Ndërtimi i urave mes policisë dhe doganës në Evropën Juglindore
Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore (SELEC), e themeluar në vitin 1999, është e vetmja organizatë ndërkombëtare në Evropën Juglindore që nxit sinergji mes policisë dhe agjencive doganore, duke punuar së bashku për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar transnacional në rajon. Ajo sjell rezultate konkrete: për shembull, në mars të vitit 2020, policia bullgare dhe zyrtarët doganorë turq kapën 72 kilogramë heroinë dhe arrestuan katër persona, dy prej të cilëve kërkoheshin nga INTERPOL-i. Operacioni u mundësua nga informacioni i shkëmbyer midis policisë dhe zyrtarëve të doganave përmes selisë së SELEC në Bukuresht.
Snejana Maleeva, Drejtoreshë e Përgjithshme e SELEC që nga viti 2017 dhe Drejtoreshë për Punë të Brendshme dhe Ligjore nga 2011 në 2017, shpjegon punën e qendrës në rajon, duke përfshirë trajnimin, operacionet dhe analizat e përbashkëta dhe bashkëpunimin midis prokurorëve.
Me pak fjalë, çfarë bën SELEC?
SELEC është një lojtar kryesor në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar transnacional në Evropën Juglindore. Mund të shfrytëzojë burimet e 11 vendeve anëtare dhe 25 vendeve partnere dhe organizatave.
Shqipëria | Mali i Zi |
Bosnjë e Hercegovina | Maqedonia e Veriut |
Bullgaria | Rumania |
Greqia | Serbia |
Hungaria | Turqia |
Moldavia |
SELEC përqendrohet në çështjet operacionale, duke ofruar një platformë për shkëmbim në kohë reale të informacionit dhe kërkesave për ndihmë. Ai gjithashtu ofron një lidhje të sigurt përmes Njësisë së re të Qendrës Operative, për të mbështetur dhe koordinuar hetimet e përbashkëta dhe operacionet rajonale, si dhe për të zhvilluar raporte analitike. SELEC kontribuon në ndërtimin e kapaciteteve të shteteve të tij anëtare dhe partnerëve përmes organizimit të misioneve të ekspertëve, takimeve të task-forcave, konferencave rajonale, seminareve, vizitave studimore dhe trajnimeve, dhe duke lehtësuar krijimin e rrjeteve dhe mjeteve të tjera të bashkëpunimit.
A mund të vini në dukje disa nga arritjet konkrete të SELEC?
ELEC përqendrohet në çështjet operacionale. Arritjet e tij kryesore gjatë 21 viteve të fundit pasqyrohen në rezultatet domethënëse të bëra në luftimin e krimit të organizuar në Evropën Juglindore. Ekziston një numër gjithnjë në rritje i hetimeve të përbashkëta që kryhen nga vendet anëtare të SELEC nën kujdesin e organizatës, si dhe një numër në rritje i shkëmbimeve të informacionit që kontribuuan në suksesin e këtyre hetimeve.
Për t’ju dhënë një ide për rolin në rritje të SELEC, në vitin 2001 kishte 315 shkëmbime informacioni dhe kërkesa për ndihmë të bëra përmes organizatës; në vitin 2019, u regjistruan 30 222 shkëmbime të tilla. Nga katër hetime të përbashkëta të regjistruara në vitin tonë të parë, tani kemi mesatarisht më shumë se 100 hetime të përbashkëta në vit që kryhen me koordinimin dhe mbështetjen e SELEC.
Për të rritur mbështetjen që u ofrojmë shteteve anëtare, ne hapëm një Njësi Qendre Operacionale të fjalës së fundit dhe me siguri të lartë. Njësia u mundëson shteteve anëtare të shkëmbejnë të dhëna, duke përfshirë komunikimet audio dhe video, shpejt dhe në mënyrë të sigurt 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin tonë, ne gjithashtu kemi vënë në zbatim një mjet aplikimi të personalizuar të raportimit të inteligjencës të SELEC. Platforma operacionale e mjetit përfshin një sistem të informacionit gjeografik, ndërgjegjësimin për situatën në kohë reale, menaxhimin e incidenteve, raportimin dhe analizat e të dhënave. Ai siguron mbledhjen e shpejtë, analizimin dhe shkëmbimin e informacionit strategjik dhe operacional mes oficerëve të çështjeve, pikave të kontaktit kombëtar, oficerëve të ndërlidhjes dhe organizatës.
Foto: Kontribut
Ne gjithashtu zhvillojmë ushtrime dhe kurse trajnimi përmes qendrës sonë të trajnimit në selinë e SELEC. Këtë vit, ne prezantuam trajnimin e realitetit virtual që teston vëmendjen dhe perceptimin e personave nën trajnim. Simulimi i çon personat nën trajnim në një pikë virtuale të kalimit të kufirit, ku ata duhet të kontrollojnë një automjet të dyshuar për kontrabandë cigaresh. Mjete të tjera ndërvepruese multimediale u mundësojnë përdoruesve të inspektojnë automjetet dhe anijet për mallra të kontrabanduara dhe të adresojnë lloje të ndryshme të krimeve me të cilat zyrtarët e policisë dhe doganave hasin rregullisht.
