Paratë vijnë në shtëpi për pushime

Gjatë periudhës qershor - gusht në sezonin e verës, policia në Shqipëri konfiskoi disa qindra mijëra euro në para të thata, në pikat kryesore të kalimit kufitar, dhe në aeroportin Nënë Tereza. Por kjo është vetë maja e ajsbergut, pasi çdo vit miliona euro hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, një shembull tipik i transferimit të paligjshëm të parave drej vendeve të Ballkanit perëndimor.

Kontrolli i kufirit në rajon përqendrohet kryesisht mbi gjetjen dhe kapjen e ngarkesave me cigare kontrabandë, drogave, dhe mallrave të falsifikuara, por më pak vëmendje i kushtohet kalimit të paligjshëm të parave. Pjesa më e madhe e këtyre parave janë të ardhura kriminale.1

Kalimi i kufirit me para me vete nuk paraqet shumë rrezik. Të ardhura nga krimi nga vende të Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe shpesh fshihen në ndarje dhe xhepa të fshehta në makina dhe kamionë, dhe transportohen përtej kufijve. Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit nga GI-TOC mbi prurjet e paligjshme financiare, elementë kriminalë i kërkojnë edhe pjesëtarëve të familjes, të afërmve dhe miqve që të marrin me vete kur kthehen në shtëpi shuma parash në këmbim të një shpërblimi të vogël. Edhe persona që punojnë në mënyrë të ndershme në vende të huaja, por që paguhen me para në dorë, shpesh kërkojnë nga individë me pasaporta të BE-së apo Britanisë së Madhe (si dhe nga shtetas amerikanë, kanadezë, apo nga vende të tjera me pasaporta ‘të forta’) që t’i dërgojnë paratë e tyre në vendet e origjinës.2 Një shofer kamioni tregoi se paguhet me 10 për qind të shumës së parave që arrin të transportojë. Elementë kriminalë që jetojnë në Britaninë e Madhe, që njihen edhe si “çunat e Londrës’, thuhet se paguajnë mirë për këto shërbime.3 Kalimi i paligjshëm i parave ka prirje të shtohet gjatë muajve të verës kur emigrantët kthehen në shtëpi për pushime.

Kartëmonedha me vlerë 16,000 euro u gjetën të fshehura në një qese plastike në kabinën e një kamioni që po kalonte për në Kosovë nga pika e kalimit kufitar të Bllacës në Maqedoninë e Veriut, qershor 2020.

Kartëmonedha me vlerë 16,000 euro u gjetën të fshehura në një qese plastike në kabinën e një kamioni që po kalonte për në Kosovë nga pika e kalimit kufitar të Bllacës në Maqedoninë e Veriut, qershor 2020.

Kjo tabelë rendit rastet e konfiskimit të sasive të parave në hyrje dhe dalje nga Shqipëria, gjatë periudhës qershor - gusht 2020, duke përfshirë edhe aeroportin e Rinasit.

Pika e kalimit Data Sasia e kapur
Durrës 13 qershor 2020 €498 850
Rinas 3 korrik 2020 €18 500
Rinas 3 korrik 2020 €12 900
Morinë 5 korrik 2020 CHF 77 160
Rinas 7 korrik 2020 GBP 15 000
Tre Urat 9 korrik 2020 GBP 26 820
Durrës 28 korrik 2020 €78 730
Rinas 31 korrik 2020 €15 000
Rinas 5 gusht 2020 GBP 22 000
Rinas 28 gusht 2020 GBP 31 850
Rinas 28 gusht 2020 GBP 10 000

Figura 3 Sasitë e parave të konfiskuara në Shqipëri, qershor – gusht 2020.

