Buletini i rreziqeve Shkarkoni PDF

Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore

Numri
1
Shtator–Tetor
2020

Përmbledhje e pikave kryesore

  1. Nuk ka bllokim COVID për bandat e Kotorit

    Ka më shumë se pesë vjet që vazhdon një konflikt bandash midis dy grupeve kriminale nga Kotori, në bregdetin malazez. Vrasjet vazhdonin, ndonëse pjesa më e madhe e Malit të Zi ishte nën izolim dhe bllokim lëvizjesh gjatë krizës së COVID-19,. Megjithëse dhuna dhe konflikti vazhdon, dy krerët e klaneve rivale Kavaç (Kavač) dhe Shkaljari (Škaljari), që u arrestuan me shumë bujë në vitin 2018, tashmë janë liruar me kusht. Qeveria e re malazeze është zotuar që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por, a do të jetë në gjendje që të ndalë luftën e kokainës?

    Lexo më shumë

  2. Prodhimi i kanabisit shqiptar kalon në ambiente të mbyllura

    Shqipëria ka marrë një nam disi të dyshimtë si prodhuesja më e madhe e kanabisit në Evropë. Ndërkohë, disa grupe kriminale shqiptare e kanë transferuar procesin e prodhimit në vende të Evropës perëndimore, ku e kultivojnë kanabisin brenda ambienteve të mbyllura. Ndërkohë që Shqipërisë i ka dalë nami i keq, kapja e një sasie të madhe droge në Serbi tregon se mund të ketë edhe pika të tjera të kultivimit të dendur të kanabisit në këtë rajon.

    Lexo më shumë

  3. Paratë vijnë në shtëpi për pushime

    Gjatë sezonit të verës, policia në Shqipëri konfiskoi disa qindra mijëra euro në para të thata, në pikat kryesore të kalimit kufitar dhe në aeroportin Nënë Tereza. Por kjo është vetë maja e ajsbergut, pasi çdo vit miliona euro hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, një shembull tipik i transferimit të paligjshëm të parave drej vendeve të Ballkanit perëndimor, ku lulëzon ekonomia e paligjshme.

    Lexo më shumë

  4. Korridori ballkanik dhe COVID-19: Më shumë kufizime, më shumë vuajtje

    Gjatë vitit 2015, dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë kaluan nëpër Evropën juglindore gjatë udhëtimit të tyre për në perëndim. Në ditët e sotme, i ashtuquajturi korridori ballkanik është mbyllur thuajse fare: në kufij është rritur niveli i sigurisë, dhe emigrantët e refugjatët e dëshpëruar po detyrohen të zmbrapsen. Të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë janë trafikantët e emigrantëve. Kemi vënë re se një numër gjithnjë e më i madh emigrantësh po hyjnë në Ballkanin perëndimor nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë, dhe kemi analizuar metodat e përdorura për kalimin e tyre. Ky material vë në dukje edhe ndikimin negativ të kësaj situate në Bosnjë Hercegovinë, ku si rezultat i kontrollit të fortë të kufirit të Kroacisë, dhe frikës nga COVID-19, po përballen me një krizë humanitare.

    Lexo më shumë

  5. Nën shënjestër: Gazetaria investigative në Mal të Zi

    Vladimir Otasheviç (Otaševič), fitues i disa çmimeve të gazetarisë investigative në Mal të Zi, dhe redaktor i rrjetit LUPA, për raportim mbi krimin dhe korrupsionin, i shpjegon studiuesve tanë përse investigimi i krimit dhe korrupsionit në Mal të Zi është punë me rrezik. Otasheviç përshkruan situatën mediatike në Mal të Zi, dhe presionet që vijnë nga qeveria, kriminelët, dhe sektori privat. Ai e përmbyll analizën e situatës me nota pozitive, duke argumentuar se qeveria e re malazeze, që erdhi në pushtet pas partisë së Xhukanoviçit (Djukanovic), mund të përmirësojë nivelin e lirisë së medias, të rrisë integritetin e shtetit, dhe të forcojë luftën kundër krimit të organizuar.

