Grupet kriminale nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë faktorë të rëndësishëm në Holandë.
Sekuestrimet e fundit të kokainës së gjetur në vende të fshehura në apartamente, në garazhe, në blloqe betoni, në dhomëza të rreme në automjete dhe në vende të tjera dhe që u përket bandave të Ballkanit Perëndimor, të cilat shfrytëzojnë portet e ngarkuara me punë të Holandës dhe e shpërndajnë kokainën në mbarë Evropën, janë simbol i statusit të vendit si epiqendër e trafikimit të drogës.1 Lulëzimi i tregtisë dhe konkurrenca e dhunshme në lidhje me kokainën, në veçanti, e ka shtyrë kryetarin e Sindikatës së Policisë Holandeze ta përshkruajë vendin si narkoshtet në lindje e sipër.2
Organizatat kriminale, që veprojnë në Holandë dhe që kanë lidhje ndërkombëtare, kanë filluar të luajnë rol qendror, sidomos në lidhje me menaxhimin e importit të kokainës nga Amerika Jugore drejt Evropës.3 Siç shpjegoi një individ që e njeh krimin e organizuar shqiptar, Shqiptarët kanë prani të fuqishme në trafikimin e drogës në Holandë. Ata kanë ngritur rrjete efikase, ku përfshihen grupe të specializuara që kryejnë marrjen e kokainës nga portet, shërbim ky që çmohet shumë në botën e krimit. Kokaina përbën veprimtarinë e tyre kryesore. Megjithatë, edhe pse në shkallë më të vogël, ata merren edhe me drogat sintetike dhe me prodhimin e kanabisit.”4 Kriminelët e transportojnë pjesën më të madhe të kokainës që vjen nga Ekuadori dhe Kolumbia nëpërmjet porteve të Roterdamit dhe të Vlisingenit në Holandë dhe nëpërmjet Antuerpit në Belgjikë (shihni figurën 1).5 “Gjithçka kalon nëpërmjet Roterdamit. Qyteti ka një rrjet të shkëlqyer që mundëson kryerjen e veprimtarive dhe një rrjet të shkëlqyer transporti,” tha një person që e njeh krimin e organizuar serb.6 Përllogaritet se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, që kanë lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës së Jugut, menaxhojnë një të tretën e të gjithë kokainës që importohet në Evropë, duke përdorur këto rrjete.7
Burimi: Shih shënimin 8 në fund të faqes
Krahas tregtisë së kokainës, grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor merren edhe me importimin e heroinës dhe të armëve, trafikimin e qenieve njerëzore, kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura dhe eksportimin e drogave sintetike.
Drogat sintetike me origjinë holandeze në Ballkanin Perëndimor
Substancat e paligjshme, si MDMA-ja (ekstazia), amfetamina dhe metamfetamina, prodhohen në Holandë (sidomos në provincat e Brabantit të Veriut dhe të Limburgut9) dhe eksportohen drejt të gjitha vendeve të Evropës, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.10 Për shembull, në Serbi, pjesa më e madhe e amfetaminës në treg vjen nga Holanda.11 Prekursorët (lëndët e para) importohen nga Kina. Në tregti përfshihen edhe “kuzhinierët” meksikanë.12 Ka raportime sipas të cilave prodhimi është rritur në vitin 2023, duke e shndërruar vendin në “fabrikë të prodhimit të lëndëve narkotike,” siç u shpreh një oficer i lartë i policisë holandeze.13 Ekstazia po shkëmbehet gjithmonë e më shumë me kokainën në Amerikën e Jugut, ku po rritet kërkesa e konsumatorëve për droga sintetike.14
Holanda si vend që tërheq grupet kriminale
Holanda ka disa avantazhe për kriminelët e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen vendndodhja gjeografike, infrastruktura dhe pozicioni tregtar.15 Po ashtu, ka një “sistem të shkëlqyer gjyqësor, sidomos në lidhje me të drejtat e njeriut dhe të drejtën për t”u mbrojtur dhe një qasje liberale ndaj drogës dhe dënimeve për këto krime. Thjesht shihni marrëveshjen me Graçaninin,” u shpreh një person që e njeh mirë krimin e organizuar serb, ndërsa po fliste për dënimin e lehtë që iu dha tregtarit të madh të drogave, Edin Gaçanin.16 Pavarësisht se është relativisht e vogël, Holanda është vendi me vëllimin më të madh të transportit detar në Evropë dhe qendër botërore e tregtisë.17 Porti më i madh i Holandës, Roterdami, është porti i 10-të më i madh në botë për anijet e kontejnerëve. Çdo vit, vetëm në portin e Roterdamit sillen rreth 467 milionë tonë mallra.18
