Korrifdori ballkanik dhe COVID-19: Më shumë kufizime, më shumë vuajtje
Pesë vite më parë, dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë kaluan nëpër Evropën juglindore duke u munduar që të arrijnë në perëndim. Në ditët e sotme, korridori ballkanik është mbyllur thuajse fare: në kufij është rritur niveli i sigurisë, dhe emigrantët e refugjatët e dëshpëruar po detyrohen të zmbrapsen. Kriza humanitare po përkeqësohet gjithnjë e më shumë pasi grupe me njerëz të rraskapitur nuk janë në gjendje të lëvizin, dhe kanë akses të kufizuar në kujdes shëndetësor. Të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë janë trafikantët e emigrantëve.
Ndonëse numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve që lëvizin nëpër Ballkan është shumë herë më i ulët se gjatë periudhës së kulmit, në vitin 2015, ka akoma njerëz që e marrin në sy rezikun. Duke qenë se kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është bërë më i vështirë për t’u kaluar, duket se fluksi i emigrantëve është spostuar për në perëndim, duke kaluar nga Greqia nëpër kufirin jeshil me Shqipërinë dhe më tej drejt Malit të Zi. Në vitin 2019, reth 12,000 të huaj u ndaluan në Shqipëri, dhe më shumë se gjysma e tyre aplikuan për azil (6,678), një shifër që është gati 11 herë më e madhe në krahasim me vitin 2017.1 Shumica më e madhe e këtyre azilkërkuesve dhe emigrantëve janë nga Siria, të ndjekur nga Iraku, Pakistani, Maroku, Algjeria, Libia, Palestina, dhe Afganistani. Kjo ka krijuar një situatë të favorshme për trafikantët e qenieve njerëzore. Për shembull, në qershor 2019, policia shqiptare shkatërroi një grup kriminal (i drejtuar nga një turk) që mundohej të kalonte ilegalisht sirianë, turq, dhe irakenë nga Greqia për në Evropën perëndimore.2 Një muaj më pas u godit një rrjet trafikimi ndërsa po mundoheshin të kalonin tetë shtetas pakistanezë nga Greqia për në Shqipëri dhe Mal të Zi. Më 10 shtator 2020, policia shqiptare police goditi një rrjet trafikimi që po mundohej të kalonte 16 emigrantë drejt BE-së.3
Për t’iu kundërvënë këtyre ndryshimeve, Frontex – agjencia e kufirit dhe rojës bregdetare të BE – filloi patrullimin e kufirit të Shqipërisë me Greqinë në vitin 2019. Kjo është hera e parë që Frontex kryen një mision në vende të Ballkanit perëndimor. Në dhjetor 2019, Këshilli për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Malit të Zi vendosi që të angazhonte ushtrinë për të ndihmuar policinë kufitare. Qeveria e kaluar malazeze po mendonte që të bënte një rrethim me gardh, tip kloni, të kufirit me Shqipërinë, duke përdorur tela që ia dha qeveria hungareze. I mbetet qeverisë së re që të vendosë nëse ky gardh do të ndërtohet apo jo.
Në ditët e sotme, numri i personave në lëvizje është relativisht i ulët, si pasojë e rritjes së nivelit të sigurisë në kufij, dhe izolimit nga COVID- 19. Për shembull, në shkurt 2020, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët raportoi se 2,633 emigrantë të rinj kishin hyrë në Serbi. Në mars, kishte 1,669 hyrje të reja, ndërsa në muajin prill, në kulmin e pandemisë, u regjistruan vetëm 270 persona.4
© Iain Burns/SOPA Images/LightRocket via Getty Images
Pandemia shkaktoi kufizime të konsiderueshme të lëvizjeve brenda vendeve, dhe ndërmjet shteteve. Në Serbi, pati një kufizim strikt të lëvizjeve dhe u vendos shtetrrethim në 20 qendra pritjeje dhe qendra për azilkërkues. Refugjatët dhe emigrantët që kapeshin nga policia jashtë kampeve i kthenin pas në këto qendra. Në Bosnjë Hercegovinë, emigrantët që hynin në territorin e Republikës së Serbëve të Bosnjës (Republika Srpska) detyroheshin që të kalonin në Federatën e Bosnjë Hercegovinës.5 Si pasojë e këtyre zhvillimeve po rëndohet situata në verilindje të vendit, në zonën rreth Bihaç, në Federatën e Bosnjë Hercegovinës, pranë kufirit me Kroacinë.6 Si rezultat, hyrja në kantonin Una-Sana, pranë kufirit kroat, është kufizuar për të penguar fluksin e emigrantëve.7
Shumica e emigrantëve dhe azilkërkuesve po mundohen të kalojnë tranzit nëpër rajon. Në Mal të Zi, për shembull, njerëzit që kalojnë nëpër këtë shtet zakonisht janë të rinj nga Maroku, Algjeria, Afganistani, Iraku, dhe Siria. Pjesa dërrmuese e atyre që aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare largohen vullnetarisht nga Mali i Zi – madje edhe para se të merret vendimi në lidhje me aplikimin e tyre.
