Buletini i rreziqeve Shkarkoni PDF Click here to view the
Global Organized Crime Index

Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore

Numri
6
Mars–Prill
2021

Përmbledhje e pikave kryesore

  1. Një qendër trafikimi në mes të askundit.

    Keni dëgjuar ndonjëherë për Gornji Vakuf-Uskoplje? Ky qytet i panjohur në Bosnjë-Hercegovinën Qendrore është qendra e një kompanie kamionësh të quajtur Sičaja. Në janar 2021, drejtori i kompanisë, një biznesmen i njohur dhe me lidhje politike, u arrestua për zotërimin e 400 kilogramëve kanabis. Qyteti është bërë një pikë e rëndësishme e trafikut të drogës, gjë që tregon rëndësinë e qendrave logjistike në zinxhirët e furnizimit dhe lidhjet midis ekonomive të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe lidhjet mes biznesit, elitave politike dhe atyre kriminale.

    Lexo më shumë

  2. Një goditje ndaj krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor?

    Në një seri arrestimesh në janar dhe shkurt 2021, policia në Serbi, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë ndaloi kriminelë që, sipas pretendimeve të medias, kanë lidhje me klanet famëkeqe kriminale Kavač dhe Škaljari nga Mali i Zi. Për më tepër, presidenti i Serbisë ka premtuar se do të godasë krimin e organizuar. Disa personazhe të rëndësishme janë arrestuar, por në zhvillimet e fundit janë kapur edhe disa elementë të medias dhe policisë.

    Lexo më shumë

  3. Cenueshmëria e fëmijëve romë nga shfrytëzimi tregtar seksual.

    Shfrytëzimi seksual tregtar i fëmijëve është një shqetësim serioz në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Fëmijët romë përbëjnë një grup veçanërisht të cenueshëm. Duke u mbështetur në informacionet nga një raport i ardhshëm i GI-TOC, ne shikojmë se pse fëmijët romë janë kaq të prekshëm dhe si shfaqet problemi, si brenda Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në pjesë të tjera të Evropës.

    Lexo më shumë

  4. “Skifterët” e Kurbinit: një shkollë hajdutësh.

    Në vitet e fundit, grabitjet dhe vjedhjet në shtëpitë e lojtarëve të futbollit dhe personave të famshëm kanë qenë ndër lajmet kryesore në Spanjë dhe Itali. Shumë nga autorët e krimeve janë të rinj që vijnë nga rajoni i Kurbinit, në Shqipëri. Ne shikojmë se pse kjo zonë po prodhon dhe eksporton kaq shumë hajdutë.

    Lexo më shumë

  5. Rinia si motori i komunitetit: një intervistë me Qendrën Rinore Sebastia.

    Bashkia e Kurbinit, e shtrirë rreth qytetit të Laçit, ka fituar një reputacion në Shqipëri dhe jashtë saj si një shkollë e mirënjohur për vjedhje. Ky rajon përballet me vështirësi sociale-ekonomike, me mundësi të kufizuara për një karrierë normale për të rinjtë dhe pak organizata të shoqërisë civile (OSHC). Për të trajtuar këtë problem, një avokate e re dhe një mësues lokal u bashkuan për të krijuar Qendrën Rinore Sebastia, një organizatë që përpiqet të rrëzojë stereotipet dhe t’i japë rinisë një platformë për një jetë më të mirë. Ne flasim me themeluesit dhe drejtuesit e saj, Emarilda Leti dhe Elton Laska.

    Lexo më shumë

Rrth Këtij Numri

Mirë se vini në numrin e gjashtë të “Buletinit të Rreziqeve” të prodhuar nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC).

Ne fillojmë, si gjithmonë, me një profil të një pike të nxehtë të krimit të organizuar në rajon, këtë herë është qyteti pak i njohur Gornji Vakuf-Uskoplje në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo qendër logjistike u shndërrua në një pikë kryesore pas konfiskimit të 400 kilogramëve kanabis kohët e fundit.

Ka pasur gjithashtu disa operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar në disa vende të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke sjellë disa arrestime, përfshirë edhe drejtuesin e njohur të një grupi tifozësh futbolli në Serbi. Situata në Serbi ka pasur disa vështirësi, duke përfshirë një fushatë shpifjesh kundër një grupi gazetarësh investigativë nga disa tabloide dhe politikanë, gjë që është dënuar nga GI-TOC.

GI-TOC do të botojë së shpejti një raport të ri mbi shfrytëzimin tregtar seksual të fëmijëve (CSEC) në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në këtë botim, ne paraqesim një aspekt të problemit, përkatësisht shfrytëzimin e fëmijëve romë që janë veçanërisht të prekshëm nga shfrytëzimi tregtar seksual i fëmijëve (CSEC).

Hajdutët shqiptarë, të njohur si “skifterë”, janë bërë të njohur gjatë viteve të fundit për kryerjen e grabitjeve dhe vjedhjeve në shtëpitë e personave të pasur dhe të famshëm, në mënyrë të veçantë të futbollistëve dhe personave të famshëm në Spanjë dhe Itali. Shumë nga “skifterët” janë nga një rajon i vogël dhe i varfër i Shqipërisë me emrin Kurbin. Ne shikojmë se pse kjo zonë po prodhon dhe eksporton kaq shumë hajdutë dhe flasim me dy drejtorë të një organizate të shoqërisë civile që punon me të rinjtë në zonë për t’i bërë ata më pak të cenueshëm nga jeta e krimit.

Si përfundim, ne paraqesim një përmbledhje të botimeve të fundit në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe prezantojmë disa raporte të reja nga GI-TOC. Ne përpiqemi ta botojmë herë pas here një listë të tillë dhe mirëpresim çdo sugjerim.

Na informoni nëse dëshironi të kontribuoni në një histori; ne ofrojmë një honorar për autorët. Nëse keni një propozim për një histori ose dëshironi të jepni komente, ju lutemi kontaktoni me adresën almedina.dodic@globalinitiative.net.