    Lexo më shumë

Mbi këtë botim

Mirëseerdhët në numrin e parë të Buletinit të Rreziqeve të përgatitur nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, një organizatë anëtare e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC). Ky publikim i përmuajshëm, i ndërtuar në bazë të buletineve të ngjashëm mbi rreziqet, të publikuara nga observatorët e GI-TOC në rajone të tjera nëpër botë, do të raportojë mbi çështje që lidhen me krimin e organizuar, aktivitete finaciare të paligjshme, dhe korrupsionin ne rajonin e Ballkanit perëndimor.

Buletini i Rreziqeve do të fokusohet mbi zonat problematike të krimit të organizuar në Ballkanin perëndimor, ekonominë politike të krimit të organizuar, tregjet kriminale, dhe ndikimin e korrupsionit në lulëzimin e krimit të organizuar. Buletini do të botojë artikuj mbi probleme aktuale, por objektivi i tij kryesor është vlerësimi dhe analizimi i rreziqeve që vijnë nga ekonomitë e paligjshme në rajon. Do të analizohen probleme në nivele sektoriale, lokale, e kombëtare, dhe nëse është e mundur do të bëhen analiza kontekstuale të çështjes në nivel rajonal. Po kështu, Buletini do të mundohet të identifikojë edhe lidhje më të gjera në rang global me tregje dhe rrjedha kriminale, me aktorët kryesorë dhe faktorët ndihmës të krimit ndërkombëtar. Në nivel afatshkurtër, vëmendja do të përqendrohet mbi analizmin e ndikimt dhe pasojave të COVID-19 mbi krimin e organizuar rajonal, dhe vullnetin politik të autoriteteve në rajon për të luftuar këtë të fundit. Materialet dhe analizat do të hartohen nga rrjeti i studiuesve tanë në rajon dhe nga autorë të tjerë. Aty ku do të shihet me vend, do të kryhen analiza të tërthorta me artikuj nga Buletine të Rreziqeve të publikuara në rajone të tjera nga GI-TOC, për ata që kanë dëshirë të ndjekin analiza më të thelluara të situatës.

Ky botim i parë fokusohet mbi një gamë të gjerë çështjesh dhe problemesh, duke përfshirë edhe kultivimin e kanabisit në Shqipëri, dhe prirjen nga ana e grupeve shqiptare për të kaluar në rritjen e kanabisit në ambiente të mbyllura në vende të Evropës perëndimore; ndikimin e COVID-19 dhe rritjen e nivelit të sigurisë në kufij në lidhje me kalimin e paligjshëm të emigrantëve nëpër Ballkanin perëndimor; ndikimin e pandemisë mbi konfliktin e bandave të Kotorit, dhe mbi qeverinë e re në Mal të Zi; si dhe mbi fenomenin e trasferimeve të parave të thata në vende të Ballkanit perëndimor. Po kështu, kemi edhe një intervistë me një gazetar investigativ në lidhje me sfidat dhe rreziqet e ekspozimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Mal të Zi.

Një nga shtyllat kryesore të programit të GI-TOC është forcimi i qëndrueshmërisë dhe rezistencës së komunitetit ndaj krimit të organizuar. Fondi i Rezistencës mbështet organizata të shoqërisë civile, duke përfshirë edhe ato në vendet e Ballkanit perëndimor, me projekte dhe programe që kanë për qëllim të forcojnë antikorpet e komuniteteve, grupeve dhe individëve që mund të jenë të ekspozuar ndaj krimit. Buletini i Rreziqeve do të pasqyrojë edhe aktivitetin e organizatave të shoqërisë civile në rajon, që po mundohen të forcojnë rezistencën ndaj krimit të organizuar.

Nëse keni ndonjë koment apo sugjerim në lidhje me Buletinin e Rreziqeve, apo doni që të botoni materialet tuaja në këtë buletin, ju lutem kontaktoni almedina.dodic@globalinitiative.net.