Një qendër trafikimi në mes të askundit.

Gornji Vakuf-Uskoplje është një qytet i vogël në Bosnjë-Hercegovinë. Fakti që është një qendër logjistike, afër autostradave kryesore, e bën atë një pikë të nxehtë me një pozicion strategjik, por megjithatë pak të dukshëm, për trafikimin.

Qyteti, me një popullsi prej rreth 20 000 banorësh,1 është afër qytetit të Bugojnos në pjesën qendrore të vendit. Për këtë arsye, ai ndodhet afër rrugëve kryesore që shkojnë në veri-jug nga Banja Luka në Mostar dhe në lindje-perëndim nga Sarajeva në Kroaci.2 Ashtu si pikat e tjera të nxehta të trafikimit, qyteti vuan nga vështirësitë sociale-ekonomike, duke përfshirë papunësinë e lartë (43,5 përqind në vitin 2016) dhe një pagë mesatare të ulët prej 345 € në muaj.3 Qyteti është i ndarë midis boshnjakëve dhe kroatëve, gjë që i ka forcuar rrjetet e patronazhit me bazë etnike, por i ka dëmtuar institucionet publike.

Në dhjetë vitet e fundit, pozicioni i tij qendror është përdorur për të ndërtuar një mjedis kriminal në këtë lokalitet të vogël. Megjithatë, ai ka vepruar kryesisht i pazbuluar.

Një nga të paktat raste kur Gornji Vakuf-Uskoplje ka qenë në titujt e gazetave ishte kur një nga ish-banorët e tij, Vinko Žuljević Klica, u vra në maj 2015 në Zagreb. Klica, një veteran i luftës, ishte i lidhur me një prej kompanive më të fuqishme të sigurisë në Kroaci dhe pretendohej se ishte një lojtar kryesor në botën e fshehtë të Zagrebit.4

Por në janar 2020, Gornji Vakuf-Uskoplje ishte përsëri në titujt e lajmeve kur Ante Sičaja, pronari i një kompanie lokale import-eksporti me të njëjtin emër, u arrestua me 400 kilogramë kanabis me një vlerë të llogaritur në 2 milionë €. Kanabisi, i cili vinte nga Shqipëria dhe Mali i Zi, pretendohej se ishte transportuar nga kompania e tij nga Kapljina përmes Bilecas dhe Mostarit. Droga ishte ripaketuar në Gornji Vakuf-Uskoplje Një pjesë e vogël u mbajt për tregun e brendshëm, ndërsa pjesa më e madhe e kanabisit u dërgua në perëndim në Kroaci dhe më tej në Bashkimin Evropian.5 Nga sa duket, lidhjet politike të pronarit, i cili thuhet sa ka lidhje me Unionin Demokratik Kroat, bashkë me reputacionin e mirë të kompanisë në rajon, mund të kenë ndihmuar për të shmangur dyshimet.

Ka mundësi që ky operacion kundër narkotikëve, i kryer nga Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe e Mbrojtjes, të ketë ekspozuar një rrjet që ka qenë në veprim prej një kohë të gjatë. Policia thuhet se ka gjetur një ditar personal të mbajtur nga Sičaja, i cili lidh aktivitetet e paligjshme të kompanisë me personazhe të tjera të krimit në rajon, duke përfshirë Kroacinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.6

Për më tepër, ka raste të fundit që tregojnë se blerësit vinin në Gornji Vakuf-Uskoplje për të blerë droga, të cilat thuhej se ishin më të lehta për t’u marrë dhe relativisht të lira.7 Konfiskimet nga qytetet në zonat përreth zakonisht arrijnë të zbulojnë se burimi i drogës është përsëri nga Gornji Vakuf-Uskoplje.8

Thuhet se qyteti është gjithashtu një qendër për kontrabandën e armëve. Ka pasur raste në të cilat janë konfiskuar armë nga banorët e komunës. Në ambientet e kompanisë Sičaja janë gjetur po ashtu armë.9

Ky rast ilustron se pikat kryesore të drogës mund të mos jenë vetëm qendrat kryesore urbane ose qytetet e prekshme nga pikëpamja sociale-ekonomike, por edhe qendra logjistike përgjatë rrugëve kryesore të trafikimit. Për shembull, në prill 2020, policia maqedonase zbuloi 1,2 ton kanabis në një depo në afërsi të Shkupit. Në nëntor 2020, policia serbe kapi 628 kilogramë kanabis në një hangar të braktisur në Arandjelovac, 80 kilometra në jug të Beogradit. Droga po paketohej për shpërndarje të mëtejshme në Evropën Perëndimore. Në nëntor 2019, policia serbe kapi 77 kilogramë heroinë afër qytetit Mladenovac në periferi të Beogradit.

