Neostart, një vend për një shans të dytë
Aktualisht ka rreth 12 000 të burgosur në Serbi; rreth 8000 prej tyre lirohen nga burgu çdo vit. Sidoqoftë, me një shkallë recidivizmi prej 60 deri në 75 përqind, shumë prej tyre do të përfundojnë përsëri në burg. Neostart, një qendër për parandalimin e krimit dhe për asistencën post- penale, është një organizatë joqeveritare në Serbi që po redukton prekshmërinë nga recidivizmi duke mbështetur ish-autorët e krimeve në përpjekjet e tyre për t’u riintegruar në shoqëri. Ne flasim me drejtorin e saj, Darjan Vulevic, për punën e tyre, sfidat dhe sukseset.
Cilët janë personat e përfshirë në Neostart dhe çfarë ju motivon?
Një shumëllojshmëri individësh janë të angazhuar në Neostart: mësues, psikologë, avokatë, studentë dhe profesionistë të shkencave sociale, si dhe ish-të burgosur. Për disa anëtarë të Neostart, kjo linjë pune është një thirrje profesionale. Të tjerët janë të përfshirë sepse ata i kanë mbijetuar një fati të ngjashëm, ose duke jetuar në rrugë ose duke kryer një kohë në burg. Dhe disa marrin pjesë sepse duan të ndihmojnë ata që shpesh nuk u jepet një shans i dytë.
Si është jeta për dikë që sapo është liruar nga burgu?
Është e vështirë. Mungesa e dokumenteve personale është një problem i konsiderueshëm: ato zakonisht skadojnë ndërsa personi është ende në burg. Në vitin 2016, gjysma e të gjithë njerëzve të liruar nga burgu në Serbi nuk kishin dokumente personale të vlefshme. Situata është përmirësuar disi që nga ajo kohë, por regjistrimi është ende shpesh i ndërlikuar. Kjo krijon një efekt “topi dëbore” ku, pa dokumente, është e vështirë për njerëzit që dalin nga burgu të aplikojnë për punë ose madje të marrin disa shërbime publike, si kujdesi shëndetësor.
Sa e vështirë është për ish-të burgosurit të gjejnë punë?
Një person i liruar nga burgu pas një dënimi të gjatë nuk ka të njëjtat mundësi për të gjetur një punë si njerëzit e tjerë. Një arsye është se shumë punëdhënës kërkojnë një dëshmi penaliteti që thotë se personi nuk ka të kaluar penale. Një arsye tjetër është psikologjike: është e vështirë të përshtatesh pasi ke qenë i mbyllur brenda 22 orë në ditë. Kalimi në liri mund të jetë i vështirë. Të burgosurit kanë nevojë për përgatitje për jetën jashtë ndërsa vazhdojnë të qëndrojnë në burg, si dhe mbështetje pasi të hyjnë përsëri në shoqëri.
A mund të ndani ndonjë histori suksesi?
Një nga sukseset tona më të kënaqshme ishte kur ndihmuam një ish-të burgosur të hapte një piceri. Piceria që atëherë është bërë një sukses dhe pronari tani ndihmon ish-të burgosurit e tjerë të riintegrohen në shoqëri. Asnjë nga arritjet tona nuk do të ishte e mundur pa punën e përkushtuar të vullnetarëve tanë, për të cilët jam veçanërisht krenar.
A përballen burrat dhe gratë me sfida të ndryshme pas daljes nga burgu?
Nga 12 000 personat në burg në Serbi, vetëm 200 janë gra. Ndërsa shumë të burgosur ndajnë përvoja të ngjashme, çdo person është unik dhe kemi parë që burrat dhe gratë përballen me sfida të ndryshme, veçanërisht në lidhje me gjetjen e punës. Në përgjithësi, gratë thonë se nuk e kanë problem të gjejnë punë dhe kështu na drejtohen për ndihmë për punësim shumë më rrallë se burrat. Shumë prej tyre janë nëna që kthehen në familjet e tyre. Në disa raste, kjo ofron një rrjet mbështetës, por në raste të tjera paraqet sfida shtesë. Prandaj, gratë përdorin më shumë këshillimin dhe programet tona familjare.