Efikasiteti i infrastrukturës së Holandës tërheq edhe kompanitë e ligjshme, por edhe faktorët kriminalë. Krahas kësaj, vëllimi i madh i tregtisë e bën të vështirë zbulimin e kontrabandës në mesin e dhjetëra-mijëra kontejnerëve. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, në vitin 2022, Holanda pati një qarkullim prej më shumë se 14,7 milionë kontejnerësh (shihni figurën 2), nga të cilat u skanuan vetëm disa dhjetëra-mijëra.19
Burimi: Eurostat
Autoritetet doganore të Holandës nuk donin të tregonin numrin e kontejnerëve të inspektuar, për shkak të një hetimi që ishte në kryerje e sipër. Megjithatë, në vitin 2022, gazeta “De Volkskrant” raportonte se ishin skanuar 55 000.20 Ekipi i Kontrollit të Mallrave (HRCT) ka bërë kontrollin fizik vetëm të 467 kontejnerëve, kjo falë një bashkëpunimi midis doganave, autoriteteve tatimore, policisë portuale dhe prokurorisë.21 Problem është edhe korrupsioni në radhët e punonjësve të portit dhe të skanerit, gjë që krijon mjedisin e përsosur për kontrabandimin e drogave.22
Drogat shpesh fshihen në kontejnerët e frutave. Në vitin 2023, për shembull, doganat holandeze kapën një dërgesë kokaine me vlerë prej 90 milionë eurosh, të fshehur në një kontejner bananesh që vinte nga Ekuadori.23 Dhe vëllimi tregtar po rritet, sipas policisë: në vitin 2023, janë kapur gjithsej 176 000 kilogramë kokainë.24
Kriminelët përdorin metoda të ndryshme për të shmangur kontrollin nga autoritetet holandeze. “Njëra quhet “metodë e ndërrimit”, ku kriminelët i lëvizin mallrat nga njëri kontejner te tjetri për të shmangur kontrollin,” tha një zyrtar i lartë i Ekipit të Kontrollit të Mallrave në portin e Roterdamit. “Këtu, në përgjithësi, bëhet fjalë për kontejnerët e frutave ose produkteve të tjera të freskëta që vijnë nga Amerika Qendrore, ku qeset e drogave vihen në portin e origjinës. Për shkak të jetës së shkurtër të produkteve që gjenden në ta, kontejnerët e këtij lloji duhet të kalojnë shpejt në doganë, gjë që nënkupton që edhe kriminelët e kanë të kufizuar kohën për t”i çuar drogat te një kontejner tjetër, mundësisht në një kontejner që vjen nga një vend brenda Evropës dhe që destinohet për një vend të tillë, sepse, në parim, këta kontejnerë nuk kontrollohen.”
Grupet kriminale shpesh përdorin të mitur — që shpesh thirren “ninxha” ose “vrapues” — për të nxjerrë kokainën nga kontejnerët në porte, sidomos ngaqë dënimet për të miturit janë relativisht të ulëta. “Tani afër pata një rast ku në një kontejner me 800 kile kokainë gjetëm katër djem të rinj. Secili u dënua me vetëm dy vjet burgim, pa lirim me kusht. Për 800 kile!” u shpreh një oficer i lartë i policisë holandeze për Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI‑TOC).25
Sistemi financiar holandez luan një rol vendimtar në ekonominë e paligjshme, ngaqë u mundëson kriminelëve të bëjnë tregti dhe lëvizje parash.26 Falë sektorit të madh financiar dhe alternativave të ndryshme jozyrtare për fshehjen dhe transferimin e parave, kriminelët mund t”i pastrojnë me lehtësi të ardhurat e tyre nga krimi.27 Amsterdami, për shembull, është qendra e sistemit “Hawala” të Evropës, i cili është sistem jozyrtar i transferimit të parave, për të cilin nuk kërkohet të mbahen evidenca, prandaj, kushdo që e përdor nuk lë gjurmë.28 Transfertat nëpërmjet sistemit Hawala përllogariten të kapin shumën prej mbi 10 miliardë eurosh në vit në Amsterdam dhe përdoren shumë nga kriminelët dhe lëvizjet terroriste, sipas policisë holandeze.29 Edhe tregu i banesave në Amsterdam ofron mundësi për investime me të cilat bëhet pastrimi i parave.30
Për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, qytetet holandeze si Amsterdami, Roterdami dhe, më pak, Utrehti, janë pikëtakime për botën ndërkombëtare të drogës. Tani Amsterdami ka atë që hulumtuesit quajnë “funksion tregu” të ngjashëm me atë të qytete si Dubai, Medelini, Nju-Jorku dhe Majami, ku përcaktohet kërkesa, zhvillohen negociatat dhe kryhen pagesat për transportimin e drogës.31
Grupet e Ballkanit Perëndimor që ushtrojnë veprimtarinë në Holandë
