Nismat lokale: Dialogët për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.
Në tetor dhe nëntor të vitit 2021, SEE-Obs-ja vazhdoi një seri dialogësh për qëndrueshmërinë duke zhvilluar takime në Tiranë, Beograd, Sarajevë dhe Prishtinë. Këto takime i mundësuan GI-TOC-së dhe partnerëve të saj nga shoqëria civile që të merrnin pjesë përsëri fizikisht pas pothuaj dy vitesh pandemie “KOVID-19”, për të fuqizuar bashkëpunimin midis OJQ-ve, gazetarëve investigativë dhe akademikëve që punojnë në fushën e krimit të organizuar dhe për të ndërtuar ura midis aktorëve të shoqërisë civile dhe qeverisë në lidhje me luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. GI-TOC-ja zhvilloi diskutime, në secilin kryeqytet, edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe shoqërisë civile dhe me zyrtarë publikë për të prezantuar aktivitetet e saj më të fundit.
Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri
Më 28 dhe 29 tetor, në dialogun për qëndrueshmërinë, të zhvilluar në Tiranë të Shqipërisë, u mblodhën përfaqësuesit e shoqërisë civile nga i gjithë vendi. Në fokus të takimit ishin sfidat me të cilat përballet rinia në Shqipëri dhe gjërat që janë duke bërë OSHC-të për të pakësuar dobësitë e rinisë përballë krimit të organizuar. Ndër temat kryesore që u ngritën ishin nevoja për rol-modele pozitive, alternativa ndaj narrativës së “pasurimit të shpejtë”, mundësitë dhe rreziqet e emigrimit, nevoja për mbështetjen e bizneseve të vogla në fazat e tyre të hershme dhe ndikimi i kanabisit në disa komunitete (kryesisht rurale) si dhe rinia. Pjesëmarrësit shkëmbyen edhe përvojat e tyre lidhur me ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara nga grupet kriminale. Përfaqësuesit e OSHC-ve, kryesisht gra nga komunitetet jashtë kryeqytetit, diskutuan nevojën për kurajën civile dhe sfidat e ndërveprimit me qeverinë lokale, si dhe vështirësitë në shndërrimin e projekteve të financuara afatshkurta në nisma të qëndrueshme afatgjata.
Fotoja: Bahrudin Bandic.
Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me mënyrën se si duhen ndërtuar urat midis OSHC-ve dhe qeverisë në funksion të parandalimit dhe luftës ndaj korrupsionit. Fjala hapëse e Adea Pirdenit, zëvendësministre e Drejtësisë, dhe Jorida Tabakut, kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe e Komitetit Parlamentar për Integrimin Evropian, u pasuan nga një diskutim lidhur me mënyrën e fuqizimit të kulturës së integritetit në institucionet publike dhe sektorin privat; mënyrën e rritjes së vetëdijesimit të publikut për ndikimin e korrupsionit; nevojën për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e hartimit dhe zbatimit të ligjeve dhe strategjive kundër korrupsionit; dhe mënyrën e ruajtjes së funksionit të “ruajtësit” të OSHC-ve antikorrupsion, ndërkohë që qeveria vazhdon t’i shohë ato si partnerë konstruktivë.
Ndër problematikat e ngritura ishin korrupsioni në media dhe nevoja për mbrojtje më efektive për informatorët dhe për një organ antikorrupsion më të pavarur. Zëvendës ministrja dhe përfaqësuesit e OSCH-ve falënderuan GI-TOC-në për organizimin e takimit të cilin ata e panë si hap të rrallë e të nevojshëm në funksion të përmirësimit të dialogut dhe mirëbesimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.
Në një takim me audiencë më të gjerë, SEE-Obs-ja ftoi gazetarë shqiptarë për të bashkëndarë përvojat e tyre në fushën e hetimit të veprimtarive të grupeve shqiptare të krimit të organizuar që kryejnë aktivitete në Shqipëri dhe jashtë vendit. Informacionet për rrugët e trafikimit të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës ishin veçanërisht zbuluese. Ndër çështjet e ngritura në diskutimin e radhës ishin: vështirësitë në qasjen në informacion, mbrojtja që zyrtarët publikë u japin kriminelëve, mungesa e ndjekjes penale të rasteve të nivelit të lartë për krimin e rëndë të organizuar, cenueshmëria e të rinjve të ndikueshëm përballë krimit të organizuar (ku përfshihet ngritja në qiell e krimit dhe rol-modeleve devijuese në rrjetet sociale) dhe mungesa e raportimit të thellë investigativ në terren në krahasim me diskutimet sipërfaqësore rreth krimit të organizuar në studiot televizive.
