Trafik më i rënduar në Korridorin 10: trafikimi i emigrantëve përmes Maqedonisë së Veriut

Në vitin 2015, më shumë se gjysmë milioni refugjatë dhe emigrantë erdhën përmes Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga Greqia, përmes Maqedonisë së Veriut, në Serbi dhe më pas në Hungari. Megjithëse ky itinerar i ashtuquajtur i Ballkanit u shpall i mbyllur në mars 2016, fluksi nuk u ndal kurrë plotësisht; në muajt e fundit, ai është rritur përsëri. Emigrantët ende po tarfikohen përgjatë Korridorit 10 - itinerari kryesor i transportit nga Selaniku përmes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për në Budapest, si dhe në perëndim nga Beogradi përmes Kroacisë dhe Sllovenisë, në Graz dhe Salzburg në Austri.

Në vitin 2015, u transmetuan në të gjithë botën imazhe dramatike të azilkërkuesve dhe emigrantëve që përpiqeshin të kalonin kufirin nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, në një përpjekje për të shkuar në veriperëndim përgjatë itinerarit të Ballkanit në Evropën Qendrore. Pasi u mbyll itinerari i Ballkanit, numri i kalimeve të parregullta ra nga 694 674 në vitin 2015 në pak më shumë se 4000 në vitin 2017.1

Që nga fillimi i vitit 2016, rritja e sigurisë së kufirit, si ngritja e gardheve dhe vendosja e rojeve kufitare të Frontex-it dhe patrullave të përbashkëta kufitare, kanë bërë që emigrantët të zhvendosen në itinerarin e Adriatikut që kalon nga Greqia në Shqipëri, përmes Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, dhe më pas në Kroaci. Mbyllja e itinerarit të Ballkanit gjithashtu bëri që emigrantët dhe azilkërkuesit të mbështeten më shumë në rrjetet kriminale për të ofruar shërbime të trafikimit dhe dokumente të falsifikuara udhëtimi.2

Sidoqoftë, numri i njerëzve që përpiqen të kalojnë nga Greqia në Maqedoninë e Veriut - dhe prej andej në Serbinë e Jugut - është rritur që nga viti 2019. Korridori 10 ka rifituar popullaritetin si një arterie për trafikimin e emigrantëve: në vitin 2019, kishte pothuajse 25 000 kalime të parregullta të raportuara në Maqedoninë e Veriut.3 Shumica e azilkërkuesve dhe emigrantëve janë djem të rinj që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, si dhe Afganistani dhe Pakistani.4

Statistikat mbi kalimet e parregullta nëpër Maqedoninë e Veriut.

Figura 1 Statistikat mbi kalimet e parregullta nëpër Maqedoninë e Veriut.

BURIMI: Ministria e Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Raportet vjetore për vitet 2017, 2018 dhe 2019 dhe Raporti për vlerësimin e rreziqeve mbi krimin e organizuar dhe të rëndë (2017–2019).

Pikat e hyrjes dhe itineraret e trafikimit

Emigrantët trafikohen përmes Maqedonisë së Veriut në tre hapa kryesorë: kalimi nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, tranziti përmes Maqedonisë së Veriut dhe kalimi nga Maqedonia e Veriut në Serbi. Trafikimi i emigrantëve nga Greqia në Maqedoninë e Veriut zhvillohet përgjatë dy itinerareve kryesore: njëri nga fshati Idomeni (Greqi) për në Gjevgjeli (Maqedonia e Veriut) dhe një tjetër përgjatë shtigjeve të pashënuara mbi malin e Belasicës, afër qytetit të Strumicës (Maqedonia e Veriut).

Në vitin 2015, Idomeni ishte pika kryesore e kalimit për qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë gjatë rrugës për në Evropën Qendrore. Sot, Idomeni mbetet një njyje, por në një nivel shumë më të ulët. Emigrantët merren nga trafikantët në afërsi të hotelit Hara, i cili ndodhet në autostradën Е-75 që lidh Selanikun dhe Shkupin. Pjesa më e madhe e trafikimit bëhet nga afganë dhe pakistanezë, shpesh në bashkëpunim me shtetas të Maqedonisë së Veriut. Itineraret më të zakonshme kalojnë përmes fshatit kufitar Moin, në perëndim të lumit Vardar dhe fshatrave Stojakovë, Predejci, Selemli, Negorci, Miravci, Miletkovë dhe Bogorodicë.

