Grupet kriminale në Shqipëri shfrytëzojnë gjakmarrjen.
Fotoja: Marka/Universal Images Group nëpërmjet platformës “Getty Images”
Shoqëria shqiptare ndonjëherë portretizohet si e dhunshme për shkak të normave të saj të vrazhda kulturore, siç është gjakmarrja. Ky zakon i ka fillesat në shekullin e 15-të dhe njihet me termin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.1 Sikurse ndodh në komunitetet e tjera malore të largëta (si në Mal të Zi, Kosovë dhe në disa pjesë të Kaukazit), kjo praktikë u zhvillua si mënyrë për të mbrojtur familjet në mungesë të një shteti të fuqishëm qendror.2 Frika nga ndërsjellja u projektua për të qenë element që dekurajonte aktet e dhunës: personi që i merrte jetën dikujt rrezikonte të krijonte një spirale hakmarrjeje “me të njëjtën monedhë”.3
Ndryshe nga nocioni “sy për sy”, gjakmarrja nuk ndalet patjetër pas kryerjes së një akti shpagimi, por mund të vazhdojë për breza të tërë derisa të mos ketë më anëtarë meshkuj në asnjërën palë.4 Qëllimi i këtij zakoni ishte të parandalonte kaosin, dhe jo ta shkaktonte atë. Ai ishte, në mënyrë efektive, variant i hershëm i një pakti për shkatërrim të sigurt reciprok, i cili lidhen ngushtë me vlerën e nderit dhe të familjes.5
Cili është dallimi midis gjakmarrjes dhe hakmarrjes?
Në gjuhën shqipe, fjala “gjakmarrje” do të thotë “të marrësh gjakun” ose “armiqësi gjaku”. Hakmarrja, nga ana tjetër, është detyrimi për të “marrë jetën me qëllim vënien e drejtësisë pas një padrejtësie që ka ndodhur më herët; për të ruajtur nderin”. Këta terma përdoren këmbyeshëm dhe ndonjëherë mund të jenë hutues, sepse në të dy rastet, vrasja kryhet për të vendosur drejtësinë dhe nderin. Megjithatë, dallimi kryesor qëndron në atë që gjakmarrja është varg i zgjatur i vrasjeve hakmarrëse midis familjeve, i cili mund të zgjasë me breza të tërë, ndërsa hakmarrja është shpagim për një vrasje, d.m.th. vrasje e tipit “sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë”. Dallimet bëhen të paqarta në raste kur hakmarrja që bëhet për hir të një anëtari familjeje shkakton gjakmarrje.
Instrumentalizimi i gjakmarrjes
Sot, ideja e gjakmarrjes është pjesë e faktorit të frikës të grupeve kriminale shqiptare. Ajo ndihmon që grupet të duken si ushtrues të mundshëm dhune, që u bien pas kundërshtarëve dhe marrin hak.6 Gjithashtu, gjakmarrja i vesh sjelljet e grupeve kriminale me petkun e normave zakonore ose tradicionale.7 Pavarësisht kësaj, grupet kriminale nuk priren të rekrutojnë njerëz që kanë lidhje me familjet e përfshira në gjakmarrje, sepse nuk duan të bëhen pjesë e këtyre konflikteve të stërzgjatura.8 Gjithashtu, ato bëjnë kujdes kur luftojnë kundër familjeve të fuqishme në zonat e veriut të Shqipërisë, për shkak se rrezikojnë të krijojnë gjakmarrjen: kjo do t’u prishte punë.9
Megjithatë, kërkimet shkencore të fundit kanë treguar se ndonjëherë grupet kriminale zbatojnë variantin e tyre të gjakmarrjes.10 Sipas “Kanunit”, nuk lejohet të marrësh hak për një pjesëtar familjeje që është vrarë ndërkohë që ka qenë duke kryer një vepër të pamoralshme (p.sh. duke vjedhur). Gjithsesi, krimi i organizuar ndonjëherë e keqpërdor “Kanunin” për të kërkuar hakmarrje: ka raste kur një grup i krimit të organizuar nuk ka mundësi të gjejë ndonjë kundërshtar dhe, në vend të tij, vret një prej pjesëtarëve të familjes së personit, duke e përligjur këtë si gjakmarrje. Në këtë situatë, pjesëtarët e familjes së viktimës shpesh fshihen ose emigrojnë nga frika e hakmarrjes së mëtejshme nga grupi i krimit të organizuar.11