OSHC-të si ofruese shërbimesh në Serbi
Edhe në dialogun për qëndrueshmërinë, të zhvilluar në Beograd të Serbisë në datat 4 dhe 5 nëntor, u mblodhën përfaqësues të OSHC-ve nga i gjithë vendi. Ky takim pati në fokus rolin që kanë OSHC-të në përkrahjen ndaj përdoruesve të drogës, reformën pas-penale dhe të rinjtë e të rejat që janë të cenueshme ndaj krimit të organizuar. Çështje të tjera ishin edhe kreditë grabitqare me interesa shumë të larta (“loan-sharking”), huliganizmi në futboll, prurjet financiare të paligjshme, trafikimi i qenieve njerëzore dhe ndikimi i korrupsionit dhe grupeve kriminale në qeverinë lokale dhe qendrore.
Një numër pjesëmarrësish vuri në dukje vështirësitë me të cilat përballen OSHC-të në Serbi, duke përfshirë mungesën e qasjes në informacion, burimet e kufizuara, mungesën e komunikimit me zyrtarët e qeverisë vendore, hutinë që shkaktojnë OJQ-të që organizohen nga qeveria, ngurrimin e donatorëve dhe shoqërisë civile për të trajtuar problematikat e krimit të organizuar, dhe madje edhe kërcënimin dhe përdorimin e ligjit kundër OSHC-ve.
Pavarësisht kësaj, në një seancë ku morën pjesë një numër i kufizuar zyrtarësh publikë, u vu re se midis OSHC-ve dhe qeverisë kishte bashkëpunim të mirë lidhur me problematikat e trajtimit të drogës dhe reformën pas-penale. Zyrtarët publikë pranuan vlerën e shtuar të OSHC-ve si ofruese shërbimi në komunitetet ku ato janë aktive. Megjithatë, OSHC-të që merren me problematikat që kanë të bëjnë me krimin e organizuar ose vënien në dukje të korrupsionit pranoheshin më pak.
Në seancën publike, përfaqësuesit e SEE-Obs-së nënvizuan nevojën për nxitjen e më shumë debateve dhe analizave rreth problematikave që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin si dhe për pasjen e një angazhimi më konstruktiv midis qeverisë dhe shoqërisë civile. U vu në dukje se OSHC-të mund të jenë “faktor i rëndësishëm korrigjues” i politikave qeveritare dhe se ato mund të propozojnë zgjidhje për përmirësimin e situatës.
Përqendrimi tek emigracioni në Bosnjë dhe Hercegovinë
Në dialogun për qëndrueshmërinë, të mbajtur në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës, në datat 15 dhe 16 nëntor, morën pjesë përfaqësues të OSHC-ve nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës Serbe dhe nga Rrethi i Bërçkos. Morë pjesë edhe OJQ-të që përfaqësonin policinë. Njëlloj si në kryeqytetet e tjera, përfaqësuesit e shoqërisë civile u treguan kritikë ndaj mungesës së qasjes në informacion, burimeve të kufizuara dhe mundësive të kufizuara për angazhim me zyrtarët publikë. Gjithashtu, ata vunë në dukje se bashkëpunimi kundër krimit të organizuar pengohej nga situata politike e polarizuar në vend dhe nga sistemi shumënivelësh i qeverisjes.
Ndër problematikat e ngritura ishte edhe nevoja për pjesëmarrje më aktive nga rinia në çështjet që kanë të bëjnë me rritjen e vetëdijesimit për dëmet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, rritjen e mbështetjes për gazetarinë investigative, dhe shtimin e mundësive për komunikim midis OSHC-ve dhe institucioneve publike, për shembull lidhur me informimin dhe mbështetjen ndaj përdoruesve të drogës dhe ndaj emigrantëve.
U zhvillua një diskutim rreth temës së ndërtimit të urave midis qeverisë dhe shoqërisë civile në funksion të trajtimit më efikas të sfidës së migrimit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile nga një prej rajoneve më të prekura, kantoni i Una-Sanës, i cili ndodhet pranë kufirit me Kroacinë, përshkruan me hollësi situatën e rëndë humanitare me të cilën përballen personat që lëvizin nga njëri vend në tjetrin. Zyrtarët publikë, duke përfshirë pjesëtarët e policisë kufitare, përshkruan sfidat me të cilat përballen kur merren me problemin, duke përfshirë bashkëpunimin e pamjaftueshëm me disa vende fqinje dhe komunitetin ndërkombëtar dhe burimet e pamjaftueshme dhe korrupsionin në pikat e kalimit kufitar. Pavarësisht kësaj, u vu në dukje se në vitin 2021, numri i emigrantëve të përzier në Bosnjë dhe Hercegovinë pësoi rënie. Pjesëmarrësit diskutuan edhe për trafikimin e qenieve njerëzore në vend, duke përfshirë cenueshmërinë e emigrantëve ndaj shfrytëzimit për qëllime seksi ose në punë të detyruar.