Emigrantët shpesh trafikohen me makina dhe kamionë përmes pikës kufitare të Bogorodicës. Ka pasur gjithashtu disa raste të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin me tren pasagjerësh ose mallrash në pikën kufitare hekurudhore të Gjevgjelisë. Kjo mund të jetë e rrezikshme: emigrantë janë plagosur ose vrarë ndërsa përpiqeshin të hidheshin në trenat në lëvizje ose kur binin në kontakt me kabllot e tensionit të lartë.5 Në vitin 2015, 14 emigrantë që kishin rënë në gjumë mbi binarë u vranë nga një tren që udhëtonte nga Selaniku për në Beograd.6

Itinerari i dytë kalon përgjatë malit në Belasicë dhe përmes rajonit të Dojranit, ku policia e Maqedonisë së Veriut rregullisht zbulon emigrantë.7 Për shembull, në korrik të vitit 2020, policia gjeti 12 emigrantë sirianë afër fshatit Davidovë në një automjet personal me targa serbe, i cili drejtohej nga një shtetas serb nga Vranja.8

Pasi kanë kaluar në Maqedoninë e Veriut, emigrantët drejtohen në veri përgjatë Korridorit 10 nga Gjevgjelia përmes Veleshit për në kryeqytetin Shkup. Përmirësimi i autostradës midis Demir Kapisë dhe Smokvicës ka rritur shpejtësinë e trafikut dhe ka zvogëluar numrin e kontrolleve, duke e bërë kështu më të lehtë trafikimin e emigrantëve. Një itinerar alternativ i përdorur nga trafikantët për të shmangur patrullimet e policisë kalon nga Gjevgjelija për në Kumanovë përmes Bogdancit, Valandovës, Strumicës dhe Shtipit.

Pikat e hyrjes së emigrantëve dhe itineraret e trafikimit përmes Maqedonisë së Veriut.

Figura 2 Pikat e hyrjes së emigrantëve dhe itineraret e trafikimit përmes Maqedonisë së Veriut.

Për të reduktuar rreziqet, trafikantët shpesh përdorin automjete me targa të humbura ose të vjedhura dhe i strehojnë emigrantë në shtëpi të braktisura ose të zbrazëta. Trafikantët shpesh mbajnë maska dhe doreza për të shmangur lënien e gjurmëve të ADN-së ose gjurmë gishtash në automjete, një praktikë kjo që nuk ngjall shumë dyshime për shkak të masave mbrojtëse për COVID-19.

Në afërsi të kufirit serb, emigrantët zakonisht lihen afër Kostelnikut, pikës së karburantit Makpetrol në autostradën Е-75 ose Unazës së Tabanovcës. Nga atje, ata merren dhe sillen në fshatrat Lipkovë, Lojanë ose Vaksinçe në rajonin e Lipkovës - fshatra me shumicë myslimane që ofrojnë një strehë të sigurt si për trafikantët ashtu edhe për emigrantët. Pastaj, emigrantët trafikohen në fshatin Miratovac në Serbi, ku i marrin përsipër grupet kriminale serbe. Si përgjigje, Serbia po ngre një gardh përgjatë kufirit të saj me Maqedoninë e Veriut, për të ndaluar fluksin.9

Në Serbinë jugore, shumë azilkërkues dhe emigrantë mblidhen në kampet përreth Preshevës, Bujanovcit dhe Vranjës. Deri më 9 nëntor 2020, kishte rreth 900 azilkërkues dhe emigrantë në këto tre kampe. Nga atje, ata përpiqen të drejtohen në veri.

Metodat e trafikimit

Trafikimi i emigrantëve përmes Maqedonisë së Veriut mundësohet nga rrjetet kriminale që kanë lidhje në vendet e origjinës dhe destinacionit, si dhe në vendet fqinje, duke siguruar kështu vazhdimësinë përgjatë gjithë itinerarit. Rrjetet kriminale ofrojnë një gamë të plotë shërbimesh, duke përfshirë akomodimin, sigurimin e dokumenteve të falsifikuara dhe informacionin mbi pikat e kontaktit në vendet më tej përgjatë itinerarit.

