Nuk ka bllokim COVID për bandat e Kotorit

Mali i Zi ishte nën izolim përgjatë pjesës më të madhe të pranverës. Ishte vendi i fundit në Evropë pa asnjë rast COVID-19 (deri më 17 Mars),1 dhe 68 ditë më vonë (më 24 maj), ishte vendi i parë në Evropë që deklaroi se nuk kishte më virus në territorin e tij.2 Por, ndërsa qeveria trumbetonte punën e saj mbi administrimin e krizës së pandemisë, po mbante një qëndrim më pak agresiv ndaj krimit të organizuar.

Bosët e klaneve rivale Kavaç dhe Shkaljari, që ishin arrestuar në vitin 2018, tashmë janë që të dy të liruar me kusht nën një mbrojtje të fortë policore, por ndërkohë, cikli i vrasjeve për hakmarrje ndërmjet dy bandave vazhdon i pandërprerë.

Vrasjet për hakmarrje midis grupeve kriminale malazeze nisën pas zhdukjes së një sasie kokaine në Spanjë, në vitin 2014 (gjë që solli edhe një çarje mes grupeve kriminale me bazë në Kotor). Vrasjet vazhduan edhe gjatë krizës së COVID-19, pavarësisht masave të marra për izolim. Një person u vra dhe një tjetër u plagos më 4 mars, kur makina e tyre shpërtheu pranë një supermarketi në kryeqytetin malazez të Podgoricës. U plagos edhe një kalimtar i rastit. Të dy burrat që ishin brenda në makinë ishin personazhe të njohur nga policia; dhe personi i vrarë mendohet se ishte një nga anëtarët e klanit Shkaljari.3

Pak kohë pas kësaj, katër burra u munduan të vrisnin personin që mendohet se është bosi i klanit rival Kavaç, Radoje Zvicer, në Kiev, më 27 maj.4 Më pas, dy pjesëtarë të klanit Shkaljari u vranë në mënyrë brutale me breshëri armësh automatike në ishullin e Korfuzit, më 23 korrik.5 Këto vrasje ndjekin një prirje që është analizuar nga GI-TOC në një raport të publikuar në korrik 2020, ‘Vrasja e rivalëve: Çfarë tregojnë vrasjet mbi luftën malazeze të drogës’.6

Dy pjesëtarë të rangjeve të larta të klaneve rivale u liruan nga burgu këto kohët e fundit. Ai që mendohet se është kreu i klanit Shkaljari, Jovan Vukotiç (Vukotić), i cili ishte arrestuar në Turqi në vitin 2018, u lirua nga burgu në fund të muajit korrik 2020, ngaqë prokuroria nuk arriti dot që të plotësonte dosjen kundër tij brenda afateve ligjore.7 Vukotiç akuzohej për tentativë vrasje, si dhe për mbajtje të paligjshme armësh dhe eksplozivësh. Më parë ai ka vuajtur një dënim me 15 muaj burg për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar. Lirimi i tij me kusht, vjen pas daljes nga burgu të Slobodan Kashçelan (Kašćelan ose Kascalan), që mendohet se është kreu i klanit Kavaç, i cili ishte arrestuar në Pragë në dhjetor 2018.8 Kashçelan u lirua në dhjetor 2019 pasi pagoi garancinë e lirimit me kusht me vlerë rreth 500,000 euro. Prokuroria kishte deklaruar se Kashçelan drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafikimin e drogës, pastrimin e parave, dhe zhvatje.9

Ekspertë të policisë kriminale mbledhin prova pas shpërthimit me eksploziv të një makine në Podgoricë, Mal i Zi, në mars 2020, ku u vra një person që mendohej se ishte pjesëtar i klanit Shkaljari.

Ekspertë të policisë kriminale mbledhin prova pas shpërthimit me eksploziv të një makine në Podgoricë, Mal i Zi, në mars 2020, ku u vra një person që mendohej se ishte pjesëtar i klanit Shkaljari.

