Prodhimi i kanabisit shqiptar kalon në ambiente të mbyllura

Shqipërisë i ka dalë nami për kultivimin e kanabisit. Në vitin 2014, fshati i Lazaratit u quajt nga BBC si ‘kryeqendra e prodhimit të kanabisit në natyrë’ në Evropë.1 Por kohët e fundit, për disa arsye, duket se ka ndryshime në burimin e tregut, pasi grupet shqiptare po merren gjithnjë e më tepër me rritjen e kanabisit në ambiente të mbyllura në vende të Evropës perëndimore.

Në Shqipëri janë prodhuar sasi të konsiderueshme kanabisi që nga fillimi i viteve 1990. Pas rënies së komunizmit, vendi u shndërrua në një nga burimet kryesore të kanabisit për tregun evropian. Kushtet natyrore janë të përshtatshme për rritjen e kanabisit, dhe ky treg u stimulua nga qeverisja e dobët, korrupsioni dhe pozita gjeografike – pranë Greqisë, Italisë, dhe Evropës qendrore. Po kështu, edhe varfëria dhe oportunizmi, pas atij tranzicioni kaotik në demokraci dhe treg të lirë, ndikuan në rritjen e prodhimit të kanabisit.2

Brenda një dekade, me përdorimin e teknikave më efikase të rritjes së bimës, dhe stabilizimin e korridoreve të trafikimit, kultivimi i kanabisit u bë një biznes me vlerë një miliard euro. Kjo ekonomi e paligjshme mbante me të ardhura dhjetëra mijëra fshatarë, kalonte të ardhura nga droga në politikë dhe biznese, si dhe pasuroi trafikantët në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ndonëse kanabisi prodhohej anembanë vendit, që nga fillimi i viteve 2000 epiqendra ishte Lazarati. U kthye në një sekret që dihej nga të gjithë, një zonë e paprekshme e kultivimit të kanabisit, që pasuronte ekonominë lokale, politikanët dhe trafikantët. Ndryshimi i qeverisë në vitin 2013, si dhe presioni nga komuniteti ndërkombëtar, solli një goditje të fortë kundër kanabisit, duke përfshirë edhe përplasje me armë midis policisë dhe kultivuesve të armatosur të kanabisit në Lazarat, në qershor 2014.3

Sidoqoftë, kjo ndërhyrje nuk e zgjidhi problemin - thjesht e zhvendosi. Kultivimi i kanabisit u përhap nëpër të gjithë vendin në vitin 2016, kur u regjistrua një rritje e ndjeshme e prodhimit dhe fitime të mëdha.4 Në vend që prodhimi të përqendrohej në pak zona të izoluara, si Lazarati apo Malësia e Dukagjinit, bima fitimprurëse po mbillej gati nëpër të gjithë vendin. Kjo i krijoi mundësi trafikantëve shqiptarë që të ngjisnin shkallët e krimit –duke i investuar fitimet nga kanabisi në tregun e kokainës, dhe shumë shpejt u bënë një nga faktorët kryesore në Amerikën Latine dhe Evropën perëndimore.5

Numri i bimëve të kanabisit të shkulura në Shqipëri gjatë periudhës 1995–2019 (të dhënat për 2015–2019 merren për periudhën Qershor–Dhjetor).

Figura 1 Numri i bimëve të kanabisit të shkulura në Shqipëri gjatë periudhës 1995–2019 (të dhënat për 2015–2019 merren për periudhën Qershor–Dhjetor).

Burimi: Policia e Shtetit

Operacione të shumta policore që nga viti 2017 duket se kanë arritur që të ulin nivelin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Mund të ketë një rritje të vogël të prodhimit për vitin 2020, por është akoma herët për të gjykuar mbi këtë pikë, sidomos po të kemi parasysh ndikimin e COVID-19 mbi prodhimin e kanabisit, pasi pandemia filloi rreth kohës kur duheshin mbjellë farat e kanabisit. Nga njëra anë, fshatarët mund të kenë patur probleme për kultivimin e kanabisit si pasojë e kufizimeve të vendosura nga izolimi dhe shtetrrethimi; por nga ana tjetër, edhe policia mund të jetë treguar më pak vigjilente, si pasojë e prioriteve të tjera. Sipas të dhënave më të fundit të ministrisë së brendshme, gjatë muajit qershor 2020 policia shkuli 36,044 rrënjë, me shumë se dyfishin e bimëve (14 595) të shkulura gjatë të njëjtit muaj në vitin 2019.6

Ndryshe nga pesë vite më parë, kur kanabisi mund të blihej për 150 deri në 700 euro për kilogram, në ditët e sotme çmimi me shumicë ka arritur në 1 300 euro, si pasojë e ofertës relativisht të ulët. E ndërsa çmimet janë të larta, po kaq i lartë është edhe niveli i rezikut.

