Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë opsioni i preferuar i kriminelëve të armëve.

Në fund të viteve 1990 dhe në fillim të shekullit XXI, ishte e madhe vëmendja ndaj armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, për shkak të historisë së konflikteve në ish-Jugosllavi dhe trazirave në Shqipëri. Ndonëse komuniteti ndërkombëtar e ka përqendruar vëmendjen e tij në konflikte të tjera që kanë shpërthyer gjetkë, rajoni vazhdon të mbetet e mbushur me armë, gjë që ndihmon dhunën si brenda këtyre vendeve, ashtu edhe jashtë tyre.

Disa raste të rënda dhune që ndodhën brenda vitit të kaluar kanë nxitur një valë zemërimi në rajon. Në gusht, një burrë transmetoi drejtpërdrejt në “Instagram” vrasjen e ish-bashkëshortes dhe të dy njerëzve të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë.1 Tre muaj më vonë, Serbia u trondit nga dy sulme me armë zjarri brenda 48 orëve, si pasojë e të cilave humbën jetën 18 persona. Sulmi i parë ndodhi në datën 3 maj. Një nxënës i klasës së shtatë vrau tetë nxënës dhe një roje sigurimi në një shkollë të Beogradit. Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një vajzë, e cila vdiq disa ditë më vonë. Në datën 4 maj, u vranë edhe tetë njerëz të tjerë gjatë sulmeve në fshatrat në jug të Beogradit. Këto sulme u kryen nga një 21-vjeçar, që përdori një arsenal të armëve të paligjshme të zjarrit.2

Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar të vitit 2023, trafikimi i armëve, në të cilin përfshihej të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdon të jetë në nivele më të larta sesa në gjithë Evropën. Rajoni merr notën 5,42 në krahasim me mesataren evropiane që është 4,60 nga 10, ku nota 10 nënkupton nivelin më të lartë të kriminalitetit.3 Ndërkohë që armët e konflikteve të viteve 1990 vazhdojnë të përbëjnë kërcënim dhe njerëzit në rajon priren t’i mbajnë për t’u mbrojtur kundër paqëndrueshmërisë të ardhshme, vërehet se po shfaqen prirje të reja, që variojnë nga grupet kriminale tepër të organizuara që kërkojnë armë të fuqishme e deri te modifikimi i pistoletave me gaz për t’i bërë vdekjeprurëse.

Notat për trafikimin e armëve, sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, 2021 dhe 2023.

Figura 1 Notat për trafikimin e armëve, sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, 2021 dhe 2023.

Nota: Jepet në raport me notën 10. Sa më e lartë të jetë nota, aq më e lartë është prevalenca (përhapja) e trafikimit të armëve.

Si kriminelët, ashtu edhe civilët, vazhdojnë të kenë qasje në armët e vogla dhe të lehta, si dhe në pushka sulmi dhe granata. Kjo e rrit rrezikun e aksidenteve dhe të vrasjeve.4

Sipas analizës së Platformës për Monitorimin e Dhunës së Armatosur, pranë Zyrës Qendrore të Evropës Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe Armëve të Lehta (SEESAC), numri i incidenteve të armatosura që kanë të bëjnë me krimin e organizuar pothuaj është trefishuar në këtë rajon, nga 49 në 134, brenda periudhës 2019–2022.5 Në Anketën e Opinionit Publik për Sigurinë “SecuriMeter” të vitit 2022, u theksua rritja e numrit të incidenteve me të shtëna me armë dhe e sekuestrimit të armëve të zjarrit në mbarë rajonin, por u vu në dukje edhe kërcënimi që paraqet polikriminaliteti, domethënë mënyra se si armët e paligjshme të zjarrit nxisin dhunën dhe lidhen me tregje të tjera kriminale siç është trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i emigrantëve, drogës dhe duhanit.6

Megjithatë, disponueshmëria e armëve të paligjshme të zjarrit në Ballkan ka pasoja për sigurinë, të cilat shtrihen përtej rajonit. Armët që u përdorën në sulmet terroriste në Paris në nëntor të vitit 2015 dhe në Vjenë në nëntor të vitit 2020, doli se vinin nga Ballkani,7 ndërsa armët dhe granatat nga rajoni po nxisin dhunën e bandave në Suedi.8 Lëndët plasëse, granatahedhësit antitank me raketë dhe minat antipersonel nga Ballkani Perëndimor gjenden në tregun e zi dhe shfaqen në zonat e konflikteve në mbarë botën.9

Oficerët e policisë së Kosovës shfaqin armët dhe pajisjet ushtarake të konfiskuara në fshatin e Banjskës, në Mitrovicë, në shtator të vitit 2023.

