Buletini i rreziqeve Shkarkoni PDF Click here to view the
Global Organized Crime Index

Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore

Numri
7
Prill–Maj
2021

Përmbledhje e pikave kryesore

  1. Hija e malit: krimi i organizuar përreth rezortit dimëror të Jahorinës.

    Rezorti i skive në Jahorinë, afër Sarajevës, ishte plot lëvizje gjatë dimrit 2020-2021 pavarësisht pandemisë së COVID-19. Mali është i famshëm si vendi i zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore 1984. Në vitet 1990, pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë, rajoni i Jahorinës vuante nga moszhvillimi dhe ishte i njohur si një strehë e kriminelëve. Sot, është një vend ku kriminelët e profilit të lartë kalojnë kohën dhe ku zyrtarët e korruptuar duan të investojnë ose të pastrojnë paratë e tyre. Ky artikull trajton arsyet pse Jahorina është bërë një zonë ndryshe e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Lexo më shumë

  2. Kokaina pushton bregdetin e Adriatikut.

    Një numër operacionesh të mëdha të anti-drogës në Kroaci dhe Shqipëri gjatë muajve të fundit tregojnë se ka një vërshim të kokainës që vjen përmes porteve të Adriatikut. Shumica e drogës fshihet në kontejnerë që transportojnë banane nga Amerika Latine në Evropë. Ndërsa konsumi i kokainës në Ballkanin Perëndimor është relativisht i ulët, këto sekuestrime - si dhe tendencat e të kaluarës - tregojnë se portet në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi janë pika të rëndësishme hyrëse për kanalizimin e kokainës drejt Evropës. Sekuestrimet e mëdha mund të tregojnë zbatim më efektiv të ligjit, por ato gjithashtu mund të jenë një shenjë se po rrëzohet e ashtuquajtura “ekonomi mbrojtëse” që mundëson trafikimin e drogës. Ky artikull trajton një shtim të papritur të sekuestrimeve të kohëve të fundit dhe shqyrton se çfarë mund të fshihet pas tyre.

    Lexo më shumë

  3. Rreziqet dixhitale: shenja paralajmëruese nga Maqedonia e Veriut.

    Ndërsa më shumë njerëz hyjnë në internet për të komunikuar, për të bërë blerje dhe për të kërkuar informacion, ata bëhen gjithashtu shënjestra të sjelljeve grabitqare dhe kriminale. Kjo tendencë është përshpejtuar gjatë krizës së COVID-19, ku të rinjtë janë veçanërisht të prekshëm. Në fund të janarit 2021, policia në Maqedoninë e Veriut shkatërroi një grup prej më shumë se 7000 personash që përdornin aplikacionin e mesazheve Telegram për të ndarë fotografi dhe video seksuale të grave dhe vajzave. Kjo është hera e dytë në dy vjet që grupi shkatërrohet. Raste të ngjashme u raportuan gjithashtu në Serbi në mars, ku disa shkelës të ligjit u arrestuan për ndarjen e materialeve të abuzimit të fëmijëve. Siç diskutohet në këtë artikull, raste të tilla tregojnë rreziqet në rritje të krimeve të mundësuara nga teknologjia, duke përfshirë ngacmimet në internet, shfrytëzimin seksual dhe seksualizimin në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat me të cilat përballet zbatimi i ligjit.

    Lexo më shumë

  4. Grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor në Greqi.

    Në vitet e fundit, Greqia është bërë skena e një game të gjerë aktivitetesh të paligjshme të kryera nga grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor. Portet dhe afërsia e saj me Ballkanin Perëndimor e bëjnë atë një pikë tërheqëse hyrëse për kontrabandën e kokainës, ndërsa është gjithashtu një vend tregu dhe tranziti për kanabisin e kontrabanduar nga Shqipëria. Që nga viti 2015, ajo ka qenë gjithashtu një portë kyçe për kontrabandën e emigrantëve, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Ky artikull tregon se Greqia është një shembull i mëtejshëm se si tentakulat ndërkombëtare të krimit përhapen nga Ballkani Perëndimor në të gjithë botën.

    Lexo më shumë

  5. Zhvarrosja e armëve nga e kaluara e Shqipërisë.

    Në prill 2021, policia në Shqipëri bëri dy sekuestrime të mëdha armësh në kryeqytetin Tiranë. Shumica e armëve datojnë që kur arsenalet e armëve u plaçkitën gjatë trazirave civile në vend në vitin 1997. Besohet se shumica dërrmuese e vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar që kanë ndodhur në Shqipëri që nga viti 1997 janë kryer duke përdorur armë të vjedhura nga arsenalet e vjetra. Ky artikull shikon trashëgimin e këtij problemi dhe atë që po bën qeveria shqiptare në lidhje me të.