Për shembull, në luftën territoriale midis dy grupeve të fuqishme të krimit të organizuar në qytetin e Shkodrës,12 drejtuesit e grupit kriminal “A” vrasin një anëtar kyç të grupit kriminal “B”. Për t’u hakmarrë, drejtuesit e grupit kriminal “B”, kur nuk janë në gjendje të gjejnë anëtarët e grupit kriminal “A”, vrasin babanë ose xhaxhanë e njërit prej anëtarëve kryesorë të atij grupi. Tani, ai person e konsideron vrasjen e anëtarëve të familjes së tij si gjakmarrje, prandaj edhe do të përpiqet të vrasë anëtarët e familjes së drejtuesve të grupit kriminal “B”. Me pak fjalë, edhe nëse grupet kriminale mund t’i japin fund konfliktit mes tyre, cikli i dhunës do të vazhdojë. Për pasojë, ajo që filloi si vrasje për hakmarrje lidhur me një vepër kriminale (e cila mund të jetë përkufizuar gabimisht si gjakmarrje) tashmë bëhet gjakmarrje e vërtetë.13
Vija ndarëse midis vrasjeve dhe gjakmarrjes bëhet e paqartë edhe në lidhje me trafikimin e drogës. Kjo ndodh atëherë kur mosmarrëveshjet që kanë ndodhur jashtë vendit zgjidhen në Shqipëri ose kur rastet e gjakmarrjes, që kanë nisur në Shqipëri, eksportohen jashtë vendit. Për shembull, të afërmit e pjesëtarëve të organizatave kriminale janë duke kërkuar azil në vendet e BE-së për t’i ikur kërcënimit të hakmarrjes. Sipas një raporti të vitit 2017 nga projekti “Operazione Colomba”, këto janë kërcënime të besueshme. Midis viteve 2013 dhe 2017, projekti raportonte se vrasjet me motiv gjakmarrjen ishin kryer në këto shtete: 11 në Itali, katër në Greqi dhe nga dy në Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Holandë, dhe nga një në Kosovë, Mal të Zi, Mbretëri të Bashkuar, Republikën Çeke, Suedi, Zvicër, Kanada dhe SHBA.14 Megjithatë, duhet vënë në dukje se grupet kriminale në përgjithësi parapëlqejnë të mos ekspozohen jashtë vendit, prandaj e vazhdojnë hakmarrjen ose gjakmarrjen në Shqipëri.
Por vijat ndarëse janë të turbullta. A është çdo vrasje hakmarrjeje midis grupeve kriminale “gjakmarrje” sipas traditës së “Kanunit”, apo është thjesht një spirale “normale” e dhunës midis grupeve të mafies? A kanë lidhje me krimin e organizuar të gjitha vrasje që, në plan të parë, duken se kanë të bëjnë me gjakmarrje, apo mos ndoshta disa reflektojnë larjen e hesapeve midis familjeve?
Shtrirja e problemit
Midis viteve 1991 dhe 2008, të paktën 9 500 persona u vranë si pasojë e gjakmarrjes. Gjatë së njëjtës periudhë, virtualisht rreth 1000 fëmijë u ngujuan në shtëpitë e tyre për t’u mbrojtur nga gjakmarrja e vazhdueshme.15 Megjithatë, duket se kjo praktikë është duke u zbehur. Sipas një raporti të vitit 2018, problemi është i përqendruar kryesisht në rrethin e Shkodrës në veri të Shqipërisë.16 Të dhënat tregojnë se në nivel kombëtar, 704 familje janë të përfshira në gjakmarrje, nga të cilat 113 kanë shkuar jashtë shtetit. Numri i lartë i familjeve në zonat ku gjakmarrja nuk është pjesë përbërëse e kulturës (d.m.th. në Tiranë dhe Durrës) mund të shpjegohet me faktin se familjet kanë ardhur në këto zona nga veriu i vendit, duke sjellë me vete edhe gjakmarrjen.