Këto rrjete kriminale kanë një strukturë vertikale me role të përcaktuara qartë për secilin anëtar, të tilla si strehuesi, vëzhguesi, transportuesi, lehtësuesi dhe mbledhësi i parave. Për shembull, përgjegjësia e strehuesit është të kujdeset për emigrantët sapo ata hyjnë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa detyra e vëzhguesit është të identifikojë patrullat e policisë, pikat e kontrollit ose pritat përgjatë itinerarit dhe të informojë anëtarët e mbetur të rrjetit.10

Për të komunikuar në një mënyrë që shmang zbulimin, trafikantët përdorin aplikacione të mesazheve të medias sociale si WhatsApp, Viber ose Telegram. Ata gjithashtu mbështeten në mediat sociale dhe përdorin platforma në internet për të organizuar mundësimin e shërbimeve.11 Përveç kësaj, ata i gjurmojnë emigrantët duke përdorur pajisje GPS. Mjetet e komunikimit shpesh ndryshohen ose kombinohen; për shembull, nuk është e pazakontë për trafikantët të fillojnë komunikimin përmes telefonave celularë ose përmes internetit dhe vazhdojnë në telefona pune ose radiomarrëse.

Pagesa që kërkohet për trafikimin e emigrantëve nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Serbi është midis 300 dhe 1500 €, në varësi të mënyrës së transportit, cilësisë së akomodimit dhe shërbimeve të tjera. Vlen të përmendet se kjo është rreth të njëjtit çmim të kërkuar në vitin 2015 dhe deri në fillim të 2016. Pagesat me sa duket u rritën deri në 3500 € në periudhën menjëherë pasi u mbyll itinerari i Ballkanit.12 Pagesat zakonisht paguhen paraprakisht në para në një nga qytetet e mëdha greke, te shoferi ose te shoqëruesi, ose duke përdorur shërbimet e transferimit të parave si sistemi hawala.13

Ka indicie se trafikantët ndonjëherë bashkëpunojnë me oficerë policie, të cilët u japin atyre informacion në lidhje me patrullat e policisë dhe pikat e kontrollit. Për shembull, në vitin 2016, si rezultat i një operacioni të koduar “Çakalli”, u arrestuan 19 persona dhe u hetuan pesë oficerë policie për trafik emigrantësh, shitje droge, abuzim të pozitës së tyre dhe identifikim të rremë në rajonet e Veleshit, Negotinës, Gjevgjelisë dhe Shkupit. Oficerët e policisë u akuzuan për dhënie të informacionit, logjistikës dhe madje edhe uniformave të policisë një grupi kriminal.14

Në një rast tjetër, në vitin 2018–2019, policia e Maqedonisë së Veriut kapi 17 anëtarë të një grupi të krimit të organizuar, duke përfshirë një oficer të lartë policie nga Shtipi i cili ishte përfshirë në trafikimin e emigrantëve. Anëtarët e grupit kriminal kishin përdorur një bashkëpunëtor në polici për të marrë informata për operacionet anti-kontrabandë dhe mënyrën e fshehjes së aktiviteteve të tyre kriminale.15

Por policia gjithashtu ka pasur sukses në shkatërrimin e rrjeteve të trafikimit. Në tetor 2019, oficerët e policisë në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e operacionit “Refleks”, parandaluan hyrjen e 252 emigrantëve përgjatë kufijve me Greqinë, Bullgarinë dhe Serbinë.16 Rrjeti kriminal u organizua nga dy persona nga Bogdanci, atë e bir, të cilët midis dhjetorit 2019 dhe tetorit 2020, futën rreth 100 emigrantë në vend kundrejt një fitimi të konsiderueshëm. Anëtarët e tjerë të grupit ishin transportues që lëvizën emigrantët nëpër Maqedoninë e Veriut. Shumica e emigrantëve ishin me origjinë nga Afganistani, Pakistani, Siria, Irani, Egjipti dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme.17

Ndërsa numri i njerëzve në lëvizje u zvogëlua ndjeshëm midis marsit dhe majit 2020 si rezultat i kufizimeve të lidhura me pandeminë,18 shifrat filluan të rriten përsëri në qershor dhe janë rritur që nga ajo kohë: gjatë nëntë ditëve të para të tetorit, policia e Maqedonisë së Veriut kapi 878 emigrantë afër kufirit me Greqinë. Kjo rritje jo vetëm që po krijon një treg më të madh për trafikimin e emigrantëve, por gjithashtu po përkeqëson një krizë humanitare në Serbinë e Jugut ku kampet ku strehohen azilkërkuesit dhe migrantët po rriten.

Shënime

  1. Ministria e Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Raporti për vlerësimin e rreziqeve mbi krimin e organizuar dhe të rëndë (2010-2015) dhe Raporti për vlerësimin e rreziqeve mbi krimin e organizuar dhe të rëndë (2017–2019). 