Tregtia e kokainës midis Holandës dhe Ballkanit Perëndimor mbizotërohet nga grupet kriminale nga Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, që flasin gjuhët përkatëse, të cilët kontrollojnë shitjen, shpërndarjen në nivel të mesëm dhe, së bashku me kriminelët holandezë, trafikun e shkallës së gjerë, shpesh në bashkëpunim me njëri-tjetrin.32
Kriminelët nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina veprojnë si ortakë me kriminelët holandezë dhe e sigurojnë drogën nga portet detare dhe aeroportet holandeze.33 Krahas tregtisë së drogës, këto grupe merren edhe me kontrabandimin e drogave sintetike dhe trafikojnë gra, të cilat i detyrojnë të punojnë në zonat e kuqe të legalizuara, duke përfshirë edhe zonën e famshme De Valen të Amsterdamit.34
Sipas një operatori të lartë të policisë grupet që vijnë nga Ballkani merren edhe me shitje armësh. Policia holandeze gjen shpesh “autobusë të vegjël të mbushur me armë zjarri”. Shumica e këtyre autobusëve vijnë nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.35 Diaspora nga ish-Jugosllavia bashkërendon tregtinë në Antuerp, Roterdam dhe Luksemburg.36 Krahas kësaj, gjatë gjashtë viteve të fundit, rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor kanë përqafuar një model të ri ndërmarrjeje: e kultivojnë kanabisin në ambiente të mbyllura në BE.37 Grupet kriminale e kultivojnë në mënyrë të paligjshme kanabisin në Holandë ose paguajnë ekspertë holandezë për ta kultivuar.38
“Kanë prani të madhe në mbarë Holandën,” thotë një zëdhënës i lartë i policisë holandeze, ndërsa flet për grupet kriminale që vijnë nga Ballkani Perëndimor. “Janë shumë aktivë dhe agresivë. Jo vetëm që marrin kokainën nga porte si ai i Roterdamit dhe e transportojnë në mbarë Evropën, por menaxhojnë edhe serra kultivimi. Dihet që kriminelët ballkanas marrin me qira ato që quhen shtëpi fantazmë në parqet e pushimit në jug të Holandës nga agjenci kriminele të pasurive të paluajtshme.” Kriminelet e tjerë ballkanas vijnë vetëm “për të marrë kokainën nga porti ose për të hequr qafe dikë dhe pastaj kthehen në vendet e tyre.”39
Njohuritë e kufizuara të agjencive ligjzbatuese holandeze në lidhje me grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor
Raportohet se zyrtarët e agjencive ligjzbatuese holandeze shpesh i identifikojnë gabimisht kombësitë e kriminelëve nga Ballkani Perëndimor. Boshnjakët, malazezët dhe serbët shpesh identifikohen gabimisht ose kategorizohen në një grup të vetëm, madje ngatërrohen me shqiptarët. Sipas një zyrtari të lartë të policisë, “njohuritë për Ballkanin janë fare të ulëta,”40 gjë që shpjegon pse shumica e burimeve të policisë flasin për “grupe ballkanase,” madje përdorin edhe termin përçmues “jugo” për të folur për kriminelët ballkanas. Kjo mungesë njohurish ndikon te kapaciteti i agjencive ligjzbatuese për t”iu përgjigjur problemit, i cili përkeqësohet edhe më shumë për shkak të mungesës së theksuar të forcave policore holandeze. Policia holandeze ka vetëm dy zyrtarë ndërlidhjeje që merren me Ballkanin, gjë që çon në “operacione të vogla, me pak kosto.41
Organizatat kriminale si Kavaçi dhe Shkaljari të cilat gjenden në disa vende të Ballkanit, përdorin porte si ai i Roterdamit për të dërgesat e tyre të paligjshme të lëndëve narkotike.42 Dega sllovene e organizatës kriminale të Kavaçit, për shembull, trafikon droga (kanabis dhe kokainë) drejt Sllovenisë nga Holanda.43
Përleshjet midis klaneve Kavaçi dhe Shkaljari, në të kaluarën, kanë shkaktuar dhunë në qytetet holandeze.44 Për shembull, në vitin 2018, një shtetas serb u qëllua për vdekje dhe një tjetër u plagos në një piceri në Amsterdamin Perëndimor.45 Policia serbe vuri në dukje se njëri prej viktimave, që ishte lënduar, por mbijetoi, ishte anëtar i bandës Bar-Budva në Serbi, e cila ka lidhje me klanin Shkaljari.46
Kriminelët e tjerë nga Serbia dhe Mali i Zi importojnë edhe kokainë nga Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori përmes porteve holandeze. Raportohet se kriminelët serbë angazhojnë “ndërmjetës” holandezë dhe belgë për të gjetur drogën nga portet dhe tregtojnë substanca të tjera me ta.47 Thuhet se malazezët kanë ndihmuar peshkatarët e qytetit holandez të Urkut, që të kontrabandojnë kokainë në varka peshkimi, në ujëra të hapura.48