Shpesh burgjet janë si “shkolla pasuniversitare” që i kthejnë kriminelët e vegjël në kriminelë të rafinuar. A e keni hasur këtë problem? A ofroni ndonjë këshillim apo kryeni aktivitete të tjera me të burgosurit para ose pas lirimit për të zvogëluar rrezikun e tyre për t’u ngjitur në shkallën e krimit?
Mjerisht, ky është një problem real, siç mund ta shihni nga shkalla e recidivizmit prej 70%. Ditët e para të ish- të burgosurit pas largimit nga paraburgimi për të miturit ose nga një institucion i vuajtjes së dënimit janë më të rëndësishmet. Nëse personi nuk merr mbështetje gjithëpërfshirëse në këtë periudhë të hershme, shansi i recidivizmit rritet. Kjo është arsyeja pse ne filluam një program post-penal që synonte të rinjtë pas lirimit nga burgu.
Çfarë mbështetjeje u ofron Neostart ish-të burgosurve?
Kemi pesë programe dhe një linjë telefonike ndihme. Këto programe përfshijnë mbështetje për punëkërkuesit, siç janë trajnimi për të shkruar një CV dhe për t’u përgatitur për një intervistë për punë. Jam krenar të them se ata klientë që erdhën te ne të paktën tri herë, të gjithë arritën të gjejnë punë. Shpesh, klientët e mëparshëm kthehen kur duan të ndryshojnë karrierë ose të gjejnë një punë më të mirë. Përmes punës në terren, ne ofrojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për ish-të burgosurit të cilët janë në kontakt me institucionet shtetërore dhe shërbime të tjera. Një nga programet tona më të kërkuara është këshillimi për ish-të burgosurit që përpiqen të kapërcejnë problemet ekzistenciale, veçanërisht menjëherë pas lirimit të tyre. Psikologët i ndihmojnë ish-të burgosurit të trajtojnë shqetësime specifike. Ne gjithashtu kemi edhe një program familjar, i cili zakonisht fillon ndërsa personi është ende i burgosur. Qëllimi është krijimi i një atmosfere të shëndetshme në familje pas lirimit të të burgosurit. Ne gjithashtu sigurojmë mbështetje për të rinjtë, siç janë ata që largohen nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Krushevc ose burgu për të mitur në Valjevo. Kohët e fundit, ne kemi arritur të sigurojmë ushqim dhe strehim për të rinjtë në nevojë për të parandaluar recidivizmin.
Kohët e fundit keni vizituar institucionin e vuajtjes së dënimit të të rinjve në Krushevc. Cila ishte përshtypja juaj?
Ne krijuam një program të veçantë për të rinjtë të cilin po e implementojmë së bashku me organizatat në qytete të tjera serbe, të tilla si Restart në Novi Sad ose Këshilli Rinor në Krushevc. Ne e prezantuam programin në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe u përpoqëm të motivonim të rinjtë që të përfshiheshin. Diskutimi rreth asaj që ata mund të presin në ditët e para pas lirimit të tyre ishte shumë intensiv për shkak të pritjes dhe entuziazmit të tyre për planet dhe nevojat e tyre.
Si e gjejnë ish-të burgosurit Neostart?
Stafi i Neostart i viziton rregullisht burgjet, gjë që na mundëson të flasim me të burgosurit javë ose muaj para lirimit të tyre. Në këtë mënyrë, ne njihemi me njëri- tjetrin dhe mund të identifikojmë problemet paraprakisht. Neostart është angazhuar në këtë punë prej dhjetë vjetësh; tani jemi mjaft të njohur, kështu që është e lehtë për ish- të burgosurit të na gjejnë. Ne gjithashtu shpesh marrim letra nga të burgosurit aktualë ose të mëparshëm ose na kontakton një anëtar i familjes së një të burgosuri. Disa ish-të burgosur na telefonojnë pas lirimit për të organizuar një takim.
Çfarë ju kërkojnë zakonisht klientët tuaj të parë?
