Zhvarrosja e armëve nga e kaluara e Shqipërisë.

Më 1 prill 2021, policia shqiptare, në një operacion të koduar quajtur “Kompleksi”, zbuloi 18 baza në Tiranë ku ruheshin dhe modifikoheshin armë dhe municione luftarake.1 Transporti përfshinte pushkë snajper, armë anti-tank, automatikë Kallashnikov, pistoleta me silenciator, skanerë të radiove të policisë dhe ushtrisë, municione, eksplozivë dhe madje dy makina të blinduara. Sipas policisë, ky arsenal ishte për shitje dhe ishte gjithashtu burimi i disa armëve që ishin përdorur për vrasje me pagesë në vitet e fundit. Pesë persona u arrestuan, ndërsa dy të tjerë i shpëtuan policisë. Më 10 prill, policia zbuloi një tjetër depo me armë, granata, eksplozivë dhe municione në Tiranë.2 Këto operacione tregojnë se Shqipëria është ende e tejmbushur me armë nga arsenalet e plaçkitura gjatë trazirave civile të vitit 1997.

Ndërsa disa nga armët në arsenale janë të reja dhe mendohet se janë kontrabanduar kohët e fundit në Shqipëri, shumica mund të gjurmohen që nga viti 1997 kur, gjatë trazirave pas shembjes së skemave piramidale, 549 775 armë, më shumë se 839 milionë copë fishekë dhe 16 milionë eksplozivë u vodhën nga arsenalet shtetërore që ishin ndërtuar gjatë periudhës komuniste, kryesisht me armë nga Kina dhe Rusia.3

Në dy dekadat e kaluara, janë zhvilluar një numër fushatash për të inkurajuar qytetarët të kthejnë vullnetarisht armët dhe municionet që u grabitën nga depot ushtarake. Për shembull, në vitin 2005, u raportua se gati 223 000 armë ose rreth 41% e atyre që ishin grabitur në vitin 1997 ishin mbledhur së bashku me më shumë se 118 milionë fishekë dhe 1,5 milionë eksplozivë.4 Një amnisti në shkallë më të vogël u krye ndërmjet janarit dhe prillit 2017, gjatë së cilës u kthyen rreth 1600 armë, 581 000 fishekë dhe 1600 granata.

Sidoqoftë, kjo do të thotë se ka ende një pjesë të madhe mjetesh luftarake në vend që nuk janë nën kontrollin e qeverisë. Kjo ka sjellë incidente dhe aksidente. Për më tepër, kjo do të thotë se grupet kriminale kanë akses të lehtë në armë. Kallashnikovët, veçanërisht ata të prodhuar në Kinë, janë shumë të kërkuar nga mafia italiane si dhe grupet kriminale në Greqi, Mal të Zi, Kosovë dhe më gjerë.5 Besohet gjithashtu se disa prej lëndëve eksplozive të vjedhura nga depot ushtarake në vitin 1997 janë përdorur për vrasje të stilit mafioz në Shqipëri, megjithëse grupet kriminale priren të favorizojnë eksplozivët nga Mali i Zi, të cilat shihen si më të efektshëm.6

Një sekuestrim armësh në Shqipëri. Qytetarët mbajnë sasi të mëdha materialesh të vjedhura nga arsenalet shtetërore të ndërtuara gjatë periudhës komuniste.

Një sekuestrim armësh në Shqipëri. Qytetarët mbajnë sasi të mëdha materialesh të vjedhura nga arsenalet shtetërore të ndërtuara gjatë periudhës komuniste.

Fotografia: Policia Shqiptare

Megjithëse nuk ka statistika zyrtare mbi këtë çështje, besohet se shumica dërrmuese e vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar që kanë ndodhur në Shqipëri që nga viti 1997, janë kryer duke përdorur armë të vjedhura nga arsenalet e vjetra.7 Një shembull i fundit ndodhi në Shkodër më 6 prill kur një kriminel i njohur, Bardhok Pllanaj, u qëllua për vdekje me rreth 100 fishekë nga dy automatikë të stilit Kallashnikov.8 Në raste të tjera, atentatet janë kryer duke përdorur pushkë snajper, pistoleta me silenciatorë ose eksplozivë.

