Grupet kriminale nga Ballkani po përfitojnë nga paqëndrueshmëria e Ekuadorit.

Ekuadori, i cili ndodhet midis dy prej vendeve më të mëdha të prodhimit të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, është bërë korridor dhe shteg për dërgimin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës. Porti kryesor i vendit, Guajakuili, është vendi nga ku nisen sasi të mëdha droge. Nuk është për t’u habitur që, gjatë viteve të fundit, qyteti është bërë edhe epiqendër e dhunës së ndërlidhur me drogën, për shkak të bombardimeve, përleshjeve me armë zjarri midis bandave, vrasjeve të përbindshme, rrëmbimeve dhe zhvatjes.

Ushtria detare e Ekuadorit kryen një operacion kundër trafikimit të drogës pranë portit të Guajakuilit në Ekuador, mars 2024.

Ushtria detare e Ekuadorit kryen një operacion kundër trafikimit të drogës pranë portit të Guajakuilit në Ekuador, mars 2024.

Foto: Gerardo Menoscal/AFP nga platforma ‘Getty Images’

Rebelimet e shkaktuara nga mbipopullimi i burgjeve dhe lufta për pushtet midis bandave për shpërndarjen e drogës, kanë çuar në vdekjen e qindra të burgosurve gjatë viteve të fundit. Në ditët e para të janarit të vitit 2024, dy prej drejtuesve të bandave më të fuqishme në vend u arratisën nga burgjet e sigurisë së lartë, brenda rreth 24 orësh, ndërkohë që 100 punonjës të burgut mbaheshin peng nga të burgosurit në pesë burgje të ndryshme.1

Paqëndrueshmëria politike dhe sistemi i dobët i drejtësisë kanë krijuar një mjedis që u mundëson trafikantëve të drogës të ushtrojnë veprimtari kriminale në Ekuador. Vendi është bërë edhe magnet për kriminelët e huaj, sidomos ata nga Meksika, Kolumbia, Evropa dhe Ballkani Perëndimor. Nisur nga kjo gjendje, është krijuar një treg për armët dhe për shërbimet e vrasësve me pagesë.

Për pasojë, midis periudhës 2018-2023, është tetëfishuar numri i vrasjeve. Viti i kaluar ishte viti më i përgjakshëm në historinë e vendit, ku norma e vrasjeve arriti në 46,5 për 100 000 banorë.2 Autorët e veprave penale rrallë herë ndodhin të dalin para drejtësisë. Viktima kanë rënë oficerë policie, prokurorë, kryetarë bashkish dhe kandidati për president, Fernando Vilaviçencio, i cili, në kuadër të fushatës zgjedhore, premtoi se do të luftonte mafien. Ai u vra në një miting në Kuito në gusht të vitit 2023, më pak se dy javë para zgjedhjeve.3

Organet e drejtësisë penale në Ekuador kanë qenë tepër të dobëta për t’i bërë ballë këtij sulmi të vrullshëm. Kjo është pasqyruar edhe në Indeksin Global të Krimit të Organizuar të vitit 2023, ku tregohet se ka një hendek të madh midis notës në rritje të Ekuadorit në aspektin e kriminalitetit (ky vend renditet në vend të 11-të nga 193 vende për nga ashpërsia e krimit) dhe notave të qëndrueshmërisë ndaj krimit, të cilat po ulen gjithmonë e më shumë.

Kohëve të fundit, presidenti i zgjedhur Daniel Noboa është munduar t’ia ndryshojë drejtimin kësaj prirjeje. Në fund të vitit 2023, prokurori i përgjithshëm shpalli nisjen e operacionit “Metástasis” - operacioni më i madh policor në historinë e vendit për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga 75 bastisje, u kapën jo vetëm autorë të dyshuar të veprave penale, por edhe gjyqtarë dhe oficerë policie në detyrë ose të punësuar më përpara dhe persona të tjerë dhe informatorë të dyshuar për mundësimin e veprave penale. Shpërthimi i dhunës në fillim të janarit ishte reagim ndaj kësaj kimioterapie.