  2. Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore, Raporti i vitit 2019 mbi emigrimin e paligjshëm në Evropën Juglindore (Southeast European Law Enforcement Center, 2019 Report on illegal migration in Southeast Europe), https://www.selec.org/wp-content/uploads/2020/04/SELEC-Report-on-Illegal-Migration-in-SEE_public-version.pdf

  3. Ministria e Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Raporti vjetor 2019 (Ministry of Interior of the Republic of North Macedonia, 2019 Annual report), https://bit.ly/3maca8s

  4. Ibid. 

  5. Sashko Panajotov, Infomigrants: Migranti odnovo se upatuvaat kon balkanskata mar ruta preku Idomeni, Mia, 22 korrik 2020, https://mia.mk/infomigrants-migranti-odnovo-se-upatuvaat-kon-balkanskata-ruta-preku-idomeni/

  6. Akademik, Voz vo blizina na Veles pregazi 14 migranti: mashinovozacot nemal uslovi da go sopre vozot, informiraat od obvinitelstvoto, 24 prill 2015, https://akademik.mk/voz-vo-blizina-na-veles-pregazi-14-migranti-mashinovozachot-nemal-uslovi-da-go-sopre-vozot-informiraat-od-obvinitelstvo-3/

  7. Zoran Georgiev, Divite pateki preku Belasica-nova balkanska ruta za migrantite niz Makedonija, Sitel, 18 korrik 2020, https://sitel.com.mk/divite-pateki-preku-belasica-nova-balkanska-ruta-za-migrantite-niz-makedonija

  8. Ibid. 

  9. Autoritetet serbe kanë filluar të ngrenë një gardh në kufirin me Maqedoninë, në zonën e Preshevës. Kjo pjesë e kufirit është e njohur për lëvizjet e shpeshta të emigrantëve, që kalojnë Maqedoninë pasi hyjnë përmes Greqisë, dhe përdorin fshatrat në anën maqedonase të kufirit si baza përgatitore ndërsa presin të hyjnë në Serbi. Edhe Maqedonia ka një kufi të ngjashëm pranë Gjevgjelisë në kufi me Greqinë. 

  10. Ivan Sterjoski dhe Bojana Bozinovska. Trafikimi i qenieve njerëzore dhe trafikimi i emigrantëve në Maqedoninë e Veriut, Shoqata e Avokatëve të Rinj (Trafficking in human beings and smuggling of migrants in North Macedonia, Macedonian Young Lawyers Association), maj 2019, https://bit.ly/399ddSc

  11. Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore, Raporti i vitit 2019 mbi emigrimin e paligjshëm në Evropën Juglindore (Southeast European Law Enforcement Center, 2019 Report on illegal migration in Southeast Europe), https://www.selec.org/wp-content/uploads/2020/04/SELEC-Report-on-Illegal-Migration-in-SEE_public-version.pdf

  12. Ministria e Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Raporti për vlerësimin e rreziqeve mbi krimin e organizuar dhe të rëndë (2017-2019). 

  13. Ministritë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, Vlerësimi i kërcënimeve të krimit të rëndë dhe të organizuar rajonal (Ministries of Internal Affairs of Serbia, Montenegro and Macedonia, Regional serious and organized crime threat assessment), http://www.mvr.gov.mk/Upload/Editor_Upload/analizi-statistiki/Socta%20izvestaj%202016%20ENG.pdf

  14. Vladimir Kalinski, Uapseni policajci osomniceni za shverc na migrant, Radio Slobodna Evropa, 20 korrik 2016, https://www.slobodnaevropa.mk/a/27869604.html

  15. S. K. Delevska, Uapsen policiski nacalnik za Shtip za shverc na migrant, povekepati otkrienata ruta uste e ziva, 15 shkurt 2019, https://sdk.mk/index.php/makedonija/uapsen-politsiski-nachalnik-na-shtip-za-shverts-na-migranti-povekepati-otkrienata-ruta-ushte-e-zhiva/

  16. Republika e Maqedonisë së Veriut, Ministria e Brendshme, 16 tetor 2020, https://mvr.gov.mk/vest/13225

  17. Mak Press, Akcija na MVR protiv organizirana grupa za kriumcarenje migrant, se koristea I helihopteri, 15 tetor 2020, https://vesti.mk/read/article/https%3A%2F%2Fmakpress.mk%2FHome%2FPostDetails%3FPostId%3D374320

  18. Pelagija Stojancova, Balkanskata migrantska ruta povtorno atraktivna, Radio Slobodna Evropa, 26 qershor 2020, https://bit.ly/376YOng