Strategjia dhe udhërrëfyesi qeveritar 2019-2024 për kontrollin e armëve të vogla dhe armëve të lehta, si dhe municioneve dhe eksplozivëve (që është pjesë e përpjekjeve rajonale të ndërmarra në kontekstin e Procesit të Berlinit)9 thekson se një nga objektivat kryesorë të autoriteteve të zbatimit të ligjit është reduktimi i konsiderueshëm i numrit të armëve dhe municioneve që mbahen në mënyrë të paligjshme.10 Autoritetet pritet të fillojnë një amnisti të re për armët dhe municionet pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.11

Shënime

  1. Policia e Shtetit e Shqipërisë, Tiranë – Finalizohet operacioni policor ‘Kompleks’, 1 prill 2021, https://www.asp.gov.al/tirane-finalizohet-operacioni-policor-kompleks

  2. A2-CNN, Pa koment: ‘Bilanci‘ i armëve të sekuestruara në bazën ‚ushtarake‘ të Sokol Xhurës, 10 prill 2021, https://www.youtube.com/watch?v=31d1JdYHK6k&t=4s

  3. Strategjia për Kontrollin e Armëve të vogla, të lehta municioneve dhe Eksplozivëve 2019–2024, Dhe Plani I Veprimit 2019–2021, SEESAC, janar 2019, https://www.seesac.org/f/docs/Albania-1/ENG_Albanian_Strategy_on_Firearms_Control-24-06-2019.pdf

  4. Ibid. 

  5. Fabian Zhilla and Besfort Lamallari, Organized Crime Threat Assessment in Albania, Open Society Foundation for Albania (Vlerësimi i Kërcënimit të Krimit të Organizuar në Shqipëri, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë), 2015, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2018/02/Threat_Assessment_of_Albanian_Organised.pdf

  6. Intervistë me një gazetar investigativ, Tiranë, 9 prill 2021. 

  7. Intervistë me një gazetar investigativ, Tiranë, 9 prill 2021. 

  8. Vrasja e Bardhok Pllanajt në Shkodër/Momenti kur vrasësit ndjekin ‚kumbarin‘ e drogës pak para ekzekutimit! Makina e autorëve e vjedhur para 1 viti në Tiranë, i ndërruan targat, Gazeta Shqiptare, 6 prill 2021, https://shqiptarja.com/lajm/vrasja-e-bardhok-pllanajt-ne-shkoder-makina-e-autoreve-e-vjedhur-para-1-viti-ne-torane-ia-nderruan-targat-50-m-larg-shtepise-se-viktimes

  9. Në korrik 2018, në Samitin e Londrës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e WB6 ranë dakord për miratimin dhe implementimin e një “Udhërrëfyesi për një zgjidhje të qëndrueshme të posedimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALW)”. Udhërrëfyesi e vendos vitin 2024 si një etapë deri në të cilën ata duhet të “reduktojnë ndjeshëm fluksin e paligjshëm të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (FAE) drejt, brenda dhe përtej Ballkanit Perëndimor”. Shikoni https://berlinprocess.info/wp-content/uploads/2018/07/Roadmap.pdf

  10. Strategjia për Kontrollin e Armëve të vogla, të lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019–2024, Dhe Plani I Veprimit 2019–2021, January 2019, https://www.seesac.org/f/docs/Albania-1/ENG_Albanian_Strategy_on_Firearms_Control-24-06-2019.pdf

  11. Besar Bajraktaraj, Një tjetër amnisti për dorëzimin e armëve të 1997-ës, policia sugjeron të bëhet pas zgjedhjeve dhe pandemisë, Ora News, 11 nëntor 2020, https://www.oranews.tv/nje-tjeter-amnisti-per-dorezimin-e-armeve-te-1997-es-policia-sugjeron-te-behet-pas-zgjedhjeve-dhe-pandemise/