Ata zakonisht pyesin nëse mund t’u japim para, punë ose t’u ofrojmë ndonjë mbështetje materiale. Fatkeqësisht, ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë punë përveç rasteve të rralla. Kontaktimi me një organizatë si Neostart nuk është për të gjithë, por për ata ish-të burgosur që na kontaktojnë, zakonisht ekziston një atmosferë e shkëlqyer, pasi njerëzit që duan të investojnë te vetja e tyre përfshihen aktivisht në aktivitetet tona.
Me cilat sfida përballeni?
Donatorët nuk dëshirojnë të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për ish-të burgosurit. Kjo na detyron të përqendrohemi në projekte që mund të ndihmojnë sistemin post-penal në tërësi. Sigurisht, kjo ia vlen, por rezultatet shpesh nuk kanë një ndikim të menjëhershëm në jetën e atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Si ka ndikuar COVID-19 në punën tuaj?
Kjo e ka përkeqësuar situatën, pasi burgjet janë mbyllur edhe më shumë. Kontakti i të burgosurit me familjen dhe miqtë është problematik, gjë që e bën më të vështirë planifikimin dhe realizimin e programeve të mbështetjes post-penale. Për momentin nuk jemi në gjendje t’i vizitojmë burgjet, gjë që është pengesë për të ndihmuar të burgosurit të përgatiten për sfidat me të cilat do të përballen pas lirimit. Gjatë karantinës së parë në prill, kemi pasur raste kur njerëzit që sapo ishin liruar nga burgu duhej të ecnin 80 kilometra nga Pozharevci deri në Beograd sepse transporti publik nuk funksiononte.
Cilat masa mund të përmirësojnë sistemin e mbështetjes post-penale në Serbi?
Përgatitja për lirimin duhet të fillojë ditën kur personi fillon të vuajë dënimin e tij ose të saj. Kjo do të kërkonte një numër më të madh të oficerëve të trajtimit post-penal, por mund të zvogëlonte shkallën e lartë të recidivizmit. Duhet të merren parasysh edhe alternativat ndaj burgimit. Për këtë qëllim, është e nevojshme të përmirësohet bashkëpunimi midis autoriteteve të sanksionimit alternativ dhe sektorëve të tjerë në shoqëri siç janë organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta. Më shumë ndihmë financiare nga shteti, si dhe mbështetja e përgjithshme, janë të nevojshme për të siguruar një funksionim më të mirë të sistemit post-penal dhe për të zvogëluar prekshmërinë ndaj recidivizmit.
Neostart është një prej përfituesve më të fundit të mbështetjes nga “Fondi i qëndrueshmërisë”. Çfarë domethënieje ka për ju ky projekt?
Në të kaluarën, klientët e rinj shpesh zhdukeshin në mes të programit të mbështetjes. Ata e ndërprisnin angazhimin ose nuk përgjigjeshin më. Ata nuk donin të pranonin se ishin kthyer përsëri për të bërë diçka që mendonin se ishte e domosdoshme për të mbijetuar, megjithëse e dinin se nuk ishte në interesin e tyre në planin afatgjatë. Projekti i “Fondit të qëndrueshmërisë” na jep mjetet për të zvogëluar barrën për të rinjtë që sapo janë liruar nga një institucion
i vuajtjes së dënimit. Mbështetja e ofruar nga “Fondi i vuajtjes së dënimit” na jep mundësinë t’i ndihmojmë këta të rinj të merren me problemet ekzistenciale në ditën e tyre të parë të lirisë, siç janë gjetja e parave për ushqim dhe akomodim. Kjo i lejon ata të përqendrohen në të ardhmen dhe të ndërtojnë një jetë të re.
Darjan Vulevic është një nga themeluesit e Neostart dhe drejtori i ri i organizatës. Ai është diplomuar në akademinë serbe të policisë dhe specializohet në punën me ish-të burgosurit, kundërvajtësit e rinj dhe përdoruesit e drogës. Ai është bashkautor i një numri botimesh mbi praktikën post-penale.