Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e pikave kryesore
-
Vranja, një pikë e nxehtë kriminale në zhvillim.
Që nga viti 2019, emri i një qyteti vazhdon të shfaqet në raportet e mediave dhe policisë në lidhje me trafikun e drogës dhe të emigrantëve: Vranja, në Serbinë e Jugut. Ne do të shikojmë se si dhe pse Vranja është bërë një pikë e nxehtë e krimit të organizuar.
-
Armë për bandat në Suedi: lidhja me Ballkanin
Mafia famëkeqe jugosllave, “Juggemaffian”, që dominonte tablonë e krimit të organizuar në Suedi në vitet 1990 është zhdukur, por Suedia vazhdon të ndiejë ndikimin e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor. Një valë dhune vdekjeprurëse e lidhur me bandat në vitet e fundit është ndezur pjesërisht nga armët dhe granatat nga Ballkani.
-
Lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë ndërmarrë hapa që nga viti 2019 për të ndaluar lojërat e fatit në vendet e tyre për shkak të lidhjeve të saj me krimin e organizuar, numri i kazinove elektronike dhe pikave të basteve në Maqedoninë e Veriut është dyfishuar. Lojërat e fatit mund të jenë fitimprurëse, por sjellin me vete rreziqe që lidhen me varësinë, pastrimin e parave dhe dëmtimin e mundshëm të destinacioneve historike turistike siç është Ohri.
-
Ishujt e rezistencës: organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.
Këto janë periudha të vështira për organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në Ballkanin Perëndimor. Në shumë vende, OSHC- të që merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin janë nën presion nga qeveritë dhe kërcënohen nga njerëz të përfshirë në aktivitet të korruptuar ose të paligjshëm. Për më tepër, kriza e COVID-19 e ka bërë të vështirë që OSHC-të të kenë kontakt ballë për ballë me shumë prej individëve dhe grupeve me të cilët ata normalisht punojnë, si gratë, të rinjtë, ish-të burgosurit ose personat e varur ndaj substancave narkotike. Ne do të shqyrtojmë disa nga sfidat dhe mundësitë për forcimin e rezistencës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, bazuar në një seminar ndër-rajonal të mbajtur në mes të dhjetorit 2020 dhe gjetjet e një raporti të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC).
-
Neostart, një vend për një shans të dytë.
Ka rreth 12 000 të burgosur në Serbi; rreth 8000 prej tyre lirohen nga burgu çdo vit. Megjithatë, shkalla e recidivizmit është midis 60% dhe 75%, që do të thotë se shumë do të përfundojnë përsëri në burg. Neostart, një qendër për parandalimin e krimit dhe për asistencën post-penale, është një organizatë joqeveritare në Serbi që po redukton recidivizmin duke ndihmuar ish-autorët e krimeve të riintegrohen në shoqëri. Ne flasim me drejtorin e saj, Darjan Vulevic, për punën e tyre, sfidat dhe sukseset.
Rrth Këtij Numri
Gëzuar Vitin e Ri! Mirë se vini në numrin e katërt të “Buletinit të rreziqeve” të prodhuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore. Si në çdo numër, do të shikojmë një pikë të nxehtë të krimit të organizuar. Këtë muaj do të përqendrohemi në Vranja, një qytet në Serbinë jugore që kohët e fundit është shfaqur si qendër për trafikun e drogës dhe kontrabandën e emigrantëve.
Gjatë viteve të fundit, Suedia ka dëshmuar një rritje të dhunës së lidhur me bandat. Ne do të shqyrtojmë lidhjen ballkanike të Suedisë, përkatësisht kontrabandën e armëve dhe granatave.
Shqipëria dhe Kosova i kanë ulur ndjeshëm lojërat e fatit në vendet e tyre në dy vitet e fundit, jo më pak për shkak të shqetësimeve se ato kanë lidhje me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Por Maqedonia e Veriut po merr një qasje tjetër, siç dëshmohet nga një dyfishim i numrit të pikave të lojërave të fatit që nga viti 2019. Ne do të shikojmë rreziqet e mundshme që lidhen me këtë politikë.
Përveç theksimit të rreziqeve, qëndrueshmëria është një tipar i rregullt i “Buletinit të rreziqeve”, veçanërisht puna që po bëhet nga organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nga data 14 deri më 16 dhjetor 2020, GI-TOC mblodhi më shumë se 50 përfaqësues të organizatave joqeveritare nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në rajon. Në këtë numër, ne do të raportojmë për disa nga pikat kryesore të këtij diskutimi. Më shumë konstatime do të publikohen në një raport të titulluar “Së bashku më të fortë: Forcimi i qëndrueshmërisë midis shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor”, i cili do të botohet në fillim të shkurtit 2021.
Në profilin tonë mujor të organizatave të shoqërisë civile që merren me çështje të lidhura me krimin, ne do të flasim me drejtorin e Neostart, Darjan Vulevic, për punën e organizatës së tij joqeveritare për të ndihmuar ish-të burgosurit të riintegrohen në shoqërinë serbe.
Ne jemi gjithmonë të interesuar për ide për kontribute në “Buletinin e rreziqeve” dhe u ofrojmë autorëve një honorar. Nëse keni një propozim për një histori ose dëshironi të jepni reagime, ju lutemi kontaktoni me almedina.dodic@globalinitiative.net.