Burimi: Informacion i dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

Këto shifra nuk janë asgjë në krahasim me një rast të bujshëm në qershor 2018, kur doganierët e portit të Durrësit konfiskuan 3.4 milionë euro në rimorkion e një kamioni që vinte nga Belgjika (që është një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës nga Amerika Latine në Evropën perëndimore).4

Hyrja dhe dalja e sasive të mëdha të parave nga vendet e Ballkanit perëndimor është relativisht e lehtë për t’u fshehur, pasi një pjesë e aktivitetit të përditshëm ekonomik kryhet me pagesa me para në dorë. Madje është diçka e zakonshme që të kryhen blerje me para në dorë edhe për shifra të mëdha, si blerja e pronave luksoze. Ndonëse pjesa më e madhe e këtyre transaksioneve janë thjesht informale, dhe jo të paligjshme, ato krijojnë hapësira dhe mundësi që elementë kriminalë të mbledhin, të lëvizin, dhe të fshehin sasi të mëdha parash pa lënë asnjë gjurmë në sistemin e rregullt financiar.

Përse kryhen pagesa me para në dorë për shuma të mëdha, në vend që të bëhen transaksione bankare apo transferta të shpejta të parave? Ka mungesë besimi në sistemin bankar e financiar, apo kanë ndonjë gjë për të fshehur? Apo kemi të bëjmë me një problem sistemik, që mund të lidhet me fakin se një pjesë e madhe e popullatës (veçanërisht në veri të vendit) nuk kanë llogari bankare apo akses në bankomate?5 Cilado qoftë arsyeja, mungesa e transparencës natyrisht që lë vend për dyshime. Ka raportime se biznesmenë të fuqishëm që punojnë në rajon mbajnë me vete shuma të mëdha parash kur udhëtojnë nga një vend në tjetrin, por konsiderohen si të ‘paprekshëm’ nga punonjësit e doganave. Gjatë një interviste, një punonjës doganash përmendi emrin e një biznesmeni, që dyshohet se transporton para ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe ngaqë ka investime në të dy vendet. Punonjësi i doganave tha, ‘Nuk guxon njeri t’ia kontrollojë bagazhin e makinës, kaq i fuqishëm është. Askush nuk guxon ta ndalojë dhe t’i kontrollojë makinën.’6

Kjo është një çështje që kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje nga forcat e zbatimit të ligjit. Qeveritë duhet të trajnojnë dhe të inkurajojnë personelin e kufirit, duke përfshirë edhe policinë dhe punonjësit e doganave, që t’i japin prioritet kalimit të paligjshëm të parave në vend që të kufizohen vetëm tek droga dhe mallrat kontrabandë. Në mënyrë që të arrihet ky ndryshim prioritetesh, mund të jetë e nevojshme që të shtohet numri i personelit dhe të pajisen me aparatura dhe bazë teknike për të diktuar kontrabandën e parave (si qen për diktimin e parave, dhe apatura skanimi me rreze X). Megjithatë, nuk mjafton vetëm zbulimi i kësaj kontrabande. Ky aktivitet duhet dekurajuar duke ndërmarrë hetime mbi origjinën e parave të kapura. Transferimi i paligjshëm i parave është vepër penale që mund të luftohet duke ndryshuar qëndrimet, si të personave që kalojnë para kontrabandë, ashtu dhe të atyre që shpesh bëjnë një sy qorr.

Shënime

  1. Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhauser, Prurje financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut: Faktorët kryesorë dhe prirjet aktuale, GI-TOC, gusht 2020, https://globalinitiative.net/iffs-western-balkans/

  2. Po aty. 

  3. Intervistë me një tregtar italian me aktivitet në Gjermani, Itali dhe Shqipëri, janar 2020, Tirana. 

  4. Reuters, Shqipëria konfiskon 3.4 milionë euro në kesh, që mendohet se vijnë nga droga në portin e Adriatikut (Albania seizes 3.4 million euros cash in alleged drug profits in Adriatic port), 25 qershor 2018, https://www.reuters.com/article/us-albania-crime-cash/albania-seizes-34-million-euros-cash-in-alleged-drug-profits-in-adriatic-port-idUSKBN1JL2AT

  5. Shiko https://www.bankofalbania.org/rc/doc/STRATEGJIA_KOMB_TARE_P_R_PAGESAT_ME_VLER_T_VOG_L_N_SHQIP_RI_2018_12125.pdf?fbclid=IwAR22L5ufqc_vb8I880uZ
    nrcdEMHnmGS1ynrE3l8Ay3Wy_Zs2uOXrRw5n-pI

  6. Intervistë me një zyrtar doganash në Shqipëri, janar 2020.