© PetarJovanovic/eStock

Pavarësisht nga natyra e përgjakshme dhe kohëzgjatja e këtij konflikti bandash, që po dëmton reputacionin e Malit të Zi, ky problem u injorua thuajse plotësisht nga politikanët gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 30 gusht. A do të ketë vullnet qeveria e re e Malit të Zi për të ndalur këtë luftë kokaine midis klaneve rivale? Ka shenja se koalicioni i ri qeveritar mund të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj krimit të organizuar – të paktën në letër. Në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet tre partive të koalicionit, që u firmos më 8 shtator 2020, tre kryetarët e partive u zotuan se ‘qeveria e re demokratike në Mal të Zi do të depolitizojë tërësisht institucione qeverisëse kyçe, me qëllim që të zhvillohet një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’.10

Në realitet, nuk do të jetë e lehtë për qeverinë e re malazeze që të shpërbëjë lidhjet dhe rrjetet e krijuara nga klanet e Kotorit, që janë ingranuar dhe ngulitur thellë në jetën e atij vendit dhe më gjerë, falë sasive të mëdha me para nga trafikimi i kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës perëndimore. Nuk duhet harruar fakti se, ndonëse Partia Demokratike e Socialistëve humbi zgjedhjet për herë të parë pas 30 vjetësh, kryetari i partisë, Milo Xhukanoviç, vazhdon të jetë president i vendit. Sidoqoftë, angazhimi serioz për t’u marrë me këtë problem, duke patur edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do të tregojë se qeveria e re e Malit të Zi ka vullnetin dhe aftësinë për të lënë pas disa aspekte të errëta të të kaluarës së vendit.

Shënime

  1. Mali i Zi është vendi i fundit në Evropë pa koronavirus, RT magazine, 13 mars 2020, https://www.rtmagazine.com/disorders-diseases/infectious-diseases/other-infections/montenegro-coronavirus-free-europe/

  2. Nuk ka më korona në Malin e Zi, profili në Twitter i qeverisë së Malit të Zi, 24 maj 2020, https://twitter.com/MeGovernment/status/1264598489318776832

  3. Biljana Nikolić, Bomba aktivirana ispod auta: Božović poginuo, Keković teško povrijeđen, Vijesti, 4 mars 2020, https://www.vijesti.me/vijesti/crna-hronika/424181/podgorica-eksplozivna-naprava-aktivirana-ispod-automobila

  4. Zdravko Ljubas, Bosi malazez i krimit qëllohet në Ukrainë, arrestohen disa persona të dyshuar (Montenegrin crime boss shot in Ukraine, suspects arrested), Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCPR), 28 maj 2020, https://www.occrp.org/en/daily/12424-montenegrin-crime-boss-shot-in-ukraine-suspects-arrested

  5. Jelena Jovanović, Ubijeni Alan Kožar i Damir Hadžić, Vijesti, 23 korrik 2020, https://www.vijesti.me/vijesti/crna-hronika/453745/ubijeni-alan-kozar-i-damir-hadzic

  6. Walter Kemp, Vrasja e rivalëve: Çfarë tregojnë vrasjet mbi luftën malazeze të drogës (Making a killing: What assassinations reveal about the Montegrin drug war), GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/07/Making-a-killing-What-assassinations-reveal-about-the-Montenegrin-drug-war.pdf

  7. Për detaje mbi arrestimin e Jovica Vukotić, shiko CDM, 11 shtator 2018, https://m.cdm.me/english/details-on-arrest-of-jovica-vukotic/

  8. Kascalan arrestohet në Pragë, Mina, 14 dhjetor 2018, https://mina.news/english-news/kascalan-arrested-in-prague/

  9. Milica Vojinović, Šef Kavaçkog klana izlazi iz pritvora, Crime and Corruption Reporting Network (KRIK), 11 dhjetor 2019, https://www.krik.rs/sef-kavackog-klana-izlazi-iz-pritvora/

  10. Samir Kajosevic, Politikanët malazezë të koalicionit qeverisës bien dakord për kursin ‘pro-evropian’ (Montenegro coalition leaders agree on ‘pro- European’ course), Balkan Insight, 9 shtator 2020, https://balkaninsight.com/2020/09/09/montenegro-coalition-leaders-agree-on-pro-european-course/