Armë për bandat në Suedi: lidhja me Ballkanin

Në Suedi, mafia famëkeqe jugosllave që mbizotëroi tablonë e krimit të organizuar në Stokholm në vitet 1990, e ashtuquajtura “Juggemaffian”, është zhdukur prej kohësh, por lidhjet kriminale me ish-Jugosllavinë janë shëndoshë e mirë.

Në vitet e kaluara, krimi i organizuar është rritur në mënyrë dramatike në Suedi, ku disa prej armëve dhe drogës vijnë nga Ballkani Perëndimor. “Ajo që kemi parë në vitet e fundit janë grupe të krimit të organizuar kryesisht të vendosura në Serbi që krijojnë ndërmjetës në Suedi për të marrë dërgesa droge dhe armësh,” tha Detektiv-Superintendenti Gunnar Appelgren,1 një nga hetuesit më me përvojë të krimit të organizuar në Suedi.2

Këto grupe nuk janë të të njëjtit profil me “Juggemaffian”. (mafia Jugosllave) Ky grup i krimit të organizuar, i cili vepronte midis diasporës së refugjatëve që ishin larguar nga ish-Jugosllavia gjatë Luftërave Ballkanike (“jugge është zhargon për Jugosllavinë), bëri që shumica e parave të tyre të ishin nga zhvatjet dhe shantazhet për mbrojtje. Sipas një ish-vrasësi me pagesë, Janne Raninen,3 i cili vrau mafiozin serbo-suedez Dragan Joksović në 1998 pranë Stokholmit,4 ndikimi i “Juggemaffian” bazohej mbi një imazh të guximshëm të “kostumeve me shkëlqim dhe muskujve të fryrë” sesa mbi dhunën. Në retrospektivë, “ata dukeshin si amatorë krahasuar me bandat që kemi tani”.5

Sidoqoftë, grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor nuk janë ndër më dominuesit në Suedi sot. Aktorët kryesorë janë bandat të motoçiklistëve të krijuara prej kohësh dhe organizatat me baza familjare, të referuara ndonjëherë si klane kriminale.6 Ka edhe grupe më fluide që janë më së shumti përgjegjëse për shitjen e narkotikëve në lagjet më të varfra.7

Disa grupe emërtohen sipas lagjeve ku ata veprojnë, ndërsa të tjerët marrin më shumë pseudonime më kinematografike si Shottaz, një grup të rinjsh që i përkasin kryesisht komunitetit somalezo-suedez në veriperëndim të Stokholmit, ose Network, një grup famëkeq fajdexhinjsh që ka shfrytëzuar për dekada komunitetin e vet të emigrantëve të krishterë ortodoksë nga Lindja e Mesme.8 Shumë prej këtyre grupeve kanë të njëjtët tregtarë armësh që u sigurojnë armë nga Ballkani Perëndimor, duke përfshirë armët automatike kallashnikovë, pistoletat Zastava të prodhimit serb dhe granatat e dorës.

Një polic suedez heton një skenë krimi.

Një polic suedez heton një skenë krimi.

Në vitin 2015, Policia Kombëtare paraqiti një grafik të të shtënave me lidhje të konfirmuara ose të dyshuara me “mjediset kriminale” që tregon se vrasjet ishin gati dyfishuar midis viteve 2014 dhe 2015.9 Pas një rritjeje të mëtejshme, numri i viktimave të vrasjeve në të gjithë vendin ka tejkaluar rreth 40 çdo vit,10 me shumicën të lidhur me krimin e organizuar.

