Lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut

Lojërat e fatit mund të jenë fitimprurëse, por mund të sjellin rreziqe serioze, duke përfshirë edhe një derë për krimin e organizuar. Në janar 2019, qeveria shqiptare ndërmori hapin vendimtar për të ndaluar të gjitha kazinotë elektronike dhe pikat e basteve sportive. Duke shpjeguar këtë vendim, kryeministri Edi Rama përmendi problemet sociale dhe ekonomike që lojërat e fatit po krijonin për shumë familje shqiptare. Ai vuri në dukje se në Shqipëri, “në një pjesë të madhe të tyre, aktivitetet e lojërave të fatit financohen nga krimi i organizuar. Ka para që pastrohen përmes lojërave të fatit dhe personat në krimin e organizuar janë të përfshirë tërthorazi ose drejtpërdrejt në këtë sektor.” 1 Si rezultat, 4364 pika që kishin kazino elektronike ose baste sportive u mbyllën. Megjithatë, Lotaria Kombëtare dhe një kazino e madhe në qendër të Tiranës janë ende duke funksionuar dhe mbetet mundësia që kazinotë e reja të ndërtohen në mjediset e hoteleve me pesë yje. Kjo e vë kontrollin e lojërave të fatit në duart e pak personave.

Në mars 2019, qeveria kosovare mori masa edhe më drastike: legjislacioni i ri ndaloi të gjitha aktivitetet e lojërave të fatit në vend, pjesërisht për shkak të lidhjeve të industrisë me krimin e organizuar.2 Pikat që nuk e respektuan këtë u mbyllën me forcë. Për shembull, në shtator 2020, qindra oficerë policie morën pjesë në një operacion për të mbyllur një kazino të paligjshme në fshatin Karaçevë, pranë kufirit me Serbinë. Të paktën 35 persona u arrestuan me akuzat për lojëra fati të paligjshme, prostitucion dhe zotërim armësh dhe droge. Disa nga të arrestuarit ishin oficerë të policisë kufitare.3

Vendimi për ndalimin e lojërave të fatit ka sjellë pasoja ekonomike. Vlerësohet se 7280 persona humbën punën në Shqipëri për shkak të vendimit, ndërsa shteti humbi rreth 45 milionë € në të ardhura nga taksat. 4 Në Kosovë, rreth 350 biznese të përfshira në lojërat e fatit u mbyllën, duke lënë mijëra njerëz të papunë. Në vitin 2018, këto biznese kishin paguar gati 16 milionë € si akcizë.5

Ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë ndërmarrë hapa të vendosur për të frenuar lojërat e fatit, Maqedonia e Veriut fqinje ka parë një rritje të madhe të lojërave të fatit që nga viti 2019. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Maqedonisë, 40 licenca u janë dhënë kompanive për të kryer aktivitete të lojërave të fatit.6 Më shumë se gjysma e këtyre licencave janë lëshuar në vitin 2019 dhe 2020 (shih figurën 2), pas hyrjes në fuqi të kufizimeve për lojërat e fatit në Shqipëri dhe Kosovë. Këto kompani kanë të drejtë të hapin kazino elektronike ose pika bastesh në të gjithë vendin.

Për njëzet vitet e kaluara, kazinotë dhe pikat e basteve kanë qenë një pamje e zakonshme në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, ose Gjevgjeli, në jug të vendit. Por që nga viti 2019, qytete të qeta si Ohri dhe Struga, afër kufirit me Shqipërinë, kanë parë një rritje dramatike të numrit të kazinove dhe pikave të basteve. Në të vërtetë, Maqedonia e Veriut duket se është kthyer në një oaz për lojërat e fatit në rajon.

Në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2020, lojërat e fatit nuk ishin një çështje madhore. Megjithëse Kryeministri Zoran Zaev ka njohur efektet negative të kazinove dhe pikave të basteve në disa komunitete, ai gjithashtu e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të nxitohet për ta ndaluar sektorin, por përkundrazi do ta monitorojë atë nga afër dhe do të marrë masa për ta rregulluar atë.7

Bumi i lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut është i mirë për ekonominë e saj. Metodi Hadji-Janev, një profesor i juridikut dhe ekspert në sektorin e lojërave të fatit në Akademinë Ushtarake në Shkup, tha se në vitin 2020 numri i të punësuarve drejtpërdrejt në sektorin e lojërave të fatit u rrit në 7700 të tillë; ka rreth 54 000 vende të tjera pune të lidhura me lojërat e fatit në vend, duke i sjellë buxhetit të shtetit miliona euro taksa.8