Sidoqoftë, si pasojë e COVID-19 dhe mbyljes së korridorit ballkanik, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për emigrantët dhe azilkërkuesit që të largohen nga ky rajon për në Evropën perëndimore. Kjo po krijon një krizë humanitare, dhe një grup të madh njerëzish të dëshpëruar që mund të shfrytëzohen nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Problemi më i madh ndeshet në veriperëndim të Bosnjë Hercegovinës, pranë kufirit me Kroacinë (pikës së hyrjes në BE). Si pasojë e tejmbushjes së kampeve ekzistuese në kantonin Una-Sana, shumë persona detyroheshin të flinin nëpër rrugë. Ky problem u zgjidh në pranverën e vitit 2020 me hapjen e një kampi të ri në Lipa. Aktualisht, rreth 1 100 emigrantë po jetojnë në një kamp, që është ndërtuar për 1 000 persona.8 Sidoqoftë, disa dëshmitarë okularë i raportuan studiuesve tanë se ka akoma qindra emigrantë që jetojnë në pyllin përreth kampit.
Dëshpërimi dhe acarimi i emigrantëve duket se sa vjen e shtohet: ka patur raportime mbi përplasje dhe zënka midis grupeve të ndryshme etnike në kampin e Sarajevës,9 dhe mendohet se një nga arsyet është zënia e pikave më të mira për të lypur në kryeqytetin e Bosnjës. Edhe banorët vendas në Bihaç dhe në Kladushën e Madhe (Velika Kladuša) janë acaruar dhe po bëhen merak, jo vetëm për numrin gjithnjë në rritje të emigrantëve dhe refugjatëve në komunitetet e tyre, por edhe nga krimet e vogla dhe frika e përhapjes së COVID.10 Disa të tjerë po përfitojnë nga situata duke dhënë me qera apartmente, apo duke u marrë me transportimin e emigrantëve, për shembull, duke punuar si taksi nga kantoni Una-Sana Canton në drejtim të Tuzlës, apo Sarajevës. Thuhet se çmimi i rrugës nga Kladusha e Madhe deri në Sarajevë është rreth 100 euro për person.
Ky bllokim njerëzish në veriperëndim duket se po shtyn disa azilkërkues dhe emigrantë, që hyjnë në Bosnjë nga jugu, ta hedhin vështrimin nga lindja dhe jo nga perëndimi: kohët e fundit ka patur raportime se emigrantët po mundohen të kalojnë nga Bosnja në Mal të Zi, në drejtim të Nikshiç, duke kaluar anash pikës kufitare në Klobuk, në jug të Bosnjës. Sipas burimeve nga policia kufitare e Bosnjës, më shumë se 400 persona në muaj mundohen të kalojnë nëpër këtë korridor, dhe trafikantët e qenieve njerëzore paguhen nga 200 deri në 1 000 euro për kalim (në varësi të vendit ku dërgohen).
Ndonëse pati raportime se çmimet për kalime të paligjshme u rritën pas heqjes së kufizimeve dhe izolimit në fillim të muajit maj – si pasojë e rritjes së kërkesës – ato tashmë janë stabilizuar. Në fakt, raportohet se çmimet për kalimet e lumit Drina, në kufirin midis Serbisë dhe Bosnjës, janë ulur (në rreth 200 euro për person), çka sugjeron se mund të jetë reduktuar lëvizja në këtë korridor.11
Nuk është e qartë se sa të organizuara janë rrjetet lokale të trafikimit. Në disa raste, emigrantët tentojnë të kalojnë kufirin pa ndërmjetës. Në raste të tjera, aktiviteti duket se zhvillohet nga banorë vendas që mundohen të shfrytëzojnë situatën, apo nga kontrabandistë të vegjël që e njohin mirë terrenin. Shumë nga emigrantët në lëvizje janë të varfër. Për pasojë, fitimet nga trafikimi i njerëzve varen nga volumi: si në rastin e grupeve të mëdha që lëvizin njëkohësisht, apo në rastin e një rrjedhe konstante grupesh të vogla të drejtuar drejt të njëjtës pikë. Shumica e personave në këtë rrjedhë njerëzimi lëvizin nga një pikë në tjetrën, në varësi të këshillave që u jepen nga trafikantët, miqtë, apo banorët vendas. Edhe policia paguhet ndonjëherë që të bëjë sikur nuk shikon gjë.