Oficerët e policisë së Kosovës shfaqin armët dhe pajisjet ushtarake të konfiskuara në fshatin e Banjskës, në Mitrovicë, në shtator të vitit 2023.

Foto: Armend Nimani/AFP nëpërmjet platformës ‘Getty Images’

Një prirje tjetër është edhe dëshira e kriminelëve ballkanas që të blejnë armë më të fuqishme, sidomos nga Perëndimi. Këtu bëjnë pjesë pistoletat më të fundit të markave të ndryshme si “Heckler & Koch”, “Beretta”, “Glock”, “Sig Sauer”, “Walther” dhe “Colt”,10 por edhe armët e fuqishme të sulmit. Këto armë zakonisht blihen në sasi të vogla dhe shërbejnë më shumë si simbole statusi ose edhe si artikuj koleksioni dhe nuk janë pjesë e arsenalit. Sidoqoftë, edhe ato mund t’i hedhin benzinë zjarrit të garës midis grupeve që luftojnë njëra-tjetrën, siç është parë edhe në konfliktin e vazhdueshëm midis klaneve malazeze të Kavaçit dhe të Shkaljarit. Edhe pse pistoletat e prodhuara në perëndim përbëjnë interes, vihet re se kërkesa më e madhe është për pistoletat e prodhuara në rajon, siç janë pistoletat serbe “Zastava CZ” dhe “Zastava M57 Tetejac” dhe pistoleta automatike “Zastava M84 Scorpion”, të cilat janë përdorur në shumicën e vrasjeve të ndërlidhura me krimin e organizuar në Malin e Zi.11 Megjithatë, në një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Shtetit në Malin e Zi kundër anëtarëve të klanit të Kavaçit përmendet një gamë armësh të tjera të konfiskuara nga grupi, duke përfshirë pistoletat “Beretta” dhe “Česká Zbrojovka”, revolverë “Smith & Wesson” dhe një pushkë “Heckler & Koch”.12

Një prirje e tretë është edhe modifikimi i armëve me gaz dhe armëve alarmuese (armë jovdekjeprurëse të projektuara për vetëmbrojtje, sporte ose qëllime të tjera të ngjashme) në armë që mund të gjuajnë plumba të vërtetë. Modifikimi i armëve që janë relativisht të lira nga aspekti i çmimit dhe që vijnë shpesh nga Turqia, u mundëson tregtarëve të shesin armë zjarri të modifikuara për një çmim që është sa 10-fishi i çmimit të armës fillestare.13 Këto armë janë të famshme sidomos në radhët e autorëve të rinj (të mitur) të veprave penale, meqë nuk kushtojnë shtrenjtë dhe i bëjnë të duken sikur janë të fortët e lagjes. Këto armë shiten në tregun e zi dhe janë shqetësim në rritje për policinë.14 Në rajon janë zbuluar disa fabrika të paligjshme për modifikimin e armëve, madje edhe në një fshat pranë Tiranës së Shqipërisë, në qershor të vitit 2022, dhe në komunën e Stolacit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në janar të vitit 2021.15

Brenda rajonit ka edhe kontrabandë të madhe të armëve. Më përpara, armët e paligjshme të zjarrit kontrabandoheshin kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina drejt Malit të Zi dhe Kroacisë, por tani kontrabandimi kryhet në të dyja drejtimet, pjesërisht për shkak të rritjes së paqëndrueshmërisë së Bosnjës.16 Në datën 6 janar 2024, zyrtarët nga Administrata Doganore e Serbisë në pikëkalimin kufitar të Merdares, sekuestroi 45 armë zjarri me silenciator dhe municion, të cilat u gjetën në një automjet pasagjerësh që vinte nga Prishtina.17

