T’i vësh shqelmin krimit: Përdorimi i arteve marciale për të fuqizuar rininë shqiptare.
Në kuadër të serisë sonë të bisedave me përfaqësues frymëzues të OSHC-ve në Ballkanin Perëndimor, të cilët janë duke fuqizuar qëndrueshmërinë lokale ndaj krimit të organizuar, ne biseduam me Elion Pukën, mjeshtër i arteve marciale dhe udhëheqës i klubit “Vllaznia Taekwondo” në Shkodër të Shqipërisë.
Çfarë ju frymëzoi për të hapur klubin dhe për t’u përqendruar te rinia?
Rinia ishte ajo që më frymëzoi të hapja klubin e arteve marciale në Shkodër. Fillova të ndjek kursin e taekuondusë në vitin 2000. Pas tri vitesh, emigrova në Itali ku vazhdova ta praktikoja këtë sport. Sa herë që kthehesha në qytetin e lindjes, të rinjtë më kërkonin me zell t’ua mësoja këtë sport. Në atë kohë, gjendja ishte e vështirë. Gjeta një hapësirë të lirë në ambiente të jashtme ku arrita të organizoj një grup të vogël të rinjsh dhe ku dhashë orët e para të kursit. Ata më kërkuan të demonstroja teknikat dhe të praktikoja me ta. Ishin të etur për të mësuar gjëra të reja. Sa herë që kthehesha në Itali, ndieja se duhej të kthehesha në qytetin tim dhe të hapja një klub artesh marciale për të rinjtë e të rejat. Pas vitesh të tëra praktike, trajnerët në Itali më thanë se isha gati të hapja një klub timin.
Çfarë i motivon të rinjtë e të rejat për t’u anëtarësuar në klub? Cilat janë rrethanat e tyre?
Anëtarët e klubit vijnë nga rrethana të ndryshme dhe kanë motive të ndryshme. Disa vijnë sepse shokët dhe shoqet e tyre janë tashmë pjesë e klubit dhe i inkurajojnë që të anëtarësohen edhe ata. Të tjerët shohin artet marciale në televizor dhe kanë dëshirë t’i provojnë vetë. Anëtarët tanë vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore: disa nga familje të pasura, disa nga familje të klasës së mesme dhe disa nga familje me më pak avantazhe. Kemi të rinj edhe nga komuniteti i romëve. Ne i trajtojmë të gjithë anëtarët në mënyrë të barabartë dhe mundohemi t’i përfshijmë. Jemi shumë të lumtur që kemi anëtarësi të tillë të shumëllojshme që pasqyron komunitetin shkodran.
A janë disa të rinj në këtë zonë veçanërisht të cenueshëm nga krimi i organizuar?
Mendoj se arsyeja kryesore pse disa të rinj shfaqin sjellje devijuese është niveli i ulët i arsimit. Gjithashtu, mungojnë edhe mundësitë për punësim. Të rinjtë, gjithmonë e më shumë, po i drejtohen dhunës dhe krimit të organizuar. Kjo, jo vetëm që po i prish emrin qytetit tonë, por po dëmton edhe identitetin e rinisë. Si shoqëri, duhet të investojmë më shumë në arsim, duke përfshirë këtu edhe sportin. Të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi për veprimtari shoqërore, kulturore dhe sportive.
Çfarë roli luan sporti—dhe klubet si juaji—për t’u ofruar të rinjve alternativa ndaj krimit? Çfarë rëndësie ka sporti në jetën e një të riu ose të reje?
Ushtrimi i sportit i ndihmon të rinjtë të shkarkojnë energjitë negative dhe i mban larg rreziqeve si krimi dhe dhuna. Si klub, rrimë larg dhe mbajmë larg anëtarët tanë nga çdo lloj veprimtarie kriminale. Klubi ynë ia ka bërë të qartë secilit anëtar që ne besojmë në punën e rëndë dhe të ndershme. Kjo qasje i ka ndihmuar nxënësit dhe studentët tanë të ushqejnë virtyte dhe t’i bashkëndajnë ato në komunitet. Gjithashtu, ne i nxisim ata që të kërkojnë rol-modele pozitive në shoqëri dhe të jenë edhe vetë modele të mira.
A i qaseni trajnimit të të rinjve dhe trajnimit të të rejave në mënyra të ndryshme?
Ne i trajtojmë të rinjtë e të rejat në mënyrë të barabartë. Ka qenë gjë shumë e mirë që kemi parë që numri i vajzave që bëhen pjesë e klubit tonë ka qenë në rritje. Ato po ia dalin shumë mirë. Meritë të madhe ka gruaja ime, e cila gjithashtu është trajnere dhe bashkëthemeluese e klubit. Shembulli i saj ka sfiduar mentalitetin e qytetit tonë, sipas të cilit artet marciale dominohen nga meshkujt. Ajo, jo vetëm që është atlete dhe trajnere e shkëlqyer, por, me praninë e saj, sjell edhe shumë energji pozitive në klub. Falë saj, numri i vajzave në klub është duke u rritur. Kemi shumë histori suksesi.
Si rrisni vetëdijesimin rreth krimit të organizuar përmes trajnimit?
