Lidhjet midis politikës, etnisë dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Qyteti i Mitrovicës në veri të Kosovës shpesh ka qenë vatër e tensioneve ndëretnike midis serbëve etnik dhe shqiptarëve etnikë, ose midis popullsisë lokale dhe komunitetit ndërkombëtar. Mitrovica e Veriut dhe komunat e Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit në veri të Kosovës (me popullsi që përllogaritet të jetë 80 000  banorë),1 konsiderohen edhe si vatra të krimit të organizuar.2 Në tetor të vitit 2021, në kuadër të goditjes së krimit të organizuar në pjesë të ndryshme të Kosovës, policia realizoi një bastisje kundër grupeve kriminale në zonën e Mitrovicës, çka rezultoi në përplasje të dhunshme. Cilat janë lidhjet midis politikës, etnisë dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës në këtë rajon të paqëndrueshëm?

Ekonomi gri në një zonë gri

Që prej fundit të luftës së vitit 1999 në Kosovë, pjesa veriore e vendit ka qenë e ndarë sipas vijave etnike. Vija hipotetike ndarëse është lumi Ibër, i cili ndan komunitetet me shumicë serbe në veri nga komunitetet shqiptare në jug.3 Për shumë kohë, urat që lidhnin dy brigjet e lumit në Mitrovicë janë parë nga serbët si “simbole të rezistencës”, ndërsa shqiptarët i kanë parë ato si “simbole të unitetit”.4

Pamje e Mitrovicës. Qyteti është i ndarë midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë.

Pamje e Mitrovicës. Qyteti është i ndarë midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë.

Fotoja: Pierre Crom/“Getty Images”

Statusi i kontestuar i rajonit dhe ekzistenca “de facto” e autoriteteve (që shpesh mbështeten nga Serbia), si dhe prania e strukturave paralele të sigurisë, ka bërë të mundur ekzistencën e një niveli të lartë vetëqeverisjeje “de facto”. Kjo ka krijuar edhe një mjedis ku lejohen veprimtaritë e paligjshme për trafikantët serbë dhe shqiptarë.5 Ky rajon është konsideruar edhe si vend i mirë fshehjeje për të arratisurit, për shembull, nga Serbia.

Kjo situatë filloi të ndryshojë në vitin 2013 për shkak të një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinë, e lidhur në Bruksel, me të cilën, ndër të tjera, u shpërbënë strukturat paralele të sigurisë.6 Kjo i ka dhënë qeverisë së Kosovës dhe strukturave të saj ekzekutive një ndikim më të madh në rajon. Pavarësisht kësaj, mosmarrëveshjet e pazgjidhura midis Prishtinës dhe Beogradit kanë çuar në tensione të fuqishme që ndonjëherë bëhen të papërmbajtshme. Më tej, mungesa e bashkëpunimit midis policisë dhe autoriteteve gjyqësore serbe dhe kosovare “i paralizon këto organe dhe i bën ato të paafta për të luftuar kriminelët”.7

Gjithsesi, tensionet mbi tryezën e diskutimeve nuk e kanë ndalur tregtinë e paligjshme që zhvillohet poshtë saj. Veriu i Kosovës përdoret si zonë buferike midis Kosovës dhe Serbisë për kontrabandimin e mallrave, medikamenteve, cigareve, alkoolit dhe drogës. Me përjashtim të kanabisit, pjesa më e madhe e mallrave që futen kontrabandë në juridiksion janë produkte të ligjshme që transportohen në rrugë të vogla dytësore me qëllim shmangien e tarifave doganore dhe taksave të akcizës. Një pjesë e trafikimit kryhet nga grupe të organizuara, por pjesa më e madhe kryhet nga persona privatë që sjellin pajisje elektroshtëpiake, medikamente, artikuj ushqimorë dhe pije alkoolike nga Serbia. Shteti i dobët i së drejtës dhe energjia elektrike falas raportohet se e kanë bërë këtë rajon një vatër tërheqëse për nxjerrjen e kriptovalutave.8 Situata meriton një analizë më të thellë për të hedhur më shumë dritë mbi reputacionin e rajonit si “vrimë e zezë e krimit të organizuar”.

Lidhjet midis krimit të organizuar dhe politikës

Veriu i Kosovës mbështetjet financiarisht nga Serbia. Më tej, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, katër komuna në veri kanë qasje edhe në fondet nga buxheti shtetëror i Kosovës, i rezervuar për vetëqeverisjen lokale. Krahas kësaj mbështetjeje financiare, kjo zonë merr fonde edhe nga donatorë ndërkombëtarë (sidomos nga BE-ja) dhe një fond shtesë për zhvillimin. Ky i fundit përbëhet nga tarifat doganore që paguhen për mallrat e importuara për konsumim në veriun e Kosovës. Megjithatë, që prej vitit 2014,9 këto fonde kanë pësuar rënie të vazhdueshme, çka duket se përkon me veprimtaritë e kontrabandimit të përshkruara më sipër. Këto fonde synohen të përdoren për zhvillimin e rajonit. Megjithatë, të pakta janë të dhënat lidhur me mënyrën se si shpenzohen paratë.

Lumi Ibër ndan komunitetet me shumicë serbe në veri të vendit nga komunitetet shqiptare në jug.