Këta shembuj tregojnë se, kur shikohet fluksi i drogave, është diçka e thjeshtuar dhe jo e saktë të shënosh shigjeta në një hartë që tregon trafikimin e heroinës, për shembull, nga Turqia përmes Ballkanit Perëndimor në BE, ose të kanabisit nga Shqipëria përmes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës në Kroaci dhe më tej si të ishin udhëtime direkte dhe të pandërprera. Realiteti është se këto dërgesa bëhen zakonisht me anë të një serie udhëtimesh të shkurtra, ku udhëtimi dhe shpesh ngarkesa ndahet për të shmangur pengesat dhe për të përfituar nga mundësitë aktuale.

Rrugët e trafikimit priren të ndjekin rrugët ku ka më pak rezistencë, ku rreziku është më i ulët për shkak të lidhjeve politike, korrupsionit dhe fshehjes në një formë relativisht të sigurt të transportit (në këtë rast, një kompani e njohur e kamionëve). Në të vërtetë, rasti i Gornji Vakuf-Uskoplje tregon lidhjet mes ekonomisë së ligjshme dhe të paligjshme dhe marrëdhëniet ndonjëherë të afërta mes biznesit, elitave politike dhe atyre kriminale.

Shënime

  1. Agencija za statistiku BiH, Popis stanovništva u BiH iz 2013. godine—Općina Gornji Vakuf-Uskoplje, http://www.statistika.ba/?show=12&id=10375

  2. Geografski položaj, Općina Gornji Vakuf-Uskoplje, https://www.gornjivakuf-uskoplje.ba/index.php/posjeta/polozaj.html

  3. Federal Institute for Development Programming, Socioekonomski pokazatelji po općinama FBIH 2019, 33, http://fzzpr.gov.ba/bs/pubs/3/3/publikacije

  4. M Cigoj, KLICINA UDOVICA ‘Raspisujemo nagradu za otkrivanje ubojice moga muža. Sumnjamo da iza likvidacije stoji netko iz kruga najbližih’, Jutarnji.hr, 20 September 2015, https://www.jutarnji.hr/vijesti/klicina-udovica-raspisujemo-nagradu-za-otkrivanje-ubojice-moga-muza.-sumnjamo-da-iza-likvidacije-stoji-netko-iz-kruga-najblizih-302740

  5. A B Č, Poduzetnik iz BiH u cisterni krio 400 kg marihuane: Planirao da je prošvercuje u Hrvatsku, Oslobođenje, 28 January 2020, https://www.oslobodjenje.ba/vijesti/crna-hronika/poduzetnik-iz-bih-u-cisterni-krio-400-kg-marihuane-planirao-da-je-prosvercuje-u-hrvatsku-526599

  6. M Aš, Kako je pala najopasnija narkogrupa: Tone skanka u BiH uvezli u cisternama, Avaz, 12 March 2020, https://avaz.ba/vijesti/bih/553982/kako-je-pala-najopasnija-narkogrupa-tone-skanka-u-bih-uvezli-u-cisternama

  7. Gornji Vakuf: Kod maloljetne Mostarke pronađena droga, gornjivakuf.com, 5 January 2021, https://www.gornjivakuf.com/vijesti/crna-hronika/4621-gornji-vakuf-kod-maloljetne-mostarke-pronadena-droga?fbclid=IwAR2GFDX7U7HBZvdpGIj7JpMfLbm0NyybP60F1VRsX6P6_2Rr1NF-v2ex0bg

  8. Gornji Vakuf: Otkrivena plantaža od 270 stabljika indijske konoplje, Vijesti.ba, 16 August 2013, https://vijesti.ba/clanak/161708/gornji-vakuf-otkrivena-plantaza-od-270-stabljika-indijske-konoplje

  9. FOTO: SIPA oduzela veću količinu naoružanja i municije na području Gornjeg Vakufa, gornjivakuf.com, 29 January 2020, https://www.gornjivakuf.com/vijesti/crna-hronika/4355-foto-sipa-oduzela-vecu-kolicinu-naoruzanja-i-municije-na-podrucju-gornjeg-vakufa