Ne kujdesemi për çdo individ që ka dëshirë të trajnohet në klubin tonë. Ne mundohemi të kuptojmë mënyrën se si mendon dhe se çfarë qëllimesh dëshiron të arrijë ai individ përmes trajnimit. Ne i shpjegojmë përfitimet që ka sporti dhe rreziqet e abuzimit, për shembull, nëse i përdor aftësitë në mënyrë joetike ose të paligjshme. Për fat të mirë, deri më tani, nuk kemi pasur asnjë rast ku sporti ynë të jetë përdorur si armë ose të jetë keqpërdorur për qëllime kriminale. Përkundrazi, artet marciale priren të forcojnë disiplinën vetjake.
A shqetësoheni ndonjëherë që, duke trajnuar meshkujt e rinj në arte marciale, ata mund të bëhen thjesht luftëtarë më të mirë në rrugë?
Disa njerëz që kanë ardhur në klubin tonë ishin hiperaktivë dhe kishin probleme me sjelljen. Këta individë të vështirë kanë nevojë për vëmendje të veçantë sepse ekspozohen lehtësisht ndaj dhunës dhe, nëse nuk trajnohen profesionalisht, mund të shkaktojnë dëm. Në këto raste—dhe ka pasur fare pak të tilla—kemi arritur me sukses t’ua kanalizojmë energjitë përmes dialogut dhe trajnimeve tek për tek. Në raste të rralla, ka pasur prej atyre që kanë hequr dorë nga klubi. Por shumica qëndrojnë. Ne punojmë me ta për të diskutuar problemet e tyre, u japim një hapësirë të sigurt ku të trajnohen dhe theksojmë rëndësinë që ka etika, disiplina dhe puna e rëndë. Të sjellësh ndryshim pozitiv në këto raste të vështira mund të çojë në krijimin e shembujve të mirë në shoqëri.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni ju kur merreni me anëtarët e vegjël të klubit tuaj dhe si i kapërceni ato?
Sfida jonë është të frymëzojmë tolerancë zero ndaj dhunës dhe krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse kemi aplikuar në “Fondin e Qëndrueshmërisë” të GI-TOC-së. Ne komunikojmë vazhdimisht me anëtarët e klubit tonë, me qëllim që ata të ndërtojnë një karakter të mirë dhe përpiqemi t’i frymëzojmë dhe motivojmë me rol-modele pozitive. Gjithashtu, i sfidojmë të na sjellin shembuj konkretë të kontributeve të tyre në shoqëri, sidomos në shkollë. I nxisim të punojnë fort për të arritur rezultate të mira në sport dhe në shkollë dhe të bëhen qytetarë konstruktivë në shoqëri.
Si i përfshijnë trajnerët tuaj mesazhet rreth fuqizimit dhe ndenjjes larg drugës dhe krimit në atë që, në fund të fundit, është kurs sporti?
Kur u shpjegojmë një teknikë ose lëvizje, ne u japim edhe mesazhe të rëndësishme lidhur me atë se si ta mbajnë trupin në formë dhe i informojmë për gjërat që e dëmtojmë trupin dhe mendjen. Pavarësisht kësaj, kjo është një fushë ku mund të përfitonim nga trajnime të mëtejshme. Gjithashtu, përpiqemi të fuqizojmë shpirtin e ekipit, si në radhët e trajnerëve ashtu edhe në radhët e nxënësve dhe studentëve. Qasja që ndjekim ne është që të nxisim gërshetimin e disiplinës me harmoninë. Së bashku, këto mund të krijojnë një energji pozitive në ekip, të fuqizojnë të rinjtë e të rejat dhe të ndryshojnë sjelljen e personave problematikë.
A e mbështesin institucionet publike përdorimin e sportit si mënyrë për t’i mbajtur të rinjtë larg krimit?
Bashkëpunimi me institucionet publike ka qenë i dobët, por është duke u përmirësuar. Me nismën tonë personale, shpesh kemi organizuar grupe atletike dhe kemi realizuar demonstrime në ambiente të hapura për të nxitur sportin në mesin e të rinjve në ditët e festave kombëtare. Për fat të keq, përpara “Fondit të Qëndrueshmërisë”, nuk jemi kontaktuar kurrë nga autoritetet lokale për të bashkëpunuar në drejtim të promovimit të rol-modeleve pozitive në shoqëri. Me këtë projekt, kemi bërë përpara dhe bashkëpunimi është duke u rritur.
Çfarë mundësish janë krijuar nga puna juaj me “Fondin e Qëndrueshmërisë”?
Ky projekt na ka dhënë mundësinë të ngremë kapacitetet e trajnerëve tanë në menaxhimin e të rinjve e të rejave që janë të ekspozuara ndaj krimit të organizuar. Në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm, do të organizojmë trajnime speciale për trajnerët tanë lidhur me rreziqet që paraqet krimi i organizuar për të rinjtë dhe me shprehitë e mësimdhënies dhe komunikimit në drejtim të menaxhimit të të rinjve e të rejave që kanë probleme me sjelljen. Krahas kësaj, përmes këtij projekti, jemi duke ndërmarrë nismën për të kontaktuar me institucionet lokale me qëllim krijimin e një bashkëpunimi afatgjatë në fushën e nxitjes së modeleve pozitive për rininë dhe informimit të saj për kërcënimet që paraqet krimi i organizuar.
Ne po nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi me shkollat e mesme në vatrat lokale të krimit, për të ofruar kurse falas me qëllim nxitjen e sportit dhe të rol-modeleve pozitive në shoqëri. Gjithashtu, kemi plane për t’u shtrirë më tej duke organizuar një konkurs të hapur për të rinjtë e të rejat nga i gjithë vendi, ku mesazhet kundër krimit dhe dhunës do të jepen nga persona të famshëm.