Raportohet se edhe grupet shqiptare të krimit të organizuar bashkëpunojnë ngushtë me organizatat kriminale holandeze, italiane dhe marokene dhe thuhet se luajnë një rol kyç në botën e krimit në Amsterdam dhe Roterdam.49 “Grupet shqiptare e kanë nisur nga zeroja, ndërsa tani po arrijnë majat, konfirmon një reporter holandez me përvojë i krimit. Ata transportojnë kokainë nga Holanda, kalojnë në Itali dhe Shqipëri, dhe dalin në Ballkan, dhe kanë laboratorë kokaine në qytetet e mëdha si Haga.50
Sipas policisë, prania e bandave shqiptare në kuadër të tregtisë së kanabisit në Holandë është shtuar pas goditjes së kultivimit të kanabisit në Shqipëri, midis viteve 2013–2019.51 Kriminelët shqiptarë kanë ngritur plantacione kanabisi në shtëpi banesore në provincën e Limburgut,52 por kjo veprimtari është më fitimprurëse në Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Holandë. Ata merren me pastrimin e parave dhe me kontrabandim të qenieve njerëzore.53 Bandat shqiptare veprojnë edhe në Ekuador, i cili është njëri prej burimeve kryesore të kokainës që vjen në Holandë.54
Edhe kriminelët boshnjakë kanë zënë vendin e tyre në tregun holandez të drogës. Edin Gaçanini, shtetas holandezo-boshnjak, me origjinë nga Sarajeva, besohet se ka organizuar dërgesa të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt Evropës nga shtëpia e tij në Holandë. Banda e tij, që përbëhet nga anëtarë të klanit Tito dhe Dino, ka regjistruar shumë kompani në Holandë, Slloveni, Spanjë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë për të pastruar të ardhurat nga krimi.55 Gaçanini besohet se ka lidhje me mafien holandezo-marokene.56 Ai u arrestua në Dubai në nëntor të vitit 2022, nga ku thuhet se arriti një marrëveshje me prokurorinë holandeze, ku pranoi fajin, në këmbim të dënimit me shtatë vjet burgim në Holandë dhe një gjobe prej 1 milionë dollarësh.57
Në bazë të një njoftimi për ekstradim, në vitin 2022, për shkak të dyshimeve për tregti kokaine, u arrestua edhe një shtetas tjetër holandezo-boshnjak që pretendohej se kishte lidhje me mafien holandezo-marokene. Thuhej se fshihej në Malin e Zi (një vend me të cilin autoritetet holandeze nuk kanë marrëveshje ekstradimi) dhe u dorëzua kur shkoi në Serbi.58 Policia thotë se Boris P-ja, i njohur ndryshe edhe si Pikaso, mori urdhra nga Riduan Tagi, person kyç i mafies holandezo-marokene, i dënuar me burgim të përjetshëm në shkurt për shkak të një vargu vrasjesh, ndërsa ky ishte në qelinë e tij të burgut në Vugt.59 Boris P-ja i mohon të gjitha akuzat.60
Portet holandeze i kanë përdorur edhe grupet nga Maqedonia e Veriut për të marrë kokainë.61 Në janar të vitit 2024, u arrestuan anëtarët e një grupi kriminal maqedonas për shkak se ishin përfshirë në transportimin e 435 kilogramëve kokainë nga Brazili drejt portit belg të Antuerpit dhe 106 kilogramë nga Peruja drejt Roterdamit.62
Operacionet e agjencive ligjzbatuese
Agjencitë ligjzbatuese i kanë shtuar përpjekjet për të goditur krimin e organizuar në Holandë, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes së hetuesve italian kundër mafies.63 Një ekip polumbarësh i doganës holandeze vepron në Portin e Antuerpit në Belgjikë. Këto dy vende po bashkëpunojnë me zyrtarët në Amerikën Latine.64 Holanda dhe Ekuadori kanë nënshkruar një traktat doganash, për të goditur tregtinë e drogës që vjen nga portet e Amerikës Latinë.65 Si rezultat i këtyre masave, dogana holandeze ka sekuestruar rreth 11 000 kilogramë kokainë më shumë në vitin 2023 sesa një vit më parë.66
Gjatë viteve të fundit, agjencitë ligjzbatuese në Ballkanin Perëndimor, Holandë dhe Belgjikë, në partneritet me Eurojust-in dhe Europol-in, kanë arritur suksese të konsiderueshme: kanë hakuar platformën Sky ECC, mjeti i preferuar i kriminelëve për komunikim të enkriptuar.67 Sipas një zëdhënësi të Europol-it, agjencia ka “një taskforcë operative … që përfaqëson 11 vende dhe që përqendrohet konkretisht te grupet e krimit të organizuar që vijnë nga Ballkani Perëndimor. Në kuadër të punës së taskforcës operative, janë duke u kryer 40 hetime.”68 Si pasojë e shtimit të këtyre përpjekjeve në mbarë Evropën, në Holandë dhe në vendet e Ballkanit janë kryer shumë arrestime.
