Operacioni i policisë serbe pengon kontrabandimin e emigrantëve, por për sa kohë?

Që prej mesit të vitit 2022, grupet që merren me kontrabandimin e emigrantëve nga Serbia drejt Hungarisë, shtet anëtar i BE-së, janë bërë gjithmonë e më të dhunshme. Midis mesit të vitit 2022 dhe fundit të vitit 2023, pranë kufirit midis Serbisë dhe Hungarisë, ka pasur të paktën 10 përleshje me armë zjarri midis trafikantëve afganë dhe marokenë. Në këto përleshje janë përdorur edhe armë automatike.1 Si pasojë e këtyre ngjarjeve, ka pasur zemërim në të dyja anët e kufirit^,^2 dhe lojë fajësimi midis Hungarisë dhe Serbisë,3 madje Budapesti ka pretenduar se Talebanët kishin lidhje me grupet afgane që vepronin në zonën e kufirit.4

Situata arriti kulmin në tetor të vitit 2023, me vrasjen e tri afganëve pranë fshatit të Horgoshit.5 Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi (në dhjetor të vitit 2023) dhe me rritjen e presioneve nga BE-ja për marrjen e masave,6 autoritetet serbe goditën kontrabanduesit.7 Në fakt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, arriti deri aty sa ta paralajmëronte Bratislav Gashiçin, ministër i brendshëm dhe aleat i ngushtë politik, që, sikur policia të mos arrinte t’i jepte zgjidhje situatës, duhej të dërgonte ushtrinë.8

Kufiri midis Serbisë dhe Hungarisë, ndonëse ka shumë roje kufiri dhe ruhet me gardhe, ka qenë shtegu i zakonshëm i kalimit të emigrantëve që mundohen të hyjnë në BE. Për pasojë, kufiri është qendër joshëse për trafikantët. Konflikti, varfëria dhe mungesa e stabilitetit në shumë vende të botës kanë bërë që të krijohet një prurje e vazhdueshme njerëzish në lëvizje, të cilët kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, ndonëse ky numër është më i ulët sesa numri dramatik i viteve 2015-2016. Në vitin 2023, agjencia kufitare e BE-së, “Frontex”, zbuloi pothuaj 100 000 kalime kufitare të parregullta drejt BE-së nëpërmjet itinerarit të Ballkanit Perëndimor.9

Në tremujorin e katërt të vitit 2023, policia serbe kreu një varg bastisjesh për të dëbuar trafikantët. Në këtë aksion morën pjesë më shumë se 800 oficerë policie, duke përfshirë edhe njësitë e parandalimit të terrorizmit dhe xhandarmërinë. Këto forca përdorën dronë, helikopterë dhe automjete luftarake,10 në kuadër të atij që do të bëhej operacioni më i madh policor në Serbi që prej goditjes së krimit të organizuar, që ndodhi pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiç, në vitin 2003.11

Policia serbe siguroi pikat e hyrjes dhe daljes së kontrabandimit në mbarë vendin dhe ngriti katër shtabe: në Suboticë, në veri të vendit; në Dimitrovgrad, në lindje, pranë kufirit me Bullgarinë; në Preshevë, qytet që ndodhet në jug, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut; dhe në Mali Zvornik, në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën.12

Pikëkalim i mbyllur në kufirin serbo-hungarez pranë fshatit të Horgoshit. Kontrabandimi i emigrantëve drejt Hungarisë është bërë gjithmonë e më i dhunshëm.

Pikëkalim i mbyllur në kufirin serbo-hungarez pranë fshatit të Horgoshit. Kontrabandimi i emigrantëve drejt Hungarisë është bërë gjithmonë e më i dhunshëm.

Foto: Armend Nimani/AFP nëpërmjet platformës ‘Getty Images’

Si rezultat i operacionit policor, “bazat” informale të bandave të armatosura të kontrabandimit në zonat e kufirit janë shkatërruar. Pas kësaj, nuk ka pasur kallëzime për përleshje me armë. Në kuadër të këtij operacioni, policia ndaloi rreth 4 500 emigrantë.13 Krahas kësaj, ata arrestuan tetë kontrabandistë dhe 119 individë të cilët u akuzuan për vepra që kishin të bënin me trafikimin e qenieve njerëzore dhe të posedimit të paligjshëm të armëve dhe të drogave. Po ashtu, u konfiskuan edhe pushkë automatike, pistoleta, municion, pasaporta dhe drogë.14

