Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e pikave kryesore
-
Përfitimi nga pandemia: COVID-19 dhe korrupsioni.
Një valë e dytë e pandemisë së COVID-19 po përshkon Ballkanin Perëndimor. Shumë vende janë në karantinë. Kjo i ka bërë proceset e prokurimit publik më të paqarta dhe ka zvogëluar hapësirën për organizatat e shoqërisë civile dhe median për të raportuar mbi çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar kanë qenë të shpejtë për ta parë këtë si një mundësi. Ne shikojmë se si pandemia ka ekspozuar dobësitë e shkaktuara nga qeverisja e dobët dhe korrupsioni dhe si ajo rrezikon të përkeqësojë kushtet social-ekonomike dhe shëndetësore tashmë të brishta.
-
Trafik më i rënduar në Korridorin 10: trafikimi i emigrantëve përmes Maqedonisë së Veriut.
Në vitin 2015, pothuajse 700 000 refugjatë dhe emigrantë udhëtuan nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut, duke u drejtuar në veri për në Serbi dhe BE, përgjatë Korridorit 10. Megjithëse itinerari i Ballkanit u mbyll në mars 2016, fluksi i njerëzve në lëvizje nëpër Maqedoninë e Veriut vazhdon. Ky artikull përshkruan itineraret kryesore dhe eksploron mënyrën se si trafikohen emigrantët veçanërisht përmes qendrave përreth kufirit jugor me Greqinë dhe Serbinë në veri.
-
Ndërtimi i urave mes policisë dhe doganës në Evropën Juglindore.
Që nga themelimi i saj në 1999, Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore (SELEC), me seli në Bukuresht, ka përmirësuar bashkëpunimin midis policisë dhe zyrtarëve të doganave për të luftuar kundër krimit transnacional, të rëndë dhe të organizuar në rajon. Drejtoresha e Përgjithshme Snejana Maleeva e Bullgarisë shpjegon aktivitetet e SELEC duke përfshirë trajnimin, operacionet e përbashkëta dhe analizat, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis prokurorëve.
-
Premtimet e mbajtura: monitorimi i zotimeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2014, u prezantua Procesi i Berlinit me synimin për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të rritur integrimin dhe sigurinë evropiane. Në korrik 2018, në Samitin e Londrës, pesë vende të Ballkanit Perëndimor (ndjekur nga Serbia në 2019) nënshkruan zotime kundër korrupsionit. Ne shqyrtojmë se si është adresuar korrupsioni brenda Procesit të Berlinit dhe vlerësojmë shkallën në të cilën vendet po u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin.
-
Forcimi i qëndrueshmërisë dhe pajtimit në Mostar.
Qyteti i Mostarit, në jug të Bosnjë-Hercegovinës, është një pikë e nxehtë për krimin e organizuar, veçanërisht për trafikun e drogës dhe të armëve. Për shkak të policimit të dobët, qyteti është kthyer në një strehë për kriminelët nga rajoni që janë duke u fshehur nga grupe të tjera kriminale ose që janë arratisur nga ligji. Huliganizmi është gjithashtu një problem në qytet. Ne intervistuam Almir Denjo, president i një organizate joqeveritare lokale të quajtur “Veprimi i Ndërsjellë për Forcimin e Alternativës”, në lidhje me punën e tyre në promovimin e qëndrueshmërisë dhe pajtimit në komunitet, veçanërisht midis të rinjve dhe njerëzve të margjinalizuar në shoqëri.
Rreth Botimit
Ky botim i “Buletinit të rreziqeve” i prodhuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore vazhdon përqendrimin tonë në ndikimin e COVID-19 në ekonominë politike të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa një valë e dytë e pandemisë përfshin rajonin, ne shikojmë se si kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar po shfrytëzojnë mundësinë për të fituar para në kurriz të qytetarëve dhe se si COVID-19 po ekspozon dobësitë në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe qeverisjen në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pas samitit të Procesit të Berlinit në Sofje më 10 nëntor 2020, ne kujtojmë zotimet kundër korrupsionit të bëra në një samit të ngjashëm në Londër në korrik 2018 dhe vëmë re se, megjithëse ka pasur një progres në zbatimin e këtyre angazhimeve, ka pasur gjithashtu kthim pas në disa vende. Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC) së shpejti do të publikoj një vlerësim të vënies në zbatim nga vendet të zotimeve kundër korrupsionit të ndërmarra në kuadrin e Procesit të Berlinit.
Pesë vjet më parë, në vitin 2015, qindra mijëra azilkërkues dhe emigrantë kaluan nëpër Ballkan gjatë rrugës për në BE. Ndërsa itinerari i Ballkanit u shpall i mbyllur në mars 2016, emigrantët vazhdojnë ende të trafikohen nëpër rajon. Në këtë botim, ne përqendrohemi në atë se ku dhe si po trafikohen ata përmes Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa në fokus të këtij Buletini janë kryesisht rreziqet që paraqiten nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në Ballkanin Perëndimor, ne gjithashtu profilizojmë se çfarë po bëhet për t’i menaxhuar dhe reduktuar ato. Për shembull, këtë muaj ne përqendrohemi në punën e SELEC, që për dy dekada ka përmirësuar bashkëpunimin midis zyrtarëve të policisë dhe doganave për të luftuar krimin transnacional, atë të rëndë dhe të organizuar në rajon. Në serinë tonë mbi qëndrueshmërinë, ne flasim me kreun e OJQ-së “Veprimi i Ndërsjellë për Forcimin e Alternativës”, me mbështetje nga “Fondi i Qëndrueshmërisë” së GI-TOC dhe me qendër në qytetin e ndarë dhe të shkatërruar nga krimi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë, për mënyrën se si ata e shohin problemin e krimit të organizuar në komunitetin e tyre dhe çfarë po bëjnë ata për të fuqizuar të rinjtë dhe për të integruar personat e margjinalizuar në shoqëri.
Si gjithmonë, nëse keni komente ose ide për “Buletinin e rreziqeve”, ose dëshironi të kontribuoni në të, ju lutemi kontaktoni me almedina.dodic@globalinitiative.net.