Në vitin 2018, qeveria reformoi ligjin, duke zgjatur dënimet me burg për krimet e rënda të armëve.11 Legjislacioni i përditësuar e lejoi policinë të intensifikojë mbikëqyrjen e aktorëve kryesorë dhe të kryejë më shumë bastisje, gjë që rriti numrin e armëve të sekuestruara. Sidoqoftë, bandat ua kanë deleguar detyrën e transportimit dhe ruajtjes së armëve, pushkëve dhe granatave të dorës adoleshentëve që veprojnë si korrierë. Në një raport të fundit nga radioja publike, shefat e policisë në të gjithë vendin konfirmuan tendencën e bandave që përdorin anëtarë më të rinj të cilët, nëse kapen, përballen me dënime më të shkurtra burgu për shkak të moshës së tyre.12

Ulja e moshës së korrierëve shihet si një dështim legjislativ, për të cilën kritikët e kishin paralajmëruar qeverinë para reformës. Për më tepër, rritja e bastisjeve të suksesshme për armë nuk ka çuar në një ulje të krimit të dhunshëm: statistikat e policisë për vitin 2020 tregojnë një rritje margjinale të vdekjeve nga të shtënat gjatë vitit të kaluar. Përveç kësaj, 117 persona pësuan plagë jovdekjeprurëse me armë zjarri në vitin 2020, krahasuar me 120 në vitin 2019.13

Pistoletat e modifikuara të startit janë bërë më të zakonshme në qarqet kriminale në Suedi vitet e fundit, por shumica e armëve të përdorura në të shtëna me armë zjarri sërish vijnë nga ish-Jugosllavia, sipas analistëve të policisë.14 Në spitalin Karolinska në veri të Stokholmit, një mjek i kujdesit intensiv, i cili nuk donte të përmendej, theksoi se kirurgët janë mësuar që të operojnë viktimat e të shtënave me armë zjarri. Ka një shans më të madh për të mbijetuar, theksoi mjeku, nëse të shtënat janë shkrepur nga një armë e kalibrit më të ulët, siç janë pistoletat Zastava. Këto armë mbeten të njohura: një raport i policisë i vitit 2020 zbuloi se një e treta e pistoletave të paligjshme në qarkun e Stokholmit ishin Zastava.15

Ndalimi i kontrabandës së paligjshme të armëve ka qenë përparësi për gati një dekadë. Në vitin 2012, qeveria u dha doganave suedeze detyrën e interceptimit të armëve. Rreth të njëjtës kohë, të gjitha agjencitë kryesore publike, duke përfshirë doganat dhe njësinë e krimit financiar të policisë, krijuan një këshill për të punuar së bashku në mënyrë holistike dhe për të trajtuar krimin e organizuar nga të gjitha anët.

Edhe bashkëpunimi ndërkombëtar gjithashtu ka evoluar. Në vitin 2018, policia suedeze bashkoi forcat me homologët e tyre serbë për të luftuar hyrjen e armëve. Shefi i policisë së Gotenborgut Erik Nord i tha televizionit suedez se, gjatë një takimi në Beograd, oficerët e policisë serbe “ngritën vetullat” në mosbesim kur ai përshkroi numrin dhe natyrën e vrasjeve nga bandat në Suedi.16 Në vitin 2019, Ministrja e Jashtme Suedeze Ann Linde dhe kolegu i saj, Ministri i Brendshëm Mikael Damberg, vizituan Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën për të mësuar në lidhje me praktikat më të mira në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe për të diskutuar rrugët në vazhdim. “Ne duhet të bëjmë më shumë për të ndërprerë fluksin e narkotikëve dhe armëve të paligjshme në vendin tonë,” tha Damberg në një njoftim për shtyp.17 “Ne e dimë që përpjekjet tona bashkëpunuese ndërkombëtare kanë bërë që policia të jetë në gjendje të kapë më shumë [lëndë narkotike dhe armë të paligjshme] nga kriminelët e rrezikshëm në Suedi. Duke vazhduar më tej me këtë lloj bashkëpunimi, shoqëria mund të sulmojë krimin e organizuar në një mënyrë më të mirë dhe më efikase.”

