i organizuar nuk është shqetësimi kryesor për të rinjtë vendas dhe shumë mendojnë se nuk i prek ata drejtpërdrejt. Ekzistojnë gjithashtu shumë keqinformime ose mungesë njohurish rreth krimit të organizuar. Për shembull, gjatë aktiviteteve tona të organizuara me mbështetjen e “Fondit të qëndrueshmërisë” të GI-TOC,1 pjesëmarrësit mendonin se nuk kishte shumë trafik të qenieve njerëzore në komunitet dhe theksonin se kjo dukuri nuk zhvillohet në nivel lokal.
Por në të vërtetë ne shohim shenja të trafikimit të qenieve njerëzore në jetën tonë të përditshme këtu në Mitrovicë. Kjo ndodh kudo përreth nesh: pranë stacioneve të autobusëve dhe shkollave. Megjithëse të rinjtë e dinë që shfrytëzimi seksual është një krim, ata shpesh nuk e bëjnë lidhjen dhe nuk dinë si ta trajtojnë atë. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi rreth këtyre çështjeve.
Ju përmendët që institucionet gjithashtu hezitojnë të flasin për krimin e organizuar. A është kjo temë përgjithësisht tabu?
Njerëzit shpesh nuk janë në dijeni se çfarë është krimi i organizuar dhe si ndikon ai në jetën në komunitet. Njerëzit nuk dinë shumë për këtë temë dhe kjo është arsyeja pse ajo nuk diskutohet. Askush me të cilin kemi biseduar në projektet e fundit nuk ishte në gjendje ta përkufizonte në të vërtetë krimin e organizuar.
Por njerëzit gjithashtu kanë frikë të flasin për këtë temë më hapur. Kohët e fundit kemi vërejtur rastin e një kafeneje lokale ku supozohej se gratë shfrytëzoheshin për punë seksuale. Pak kohë pasi lajmi u publikua në media, gazetari u kërcënua nga pronari i lokalit.
Në këtë kuptim, një nga problemet më të mëdha është ndjekja penale. Ne folëm me oficerët e policisë të cilët na thanë se ata drejtojnë hetimet, krijojnë prova dhe kapin kriminelë, dhe në fund gjykata vendos lirimin e personit pas vetëm një muaji apo edhe 24 orësh. Kjo është arsyeja pse njerëzit gjithashtu kanë frikë të flasin për këtë, sepse ekziston frika se pasi kriminelët të lirohen nga burgu, ata do të hakmerren dhe nuk ke ku të shkosh dhe ta trajtosh çështjen.
Për më tepër, as institucionet dhe as policia nuk janë në dijeni se çfarë informacionesh ata mund ose duhet të ndajnë. Ata nuk janë të trajnuar si duhet për këto çështje. Në raporte hidhen informacione që nuk duhet të zbulohen, dhe identitetet e dëshmitarëve zbulohen. Kjo është arsyeja pse njerëzit hezitojnë t’i drejtohen policisë për të folur në lidhje me këto çështje.
Si e trajtoni temën e krimit të organizuar në aktivitetet tuaja?
Vitin e kaluar ne organizuam një projekt rreth çështjeve të trafikimit të qenieve njerëzore të quajtur “Tregimi yt është tregimi im”, mbështetur nga “Fondi i qëndrueshmërisë”. Në vetëm tre muaj ne organizuam një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit online dhe planifikuam dy seanca trajnimi, seminare, tryeza të rrumbullakëta dhe uebinarë.
Një çështje vërtet shqetësuese ishte se shumë prej institucioneve që ne ftuam të merrnin pjesë nuk ishin të sigurta për përgjegjësitë e tyre dhe ligjet në fuqi mbi temën e krimit të organizuar. Gjatë gjithë projektit, ne ishim në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha këto institucione, së pari duke u përpjekur të kuptonim se çfarë po bënin ato tashmë dhe pastaj si të organizonim më mirë aktivitetet. Kjo ishte një sfidë, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, por ishte gjithashtu një përvojë shumë pozitive për të punuar me ta.
Ka shumë boshllëqe ligjore dhe hapësira për interpretim që duhet të përmirësohen. Dhe ka edhe neglizhencë. Por edhe kështu, këta ekspertë ishin të gatshëm të mësonin dhe të përmirësoheshin. Mendoj se ky projekt vendos bazat për diçka të rëndësishme dhe është jetike që të vazhdohet dhe rritet ky bashkëpunim.
Si i motivoni të rinjtë të marrin pjesë në këto lloje aktivitetesh?
Gjatë projektit mbi trafikimin e qenieve njerëzore, ne u befasuam nga interesi i madh i të rinjve, veçanërisht për trajnimin që krijuam. Kishte gjithashtu një interes të zjarrtë nga përfaqësuesit e institucioneve me të cilat kemi punuar. Në fakt, ky projekt ishte hera e parë që përfaqësuesit nga policia, prokuroria, Ministria e Punëve të Brendshme, organizatat e shoqërisë civile dhe studentët u mblodhën së bashku për të biseduar rreth temës.
Në total, morën pjesë rreth 60 vetë dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin shumë të angazhuar. Dhe në tre muajt që po zhvillohej projekti, ne arritëm pothuajse gjysmë milioni njerëz me fushatën tonë në rrjetet sociale. Uebinarët tanë patën pjesëmarrës nga vende të tjera, duke përfshirë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ata ndanë përvojat nga vendet e tyre dhe ne ishim në gjendje t’i krahasonim me ato që bëjmë këtu.
Cilat janë hapat e mëtejshëm?
Ne duam patjetër të vazhdojmë të punojmë me çështjen e krimit të organizuar dhe të trajtojmë çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Në veçanti, do të dëshironim të përqendroheshim te institucionet dhe të përpiqeshim të ndërtonim ura midis tyre, sepse, deri më tani, nuk ka asnjë komunikim të duhur ose vetëdije të mjaftueshme për përgjegjësitë e tyre. Është me të vërtetë e rëndësishme që t’i inkurajojmë ata të bashkëpunojnë më tej.
Ne gjithashtu do të donim ta vazhdonim punën me të rinjtë për të rritur ndërgjegjësimin, sepse nuk ka njohuri të mjaftueshme për trafikimin e qenieve njerëzore. Është me të vërtetë e rëndësishme që njerëzit ta dinë se ky është krim dhe çfarë është në të vërtetë, në mënyrë që të gjithë të mund të kontribuojmë për të sjellë ndryshime më të mëdha. Pas njëfarë kohe duke punuar në terren, ne mundëm të krijonim një lëvizje me rrënjë në komunitet.
Shënime
-
Për më shumë informacion mbi “Fondin e qëndrueshmërisë” të GI-TOC, shikoni https://resiliencefund.globalinitiative.net. ↩