Në shkurt të vitit 2024, u arrestuan 59 persona në Shqipëri, Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, për kontrabandim heroine, kokaine, hashashi dhe kanabisi nga Shqipëria dhe Holanda drejt Spanjës dhe Gjermanisë. Sipas Europol-it, rrjeti përdorte automjete me dysheme të rreme dhe dhomëza të fshehta.69
Në vitin 2023, Europol-i kryeu një operacion ndërkombëtar që rezultoi në goditjen e organizatës më të madhe kriminale të trafikimit të kokainës në rajonin e Ballkanit. Në kuadër të këtij operacioni, në Beograd u arrestuan disa persona kyç.70 Ky grup kriminal kontrabandonte drogë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori dhe Aruba dhe njihej për dhunën dhe përfshirjen e madhe në grabitjet e sendeve me vlerë.71 Janë kryer bastisje të bashkërenduara edhe në Serbi, Holandë dhe Belgjikë, në kuadër të të cilave policia sekuestroi makina luksoze, bizhuteri, lëndë plasëse dhe armë, ndër të tjera pushkë snajper, pushkë automatike dhe municion.72
Në të njëjtin vit, në vitin 2023, policia e Roterdamit gjeti kokainë në një garazh. Pas konfiskimit, u kryen aksione policore në Kroaci, Gjermani, Itali, Belgjikë, Slloveni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas policisë kroate, Holanda përdorej si korridor kalimi për drogat që vinin nga Turqia dhe Mali i Zi dhe që importoheshin drejt Holandës, përpara se të ndaheshin në doza dhe të shpërndaheshin në mbarë Evropën. Policia konfiskoi mitraloza, dokumente identifikimi false dhe uniforma policie.73 Po në vitin 2023, policia gjermane, italiane dhe holandeze arrestoi 35 shqiptarë që merreshin me trafikimin e gjerë të kokainës dhe të kanabisit që vinin nga Amerika e Jugut drejt BE-së.74 Në vitin 2022, rrjeti Eurojust arrestoi në Belgjikë, Luksemburg, Holandë dhe Serbi shtatë anëtarë të një rrjeti të trafikimit të drogës, me drejtues serbë. Gjatë arrestimit, u sekuestruan 115 kilogramë kokainë, e cila u gjet e fshehur në blloqe betoni.75
Në vitin 2020, policia e Roterdamit arrestoi dy kriminelë shqiptarë, që kishin fshehur 300 kilogramë kokainë (me vlerë rreth 45 milionë euro) në apartamentin e tyre.76 Në vitin 2019, shtetasi holandez Pier S u dënua me 17 vjet burgim, pasi u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar me emrin Taxus.77 Organizata e tij kishte bashkëpunuar me zyrtarë të korruptuar të doganës dhe u kishte dhënë ryshfet punonjësve të portit për të eksportuar drogë drejt Ballkanit.78 Në vitin 2019, autoritetet në qytetin amerikan të Filadelfias sekuestruan 20 tonë kokainë, që u gjet në një anije kontejnerësh që ishte nisur për në Roterdam. Gjatë këtij aksioni, u arrestuan disa anëtarë të ekuipazhit malazez.79
Nisur nga aksionet e fundit policore, del se kriminelët ballkanas që veprojnë në nivelin ndërkombëtar, po i përdorin portet holandeze si pika hyrjeje për veprimtaritë e tyre të paligjshme dhe po shfrytëzojnë sistemet financiare të Holandës për të bërë pastrimin e të ardhurave nga krimi. Megjithatë, reagimi i agjencive ligjzbatuese është i kufizuar për shkak të burimeve të pamjaftueshme dhe mungesës së ekspertizës për identifikimin e rrjeteve të grupeve kriminale të Ballkanit. Raportohet se kriminelët nga Ballkani Perëndimor përbënin vetëm 2% të popullatës së të burgosurve në Holandë (shihni figurën 3), ku, në vitin 2023, pjesën kryesore e zinin shqiptarët dhe serbët.80
Kombësia | 2023 | 2022 | 2021 | 2020 | 2019 | 2018 | 2017 | 2016 | 2015 |
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Shqipëria | 55 | 64 | 59 | 74 | 86 | 97 | 84 | 84 | 51 |
Bosnja dhe Hercegovina | 13 | 13 | 14 | 17 | 20 | 22 | 20 | 22 | 23 |
Kosova | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | 5 | 7 | 6 |
Mali i Zi | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | 5 |
Maqedonia e Veriut | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | <5 | 5 |
Serbia | 14 | 12 | 8 | 15 | 19 | 17 | 19 | 23 | 21 |
Burimi: Ministria e Drejtësisë dhe e Sigurisë e Holandës
Për ta trajtuar në mënyrë efektive këtë veprimtari kriminale të grupeve nga Ballkani Perëndimor në Holandë, do të duhet të përmirësohet bashkëpunimi ndërkombëtar dhe teknologjitë e zbulimit, të shtohen financimet për agjencitë ligjzbatuese dhe zbatimi i masave më të rrepta për të parandaluar pastrimin e parave. Duke marrë parasysh numrin e madh të kontejnerëve që hyjnë në Holandë, është e pamundur të bëhen kontrolle të detajuara. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme që të përmirësohen teknikat e zbulimit dhe vlerësimit të rrezikut për kontejnerët që paraqesin rrezik të lartë. Më tej, duhen marrë masa për shpalljen dhe zbatimin e politikave me të cilat synohet pakësimi i uljes së kërkesës për drogë.