Në vitin 2014, Operacioni Rekyl (Operacioni Zmbrapsja) u bë një nga hetimet e para ndërkombëtare në shkallë të gjerë. Ai filloi pas zbulimit të pesë armëve automatike dhe 59 granatave të dorës në një makinë që udhëtonte nga Sllovenia në Suedi.18 Appelgren udhëhoqi një ekip hetuesish suedezë në bashkëpunim me kolegët sllovenë, boshnjakë dhe serbë për të asgjësuar një rrjet të kontrabandës së armëve.

Pas gjashtë muajve mbikëqyrje, u ngritën akuza kundër një çifti boshnjak dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tyre, duke përfshirë edhe shtetas suedezë. Drejtuesi i bandës̈ u shpall fajtor nga një gjykatë suedeze dhe u dënua me pesë vjet burg për tentim kontrabande të rëndë. Sidoqoftë, akuzat për krimin e rëndë të trafikut të armëve nuk qëndruan, pavarësisht se bashkëpunëtorët e tij ishin kapur me kallashnikovë dhe granata dore - disa prej të cilave të ndryshkura, duke dëshmuar për hijen e gjatë të luftërave ballkanike.

Arsenali i armëve i lënë pas në Ballkan duket se është i pakufizuar, me gjithë përpjekjet për të mbledhur armët e tepërta. Kombet e Bashkuara, për shembull, kanë ndihmuar autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë me disa skema amnistie. “Njerëzve që dorëzuan armët iu dhanë bileta lotarie me çmime shumë të mira, të tilla si frigoriferë,” tha Christine McNab, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Sarajevë midis viteve 2002 dhe 2006.19 “Por ne vumë re se shumë prej armëve ishin mjaft të vjetra dhe ne gjithmonë kishim një ndjenjë të keqe se këto armë ishin “pushka e gjyshit nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe jo kallashnikovët që njerëzit kishin fshehur nën dyshemetë e hambarëve.”

Për sa kohë që kërkesa mbetet e lartë në vende të tilla si Suedia, ajo rezervë e fshehur e armëve rrezikon të përfundojë në duart e trafikantëve. Sipas Appelgren, e vetmja rrugë përpara është intensifikimi i bashkëpunimit ndërkufitar edhe më tej, pasi strukturat e sotme janë “të fshehta”.20

Pas Operacionit Rekyl - të cilin një gazetë e quajti një dështim të zbatimit të ligjit - ministri suedez i drejtësisë në atë kohë, Morgan Johansson, premtoi dhe më vonë paraqiti reformën ligjore që kërkonte jo vetëm të rriste gjasat që kriminelë të tillë të sillen para drejtësisë, por që ata gjithashtu do të shpallen fajtorë për trafik armësh. Pas suksesit të pjesshëm të hetimit suedez, ndërhynë prokurorët boshnjakë, duke akuzuar me sukses disa njerëz të lidhur me skemën, pjesërisht falë provave të marra në disa ambiente për ruajtjen e armëve të lokalizuara nga policia boshnjake në Republikën Serbe të Bosnjës, në Bosnjën veriore.

Prokurori Goran Glamocanin vuri në dukje se ndërsa shumica e armëve në këtë rast ishin trafikuar në qytetin port të Gotenborgut në bregun perëndimor të Suedisë, hetimi ishte shtrirë në pjesën më të madhe të vendit. “Për shkak të mundësive të mira për të bërë para të shpejta, grupet kriminale kanë mbledhur armë të paligjshme dhe kanë krijuar mundësi për t’i transportuar ato në Suedi,” tha Glamocanin për shtypin.21 “Numri i rasteve që ne jemi duke gjykuar flet për Suedinë ende si një treg i rëndësishëm për trafikantët.”

Armët me origjinë nga Ballkani vazhdojnë të kenë një ndikim përtej rajonit, që do të thotë se shtetet kanë një interes të vazhdueshëm të përbashkët për të zvogëluar cenueshmërinë e tyre ndaj këtij kërcënimi.

