Nën shënjestër: Gazetaria investigative në Mal të Zi
Vladimir Otasheviç, fitues i disa çmimeve të gazetarisë investigative në Mal të Zi, dhe redaktor i rrjetit LUPA për raportim mbi krimin dhe korrupsionin, i shpjegon studiueve tanë përse investigimi i krimit dhe korrupsionit në Mal të Zi është punë me rrezik.
Si mund ta përshkruash panoramën mediatike në Mal të Zi? Çfarë roli luajnë organet mediatike publike dhe të pavarura, si dhe ato që mbështeten nga donatorë ndërkombëtarë?
Panorama mediatike në Mal të Zi është shumë e polarizuar. Organet mediatike ndahen në dy grupe: në ato që mbështesin qeverinë që humbi zgjedhjet, dhe ato që mundohen të punojnë në mënyrë profesionale. Këto të fundit kanë më shumë audiencë, dhe gëzojnë mbështetje financiare nga komuniteti ndërkombëtar. Sidoqoftë, kompanitë e pavarura mediatike po kalojnë një periudhë të vështirë me rënie të prurjeve financiare. Në vendin tonë, influenca e qeverisë ka qenë aq e madhe saqë shumë kompani, pjesa më e madhe e tyre të lidhura me shtetin, nuk duan që të bëjnë reklamë në organe mediatike që kritikojnë ata që janë në pushtet. Po kështu, gazetarët paguhen pak, dhe kjo e bën të vështirë që të sigurojnë një jetesë normale. Rroga mesatare e gazetarit është një palo 500 euro në muaj.
Radio televizioni publik në Mal të Zi është kontrolluar për dekada me rradhë nga forcat politike qeverisëse. Në fakt, mund të jetë më me vend që ta quajmë radio televizion partiak. Mungesa e objektivitetit në raportim është vënë re edhe nga OJQ të angazhuara për lirinë e medias, si dhe nga raporte ndërkombëtare. Të gjithë jemi të mendimit se ai është shumë larg nivelit të radio televizionit publik që meritojnë shtetasit e këtij vendi.
Sa të pavarur janë gazetarët në Malin e Zi në raportimet e tyre?
Në përgjithësi, gazetarët në Mal të Zi, sidomos ata që punojnë për media pro-qeveritare, ndikohen shumë nga regjimi politik. Edhe në mediat e pavarura ka ndonjëherë presione nga reklamuesit e mëdhenj. Mungesa e lirisë së medias në këtë vend është problem i madh, gjë që tregohet edhe nga sulmet e shumta kundër gazetarëve, vetëm se thonë të vërtetën. Gjatë 18 viteve të fundit ka patur 70 sulme të raportuara kundër gazetarëve në Mal të Zi, duke përfshirë edhe një vrasje.
Çfarë lloj artikujsh shkruan LUPA?
Ne publikojmë kryesisht artikuj rreth krimit të organizuar dhe përfshirjes së politikës në tregje kriminale. Artikujt tanë përqendrohen gjithashtu edhe mbi korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit nga zyrtarë publikë. Po kështu, ne fokusohemi edhe mbi çështje që lidhen me varfërinë dhe padrejtësinë shoqërore në Mal të Zi. Çdo lloj gazetarie investigative është me interes për ne, por pika kryesore është zbulimi i lidhjeve midis krimit të organizuar dhe elitave politike në këtë vend.
Verën e kaluar, publikuam një artikull që tregonte se si një pronë e zotëruar nga kryetari i parlamentit të Malit të Zi – që bën pjesë në partinë që ka qeverisur vendin për dekada me rradhë – ishte shitur në një aferë korruptive. Në artikull zbulohen edhe veprimtari të pastrimit të parave të pista. Si rezultat i këtij artikulli, prokuroria nisi një hetim mbi pronat e kryetarit të parlamentit, si dhe mbi transaksionet në lidhje me shitjen e pronës.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet LUPA?
Çështja kryesore për ne është siguria, pasi raportojmë mbi disa nga personat më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm në vend. Ne mundohemi që të reduktojmë rreziqet duke instaluar dhe përdorur aplikacione sigurie në telefona celularë dhe pajisje të tjera. Dyshojmë se jemi nën survejimin e shërbimit informativ kombëtar të Malit të Zi. Në vendin tonë nuk është ndonjë gjë e pazakontë që të tërheqësh vëmendjen e tyre – në fund të fundit, mendohet se edhe diplomatë të huaj trajtohen po njëlloj. Një tjetër problem është edhe nevoja për mbështetje financiare të qëndrueshme.
WCilat janë rreziqet kryesore për gazetarët në Mal të Zi, kur investigojnë mbi çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin?
Mjafton të kujtosh se 16 vjet më parë, Dusko Jovanovic, redaktor i gazetës Dan, u vra pasi u qëllua nga një makinë në lëvizje. Ky incident vazhdon të jetë një shembull tronditës edhe sot e këaj dite mbi rreziqet me të cilat përballen gazetarët. Në vitin 2018, Olivera Lakic, një reportere e gazetës Vijesti u qëllua me armë, por për fat të mirë shpëtoi. Këto, dhe shumë incidente të tjera që kanë ndodhur në këtë vend, si kërcënimet me vdekje që kam marrë në vitin 2017, nga vëllai i kryeministrit që po ikën nga detyra, janë kujtesa të përditshme të rreziqeve reale me të cilat përballen gazetarët që investigojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Mal të Zi.