Shënime
-
GI-TOC, Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2023: The Netherlands; UNODC and Europol, Cocaine insights 1, dhjetor 2021; UNODC, Global report on cocaine 2023. ↩
-
Daniel Boffey, Netherlands becoming a narco-state, warn Dutch police, The Guardian, 20 shkurt 2018. ↩
-
UNODC, Global report on cocaine 2023. ↩
-
Intervistë me një person di se si veprojnë grupet shqiptare të krimit të organizuar në Holandë, Tiranë, prill 2024. ↩
-
Pjesa kryesore që mbërrin në Antuerp të Belgjikës ka të ngjarë të jetë e destinuar për organizatat që veprojnë jashtë Holandës, nga ku kokaina shpërndahet në vende të tjera të Evropës. Megjithatë, këto grupe kriminale mbajnë lidhje të ngushta me grupet që veprojnë në Holandë. Ndonjëherë këto lidhje janë edhe familjare. Shih: UNODC and Europol, Cocaine insights 1, dhjetor 2021. ↩
-
Intervistë telefonike me një person që njeh se si veprojnë grupet serbe të krimit të organizuar në Holandë, prill 2024. ↩
-
Simon Piel dhe Thomas Saintourens, The Serbian mafia”“s “house of horror”, Le Monde, 20 maj 2022. ↩
-
Phillip Pergens, Grootste drugskartel van de Balkan, gelinkt aan vondst van 1,2 ton cocaïne in Hasselt, opgerold, Het Belang Van Limburg, 12 maj 2023; Europol, 37 arrested as violent Balkan criminal cell is taken down, 25 maj 2023; UNODC, Global report on cocaine 2023; 37 arrestaties bij internationale actie tegen drugs- en wapenbende, NOS, 26 maj 2023, Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të policisë holandeze, shkurt 2024; European Monitoring Centre for Drugs and Drug Addiction (EMCDDA), Cannabis cultivation and trafficking in the Western Balkans, dhjetor 2022; Kars de Bruijne, De Nederlandse sleutelrol in de geglobaliseerde drugshandel en productie, Clingendael, janar 2021; EMCDDA and Europol, EU Drug Markets Report 2019, p 129; H Ferwerda, J Wolsink dhe I van Leiden, De lading van vuurwapens: Een onderzoek naar de impact van illegale vuurwapens in Nederland, Politiekunde, 2020. ↩
-
EMCDDA, European drug report 2019. ↩
-
Pieter Tops et al, The Netherlands and Synthetic Drugs: An Inconvenient Truth, Eleven International Publishing, 2018. ↩
-
EMCDDA, Serbia national drug situation overview 2022; Ingrid Gerkama, Droga se kuva u sve većim kazanima, Vreme, 8 janar 2024. ↩
-
Valentina Pop, Mexican cartels are now cooking Chinese chemicals in Dutch meth labs, The Wall Street Journal, 8 dhjetor 2020. ↩
-
NOS, 37 arrestaties bij internationale actie tegen drugs- en wapenbende, 26 maj 2023; Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të policisë holandeze, janar 2024. ↩
-
UNODC, Global report on cocaine 2023. ↩
-
Intervistë telefonike me një person që njeh se si veprojnë grupet serbe të krimit të organizuar në Holandë, prill 2024. Edin Gaçanini, që njihet si një ndër tregtarët kryesorë të drogës, pranoi fajin dhe arriti një marrëveshje me prokurorinë e Holandës në vitin 2023. Për pasojë, u dënua me shtatë vjet heqje lirie për kontrabandimin e 2,4 tonëve kokainë. ↩
-
Eurostat, Maritime freight and vessels statistics, nëntor 2023. ↩
-
World Shipping Council, The top 50 container ports. Shënim: renditja është bërë duke u mbështetur në statistikat e vitit 2019; Port of Rotterdam, Throughput at the Port of Rotterdam, 2023; dhe Facts and figures. ↩
-
Intervistë telefonike me një zyrtar të administratës së doganave në Holandë, shkurt 2024. Sipas të dhënave të vitit 2017, në Portin e Roterdamit janë inspektuar vetëm 0,5% e të gjithë kontejnerëve. Shih: Kars de Bruijne, De Nederlandse sleutelrol in de geglobaliseerde drugshandel en productie, Clingendael, janar 2021. ↩
-
Noël van Bemmel, 100 procent controle in Rotterdamse haven: “Het is symboolpolitiek”, De Volkskrant, 18 shkurt 2022 ↩
-
Openbaar Ministerie, HARC-team onderschept bijna 47000 kilo cocaïne in 2022, 10 janar 2023. ↩
-
