Çfarë ndikimi mund të ketë te krimi i organizuar nisma “Ballkani i Hapur”?
Fotoja: militaryingermany.com
Më 4 nëntor 2021, flamujt e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë valëviteshin në shtyllat e prozhektorëve të rrugëve të Beogradit, për t’u uruar mirëseardhjen delegacioneve të nivelit të lartë nga Tirana dhe Shkupi në takimin më të fundit të nismës “Ballkani i Hapur”. Kjo ide, e cila më përpara njihej me termin “minishengen”, lindi në vitin 2019 në Novi Sad të Serbisë kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ranë dakord të krijonin një zonë ekonomike për të përmirësuar më tej marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe për të fuqizuar lidhjet kulturore midis tri shteteve.1
Emri i ri i kësaj nisme u përdor për herë të parë në qershor të vitit 2021, në një takim të Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në Shkup. Ndonëse është e qartë që kjo nismë ka meritat e veta, a do të lehtësoheshin prurjet e paligjshme nëse do të hapeshin më tej kufijtë dhe tregjet? Disa e shohin këtë nismë si shkallare drejt anëtarësimit në BE. Të tjerët e shohin si shpërqendrim ose kopjim të marrëveshjeve ekzistuese siç është Tregu i Përbashkët Rajonal. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shembull, ka qenë tepër kritik ndaj kësaj nisme.2 Mali i Zi i ka monitoruar zhvillimet, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina duket skeptike dhe e angazhuar me problemet e saj të brendshme.
Kriminelë pa kufij
Qëllimi kryesor i nismës “Ballkani i Hapur” është heqja e të gjitha pengesave kufitare midis tri vendeve brenda vitit 2023. Një gjë e tillë do të eliminonte pritjet e gjata dhe të lodhshme për udhëtarët dhe përgatitjen e ndërlikuar të dokumenteve për kompanitë. Pikat e kalimit kufitar do të vazhdojnë të jenë aty, por në pikat kufitare do të krijohen korsi lëvizjeje të shpejtë për qytetarët dhe mallrat që vijnë nga vendet pjesëmarrëse dhe në këto pika nuk do të kryhen kontrolle. Krahas kësaj, udhëheqësit nënshkruan tri dokumente për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave, qasjen në tregun e punës dhe bashkëpunimin për mbrojtje në raste fatkeqësie natyrore.3 Për pasojë, mallrat dhe njerëzit do të lëvizin më shpejt, do të krijohet një treg i përbashkët me 12 milionë njerëz dhe bashkëpunimi trepalësh do të përmirësohet.4
Me përjashtim të “Marrëveshjes për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë”, nisma “Ballkani i Hapur” është pothuajse identike me Tregun e Përbashkët Rajonal të mbështetur nga BE-ja. Megjithatë, duket se nisma “Ballkani i Hapur” është pjesërisht e motivuar nga përparimi i ngadaltë i anëtarësimit në BE dhe, në rastin e Shqipërisë dhe Serbisë, nga pakënaqësitë me obstruksionizmin e perceptuar të Prishtinës. Rreziku është që ekzistojnë dy procese paralele konkurruese, çka do të thellojnë ndasitë në rajon në vend që të përmirësojnë bashkëpunimin. Kthimi i kësaj nisme në realitet do të kërkojë bashkëpunim institucional, harmonizim ligjor dhe ndërveprueshmëri (sidomos për shkëmbimin e informacionit). Gjithashtu, do të duhen edhe burime. Por a do t’ua bëjë heqja e kufijve më të lehtë kriminelëve të veprojnë përtej kufijve?
Me apo pa nismën “Ballkani i Hapur”, kriminelët në Ballkanin Perëndimor kanë kohë që lëvizin dhe bashkëpunojnë përtej kufijve, ku zonat kufitare priren të jenë vatra të krimit të organizuar. A do të çonte hapja e kufijve në uljen e motivimit të trafikantëve për t’u mbledhur rreth zonave kufitare? (Për shembull, midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për trafikimin e drogës dhe emigrantëve, ose midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sidomos për kontrabandimin e kanabisit.) Ulja e kontrolleve kufitare mund të ulë korrupsionin në radhët e rojeve kufitare, por kjo do të ulte edhe aftësinë e tyre për të zbuluar drogën dhe mallrat e tjera të kontrabanduara gjatë kontrolleve rutinë. Gjithashtu, duke qenë se prurjet e ligjshme dhe të paligjshme kalojnë nëpër të njëjtat rrugë dhe përdorin infrastrukturë të ngjashme, hapja e kufijve pa bashkëpunim më të mirë në fushën e sigurisë do të krijonte më shumë mundësi për krimin e organizuar ndërkombëtar.
Nëse Kosova do të bëhej pjesë e kësaj nisme (gjë që, tani për tani, nuk duket se ka të ngjarë të ndodhë), do të hapeshin mundësitë për uljen e tensioneve që kanë të bëjnë me kufirin dhe problemet kufitare. Gjithashtu, një gjë e tillë do të lehtësonte prurjet e paligjshme, duke qenë se Kosova kufizohet me katër nga pesë juridiksionet e tjera dhe ka rrugë të shkëlqyera. Nga ana tjetër, nëse Kosova nuk bëhet pjesë e kësaj nisme, ajo do të bëhej portal më pak tërheqës për trafikimin nga Shqipëria ose Maqedonia e Veriut, duke qenë se trafikantët mund ta anashkalojnë duke ndjekur një rrugë relativisht të parrezikshme për ta.