    Lexo më shumë

  6. Community Building Mitrovica: Një derë e hapur për të rinjtë.

    Më shumë se 20 vjet pas luftës në Kosovë, Mitrovica vazhdon të jetë një qytet i ndarë me një komunitet me shqiptarë të Kosovës të vendosur në pjesën jugore dhe një komunitet me serbë të Kosovës në pjesën veriore të qytetit, të ndarë nga lumi Ibër. Tensionet midis komuniteteve mbeten dhe sundimi i ligjit është i dobët. Si rezultat, rajoni vazhdon të ketë një reputacion si strehë për krimin e organizuar. Community Building Mitrovica është një organizatë e shoqërisë civile që punon me të rinjtë në qytet për të rritur rezistencën e tyre ndaj krimit të organizuar. Në serinë tonë të rregullt të profilizimit të punës së organizatave të tilla, ne flasim me dy drejtues të nismës.

    Lexo më shumë

Rreth këtij numri

Mirë se vini në numrin e shtatë të “Buletinit të Rreziqeve” të prodhuar nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC).

Zona e nxehtë që ne do të profilizojmë në këtë numër nuk ka shumë nga karakteristikat e vendeve të zakonshme që ne trajtojmë, konkretisht vulnerabilitetin social-ekonomik, një vendndodhje strategjike përgjatë itinerareve të trafikimit ose qeverisje të dobët. Përkundrazi, Jahorina dhe rezorti i tij i famshëm i skive është një destinacion popullor afër Sarajevës, duke e bërë atë një magnet për kriminelët me pushime si dhe për zyrtarët e korruptuar që kërkojnë fitime.

Në tremujorin e parë të vitit 2021 ka pasur një numër të madh kontrollesh të drogës në portet e Adriatikut. Ne do të shqyrtojmë itinerarin e kokainës nga Amerika Latine për në Evropën Perëndimore përmes Ballkanit Perëndimor dhe do të analizojmë se çfarë mund të tregojë rritja e sekuestrimeve.

Për shkak të rritjes së dixhitalizimit, si dhe pandemisë COVID-19, më shumë njerëz po shpenzojnë kohë dhe para në internet. Kjo është diçka praktike, por është gjithashtu edhe potencialisht e rrezikshme: të dhënat mund të vidhen ose shfrytëzohen; platformat e lojërave dhe rrjetet sociale po abuzohen për të targetuar fëmijët për ngacmim dhe shfrytëzim seksual; dhe të rinjtë janë të prekshëm nga përmbajtja e dëmshme dhe e dhunshme, bullizmi në internet dhe radikalizimi. Ne do të analizojmë shenjat paralajmëruese në Maqedoninë e Veriut, si dhe çfarë po bëhet për të trajtuar këtë kërcënim. Në maj 2021, GI-TOC do të botojë një raport gjithëpërfshirës mbi shfrytëzimin seksual për qëllime përfitimi të fëmijëve në Ballkanin Perëndimor.

Duke u mbështetur në botimin kryesor të GI-TOC “Tentakulat ndërkombëtare: Zonat e nxehta globale të krimit të organizuar të Ballkanit Perëndimor”, herë pas here ne shqyrtojmë vendet e tjera që nuk ishin të mbuluara nga ai raport. Në këtë numër, ne shikojmë aktivitetet e grupeve kriminale nga Ballkani Perëndimor në Greqi, veçanërisht trafikimin e drogës dhe kontrabandën e emigrantëve.

Më 1 prill 2021, policia shqiptare kreu dy operacione që rezultuan në sekuestrimin e një arsenali të madh armësh ushtarake dhe municionesh, duke përfshirë pushkë snajper, armë anti-tank, pushkë automatike kallashnikov, pistoleta me silenciator, skanues të radiove të policisë dhe ushtrisë, municione dhe eksplozivë. Sipas policisë, ky arsenal ishte për shitje dhe ishte burimi i disa armëve që ishin përdorur për vrasje me pagesë në vitet e fundit. Ne do të shikojmë trashëgiminë e më shumë se gjysmë milion armëve që u plaçkitën nga arsenalet gjatë trazirave civile në vitin 1997 dhe çfarë hapash po ndërmerr qeveria shqiptare për të trajtuar këtë rrezik.

Si pjesë e serisë sonë të rregullt në profilizimin e punës së organizatave të shoqërisë civile që forcojnë rezistencën ndaj krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ne do të flasim me dy drejtues të OJQ-së Community Building Mitrovica për punën e tyre në komunitetin e ndarë të Mitrovicës në veri të Kosovës.

Si gjithmonë, ne mirëpresim kontributet e mundshme në “Buletinin e rreziqeve”. Nëse keni një propozim për një histori ose dëshironi të jepni komente, ju lutemi kontaktoni në adresën almedina.dodic@globalinitiative.net.