Isabel Baneke, Hardnekkig probleem in de Rotterdamse haven: de smokkelaars die drugs uit containers veiligstellen, Trouw, 1 shkurt 2021; Jeremy McDermott et al, The cocaine pipeline to Europe, GI-TOC dhe InSight Crime, shkurt 2021. ↩
-
Over 1,700 kilograms of cocaine found in banana and jelly shipments, NL Times, 22 dhjetor 2023. ↩
-
Kars de Bruijne, De Nederlandse sleutelrol in de geglobaliseerde drugshandel en productie, Clingendael, janar 2021. ↩
-
Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të Ekipit të Kontrollit të Mallrave të policisë holandeze, shkurt 2024. ↩
-
GI-TOC, Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2023: Holanda. ↩
-
Po aty. ↩
-
Inte Gloerich et al, Flying money 2018: Investigating illicit financial flows in the city, Institute of Network Cultures, 2018; Victor D van Santvoord dhe Teun van Ruitenburg, Financial crime scripting: Introducing a financial perspective to the Dutch cocaine trade, The Police Journal, 96, 3 (2023), fq. 374–389. ↩
-
Kars de Bruijne, De Nederlandse sleutelrol in de geglobaliseerde drugshandel en productie, Clingendael, janar 2021. ↩
-
Nederland tegen georganiseerde misdaad, Gemeente en vastgoedbelegger bestrijden samen crimineel woningmisbruik, 28 shtator 2022. ↩
-
Kars de Bruijne, De Nederlandse sleutelrol in de geglobaliseerde drugshandel en productie, Clingendael, janar 2021, ↩
-
UNODC, Global report on cocaine 2023. ↩
-
Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të policisë holandeze, shkurt 2024; Intervistë telefonike me një reporter krimesh nga Holanda, shkurt 2024. ↩
-
GI-TOC, Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2023: Netherlands; Netherlands among worst nations for human trafficking, but number of reports declining, NL Times, 18 tetor 2022. ↩
-
Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të policisë holandeze, shkurt 2024. ↩
-
Europol, 382 arrests during joint actions against traffickers using the Balkan route, 4 nëntor 2022. ↩
-
EMCDDA dhe Europol, EU drug market: cannabis — criminal networks, nëntor 2023. ↩
-
David Weinberger et al, Illegal cannabis cultivation in Europe: new developments, EchoGéo, 48, 2019. ↩
-
Intervistë telefonike me një zëdhënës të policisë holandeze, janar 2024. ↩
-
Intervistë telefonike me një përfaqësues të lartë të policisë holandeze, shkurt 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Po aty. ↩
-
Indictments filed against 24 Slovenian members of Kavač clan, Total Slovenia News, 4 nëntor 2021. ↩
-
Bojana Jovanović, Stevan Dojčinović dhe Svetlana Đokić, Bad blood: A war between Montenegrin cocaine clans engulfs the Balkans, OCCRP, 5 maj 2020. ↩
-
Maarten van Dun, Liquidatie leidde naar miljoenen van Servische bende, Het Parool, 10 tetor 2018. ↩
-
“Vete tussen Montenegrijnse drugsclans achter Amsterdamse moordaanslag”, Crimesite, 5 maj 2020; Andrej Mlakar, Škaljari i Kavčani: Zbog dva sela, gori Evropa cela, Nova, 28 maj 2020. ↩
-
Patrick Lefelon, Gegijzelde Mohamed Azzaoui stuurt videoboodschap om onschuld te bewijzen: “King en Smiley hebben 1.000 kg cocaïne gestolen”, PZC, 3 mars 2023. ↩
-
“Vete tussen Montenegrijnse drugsclans achter Amsterdamse moordaanslag”, Crimesite, 5 maj 2020. ↩
-
Alban Dafa dhe Wouter Zweers, Together or alone? The need for increased Albanian-Dutch cooperation to fight transnational organised crime, Clingendael, gusht 2020; Observatory of Illicit Economies in South Eastern Europe, Grupet kriminale shqiptare të organizuara janë bërë aktorë kryesorë në mjedisin kriminal të Italisë, duke ngritur nevojën për operacione të posaçme nga autoritetet., Buletini i Rreziqeve, numri 15, GI-TOC, maj 2023; “Criminele Albanezen zijn dé opkomende groep in de drugshandel”, NOS, 8 nëntor 2017, https://nos.nl/nieuwsuur/artikel/2201870-criminele-albanezen-zijn-de-opkomende-groep-in-de-drugshandel. ↩
-