Megjithatë, ekzistojnë edhe rreziqe që lidhen me lojërat e fatit, të tilla si varësia, brishtësia social-ekonomike dhe krimi. Në vendimet e tyre për të kufizuar lojërat e fatit, Shqipëria dhe Kosova përmendën në mënyrë specifike shqetësimet në lidhje me rritjen e varfërisë, dhunës në familje dhe aktivitetit të paligjshëm ndërsa frekuentuesit e lojërave të fatit me mund paguajnë për vesin e tyre. Sipas Hadji-Janev, “pasi kanë shteruar burimet e tyre, frekuentuesit e lojërave të fatit shpesh fillojnë të shpenzojnë paratë e dikujt tjetër dhe e vënë familjen e tyre në rrezik sepse janë të prirur të marrin hua të paligjshme ose ndryshe fajde”.9

Rritja e lojërave të fatit po ndryshon karakterin e disa qyteteve. Ekzistojnë shqetësime se Ohri, një vend i mbrojtur nga UNESCO, rrezikon të bëhet një magnet për turistët të tërhequr më shumë nga lojërat e fatit sesa bukuria historike e qytetit.10 Struga, e cila dikur ishte një qytet i qetë, tani është pushtuar nga kazinotë dhe pikat e basteve sportive, të cilat shpesh kanë fasadë me zbukurime të mëdha dhe drita të ndezura pulsuese.

Siç theksohet në raportin e GI-TOC të gushtit 2020 “Flukset e paligjshme financiare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut”, lojërat e fatit - qoftë në kazinotë fizike apo në internet - lojërat me xhetona apo pikat e basteve sportive, janë identifikuar prej kohësh si një kanal pastrimi parash në Ballkanin Perëndimor.11 Sipas ish-ministrit të brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Pavle Trajanov, ekziston “një mundësi që paratë me origjinë kriminale të mund të pastrohen përmes kazinove dhe të legalizohen me këtë proces”.12 Për më tepër, Trajanov vuri në dukje se edhe prostitucioni shpesh lidhet me biznesin e kazinove.

Me pak fjalë, Maqedonia e Veriut po luan me fatin e saj. Ndërsa dy nga fqinjët e saj - Shqipëria dhe Kosova - i kanë kufizuar shumë lojërat e fatit, Maqedonia e Veriut duket se po e ngre profilin e saj si një vend për bastet. Megjithëse ka fitime që mund të nxirren në drejtim të vendeve të punës dhe të ardhurave nga taksat, ka edhe humbje të mundshme, duke përfshirë ndryshimin e imazhit të vendit - dhe atë të disa prej destinacioneve të tij më të famshme turistike - dhe tërheqjen e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe varësisë ndaj lojërave të fatit. Rrezikohet shumë.

Shënime

  1. Rama i prerë: Bixhozi financohet nga krimi i organizuar, cenon sigurinë kombëtare, Tirana Today, 22 tetor 2018, https://tiranatoday.al/rama-i-prere-bixhozi-financohet-nga-krimi-i-organizuar-cenon-sigurine-kombetare

  2. Ligji Nr. 06 / L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, Nr. 11, 24 prill, https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2813

  3. Oficerët e policisë së Kosovës të arrestuar në bastisjen e kazinove të paligjshme (Kosovo police officers arrested in crackdown on illegal casinos), BBC, 19 shtator 2020, https://www.bbc.com/news/world-europe-54219185

  4. Mbyllja e lojërave të fatit, buxheti i shtetit humbet 5,4 mld lekë në vit, A2 News, 10 shtator 2020, https://www.youtube.com/watch?v=9QsD8wo2aTg

  5. Fatlum Jashari dhe Taulant Qenaj, Sa rrezikohen milionat e buxhetit nga vendimi për mbylljen e lojërave të fatit?, Radio Evropa e Lirë, 29 mars 2019, https://www.evropaelire.org/a/sa-rrezikohen-milionat-e-buxhetit-nga-vendimi-per-mbylljen-e-lojerave-te-fatit/29850175.html

  6. Lista është në dispozicion në https://www.finance.gov.mk/mk/igri

  7. Jovan Gjorgovski, Ќе се дислоцираат ли казината и обложувалниците од станбените објекти?, Kanal 5, 4 janar 2019, https://kanal5.com.mk/kje-se-dislociraat-li-kazinata-i-oblozhuvalnicite-od-stanbenite-objekti/a361479

  8. Индустријата на игри на среќа поддржува речиси 70.000 работни места, Makfax News Agency, 24 nëntor 2020, https://bit.ly/39rbEgZ

  9. Emilija Dimitrova, Karakteristikat kriminale të shantazhit dhe zhvatjes, Universiteti Shën Klementi i Ohrit i Manastirit (Criminal characteristics of racketeering and extortion, St. Clement of Ohrid University of Bitola), 2019, https://fb.uklo.edu.mk/wp-content/uploads/2019/07/emilija.pdf

  10. Intervistë me një qytetar të Ohrit, 22 dhjetor 2020. 

  11. Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhauser, Flukset e Paligjshme Financiare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut (Illicit Financial Flows in Albania, Kosovo and North Macedonia), GI-TOC, gusht 2020, p 30, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/IFFs-Balkans-English-WEB-Nov2020-1.pdf

  12. Intervistë me Pavle Tajanov, dhjetor 2020.