Për shembull, transportimi i kanabisit – me skaf për në Itali – mendohet se kushton rreth 300 euro për kilogram. Po kështu, policia është bërë më vigjilente në Shqipëri dhe vendet fqinje, duke e bërë trafikimin e drogës një biznes gjithnjë e më të rrezikshëm.

Në ditët e sotme, ndonëse Shqipëria mbetet prodhuesi kryesor i kanabisit në Evropë,7 disa grupe kriminale duket se po i transferojnë aktivitetet e tyre në vende të Evropës perëndimore, ku kërkesa është më e lartë, dhe ka më pak rreziqe. Gjatë katër viteve të fundit, vihet re një prirje e re – që mund të dallohet edhe nga raportet e policive në vende të Evropës perëndimore – investime nga ana e grupeve kriminale shqiptare në kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura në shtete si Spanja, Hollanda, Belgjika, dhe Britania e Madhe. Ky transformim ndjek llogjikën e tregut – kërkesa për marihuanë është e lartë në vende të Evropës perëndimore, dhe për rrjedhojë edhe fitimet janë të mëdha. Një kilogram kanabis i rritur në ambiente të mbyllura në një vend të Evropës perëndimore shitet për rreth 3 000 euro. Kjo shifër është 30 për qind më e lartë se çmimi që paguhet në Evropën perëndimore për kanabisin e rritur në Shqipëri. Po të llogaritësh edhe kostot dhe rrezikun e trafikimit të drogave nga Shqipëria, është e qartë se ka shumë avantazhe në prodhimin e kanabisit pranë tregut të shitjes.

Rritja e kanabisit në ambiente të mbyllura siguron dhe një produkt me cilësi më të lartë. Kanabisi që rritet në natyrë, ashtu si edhe bimë të tjera, ndikohet nga kushtet klimaterike dhe probleme të tjera që mund të vënë në rrezik të gjithë masën e bimëve. Rritja e kanabisit në ambiente të mbyllura kryhet në mjedise ku kontrollohet drita, temperatura, dhe lagështia, madje mund të kontrollohet edhe niveli i THC (substanca psikoaktive e drogës), ndërsa drita konstante dhe ujitja e kontrolluar mund të shpejtojë ciklin e prodhimit, duke bërë të mundur vjeljen e bimëve çdo tre-katër muaj.

Kultivim i kanabisit në ambiente të mbyllura.

Kultivim i kanabisit në ambiente të mbyllura.

© Uriel Sinai/Getty Images

Ndonëse kultivimi i kanabisit mund të jetë reduktuar ndjeshëm në vend, grupe kriminale duket se vazhdojnë të jenë aktivë në kultivimin e kanabisit në vende të tjera. Këto ndryshime në sistemin e furnizimit ka të ngjarë të sjellin një transformim të fokusit dhe vëmendjes së forcave të rendit, pasi institucionet ligjzbatuese në Evropën perëndimore duhet të merren me një problem të ri brenda vendeve te tyre.

Nga ana tjetër, reduktimi i kultivimit të kanabisit në Shqipëri, që siguronte të ardhura për shumë fshatarë të zonës, duhet që të shoqërohet me rritjen e kujdesit dhe ndihmës social-ekonomike për të zvogëluar shanset8 e kthimit pas tek varësia ndaj ekonomisë drogë-prodhuese.

Ia vlen të përmendet fakti se ka shenja se kultivimi i kanabisit vazhdon edhe në vende të tjera të Ballkanit perëndimor. Në një rast të bujshëm, policia në Serbi arrestoi pronarin e një kompanie ushqimesh organike, Predrag Koluvija, pasi u gjetën 65 581 bimë kanabis, dhe rreth 650 kilogramë marihuanë e tharë, me një peshë totale prej reth 3 954 kilogramë (4 tonë). Po kështu konfiskuan armë, pajisje survejimi, si dhe një makinë me shenja policie në terrtorin e kompanisë Jovanjica në Stara Pazova, Vojvodinë.9 Kjo ishte një nga sasitë më të mëdha me drogë të konfiskuara ndonjëherë në Serbi.10 Çështja gjyqësore kundër pronarit të kompanisë së ushqimeve, dhe tetë të akuzuarve të tjerë, nisi në korrik. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e publikut edhe si pasojë e dyshimeve mbi lidhjet e të akuzuarve me politikën, dhe bashkëpunëtorë të tyre në shërbimet informative shtetërore.