Më tej, policia mori nën kontroll kampet shtetërore të emigrantëve (për të zëvendësuar komisariatin për refugjatët dhe emigrantët)15 dhe mbylli disa kampe të tilla, duke përfshirë ata në Sombor dhe në Suboticë, të cilët janë të dy pranë kufirit me Hungarinë; në Kikindë, që ndodhet ngjitur me kufirin me Rumaninë; dhe në Adashevci dhe Principovac, që ndodhen në kufi me Kroacinë. Mbyllja e kampeve rezultoi në përkeqësimin e kushteve në kampet që mbetën hapur, për shkak të mbipopullimit.16 Krahas situatës së rëndë humanitare, ka pasur edhe raporte sipas të cilave policia ka shkelur të drejtat e njeriut të refugjatëve dhe emigrantëve.17

Itinerari i kontrabandimit zhvendoset në Bosnje dhe Hercegovinë

Ka tri itinerare kryesore për kontrabandimin e emigrantëve drejt Serbisë. Pikat kryesore të hyrjes ndodhen në jugperëndim, rreth rajonit të Rashkës, në jug nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe në lindje nga Bullgaria. Në shkurt të vitit 2024, 35% e emigrantëve hynë në Serbi nga Bullgaria, ndërsa mbi gjysma (53%) erdhën nga Maqedonia e Veriut.18 Për shkak të goditjes së veprimtarisë nga policia, pranë kufirit me Hungarinë, pjesa më e madhe e prurjes (fluksit) tani shkon drejt Bosnjës dhe Hercegovinës. Më pas, shumica e emigrantëve udhëtojnë në Sarajevë dhe pastaj në Bihaç ose Velika Kladushë, me qëllim që të kalojnë kufirin për në Kroaci.19 Gjermania, Italia dhe Franca janë tri prej vendeve kryesore drejt të cilave synojnë të shkojnë emigrantët, edhe pse destinacioni përfundimtar varet nga kombësia e emigrantit.20

Ndonëse operacioni policor duket se ka arritur të shkatërrojë me sukses disa grupe ose rrjete të kontrabandimit, kjo nuk ka çuar në ndalimin e prurjes së refugjatëve dhe të emigrantëve. Në fakt, itinerari i tyre vetëm sa ka ndryshuar vendin.21 Në shkurt të vitit 2024, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me destinacionet e tyre të radhës, shumica e emigrantëve (82%) në Serbi përmendën Bosnjën dhe Hercegovinën, 9% thanë se planifikonin të udhëtonin drejt Hungarisë, ndërsa 7% të tjerë thanë se kishin për qëllim të shkonin drejtpërdrejt nga Serbia në Kroaci.22 Më përpara, në vitin 2022, emigrantët përpiqeshin të dilnin nga Serbia kryesisht në kufijtë veriorë të këtij vendi me Hungarinë.23

Itineraret e reja të kontrabandimit të njerëzve në Serbi pas ndërhyrjes së policisë.

Figura 1 Itineraret e reja të kontrabandimit të njerëzve në Serbi pas ndërhyrjes së policisë.

Qendra e të gjitha itinerareve të kontrabandimit është kryeqyteti, Beogradi. Përgjatë itinerarit jugperëndimor, emigrantët zakonisht lëvizin nga qytetet e Tutinit dhe Sjenicës, ku kampet e emigrantëve janë ende të hapura, në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës ose Beogradit, si destinacion fillestar i rrugëtimit. Në lidhje me lëvizjet e mëvonshme në drejtim të BE-së, Priboji, që ndodhet në kufirin me Bosnjën dhe Hercegovinën, është bërë njëri prej pikëkalimeve kryesore.24 Emigrantët që hyjnë në Serbi nga Maqedonia e Veriut, pasi vijnë në Preshevë, shkojnë në Beograd. Në Beograd shkojnë edhe emigrantët që vijnë nga lindja, nga Piroti dhe Dimitrovgradi, që janë në kufirin me Bullgarinë.

Raportohet se Beogradi është bërë qendër jo vetëm për refugjatët dhe emigrantët, por edhe për trafikantët.25 Ndryshe nga rajonet kufitare, të cilat mbikëqyren me kujdes, qyteti i madh u mundëson shefave të krimit të fshihen me njëfarë anonimiteti. “Beogradi tani është vendi kryesor, sepse është urë lidhëse dhe qytet gjigant, me shumë shtëpi dhe vende për t’u fshehur”, tha një shofer taksie që e njihte tregun e kontrabandës.26

Ndryshimi i itinerarit ka çuar në rritjen e presionit mbi policinë dhe rojet e kufirit në të dyja anët e kufirit midis Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në shtimin e madh të kallëzimeve për brutalitet policor dhe reagim të dhunshëm.27 Më tutje, policët kroatë janë gjuajtur me armë nga territori i Bosnjës dhe Hercegovinës pasi penguan një grup emigrantësh që po përpiqeshin të kalonin kufirin për të hyrë në Kroaci në mënyrë të paligjshme në shtator të vitit 2023.28 Policia e Bosnjë dhe Hercegovinë ka kryer disa aksione me të cilat ka synuar të godasë kriminelët afganë që duket se kanë ndryshuar itinerarin pas goditjes së krimit nga policia në Serbi.29