Kriminelët nuk janë të vetmit që abuzojnë me reputacionin e gjakmarrjes për përfitimet e tyre vetjake. Përmendja e frikës nga hakmarrja për shkak të gjakmarrjes është përdorur prej shumë kohësh si arsye për të kërkuar azil. Në disa raste, familjet kanë siguruar madje edhe vërtetime të rreme për të mbështetur pretendimet e tyre.17 Situata ndryshoi pas arrestimit të disa individëve. Ligji u ndryshua në vitin 2014 për t’u lejuar vetëm prokurorive kompetencën për të lëshuar këto vërtetime. Më tej, një numër vendesh pritëse (Franca, Belgjika dhe Suedia, ndër të tjera) tani u kërkojnë autoriteteve shqiptare të verifikojnë vërtetimet. Në rast se vërtetimet janë të falsifikuara ose nuk mbështeten në fakte, personat përgjegjës do të ndiqen penalisht nga autoritetet shqiptare.
Tiranë | Durrës | Lezhë | Dibër | Kukës | Shkodër | Gjithsej | |
---|---|---|---|---|---|---|---|
Familjet në gjakmarrje | 68 | 86 | 105 | 89 | 87 | 156 | 591 |
Të ngujuara | 5 | 6 | 6 | - | 3 | 17 | 37 |
Familje jashtë vendit | 8 | 6 | 33 | 3 | 16 | 47 | 113 |
Burimi: OJQ që punon me familjet e prekura në Shkodër.
Krahas kësaj, midis viteve 2012 dhe 2016, qeveria ndërmori hapa për të kriminalizuar dhe parashikuar ndëshkime të rënda për veprat e ndërlidhura me gjakmarrjen. Për shembull, sipas nenit 78/a të Kodit Penal, vepra penale e “vrasjes për gjakmarrje” dënohet me të paktën 30 vjet heqje lirie.18 Në nenin 83/a specifikohet se: “kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, që i bëhet një personi për t’u mbyllur në shtëpi, dënohet me burgim deri në tre vjet.” Krahas kësaj, sipas nenit 83/b “Nxitja për gjakmarrje”, “nxitja e të tjerëve për hakmarrje ose gjakmarrje, kur nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në tre vjet.” Të gjitha këto ndryshime ligjore në Kodin Penal hynë në fuqi në vitin 2013.
Qeveria përgatiti edhe një plan veprimi për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër veprave kriminale të vrasjes për motive gjakmarrjeje dhe hakmarrjeje.19 Në vitin 2017, policia e shtetit u ngarkua me detyrën e përgatitjes së një strategjie për zbatimin e këtij plani veprimi.20 Disa prej pikave të planit parashikonin që policia e shtetit të mblidhte prova për familjet e përfshira në gjakmarrje, të monitoronte familjet e prekura dhe të përditësonte bazën e të dhënave me rastet aktuale. Më tej, të gjithë fëmijëve të cenuar nga gjakmarrja u është ofruar arsim në shtëpi. Gjithashtu, në vitin 2015, Parlamenti miratoi një rezolutë për të parandaluar fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri.21 Pavarësisht kësaj, Avokati i Popullit raportoi më vonë gjatë atij viti që pas zgjidhjes, “konstatojmë se nuk është bërë ndonjë zgjidhje konkrete nga institucionet shtetërore për zbatimin e detyrave të caktuara nga Kuvendi për parandalimin e këtij fenomeni dhe për nxjerrjen e akteve nënligjore”.22 Në progres-raportin e vitit 2018, BE-ja vinte në dukje se “ekziston ende nevoja për përcjelljen e zgjidhjes dhe rekomandimeve lidhur me gjakmarrjen”.23
Ndërkohë, midis viteve 2017 dhe 2020, ka pasur një rritje të numrit të rasteve të regjistruara të vrasjeve për gjakmarrje. Nga pesë raste të regjistruara në vitin 2017, numri arriti në shtatë në vitin 2020. Megjithatë, përqindja e dënimeve për personat e akuzuar për këtë krim ka rënë. Vetëm njëri nga pesë rastet e regjistruara për hetim në vitin 2017 u shpall faj fajtor me vendim gjykate. Nga shtatë rastet e regjistruara në vitin 2020, vetëm njëri u çua në gjykatë: i pandehuri u shpall i pafajshëm. Në të njëjtën mënyrë, në vitin 2020, vetëm njëri nga katër rastet e regjistruara për “nxitje të gjakmarrjes” u çua në gjykatë.24 Midis periudhës 2017-2020, numri më i lartë i rasteve të nxitjes, të regjistruara brenda një viti, ishte 11 (në vitin 2018). Vetëm një prej tyre u çua në gjykatë, e cila e shpalli të pandehurin fajtor.25
Dukuria e gjakmarrjes vazhdon të ekzistojë në Shqipëri, pavarësisht se është e kufizuar kryesisht në veri të vendit. Praktika e saj vazhdon të mbulohet nga njëfarë sekreti dhe misteri. Duhen bërë studime më të hollësishme për të përftuar një panoramë të qartë të situatës dhe për të mundësuar përllogaritjen e shkallës dhe të efektit të përhapjes (“spillover effect”) tek anëtarët e familjes së viktimave, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.