UNODC, Global report on cocaine 2023, https://www.unodc.org/documents/data-and-analysis/cocaine/Global_cocaine_report_2023.pdf; Eurojust, Strike against an Albanian drug trafficking network in Germany, Italy and the Netherlands, 23 qershor 2023; Eric Oosterom, Albanezen die in hun onderbroek naast 300 kilo coke sliepen, moeten vijf jaar naar de gevangenis, AD, 26 prill 2021; Openbaar Ministerie, Albanese bende runde twee cocaïnelabs in Den Haag, 2 korrik 2020. ↩
-
EMCDDA and Europol, EU drug market: cannabis - criminal networks, nëntor 2023. ↩
-
Remco Andringa, Hoe Albanese criminelen ongemerkt in de Limburgse wiethandel stapten, NOS, 21 maj 2019. ↩
-
Po aty. ↩
-
Ontsnapte drugsbaas en grof geweld: vier vragen over de onrust in Ecuador, NOS, 10 janar 2024. ↩
-
Zdravko Ljubas, U.S. sanctions narco boss from Bosnia and Herzegovina, OCCRP, 20 mars 2023. ↩
-
EMRI/ Shqiptari KREU i bandës “TITO dhe DINO” i arrestuar në Dubai, arrin marrëveshjen me holandezët!, VOX News, 11 dhjetor 2023; Jan Meeus, Uitlevering aan Bosnië? “Mijn kop gaat eraf als dat gebeurt”, zegt de emotionele drugsverdachte, NRC, 12 shkurt 2024. Nuk është ende e qartë se sa të thella janë lidhjet midis grupeve holandezo-marokene dhe klanit “Tito dhe Dino” të Gaçaninit. ↩
-
Edin Gacanin gets seven years in prison for smuggling 2.4 tons of cocaine, Sarajevo Times, 8 dhjetor 2023. ↩
-
Joris Peters, Aan Taghi gelinkte Boris P. stond in contact met wereldwijd gezochte “Bolle Jos”, NU, 2 gusht 2023; Paul Vugts, Van drugssmokkel verdachte Boris P. ontkent band met criminele kopstukken, Het Parool, 2 gusht 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
Po aty. ↩
-
Sinisa Jakov Marusic, North Macedonia busts cocaine smuggling gang linked to murders, Balkan Insight, 26 janar 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Daniel Boffey, Netherlands becoming a narco-state, warn Dutch police, The Guardian, 20 shkurt 2018; Government of the Netherlands, Ministers Yeşilgöz-Zegerius and Weerwind pay working visit to Italy, 8 qershor 2022. ↩
-
Government of the Netherlands, Cocaine seizures by Customs see sharp rise in 2023, 17 janar 2024. ↩
-
Government of the Netherlands, International efforts to combat organized crime intensified, 28 shtator 2023. ↩
-
Government of the Netherlands, Cocaine seizures by Customs see sharp rise in 2023, 17 janar 2024. ↩
-
Europol, New major interventions to block encrypted communications of criminal networks, 10 mars 2021. ↩
-
Intervistë telefonike me një zëdhënës të Europol-it, shkurt 2024. Intervista është konfirmuar edhe me email në datën 6 shkurt 2024. Nuk mund të zbardhen hollësi të tjera për shkak se tani është duke u kryer një hetim. ↩
-
Zdravko Ljubas, Massive drug network dismantled from Albania to Germany, OCCRP, 8 shkurt 2024. ↩
-
Europol, Balkans” biggest drug lords arrested after investigation into encrypted phones, 12 maj 2023. ↩
-
Phillip Pergens, Grootste drugskartel van de Balkan, gelinkt aan vondst van 1,2 ton cocaïne in Hasselt, opgerold, Het Belang Van Limburg, 12 maj 2023; Europol, 37 arrested as violent Balkan criminal cell is taken down, 25 maj 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
37 arrestaties bij internationale actie tegen drugs- en wapenbende, NOS, 26 maj 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
Eurojust, Serbian-led drug smuggling network halted in Belgium, Luxembourg and Netherlands, 2 dhjetor 2022. ↩
-
Eric Oosterom, Albanezen die in hun onderbroek naast 300 kilo coke sliepen, moeten vijf jaar naar de gevangenis, AD, 26 prill 2021. ↩
-
Court of Justice (The Hague), Lange celstraffen in megastrafzaak Taxus over internationale drugshandel, 12 tetor 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
Aleksandra Jovanović and Velimir Rakočević, The connections among drug trafficking, money laundering, and aggravated murder – A case study of Montenegro, Revija za kriminalistiko in kriminologijo, 72, 4 (2021), 350–363. ↩
-
Të dhëna të vëna në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe e Sigurisë e Holandës. ↩