Shënime

  1. Intervistë me Gunnar Appelgren, dhjetor 2020. 

  2. Kina Pohjanen, Gängspecialist värvad till Uppsala, SVT, 15 tetor 2020, https://www.svt.se/nyheter/lokalt/uppsala/gangspecialist-varvad-till-uppsala 

  3. Intervistë me Janne Raninen, nëntor 2020. 

  4. Janne Raninen dhe Ivar Andersen, De kallar mig Solvallamördaren. Lind & Co, shkurt 2018, https://www.lindco.se/bocker/de-kallar-mig-solvallamordaren/

  5. Intervistë me Janne Raninen, nëntor 2020. 

  6. Johanna Bäckström Lerneby, Familjen, Mondial, maj 2020, https://mondial.se/bok/familjen/

  7. Isak Krona, Underrättelsechefen: Jobbar mot tre olika sorters nätverk, Sveriges Radio, 7 shtator 2020, https://sverigesradio.se/artikel/7548857

  8. Ann Törnkvist, Ndiq urdhrat e (Follow F*ing Orders), Pitch, 17 gusht 2020, https://www.pitchpublishing.co.uk/shop/follow-fing-orders

  9. Dramatisk ökning av dödsskjutningar, SVT, 16 nëntor 2016 https://www.svt.se/nyheter/inrikes/dramatisk-okning-av-dodsskjutningar

  10. Statistikat zyrtare të policisë për vitin 2020, https://polisen.se/om-polisen/polisens-arbete/sprangningar-och-skjutningar/

  11. Regeringen föreslår ytterligare skärpta straff för vapenbrott, njoftim për shtyp i Departamentit të Drejtësisë, 5 qershor 2020, https://www.regeringen.se/pressmeddelanden/2020/06/regeringen-foreslar-ytterligare-skarpta-straff-for-vapenbrott

  12. Slopad straffrabatt för unga myndiga vid allvarlig brottslighet, njoftim për shtyp i departamentit të drejtësisë, 10 korrik 2020, https://www.regeringen.se/pressmeddelanden/2020/07/slopad-straffrabatt-for-unga-myndiga-vid-allvarlig-brottslighet

  13. Statistikat e policisë suedeze, 15 dhjetor 2020, https://polisen.se/om-polisen/polisens-arbete/sprangningar-och-skjutningar/

  14. Intervistë me një gazetar investigativ lokal, më 3 janar 2021, duke iu referuar të dhënave të marra nga intervistat dhe bisedat jashtë regjistrimit me policinë e Stokholmit. 

  15. Illegal vapenanvändning i polisregion Stockholm – Strategisk rapport, Autoriteti policor, rajoni i policisë së Stokholmit, maj 2020, https://polisen.se/aktuellt/nyheter/2020/juni/illegala-vapen-ateranvands-ofta

  16. Jakob Eidenskog, Så ska vapensmuggling från Balkan stoppas, SVT, 6 dhjetor 2018, https://www.svt.se/nyheter/lokalt/vast/sa-ska-vapensmuggling-fran-balken-stoppas

  17. Ann Linde och Mikael Damberg till Bosnien och Hercegovina samt Albanien för möten om organiserad brottslighet, njoftim për shtyp i qeverisë, 5 tetor 2020, https://www.regeringen.se/pressmeddelanden/2020/10/ann-linde-och-mikael-damberg-till-bosnien-och-hercegovina-samt-albanien-for-moten-om-organiserad-brottslighet

  18. Çështja gjyqësore e distriktit Södertörn numri B 4736-16. 

  19. Intervistë me Christine McNab, dhjetor 2020. 

  20. Intervistë me Gunnar Appelgren, dhjetor 2020. 

  21. Bosnisk åklagare: ‘Sverige är Balkans största vapenmarknad’, Aftonbladet, 22 janar 2018, https://www.aftonbladet.se/nyheter/a/WLq39a/bosnisk-aklagare-sverige-ar-balkans-storsta-vapenmarknad