Gjurmë gjaku

Mendohet se pjesa më e madhe e narkodhunës në Ekuador ka të bëjë me konkurrencën midis grupeve lokale në lidhje me atë se cili do t’u ofrojë mbrojtje dhe shërbime të tjera grupeve kriminale të huaja të fuqishme, duke përfshirë edhe ato që vijnë nga Ballkani Perëndimor.4

Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë arritur të sistemohen mirë në botën kriminale të vendit nëpërmjet dhunës dhe aleancave. Bandat lokale ekuadoriane i ndihmojnë grupet ballkanase me veprimtaritë e ndërlidhura me kokainën dhe u ofrojnë atyre siguri. Kjo i ndihmon grupet ballkanase që të veprojnë me një shkallë relativisht të lartë mosndëshkimi, ndërkohë që pasurojnë dhe fuqizojnë bandat lokale. Lidhja me Ballkanin u ka dhënë bandave ekuadoriane më shumë qasje në tregun e kokainës në Evropë, i cili është treg mjaft joshës.5

Edhe korrupsioni, kërcënimi dhe qeverisja e dobët u kanë mundësuar individëve nga Ballkani Perëndimor—sidomos nga Shqipëria—që të veprojnë në një mjedis të errët ku ndërthuren krimi dhe biznesi. Për shembull, në shkurt të vitit 2024, në kuadër të një operacioni të koordinuar nga Europol-i, u identifikua një biznesmen shqiptar që po përdorte kompanitë ekuadoriane të frutave si fasadë për të importuar sasi të konsiderueshme të kokainës drejt BE-së. Për pasojë, u ngrinë 48 milionë euro prona të kompanisë.6

Tregtia e kokainës nuk ka qenë pa rreziqe për trafikantët nga Ballkani. Gjatë pesë viteve të fundit, në Ekuador dihet se janë vrarë shtatë persona nga Ballkani Perëndimor, të cilët kishin lidhje me trafikimin e drogës dhe është plagosur të paktën një person.

Trafikantët e vrarë ose të plagosur në Ekuador.

Figura 1 Trafikantët e vrarë ose të plagosur në Ekuador.

Burimi: Të dhëna të mbledhura nga burime të ndryshme informative. Milan Milovaçi u qëllua në Guajakuil të Ekuadorit, në nëntor të vitit 2020, por humbi jetën në spital në janar të vitit 2021.

Ndikimet e mundshme të goditjes së krimit

Si pasojë e dhunës së shkaktuar nga bandat në fillim të vitit 2024, presidenti i Ekuadorit ka etiketuar 22 grupe kriminale si “narkoterroristë” dhe ka shpallur gjendjen e konfliktit të armatosur kombëtar.7 Policia dhe ushtria kanë kryer me dhjetëra operacione policore, duke shënjestruar jo vetëm anëtarët e këtyre grupeve, por edhe bazat e tyre operative.8 Më tej, që prej fillimit të vitit, nga kontejnerët që do të niseshin nga portet e Ekuadorit drejt Evropës janë sekuestruar sasi rekord të kokainës.9

Është shumë herët për të gjykuar efikasitetin dhe ndikimin e goditjes së krimit nga qeveria e Ekuadorit. Megjithatë, mund të themi me bindje se situata mund ta trazojë ekonominë e paligjshme nga e cila kanë përfituar grupet e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit.

Nëse qeveria mund të kthejë rendin dhe të pakësojë në mënyrë të konsiderueshme qarkullimin e kokainës për jashtë dhe për brenda vendit, ka shumë të ngjarë që grupet e Ballkanit Perëndimor të zhvendosen në një vend tjetër të rajonit, që paraqet më pak rrezik për to. Ndoshta mund të veprojnë më shumë në Peru, Kolumbi dhe Brazil, duke u përpjekur të infiltrojnë në porte ose të bëjnë kontakte me furnitorët e kokainës në brendësi të vendit. Po ashtu, ka mundësi që veprimet t’i kryejnë në pika më të largëta të dërgimit me destinacion të ndërmjetëm, për shembull në zonën e Karaibeve ose përgjatë bregdetit atlantik të Amerikës së Jugut.

Anëtarët kyç të grupeve shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Ekuador janë zhvendosur përkohësisht në vendet e tjera të Amerikës së Jugut, si në Peru, Kolumbi, Bolivi dhe Brazil, ku mund ta vlerësojnë nga larg situatën, ndërkohë që përfitojnë nga rasti për të zgjeruar rrjetet e tyre në këto vende. Kjo lëvizje shërben si plan kontingjencash në rast se qeveria e Ekuadorit vazhdon të kërkojë me rreptësi kthimin e sigurisë në vend. Pavarësisht kësaj, shumica e pjesëtarëve të këtyre grupeve vazhdojnë të jenë në pozicione strategjike të shtetit, si në Guajakuil, duke i përshtatur veprimtaritë sipas situatës aktuale.10

Një skenar tjetër: qeveria e shuan dhunën, por nuk arrin t’i godasë të gjitha grupet kriminale. Në këtë rast, disa faktorë të ndryshëm do të duhet të përshtaten me situatën e re. Kjo mund të çojë në krijimin e aleancave të reja ose në konkurrencë të dhunshme. Në të dy rastet, ata që do të mbijetojnë do të kenë nevojë për njëfarë mbrojtjeje, gjë që, në ekonomitë e paligjshme, sigurohet me plumba ose ryshfet. Për këtë arsye, sfida që kanë përpara autoritetet ekuadoriane nuk është thjesht goditja e faktorëve kriminalë, por tkurrja e hapësirës ku ata mund të ushtrojnë veprimtarinë.