Kontrabanda e cigareve dhe armëve, si dhe trafikimi i drogës janë disa nga temat më të rrezikshme që mund të mbulosh si gazetar. Njerëz kanë frikë për jetën e tyre. Dhe ti (si gazetar) nuk vë në rrezik vetëm jetën tënde, por edhe të atyre që ke pranë. Të marrim rastin e Olivera Lakic. Përpara se ta qëllonin, e kishin kërcënuar se do t’i përdhunonin vajzën. Këto kërcënime erdhën pasi ajo shkroi një seri artikujsh investigativë mbi kontrabandën e cigareve në Mal të Zi. Në kushte të tilla, është e kuptueshme që shpesh familjet mundohen që t’i bindin gazetarët që të mos rrezikojnë shumë në punën e tyre.
Çfarë mund të bëhet për të ndryshuar situatën?
Mund të ketë ndryshime të mëdha me qeverinë e re malazeze. Mali i Zi është i vetmi vend në Evropë që ka patur të njëjtën qeveri që nga rënia e murit të Berlinit – të njëjtët njerëz kanë qenë në pushtet për tre dekada. Sa më të forta të jenë lidhjet ndërmjet krimit të organizuar dhe njerëzve në pozita vendimmarrëse në shtet, po aq më të forta do të jenë edhe rrënjët e krimit të organizuar, dhe po aq më e vështirë do të jetë lufta kundër tij. Në vende me demokraci të fortë krimi i organizuar është më i dobët. Por pas 30 vjetësh qeverisjeje njëpartiake, Mali i Zi, për fat të keq, është shumë larg standardeve të një demokracie të fortë.
Shpresojmë se qeveria e re do ta ndryshojë për mirë situatën, dhe të lejojë lirinë e medias, dhe të krijojë një mjedis më të mirë për gazetarët. Po ashtu shpresojmë se qeveria e re do të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar korrupsionin. Presim që të ketë transparencë në lidhje me aferat e qeverisë së kaluar, dhe marrëveshjeve të reja të kësaj qeverije të re. Transparenca është një nga shqetësimet kryesore për gazetarët, pasi ka munguar për një kohë kaq të gjatë. Për shembull, qeveria që humbi zgjedhjet i konsideronte shpenzimet e buxhetit si sekret. Kjo duhet të marrë fund. Po kështu, shpresojmë se qeveria e re do të amendojë ligjin për lirinë e informimit, në mënyrë që të kemi më shumë akses në informacione shtetërore.
Presim gjithashtu që të reformohet sistemi i drejtësisë. Duam që të rihapet çështja e Dusko Jovanovic, së bashku me çështje të tjera të pazgjidhura të dhunës kundër gazetarëve. Në këtë mënyrë, gazetarët do të ndihen më të mbështetur dhe më të sigurtë, dhe kjo mund të shërbejë si masë parandaluese ndaj incidenteve dhe kërcënimeve të mundshme në të ardhmen.
Çfarë hapash duhen hedhur që të krijohet një rezistencë ndaj krimit të organizuar në Mal të Zi, dhe në përgjithësi në Ballkanin perëndimor?
Një hap i parë i rëndësishëm është një qeveri më e mirë dhe transparente. Duhet të përmirësohet edhe situata ekonomike dhe shoqërore, duke ulur nivelin e papunësisë, dhe duke krijuar shanse më të mira për punësim. Është shumë e rëndësishme që të ofrohen mundësi më të mira ekonomike dhe shoqërore për komunitetet e prekura nga krimi dhe korrupsioni, për të evituar situata ku varfëria dhe mungesa e alternativave i detyron njerëzit që t’i drejtohen krimit të organizuar.
Gjithashtu, është me rëndësi jetike që forcat e zbatimit të ligjit në Mal të Zi, si policia dhe prokuroria, të përballen me klanet kriminale nga Kotori, që janë përfshirë në një konflikt të përgjakshëm që nga viti 2014. Mungesa e procedimeve penale ka sjellë akumulimin e pasurive të mëdha nga këto dy grupe kriminale dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur: këto grupe kriminale duhet të ishin shkatërruar që në fillimet e tyre, por ishte e qartë se nuk kishte vullnet politik nga ana e autoriteteve. Ndoshta, një qeveri e re mund të përballet më me forcë me këtë problem, me njerëz më të guximshëm, me vullnet politik dhe me burimet e nevojshme.
Si gazetarë, do të djekim nga afër punën e qeverisë së re, dhe do të jemi gjithmonë kritikë kur të bëhen gabime. Është e rëndësishme që qeveria e re të punojë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të vendit. Nëse nuk e bëjnë këtë, do t’i vihemi nga pas. Kjo është puna e gazetarit.
Rrjeti i raportimit mbi krimin dhe korrupsionin – LUPA – është një organizatë jo-fitimprurëse që promovon dhe zhvillon gazetari investigative në Mal të Zi. U krijua në vitin 2016 nga një grup gazetarësh të pavarur. Një nga fushat kryesore të veprimtarisë së LUPA-s është puna studimore dhe raportimi mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Mal të Zi, dhe jashtë tij. Disa nga objektivat specifike të LUPA-s janë ndihma ndaj qytetarëve dhe institucioneve qeveritare në luftën kundër krimit të organizuar; promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut; monitorimi i punës së institucioneve qeveritare; promovimi i bashkëpunimit rajonal ndërmjet mediave dhe grupeve që angazhohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Që nga viti 2019, LUPA mbështetet nga Fondi i Rezistencës së GI-TOC.