Ajo që është e qartë është se politikat aktuale shtetërore nuk mjaftojnë për ta çrrënjosur këtë dukuri. Ndonëse viktimave u ofrohet mbrojtje, besimi në sistemin e drejtësisë është i ulët. Kjo pengon bashkëpunimin e nevojshëm midis komunitetit dhe agjencive shtetërore përkatëse. Nëse gjakmarrja u zhvillua në mjedise ku shteti ligjor ishte i dobët, ekzistenca e një sistemi më efikas të drejtësisë penale do të ulte vlefshmërinë e këtij preteksti për dhunë.
Shënime
-
Leonard Fox, Kanuni i Lekë Dukagjini. New York: Gjonlekaj Publishing Company, 1989. ↩
-
Tanya Mangalakova, The Kanun, the present day Albania, Kosovo and Montenegro [Kanuni: Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi i ditëve tona], International Centre for Minority Studies and Intercultural Relations (IMIR), 2004, https://core.ac.uk/download/pdf/11870995.pdf. ↩
-
Arben Cara dhe Mimoza Margjeka, Kanun of Leke Dukagjini, Customary law of Northern Albania [Kanuni i Lekë Dukagjinit: E drejta zakonore e Shqipërisë së veriut], European Scientific Journal, 2015, 174-186. ↩
-
Margaret Hasluck, The Unwritten Law in Albania [Ligji i pashkruar në Shqipëri]. New York: Cambridge University Press, 1954. ↩
-
Mirjona Sadiku, A Tradition of honor, hospitality and blood feuds: Exploring the Kanun customary law in contemporary Albania [Tradita e nderit, mikpritjes dhe gjakmarrjes: Eksplorimi i të drejtës zakonore të Kanunit në Shqipërinë bashkëkohore], Balkan Social Science Review, 2014, 3, 93–113. ↩
-
Sandra F Joireman, Aiming for certainty: the Kanun, blood feuds and the ascertainment of customary law [Të kërkosh siguri: Kanuni, gjakmarrja dhe vërtetimi i së drejtës zakonore], The Journal of Legal Pluralism and Unofficial Law, 2014, 46, 2, 235–248. ↩
-
Vincenzo Mattei, Albania: The dark shadow of tradition and blood feuds, an ancient code of retaliation is forcing generations of Albanians into their own private prisons [Shqipëria: Hija e errët e traditës dhe gjakmarrjes, kodi i vjetër i hakmarrjes i detyron brezat e shqiptarëve të futen me forcë në burgjet e tyre private], Al Jazeera, 14 maj 2016, https://www.aljazeera.com/features/2016/5/14/albania-the-dark-shadow-of-tradition-and-blood-feuds. ↩
-
Fabian Zhilla, Organised crime and judicial corruption: Are customary norms playing any role? [Krimi i organizuar dhe korrupsioni në gjyqësor: A po luajnë ndonjë rol normat e së drejtës zakonore?], Journal of Financial Crime, 18, 4, 387–404. ↩
-
Po aty. ↩
-
Andrew Hosken dhe Albana Kasapi, The children trapped by Albania’s blood feuds [Fëmijët e zënë në kurth nga gjakmarrja në Shqipëri], BBC radio 4, 12 nëntor 2017, https://www.bbc.com/news/world-europe-41901300. ↩
-
Intervista të realizuara me burime anonime, nëntor 2021, Shkodër. ↩
-
Si nisën përplasjet e fiseve Bajri- Lici që solli 8 të vrarë në 15 muaj, Panorama, 29 prill 2019, http://www.panorama.com.al/si-nisen-perplasjet-e-fiseve-bajri-lici-qe-solli-8-te-vrare-ne-15-muaj/. ↩
-