Pjesëmarrësit vlerësuan mundësinë për t’u takuar dhe shkëmbyer pikëpamje në mënyrë konstruktive dhe diskutuan rreth ideve për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen. Ndonëse theksuan rëndësinë që ka ruajtja e pavarësisë së shoqërisë civile, ata ranë dakord se kur është fjala për problematika si droga, migracioni dhe korrupsioni, organizatat e shoqërisë civile dhe zyrtarët publikë “kanë të njëjtin qëllim”.
Ndërkohë që ishte në Sarajevë, personeli i GI-TOC-së u takua me ministrin e Sigurisë, drejtorin e departamentit politik të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe këshilltaren e lartë kundër korrupsionit në Nismën Rajonale Kundër Korrupsionit.
Fuqizimi i koalicioneve kundër krimit në Kosovë
Dialogu i pestë për qëndrueshmërinë u zhvillua në Prishtinë të Kosovës në datat 25 dhe 26 nëntor. Fokusi kryesor i takimit ishte mënyra e krijimit të koalicioneve dhe zhvillimit të narrativave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në takim u mblodhën grupe të ndryshme pjesëmarrësish nga i gjithë vendi: gazetarë investigativë, ekspertë nga institutet kërkimore dhe aktivistë nga organizatat-bazë.Pjesëmarrësit theksuan se media duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje krimit të organizuar në Kosovë, përtej mbulimit të problematikave të tilla si ryshfeti dhe mungesës së transparencës në proceset e prokurimit publik. Gazetarët u inkurajuan të mbulonin grupet e krimit të organizuar, të cilat veprojnë në Kosovë, dhe tregjet kriminale si p.sh. trafikimi i drogës dhe mallrave të falsifikuar dhe krimi mjedisor. Një numër pjesëmarrësish ra dakord se Kosova duhet të hartojë ligjërimin e saj vetjak lidhur me krimin e organizuar, në vend që thjesht ta shohë këtë problem në vendet fqinje si Shqipëria ose Serbia. Gjithashtu, ata theksuan se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje grupeve të organizuara kriminale kosovare që veprojnë jashtë vendit.
Pjesëmarrësit diskutuan lidhur me mënyrat e fuqizimit të marrëdhënies midis medies dhe OJQ-ve. Për shembull, u vu në dukje që, nëse gazetarët përqendrohen më shumë te krimi i organizuar dhe korrupsioni, OJQ-të do të ishte mirë të promovonin punën e tyre dhe të rrisnin presionin mbi qeverinë për ta detyruar këtë të fundit të marrë masa duke marrë për bazë gjetjet e raportimit investigativ.
Në një takim me zyrtarët e sektorit publik, përfaqësuesit e OSHC-ve patën mundësinë e rrallë të ndërvepronin me zëvendësministren e Drejtësisë, një anëtar të policisë kundër krimit të organizuar dhe një përfaqësues të agjencisë kombëtare antikorrupsion, dhe me një sinjalizues. Pjesëmarrësit diskutuan sfidat e tyre në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe morën pjesë në një dialog konstruktiv për përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik dhe për të nxitur një bashkëpunim më të madh midis sektorit publik dhe shoqërisë në përgjithësi.
Të punosh për një Ballkan të qëndrueshëm
Këta dialogë kanë zbuluar sfidat me të cilat përballen OSHC-të që merren me problematikat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shumë prej të cilave janë përkeqësuar nga pandemia “KOVID-19”. Por në këta dialogë u theksua edhe puna e guximshme dhe e përkushtuar që bëjnë OSHC-të në komunitetet e tyre. Takimet përforcuan nevojën për ndërtimin e urave midis shoqërisë civile dhe qeverisë dhe për bashkëpunimin drejt një qëllimi të përbashkët. Pjesëmarrësit diskutuan aktivitete të mundshme përcjellëse pas dialogëve
Tri tema-lajtmotiv të dialogëve për qëndrueshmërinë ishin: rinia, gjinia dhe ripërdorimi social i aseteve të vjedhura. Në kuadër të përcjelljes së raportit të Observatorit të shkurtit të vitit 2021, të titulluar “Së bashku jemi më të fortë: Forcimi i qëndresës së shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor”, SEE-Obs-ja do të publikojë raporte tematike lidhur me këto tema në fillim të vitit 2022 në kuadër të një serie të titulluar “Ballkani i Qëndrueshëm”.