Premtimet e mbajtura: monitorimi i zotimeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor
Më 10 nëntor 2020, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në samitin e Sofjes të bashkë-kryesuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky proces u prezantua në vitin 2014 me synimin për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të rritur integrimin dhe sigurinë evropiane. Çdo vit, udhëheqësit politikë nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja mblidhen për të punuar drejt arritjes së sigurisë, stabilitetit, integrimit dhe prosperitetit më të madh në rajon. Luftimi i korrupsionit ka qenë një përparësi e Procesit të Berlinit. Por, a po i përmbushin shtetet zotimet e tyre?
Kishte një diskutim gjithëpërfshirës të korrupsionit dhe ndikimit të tij në rajon në samitin e Triestes 2017. Takimi përfundoi me një deklaratë të përbashkët nga kryetari italian dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi angazhimin e tyre të përbashkët për të luftuar korrupsionin. Në të, ata pranuan se “korrupsioni është një sfidë për të gjitha shoqëritë tona” dhe thanë se “ka ardhur koha për një përpjekje të zgjeruar për të përmbushur kërkesën e madhe për integritet, respekt dhe parashikueshmëri të shtetit ligjor në vendet tona”.1
Në samitin e korrikut 2018 në Londër, vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Serbisë, e cila u bashkua në vitin 2019) shkuan një hap më tej duke bërë zotime anti-korrupsion. Kryetari i mirëpriti këto zotime, duke vërejtur se “korrupsioni pengon rritjen ekonomike dhe investimet, dobëson institucionet demokratike, shkatërron besimin e publikut dhe minon shtetin ligjor”.2 Zotimet përfshinin tema si partneriteti publik-privat, prokurimi publik, taksat, denoncimi i paligjshmërisë, pronësia përfituese, rikuperimi i aseteve dhe aftësitë zbatuese. Këto angazhime nuk ishin të reja, por përforcuan ato të bëra tashmë në kontekstin e iniciativave të tjera, të tilla si Samiti Antikorrupsion i Londrës 2016, Deklarata e Parë Globale kundër Korrupsionit, rekomandimet e Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit dhe rekomandimet e Komisionit Evropian bërë si pjesë e procesit të pranimit në BE-së.
Anti-korrupsioni ishte përsëri në rendin e ditës në samitin e vitit 2019 në Poznan. Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk krijuan zyrtarisht një mekanizëm të pavarur rishikimi, ato arritën një mirëkuptim mbi nevojën për progres të matshëm në zbatimin e angazhimeve të tyre anti-korrupsion. Një eveniment dytësor theksoi rolin e shoqërisë civile në ndihmën për të monitoruar zbatimin.
Si vazhdim i samitit të Poznanit, me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, u ndërmor një vlerësim i pavarur rajonal për korrupsionin në Ballkanin Perëndimor. Ekspertët kombëtarë që punojnë në partneritet me GI-TOC analizuan korrupsionin dhe ndikimin e tij në qeverisjen në secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata zhvilluan intervista me palët e interesuara, duke përfshirë përfaqësuesit e sektorit të drejtësisë penale, shoqërisë civile, akademisë dhe medias. Në proces, autorët zbuluan se kishte njohuri të pakta rreth zotimeve anti-korrupsion, qoftë mes publikut të gjerë ose brenda agjencive qeveritare përgjegjëse për vënien e tyre në zbatim. Gjithashtu nuk ishte e qartë se cilat organe qeveritare ishin përgjegjëse ose të përgjegjshme për monitorimin e vënies në zbatim.
Një përmbledhje ekzekutive e konstatimeve mbi korrupsionin dhe zotimet e antikorrupsionit në Ballkanin Perëndimor e botuar së fundmi nga GI-TOC tregon se korrupsioni “është njëkohësisht shkak dhe pasojë e një kulture kriminale që përshkon rajonin, dhe mënyra se si korrupsioni është i lidhur me politikën, lë të kuptohet një shkallë korrupsioni të organizuar, madje edhe elemente të kapjes së shtetit, në një numër vendesh në rajon”.3
Një vlerësim i shkallës në të cilën qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë duke respektuar angazhimet e tyre anti-korrupsion nënvizon progresin në disa vende dhe në disa fusha, ndërsa nuk ka pasur progres apo edhe ka pasur kthim pas në të tjera. Një raport i ardhshëm i GI-TOC do të rishikojë zbatimin e angazhimeve në të gjashtë vendet. Ndjekja e rregullt e vënies në zbatim të zotimeve anti-korrupsion duhet të ndihmojë në mbylljen e hendekut midis premtimeve të bëra dhe premtimeve të mbajtura.
Shënime
-
Procesi i Berlinit, Deklarata e Përbashkët Kundër Korrupsionit, Samiti i Triestes (Berlin Process, Joint Declaration Against Corruption, Trieste Summit) 12 korrik 2017, https://berlinprocess.info/wp-content/uploads/2017/11/Joint-Declaration-Against-Corruption-1.pdf. ↩
-
Procesi i Berlinit, Konkluzionet e Kryetarit të Takimit të Krerëve të Samitit të Londrës për Ballkanin Perëndimor (Berlin Process, Chair’s Conclusions of the Heads’ meeting of the London Western Balkans Summit, Western Balkans Summit in London) 10 korrik 2018, https://berlinprocess.info/wp-content/uploads/2018/07/Chair’s-Conclusions-of-the-Heads’-meeting-of-the-London-Western-Balkans-Summit-10-July-2018.pdf. ↩
-
Ugljesa Ugi Zvekic dhe Suncana Roksandic Vidlicka, Infrastruktura e Integritetit: Korrupsioni dhe zotimet kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, Përmbledhje Ekzekutive, GI-TOC (Ugljesa Ugi Zvekic and Suncana Roksandic Vidlicka, Infrastructure of Integrity: Corruption and anti-corruption pledges in the Western Balkans, Executive Summary, GI-TOC), tetor 2020. ↩