Fabian Zhilla, Organised crime and judicial corruption: Are customary norms playing any role? [Krimi i organizuar dhe korrupsioni në gjyqësor: A po luajnë ndonjë rol normat e së drejtës zakonore?], Journal of Financial Crime, 18, 4, 387–404. ↩
-
Operazione Colomba, Descriptive document on the phenomenon of ‘hakmarrja’ and ‘gjakmarrja’ to raise awareness among albanian and international institutions (3rd edition) [Studim përshkrimor i dukurisë së “hakmarrjes” dhe “gjakmarrjes” për rritjen e vetëdijes në radhët e institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare (botimi i 3-të)], dhjetor 2017, https://www.operazionecolomba.it/docs/Report_ING-2017.pdf; Shihni: https://shtetiweb.org/2012/09/25/qarku-i-shkodres/. ↩
-
Dan Bilefsky, In Albanian feuds, isolation engulfs families [Në gjakmarrjen shqiptare: ngujimi gllabëron familjet], New York Times, 10 korrik 2008, https://www.nytimes.com/2008/07/10/world/europe/10feuds.html. ↩
-
Operazione Colomba, Descriptive document on the phenomenon of ‘hakmarrja’ and ‘gjakmarrja’ to raise awareness among albanian and international institutions (3rd edition) [Studim përshkrimor i dukurisë së “hakmarrjes” dhe “gjakmarrjes” për rritjen e vetëdijes në radhët e institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare (botimi i 3-të)], dhjetor 2017, https://www.operazionecolomba.it/docs/Report_ING-2017.pdf. ↩
-
Në vitin 2014, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar në Durrës, Ndrec Prenga, dhe dy persona të tjerë u arrestuan për lëshimin e dëshmive të rreme për 4 000 euro. Katër mijë euro është pazari për një dokument gjakmarrje, Gazeta Shqip, 21 shkurt 2014, http://www.arkivalajmeve.com/Kater-mije-euro-eshte-pazari-per-nje-dokument-gjakmarrje.1047530717/. ↩
-
Kodi Penal i Shqipërisë, i disponueshëm në: https://euralius.eu/index.php/en/library/albanian-legislation?task=download.send&id=11&catid=10&m=0. ↩
-
Plani kombëtar i veprimit nr. 1277 “Për parandalimin, gjurmimin dhe luftimin e veprave penale të vrasjes për gjakmarrje”, 24 tetor 2012. ↩
-
Shihni raportin afatmesëm të Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të marra gjatë ciklit të dytë të Rishikimit Periodik Universal, mars 2017, 8. ↩
-
Rezolutë “Për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri”, Kuvendi i Shqipërisë, 5 mars 2015, https://qbz.gov.al/eli/rezolute/2015/03/05/38-1/3fd74c03-ecea-42fd-ab72-cea6d6feb97c. ↩
-
Raport i veçantë i Avokatit të Popullit, Mbi Fenomenin e Gjakmarrjes në Shqipëri, dhjetor 2015, https://www.avokatipopullit.gov.al/media/manager/website/reports/RAPORT%20I%20VE%C3%87ANT%C3%8B%20%20nr.%202.%20per%20gjakmarrjen.pdf. ↩
-
Raporti për Shqipërinë 2018, Dokumenti i Punës së Stafit të Komisionit të BE-së (2018) 151 përfundimtar, 17 prill 2018, 26, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/system/files/2020-10/20180417-albania-report.pdf. ↩
-
Raport mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2020, Prokuroria e Përgjithshme, https://pp.gov.al/Dokumente/. ↩
-
Raport mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2018, Prokuroria e Përgjithshme, https://www.pp.gov.al/Dokumente/?ser=1209&rpp=3&msv=. ↩