Gjatë udhëtimit në distanca të mëdha, emigrantët detyrohen që t’iu drejtohen për ndihmë trafikantëve – nëse kanë para për t’i paguar. Sa më e gjatë të jetë distanca, aq më i lartë do të jetë çmimi. Fitimet më të mëdha regjistrohen nga ata që mund të organizojnë dhe mundësojnë udhëtimin nëpër Ballkanin perëndimor, për shembull, nga Turqia në Greqi, nëpër Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri, drejt Malit të Zi dhe Serbisë për në Hungari, apo nga Bosnjë Hercegovina për në Kroaci dhe Slloveni. Ka të dhëna se disa nga këto rrjete janë përfshirë në krimin e organizuar ndërkombëtar.12 Për shembull, në fillim të muajit shtator 2020, pesë persona u arrestuan nga policia e Bosnjës,13 duke përfshirë edhe dy shtetas serbë, që kërkoheshin nga INTERPOL për kontrabandë dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Shënime
-
Të huaj në Shqipëri, Instat, 21 gusht 2020, http://www.instat.gov.al/media/7362/foreigners-in-albania.pdf. ↩
-
B Koleka, Shqipëria shkatërron një bandë për trafikim emigrantësh për në BE, tetë persona arrestohen (Albania busts gang trafficking emigrantwve into EU, arrests eight), Reuters, 13 qershor 2019, https://www.reuters.com/article/us-albania-migrants-trafficking/albania-busts-gang-trafficking-migrants-into-eu-arrests-eight-idUSKCN1TE2RW. ↩
-
Shiko FJALA, 10 shtator 2020, https://fjala.al/2020/09/10/transportonin-drejt-vendeve-te-be-se-16-emigrante-te-paligjshem-ne-pranga-26-vjecari-dhe-bashkepunetori-i-tij/?fbclid=IwAR14Tc7x2Jh7QblXpOxX2ucpOPQsxs76_TB4uRvJxdNWHaWMcAyL_2we_HA. ↩
-
UNHCR informacion i rifreskuar mbi Serbinë, ReliefWeb, mars 2020, https://reliefweb.int/report/serbia/unhcr-serbia-update-march-2020. ↩
-
D Maksimovic, Nehumane politicke igre s migrantima u BiH, Deutsche Welle, 21 gusht 2020, https://www.dw.com/hr/nehumane-političke-igre-s-migrantima-u-bih/a-54650069. ↩
-
B.R., Nove tenzije u Velikoj Kladusi zbog emigrantwveke krize, na ulicama veci broj policajaca, Klix, 17 gusht 2020, https://www.klix.ba/vijesti/bih/nove-tenzije-u-velikoj-kladusi-zbog-migrantske-krize-na-ulicama-veci-broj-policajaca/200817142. ↩
-
Donesena odluka: Ovo su sve zabrane koje se ticu migranata, Oslobodjenje, 19 gusht 2020, https://www.oslobodjenje.ba/vijesti/bih/donesena-odluka-ovo-su-sve-zabrane-koje-se-ticu-migranata-582972. ↩
-
Peter Van der Auweraert Shef i Misionit, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, koordinatori për Ballkanin perëndimor, Twitter, 8 shtator 2020, https://twitter.com/PeterAuweraert/status/1303344674631974912. ↩
-
N.V., U masovnoj tucnjavi u emigrantwvekom centru Blazuj tesko povrijedena tri migranta, Klix, 13 prill 2020, https://www.klix.ba/vijesti/bih/u-masovnoj-tucnjavi-u-migrantskom-centru-blazuj-tesko-povrijedjena-tri-migranta/20041312. ↩
-
Eskalacija krize u Velikoj Kladusi, obracun gradana s migrantima, BHRT, 18 gusht 2020, https://bhrt.ba/eskalacija-krize-u-velikoj-kladusi-obracun-gradana-s-migrantima/. ↩
-
A Omerovic, Srbijanska policija pomaze migrantima da predu na teritoriju BiH!, Zurnal, 7 shtator 2020, https://zurnal.info/novost/23363/srbijanska-policija-pomaze-migrantima-da-predu-na-teritoriju-bih. ↩
-
Infoemigrants, Bosnja dhe Kroacia arrestojnë tetë persona të dyshuar për trafikim emigrantësh (Bosnia and Croatia arrest eight suspected migrant smugglers), 28 maj 2020, https://www.infomigrants.net/en/post/25052/bosnia-and-croatia-arrest-eight-suspected-migrant-smugglers. ↩
-
GP BIH, Na području Goražda sprijeceno krijumcarenje migranata, 7 shtator 2020, http://www.granpol.gov.ba/Publication/Read/937884?title=Na&fbclid=IwAR0ph2vMnSAoxIIsWJ5xG-CjiOd7kQ4K31Hs7iiu5mZ97o74S7giQajBEmw. ↩