Sipas një skenari të tretë, sipërmarrësit nga Ballkani nuk bien në sy për njëfarë kohe, ose zhvendosen diku tjetër përkohësisht derisa të qetësohet situata. Siç vuri në dukje edhe drejtori i zyrës rajonale të GI-TOC-së në Ande, Felipe Botero Eskobar:

Besoj se grupet e Ballkanit do të përdorin porte të tjera ku ka më pak konflikte, për të vazhduar dërgimin e kokainës drejt Evropës, të paktën derisa gjërat të stabilizohen në Ekuador. Në shkurt, një muaj pasi situata në Ekuador filloi të përkeqësohej, Mbretëria e Bashkuar sekuestroi një sasi kokaine që ishte fshehur në një dërgesë bananesh që vinte nga Santa Marta e Kolumbisë. Kjo metodë ngjan shumë me atë që përdorin rrjetet ballkanase në Ekuador. Santa Marta tani është zonë relativisht e qetë, e cila është nën kontrollin e Klanit të Gjirit (anglisht: gulf clan). Ndonëse nuk është konfirmuar ende përfshirja e grupeve të Ballkanit në këtë dërgesë specifike të kokainës, karakteristikat operative dhe marrëdhënia me organizatat kriminale lokale në Santa Marta janë pothuaj identike me ato që përdoren në Guajakuil.11

Është pothuaj e pamundur që grupet e Ballkanit ta braktisin tërësisht Ekuadorin. Ato kanë kaluar më shumë se një dekadë duke krijuar lidhje me botën e krimit dhe me atë të njerëzve të pushtetshëm në atë vend. Jo vetëm kaq, por tregtia e kokainës po lulëzon. Ndoshta mund të rriten rreziqet, por edhe më shumë shtohen përftimet që mund të kenë duke ndenjur pranë burimit të furnizimit dhe duke forcuar lidhjet me tregjet joshëse të shitjes me pakicë në Evropën Perëndimore.

Megjithatë, vëmendja që ka tërhequr kriza në Ekuador duhet të shfrytëzohet për të rritur kapacitetet e këtij vendi—për shembull, në porte, në sistemin e drejtësisë penale dhe në menaxhimin e burgjeve—dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke përfshirë bashkëpunimin midis agjencive ligjzbatuese në Ballkanin Perëndimor dhe në Amerikën Latine.

Shënime

  1. Joe Daniels, Ecuador’s president declares war with drug gangs as prison guards held hostage, Financial Times, 10 janar 2024. 

  2. 7.878 crímenes en 2023, solo 584 resueltos: ¿Qué está pasando en Ecuador?, Eluniverso, 2 janar 2024. 

  3. Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), Faces of Assassination: Fernando Villavicenio, 2023. 

  4. Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, Grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor kontribuojnë në dhunën e ndërlidhur me drogën në Ekuador, Buletini i Rreziqeve, numri 14, GI-TOC, shkurt 2023. 

  5. Intervistë me një hetues krimesh në Shqipëri, Tiranë, shkurt 2024. 

  6. Europol, Properties worth EUR 48 million frozen after cocaine sweep in Ecuador and Spain, 16 shkurt 2024. 

  7. Felipe Botero, Organized crime declares war: The road to chaos in Ecuador, GI-TOC, shkurt 2024. 

  8. Intervistë nga interneti me një gazetar investigativ në Kuito, shkurt 2024. 

  9. Ecuador Police, Impedimos que vía marítima llegue a Finlandia, 1 tonelada 127 kilos de cocaína, Twitter/X, 12 shkurt 2024. 

  10. Intervistë me një person që di se si veprojnë grupet shqiptare të krimit të organizuar në Ekuador, Tiranë, prill 2024. 

  11. Intervistë nga interneti me Filipe Botero Eskobarin, drejtor i zonës rajonale të Andeve, GI-TOC, prill 2024.