A punoni edhe me prokurorë?
Po, duke plotësuar punën e policisë dhe doganave, Grupi Këshillues i Prokurorëve të Evropës Juglindore (SEEPAG) ka funksionuar nën kujdesin e SELEC që nga viti 2003. Misioni i SEEPAG është të mundësojë bashkëpunimin gjyqësor në hetime dhe çështje të rëndësishme penale transnacionale. Në krijimin e një rrjeti të prokurorëve me përvojë, SEEPAG kërkon të plotësojë një boshllëk kritik në rajon duke promovuar shkëmbimin në kohë të informacionit dhe provave, qoftë përmes ekzekutimit të duhur të kërkesave reciproke ligjore ose përmes kanaleve më informale të komunikimit. Funksioni i SEEPAG është gjithashtu të sigurojë udhëzime, ndihmë dhe reagime për ligjvënësit në rajon mbi drejtësinë dhe çështjet e zbatimit të ligjit. Secili prej vendeve anëtare caktoi një prokuror ose gjykatës me përvojë me ekspertizë në bashkëpunimin ndërkombëtar për të qenë përfaqësuesi i tij i SEEPAG.1
Ekziston një shqetësim i konsiderueshëm në lidhje me trafikimin e armëve të zjarrit në Evropën Juglindore. Si e adreson SELEC atë?
SELEC vuri në zbatim një projekt të veçantë për forcimin e luftës kundër trafikimit të armëve të zjarrit në Evropën Juglindore nga viti 2016 në vitin 2019 për të adresuar këto shqetësime. Objektivi i projektit ishte forcimi i kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit në Evropën Juglindore për të luftuar trafikimin e armëve të zjarrit. Ai u krijua për të përmirësuar bashkëpunimin midis vendeve anëtare të BE-së dhe SELEC në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave në lidhje me armët e zjarrit, konsolidimin e kapacitetit hetimor, kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe rritjen e bashkëpunimit policor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira midis agjencive të zbatimit të ligjit që merren me problemin në rajon.
Aktivitetet dhe rezultatet e projektit përfshinin krijimin e një rrjeti rajonal të ekspertëve të armëve të zjarrit, krijimin e 15 njësive të lëvizshme hetimore, trajnimin për zbulimin dhe trajtimin e trafikimit të armëve në rrjetin e errët dhe botimin e një manuali të praktikave më të mira.
INë tre vitet e fundit, SELEC ka botuar disa raporte mbi krimin e organizuar në Evropën Juglindore. A mund të na flisni për punën tuaj analitike?
SELEC prodhon produkte operative dhe analitike për raste specifike transnacionale dhe raporte vlerësimi të operacioneve rajonale të kryera, si dhe raporte vjetore strategjike mbi llojet më të rëndësishme të krimit në Evropën Juglindore, si droga, trafikimi i qenieve njerëzore, emigracioni i paligjshëm, kontrabanda e produkteve të duhanit, terrorizmi, siguria e kontejnerëve dhe krimet e automjeteve. Raportet e plota janë vetëm për zbatimin e ligjit dhe përdorimin gjyqësor, megjithëse ka versione publike të disponueshme në faqen tonë të internetit.2
Raporti ynë strategjik më gjithëpërfshirës është Vlerësimi i Kërcënimit të Krimit të Organizuar për Evropën Juglindore (OCTA SEE), i cili prodhohet së bashku me vendet tona anëtare dhe mbulon një periudhë pesëvjeçare. Më i fundit është nxjerrë në 2018. OCTA SEE bën një vlerësim cilësor të krimit të organizuar në rajon, ilustron tendencat aktuale dhe nxjerr në pah dobësitë dhe mundësitë e zbuluara nga lloje të ndryshme të krimeve. Raporti është krijuar jo vetëm për të vlerësuar situatën, por edhe për të hedhur dritë mbi fushat ku vendet anëtare mund të marrin veprime zgjidhëse.
Cilat sfida të sigurisë vlerësoni aktualisht si më urgjentet për rajonin?
Bazuar në analizën dhe gjetjet nga OCTA SEE 2018 të përgatitura nga SELEC, ne aktualisht jemi duke u përqendruar në pesë përparësi në rajon: krimi kibernetik, terrorizmi, trafiku i drogës, krimi tregtar dhe i industrisë dhe trafikimi i qenieve njerëzore dhe i emigrantëve. Këto janë sfida transnacionale që nuk mund të adresohen në mënyrë efektive nga secili vend individualisht, por duhet të trajtohen së bashku nga të gjithë aktorët përkatës.
Unë do të doja të nënvizoja se jam krenare për rolin që luan SELEC në forcimin e bashkëpunimit midis policisë dhe punonjësve të doganave në Evropën Juglindore. Së bashku, ne po e bëjmë rajonin një vend më të sigurt.
Shënime
-
Lista e anëtarëve të SEEPAG është e disponueshme në uebsajtin në www.selec.org/contacts. ↩
-
Për më shumë informacion, shikoni https://www.selec.org/analytical-products/. ↩