Mbetet për t’u parë nëse ky ishte një rast i izoluar apo një prirje e re për shtimin e kultivimit të kanabisit në Serbi, dhe në rajon. Sasi të vogla kanabisi janë raportuar në Kosovë (policia gjeti 1 753 bimë kanabis gjatë periudhës janar-qershor 2020).11 Në Bosnjë Hercegovinë, Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes zbuloi në muajin qershor një pikë për rritjen e kanabisit në ambient të mbyllur në Sarajevë,12 ndërsa janë raportuar edhe raste të kultivimit të sasive të vogla të kanabisit në natyrë. Në Maqedoninë e Veriut, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është lejuar me ligj që nga viti 2016, duke vendosur kushte dhe kritere strikte për marrjen e liçensës.

GI-TOC do të hedhë më shumë dritë mbi tregjet e drogave në vendet e Ballkanit perëndimor në një raport që do të publikohet gjatë muajve të parë të vitit 2021.

Shënime

  1. Linda Pressly, Kryeqendra evropiane e rritjes së kanabisit në natyrë (Europe’s outdoor kanabisit capital), BBC News Shqipëri, 1 dhjetor 2016, https://www.bbc.com/news/magazine-38111945

  2. Fatjona Mejdini and Kristina Amerhauser, Rritet si bar i keq? Analizim i traditës shqiptare të kultivimit të kanabisit (Growing like weeds? Rethinking Albania’s culture of kanabisit cultivation), Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, dhjetor 2019, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2019/12/AlbaniaCannabis.14.12.web_.pdf

  3. Prodhuesit shqiptarë të kanabisit luftojnë me 800 policë në fshatin e Lazaratit (Albanian kanabisit growers and 800 police battle in lawless village of Lazarat), The Guardian, 17 qershor 2014, https://www.theguardian.com/world/2014/jun/17/albanian-cannabis-growers-800-police-battle-lazarat

  4. Daniela Castro, Shqipëri: Prodhimi i kanabisit ende vazhdon (Albania: Cannabis production far from coming to an end), 5 korrik 2016, https://www.occrp.org/en/daily/5441-albania-cannabis-production-far-from-coming-to-an-end

  5. Walter Kemp, Tentakulat e Krimit Ndërkombëtar: Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor, GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/transnational-tentacles-wb6/

  6. Raport i përmuajshëm statistikor Ministrisë së Brendshme, Shqipëri, qershor 2020, https://mb.gov.al/wp-content/uploads/2020/08/Raporti-Qershor-2020.pdf

  7. Drejtoria Hetimore Antimafia (Direzione Investigativa Antimafia), Aktiviteti i zhvilluar dhe rezultatet e arritura nga Drejtoria Hetimore Antimafia (Attività volta e risultati conseguiti dalla Direzione Investigativa Antimafia), korrik-dhjetor 2019, https://direzioneinvestigativaantimafia.interno.gov.it/semestrali/sem/2019/2sem2019.pdf

  8. Nate Tabak, Në ish-kryeqendrën e marihuanës në Evropë, i vetmi bar është ai që hanë delet (In Europe’s former pot capital, now the only grass is for sheep), PRI, 30 tetor 2017, https://www.pri.org/stories/2017-10-30/europe-s-former-pot-capital-now-only-grass-sheep

  9. Reuters, Serbia kap katër tonë marihuanë në një fermë ushqimesh organike (Serbia seizes four tonnes of marijuana in organic food farm), 26 nëntor 2019, https://www.reuters.com/article/us-serbia-police/serbia-seizes-four-tonnes-of-marijuana-in-organic-food-farm-idUSKBN1Y01YC

  10. Jelena Zorić dhe Ana Novaković, Specijalna emisija “Jovanjica - kada je cvetala marihuana”, N1, 15 qershor 2020, http://rs.n1info.com/Video/Info/a610222/Jovanjica-kada-je-cvetala-marihuana.html

  11. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, Mbrojtja e rendit në kohë pandemie: Raport i punës gjashtëmujore të policisë së Kosovës, janar- qershor 2020, https://www.kosovopolice.com/wp-content/uploads/2020/09/Policimi-n%C3%AB-koh%C3%ABn-e-pandemis%C3%AB-anglisht.pdf

  12. Noviglas, Objavljen snimak policijske akcije – Otkrivena jedna od najskupljih laboratorija za uzgoj droge u BiH, 11 shtator 2019, https://noviglas.info/2019/09/11/objavljen-snimak-policijske-akcije-otkrivena-jedna-od-najskupljih-laboratorija-za-uzgoj-droge-u-bih-video/