Nëse kufijtë midis shteteve nënshkruese të nismës hapen më shumë, pikat e hyrjes në ato tregje mund të bëhen objekt i mosmarrëveshjeve më të mëdha. Për shembull, pas kalimit nga një port i Shqipërisë, kontrolli kufitar i radhës për qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut ose Serbisë mund të jetë në pikën e kalimit kufitar midis Serbisë dhe Hungarisë. Armët ose cigaret që kontrabandohen nga Serbia ose Maqedonia e Veriut mund të mbërrijnë në Adriatik pa asnjë kontroll kufitar. Kjo mund të rrisë konkurrencën midis grupeve kriminale, jashtë zonës dhe jo midis shteteve që janë brenda zonës, për qasje te portet ose pikat kryesore të kalimit kufitar tokësor. (Për shembull, nëse grupet shqiptare dhe serbe që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Amerikën Latine do të bashkëpunonin për ta kaluar kokainën përmes porteve të Shqipërisë dhe për ta shpërndarë më pas në Evropën Perëndimore nëpërmjet vendeve të nismës “Ballkani i Hapur”.) Kjo ose do ta përmirësonte bashkëpunimin midis grupeve kriminale në Ballkan, sikurse ndodh tashmë në Amerikën Latine, ose ka të ngjarë të ndezë një luftë midis tyre, për shembull, lidhur me kontrollin mbi trafikimin e kokainës përmes porteve të Shqipërisë.
Rritja e bashkëpunimit në fushën e zbatimit të ligjit
Njëlloj siç çoi heqja e kufijve brenda BE-së në rritje të bashkëpunimit midis agjencive të zbatimit të ligjit, sidomos nëpërmjet Europolit, Fronteksit dhe Kodit për Kufijtë e Shengenit,5 diskutimet lidhur me hapjen e mëtejshme të kufijve ose me një treg të përbashkët rajonal duhet të shihen si mundësi që duhet shfrytëzuar për të krijuar një sistem të integruar për kontrollin e kufijve, për të përmirësuar operacionet e përbashkëta të policisë, të drejtuara nga inteligjenca, dhe për t’i ofruar njëri-tjetrit ndihmë juridike reciproke në lidhje me hetimet, ndjekjen penale, procedurat gjyqësore dhe rikuperimin e aseteve.
Këtë proces mund ta lehtësonin institucionet që ekzistojnë tashmë, siç është Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC—Southeast European Law Enforcement Center) dhe Konventa e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore. Mund të paraqitet nevoja edhe për krijimin e një databaze të përbashkët rajonale të inteligjencës, për të gjurmuar kriminelët e kërkuar dhe luftëtarët e huaj terroristë dhe për të shkëmbyer informata në drejtim të ndihmimit të hetimeve. Me uljen e numrit të kontrolleve kufitare, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe zyrtarët kufitarë mund të dërgohen përsëri në terren për të formuar ekipe lëvizëse.Ajo që duhet shmangur, të paktën në fillim, është krijimi i një tjetër organi rajonal ligjzbatues. Ekzistojnë prej kohësh organe si SELEC-i, Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore, Konventa e Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore (dhe sekretariati i saj) dhe Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, si dhe Procesi i Berlinit.
Megjithatë, diskutimi i integrimit të mëtejshëm ekonomik pa marrë parasysh pasojat për sigurinë nënkupton mungesë largpamësie. Do të ishte logjike të përdorej një organ ekzistues, siç është procesi i Qeverisjes Integruese të Sigurisë së Brendshme, i cili ka një shtyllë për luftën kundër krimit të rëndë të organizuar në Ballkanin Perëndimor, për të koordinuar politikat dhe për të bashkuar përpjekjet e të gjithë aktorëve përkatës të sigurisë. Nëse vendet e nismës “Ballkani i Hapur” dëshirojnë të bëjnë përpara më shpejt, bashkëpunimi i tyre duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë rajonale. Edhe pse hapja e mëtejshme e kufijve mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale, nisma “Ballkani i Hapur” dhe përpjekjet e tjera për të nxitur një integrim rajonal më të madh, duhet të shihen si mundësi për të fuqizuar bashkëpunimin rajonal në fushën e zbatimit të ligjit, për të luftuar kundër krimit të organizuar.
Shënime
-
Nikola Mitkovic, Open Balkan: Who benefits from it? [Ballkani i Hapur: Kush përfiton prej tij?], CGTN, 31 korrik 2021, https://news.cgtn.com/news/2021-07-31/Open-Balkan-Who-benefits-from-it–12lawyWuzGo/index.html. ↩
-
RSE: Za vladu Kosova Open Balkan je inicijativa bez vizije, Danas, 29 korrik 2021, https://www.danas.rs/politika/rse-za-vladu-kosova-open-balkan-je-inicijativa-bez-vizije/. ↩
-
Këto tri dokumente janë: “Memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor”, “Memorandumi për qasjen e lirë në tregun e punës” dhe “Marrëveshja për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë”. ↩
-
Sinisa Jakov Marusic, Balkan ‘Mini-Schengen’ leaders eye open borders by 2023 [Liderët e “minishengenit” ballkanik synojnë hapjen e kufijve para vitit 2023], BalkanInsight, 29 korrik 2021, https://balkaninsight.com/2021/07/29/balkan-mini-schengen-leaders-eye-open-borders-by-2023/. ↩
-
Kodin për Kufijtë e Shengenit mund ta gjeni në adresën: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32016R0399&from=EN. ↩