Kjo rritje e prurjes së refugjatëve dhe emigrantëve që hyjnë në Bosnjë dhe Hercegovinë nga Serbia e shton edhe më shumë numrin tashmë të madh të njerëzve në lëvizje, që kalojnë nëpër këtë vend. Ky numër është rritur gjatë viteve të fundit. Shumë prej këtyre njerëzve kapen nga policia. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, në vitin 2023, policia në Bosnjë dhe Hercegovinë kapi 34 409 emigrantë, nga 27 429 që kishte kapur në vitin 2022. Kjo shifër e thyen rekordin prej 29 302 emigrantë të kapur në vitin 2019.30 Në janar të vitit 2024, policia ndaloi 2 507 emigrantë.

Goditja e krimit nga policia serbe ka shkundur disa aspekte të tjera të tregut. Çmimet e kontrabandistëve për të kaluar nga Serbia në Bosnjë janë rritur nga 200 euro në 500, meqë itinerari drejt veriut është bërë më pak tërheqës. Në Serbi, “paketat” drejt Austrisë kushtojnë rreth 2 000 euro, ndërsa drejt Gjermanisë kushtojnë midis 2 500 dhe 3 000 eurove.31 Por këto shifra tani janë më të negociueshme, meqë është ulur numri i njerëzve që janë të gatshëm të nisin udhëtimin e rrezikshëm. Kanë ndryshuar edhe mënyrat e kryerjes së kontrabandimit. Meqë policia shënjestroi shoqatat e shoferëve të taksive, shumica e të cilëve tani janë pa punë, trafikantët iu kthyen përdorimit të furgonëve dhe kamionëve.32

Do të kthehen në veri gjatë pranverës?

Ndonëse itinerari verior është shkatërruar, kontrabandistët parashikojnë që ky itinerar do të gjallërohet gjatë pranverës. “Në përgjithësi, deri në ramazan, ngadalëson gjithçka. Tani njerëzit janë në Turqi. Por pas ramazanit, njerëzit do të fillojnë të vijnë”, shpjegoi njëri prej kontrabandistëve.33 Një shofer taksie, që merrej me kontrabandim, theksoi se “në pranverë, do të rigjallërohet përsëri puna” në veri të Serbisë. Ai shtoi se, sipas burimeve të tij, pritet të rihapen kampet në Sombor dhe Suboticë.

Në fakt, ka sinjalizime që tregojnë se disa kontrabandistë janë duke u kthyer te zonat e tyre të vjetra të veprimit. Një grup afgan vepron në Horgosh, pranë kufirit me Hungarinë, ndërsa marokenët janë kthyer në vendin e tyre të rregullt, pranë Sërpski Kërsturit dhe Martonoshit, të cilët janë vendbanime pranë lumit të Tisës.34 Trafikantët afganë janë pikasur edhe në Shid, qytet pranë kufirit me Kroacinë.35

Prandaj, ndonëse e ka ulur nivelin e dhunës që ndërlidhet me kontrabandimin, policia serbe nuk ka arritur ta ndalojë prurjen e refugjatëve dhe të emigrantëve. Jo vetëm kaq, por nuk është shkatërruar as infrastruktura e faktorëve që mundësojnë kontrabandimin në vendet e BE-së (si Hungaria dhe Austria).36 Kjo nxjerr në pah nevojën për më shumë bashkëpunim rajonal, meqë goditja e një tregu të paligjshëm në një vend thjesht bën që ai të zhvendoset drejt një vendi tjetër, në këtë rast në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo situatë bën të nevojshëm koordinimin e ngushtë dhe solidaritetin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve të tyre në BE, siç janë Austria, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Greqia dhe Rumania, duke garantuar njëkohësisht edhe sigurinë e emigrantëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të njeriut.

Shënime

  1. Observatory of Illicit Economies in South Eastern Europe, Increasing migratory pressures in Serbia have led to conflict between people smuggling groups and crackdowns on migration, Risk Bulletin, Issue 16, Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), gusht 2023; Serbian police detain 6 people after deadly shooting near Hungary border, VOA, 28 tetor 2023. 

  2. Natalija Jakovljević, Održan treći protest protiv migranata u Subotici: Građani se ne osećaju sigurno, država ne rešava problem, Danas, 23 korrik 2022. 

  3. Intervistë me një përfaqësues të komunitetit të inteligjencies serbe, Suboticë, shtator 2023. Intervistë me një kontrabandist të sirianëve, Suboticë, shtator 2023. 

  4. Edit Inotai, Hungary intelligence warns of Taliban involvement in migrant smuggling at Serbia border, Balkan Insight, 3 nëntor 2023. 