Duhet shënuar se, pavarësisht prurjes së madhe të armëve drejt Ukrainës dhe kalimit të mundshëm të disa mallrave të ligjshëm drejt tregut të paligjshëm, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet burimi kryesor i armëve të paligjshme në Evropë. Tani për tani, armët në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të jenë jo të shtrenjta dhe të bollshme, ndërsa gjendja e armëve të disponueshme në rajon është rritur për shkak të prurjeve nga Turqia nëpërmjet Bullgarisë, sidomos të armëve me gaz ose armëve alarmuese. Në tregun e zi të Ballkanit, çmimet për armët kanë ndryshuar fare pak, që prej pushtimit në masë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.18

Kjo situatë na shtyn të ngremë pyetjen se çfarë do të ndodhë pas luftës në Ukrainë. Kjo temë do të trajtohet nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në raportin e ardhshëm të titulluar “Pika e aktivizimit? Tendencat e trafikimit të armëve nga konflikti në Ukrainë në vitin 2023”. A do ta zëvendësojë Ukraina Ballkanin Perëndimor si burimin kryesor të armëve të paligjshme? A ka mundësi që infrastruktura e trafikimit, që është krijuar nga faktorët ballkanas gjatë tri dekadave të fundit, të përdoret për të kontrabanduar armë nga Ukraina drejt Evropës Perëndimore dhe Skandinavisë? Një itinerar tjetër i mundshëm për vëllimin e madh të armëve mund të jetë transporti detar nga Odesa, i cili ka qenë qendër e trafikimit të armëve përpara pushtimit rus. Në këtë skenar të pasluftës, grupet më të mëdha të armëve do të dërgohen nëpërmjet itinerarit të riaktivizuar të dërgimit përgjatë kufirit perëndimor të Detit të Zi, për të hyrë më pas në BE nëpërmjet Bullgarisë ose nëpërmjet Rumanisë në Danub.

Shënime

  1. Meliha Kesmer dhe Una Cilic, Instagram live streamed a brutal murder-suicide in Bosnia. A war weary nation wonders how that could happen, Radio Free Europe/Radio Liberty, 16 gusht 2023. 

  2. Cora Engelbrecht and Joe Orovic, Serbia offers amnesty for illegal firearms, and thousands are collected, The New York Times, 12 maj 2023. 

  3. GI-TOC, Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2023

  4. Europol, Serious and Organised Crime Threat Assessment, 14 dhjetor 2021. 

  5. Platforma për Monitorimin e Dhunës së Armatosur, SEESAC

  6. Regional Cooperation Council, SecuriMeter 2022: Anketa e Opinionit Publik në Ballkan e “Barometrit”, qershor 2022. 

  7. Aleksander Vasovic, Some guns used in Paris attacks produced in ex-Yugoslavia’s arsenal, Reuters, 28 nëntor 2015; Vienna shooting: What we know about ‘Islamist terror’ attack, BBC, 4 nëntor 2020. 

  8. observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, Armët e kundërligjshme në Ballkanin Perëndimor: një kërcënim për Evropën, Buletini i Rreziqeve, numri 2, GI-TOC, tetor/nëntor 2020. 

  9. Intervistë me një zyrtar të inteligjencies së sigurisë, Shkup, nëntor 2023. 

  10. Intervistë me një anëtar të Agjencisë Shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës për Hetimin dhe Mbrojtjen, Mostar, 1 janar 2024. 

  11. Intervistë me një zyrtar të inteligjencies së sigurisë, Podgoricë, dhjetor 2023. 

  12. Aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Shtetit, Kt-S # 93/23, Podgoricë, 15 shtator 2023. 

  13. Intervistë me një oficer policie që punon kundër krimit të organizuar, Shkup, dhjetor 2023. 

  14. Po aty. 

  15. Ora News, Tiranë/Arsenal armësh në një magazinë në Kodër-Mëzez, arrestohet 62-vjeçari, në kërkim djali, YouTube, 18 gusht 2022; Akcija u Stocu: Policija pronašla stroj za preradu oružja, Bljesakinfo, 12 janar 2021. 

  16. Intervistë me një ish-anëtar të një grupi të krimit të organizuar, Trebinje, 3 janar 2024. 

  17. Vox News Albania, An arsenal of weapons is discovered in a car in Merdare, 7 janar 2024. 

  18. Guillermo Vázquez del Mercado, Arms trafficking and organized crime: Global trade, local impacts, GI-TOC, gusht 2022.