  5. Aleksandar Bojović, Trojica ubijena u okršaju migranata kod Horgoša, Politika, 28 tetor 2023. 

  6. Tara Tomović dhe Nevena Zdravković, Srbija uvela vize za građane Kube, nastavlja se usklađivanje sa viznom politikom Evropske unije, Euronews, 18 prill 2023. 

  7. Serbian police detain 6 people after deadly shooting near Hungary border, VOA, 28 tetor 2023. 

  8. Pokrenućemo vojsku i rešiti to pitanje za 24 časa, Politika, 27 tetor 2023. 

  9. Frontex, Significant rise in irregular border crossings in 2023, highest since 2016, 26 janar 2024. 

  10. Velika akcija policije na granici sa Mađarskom: U potrazi za iregularnim migrantima 800 specijalaca na terenu, Blic.rs, 1 gusht 2023. 

  11. Milica Stojanovic, Death of a premier: How Serbia’s rotten system enabled Zoran Djindjic’s killers, Balkan Insight, 10 mars 2023. 

  12. Srbija pojačala kontrolu migranata na granici sa BiH, Radio Slobodna Evropa, 30 janar 2024. 

  13. Serbia’s police detain over 4,500 migrants, seize weapons, Reuters, 8 nëntor 2023. 

  14. Po aty. 

  15. Intervistë telefonike me një ekspert të shoqërisë civile për emigrantët dhe refugjatët, janar 2024. Intervista telefonike me ish-punonjës të Komisariatit për Refugjatët dhe Emigrantët, Beograd, dhjetor 2023 dhe janar 2024. 

  16. See Asylum Protection Centre Serbia, Twitter/X, 22 nëntor 2023. 

  17. Intervistë telefonike me Nikola Kovaçeviçin, avokat serb i të drejtave të njeriut, nëntor 2023. 

  18. International Organization for Migration (IOM), Serbia — Migrant mobility situation report, shkurt 2024. 

  19. Po aty. 

  20. Po aty. 

  21. Intervistë me një kontrabandist serb, Suboticë, janar 2024. Intervistë me një shofer taksie që merrej me kontrabandim, Sombor, janar 2024. Intervistë telefonike me një aktivist të shoqërisë civile që u ofronte ndihmë emigrantëve, shkurt 2024. Intervistë me një oficer të policisë serbe, Sombor, janar 2024. 

  22. IOM, Serbia — Migrant mobility situation report, shkurt 2024. 

  23. Frontex, Migratory routes – Western Balkan route; Tihomir Bezlov, Atanas Rusev and Dardan Kocani, Borderline: Impact of the Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, GI-TOC, shtator 2023. 

  24. Intervistë telefonike me një ekspert nga IOM-i, janar 2024. Intervistë me një kontrabandist të sirianëve, Sombor, janar 2024. 

  25. Intervistë me një kontrabandist serb, Suboticë, janar 2024. Intervistë me një shofer taksie që merrej me kontrabandim, Sombor, janar 2024. Intervistë telefonike me një aktivist të shoqërisë civile që u ofronte ndihmë emigrantëve, shkurt 2024. Intervistë me një oficer të policisë serbe, Sombor, janar 2024. 

  26. Intervistë me një shofer taksie që merrej me kontrabandim, Sombor, janar 2024. 

  27. Intervistë telefonike me një aktivist të të drejtave të njeriut, janar 2024. 

  28. Mario Pušić, Policija se oglasila o incidentu s migrantima i pucnjavi na granici s BiH, Jutarnji, 21 shtator 2023. 

  29. Intervistë me një oficer të policisë serbe, Sombor, janar 2024. Intervistë me një përfaqësues të komunitetit të inteligjencies serbe, shtator 2023. 

  30. Këto të dhëna të policisë gjenden në një raport të brendshëm për emigrantët dhe refugjatët, i cili është parë nga përfaqësuesit e GI-TOC-së, por nuk është i disponueshëm për publikun. 

  31. Intervistë telefonike me një kontrabandist, shkurt 2024. 

  32. Taksisti iz Sombora uhapšeni u Novom Pazaru zbog krijumčarenja migranata, Danas, 1 dhjetor 2023. Intervistë me një shofer taksie që merrej me kontrabandim, Sombor, janar 2024. 

  33. Intervistë telefonike me një kontrabandist, shkurt 2024. 

  34. Po aty. 

  35. Intervistë telefonike me një kontrabandist, shkurt 2024. Intervistë telefonike me një përfaqësues të organizatës serbe “klikAktiv” të shoqërisë civile, shkurt 2024. 

  36. Intervistë me një përfaqësues të komunitetit të inteligjencies serbe, Suboticë, shtator 2023. Intervistë me një kontrabandist të sirianëve, Suboticë, shtator 2023.