Lumi Ibër ndan komunitetet me shumicë serbe në veri të vendit nga komunitetet shqiptare në jug.

Fotoja: Lekic Dragan/Gamma-Rapho nëpërmjet platformës “Getty Images”

Duke qenë se industria në këtë rajon është fare e paktë (ajo përbëhet kryesisht nga biznese të vogla), kushdo që kontrollon burimet publike në këtë ekonomi të qira-kërkimit (“rent-seeking economy”) bart pushtet të konsiderueshëm. Që të mbijetojnë, bizneset varen nga lidhjet me patronët politikë. Në fakt, për pjesën më të madhe të njerëzve në veri, është më me leverdi të përfitojnë nga qasja në fondet publike sesa të punojnë. Kjo situatë nxit korrupsionin përmes klientelizmit dhe krijon një ekonomi politike varësie.

Politika në veriun e Kosovës mbizotërohet nga një parti politike, Lista Serbe, e cila ka lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, e cila drejtohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.10 Zëvendëskryetari i Listës Serbe është Milan Radoiçiçi, ortak i ngushtë me Zvonko Veselinoviçin, një biznesmen serb famëkeq që ka fituar disa kontrata publike për projekte ndërtimi dhe autostrada në Serbi dhe është pronar i një hoteli të mirënjohur në Kopaonik.11 Në vitin 2019, Radoiçiçi dhe Veselinoviçi u akuzuan se drejtonin një grup të krimit të organizuar që ishte përgjegjës për vrasjen e udhëheqësit politik rival serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018.12 Përpara se të vdiste, në një intervistë për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative, Ivanoviçi e përshkroi Radoiçiçin si “udhëheqës i errët i veriut të Kosovës” dhe si “figurë kyçe në një sistem kërcënues pushteti në veriun e Kosovës”. Më tej, Ivanoviçi pretendonte se Radoiçiçi përfaqësonte një qendër joformale pushteti dhe vendimmarrjeje mbi rajonin.

Në nëntor të vitit 2018, policia e Kosovës u përpoq ta arrestonte Radoiçiçin në Mitrovicë, por ai u shmang dhe për dy vite nuk u ndje.13 Në fillim të vitit 2021, urdhri për arrestimin e tij u anulua dhe ai u kthye në Kosovë, ku u rizgjodh njëzëri zëvendësudhëheqës i Listës Serbe në korrik të vitit 2021.14

Më 8 dhjetor, SHBA-ja, në kuadër të strategjisë së saj për goditjen e korrupsionit, e përfshiu Radoiçiçin, Veselinoviçin dhe një numër qytetarësh të tjerë të Kosovës në një listë të zezë. Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Thesarit e përshkruante Veselinoviçin si udhëheqës të një grupi krimi të organizuar që “është përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti me zyrtarët kosovarë dhe serbë të sigurisë që i lehtësojnë grupit trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, substancave narkotike dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë”. Në deklaratë thuhej edhe se ai “kishte komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje “quid pro quo”, duke përfshirë edhe mitmarrjen, në fillim të vitit 2019, të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të mundësuar kontrabandimin midis Serbisë dhe Kosovës dhe mitmarrjen, në fund të vitit 2017, të zyrtarëve kosovarë të sigurisë së kufijve për të mundësuar kalimin e sigurt të trafikantëve”.15

Automjet i dëmtuar pas përplasjes midis policisë dhe protestuesve lokalë gjatë operacionit kundër kontrabandimit të mallrave, Mitrovicë, 13 tetor 2021.

Automjet i dëmtuar pas përplasjes midis policisë dhe protestuesve lokalë gjatë operacionit kundër kontrabandimit të mallrave, Mitrovicë, 13 tetor 2021.

Fotoja: Reuters/Laura Hasani nëpërmjet platformës “Alamy”

Goditja e krimit

Edhe pse qeveritë e mëparshme të Prishtinës kanë bërë kujdes kur është fjala për luftimin e ekonomisë politike të veriut të Kosovës, qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të ndalojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas Kurtit, që kur ai mori detyrën në mars të vitit 2021, janë kryer 437 operacione policore që kanë shkatërruar 31 grupe kriminale.16

Një operacion kryesor u krye nga Policia e Kosovës më 13 tetor 2021, kryesisht në komunat e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.17 Vëmendja e medies u përqendrua sidomos tek aksioni policor në Mitrovicën e Veriut. Bastisja u krye ndërkohë që tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit ishin rritur, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me targat dhe pak para zgjedhjeve vendore të 17 tetorit.

Kur njësitë e Policisë së Kosovës hynë në Mitrovicë, ato u bllokuan nga turmat që filluan të bërtisnin dhe hidhnin gurë drejt efektivëve të policisë.18 Tensionet u rritën edhe më shumë kur u aktivizua alarmi i emergjencave të komunës, çka bëri që në rrugë të dilnin edhe më shumë njerëz. Si kundërpërgjigje, policia u përforcua me njësi speciale policore të armatosura rëndë nga kampi “Belvedere” që ndodhet afër, në Mitrovicën e Jugut.19 Ai që duhej të ishte operacion kundër krimit të organizuar mori trajtën e një përleshjeje midis policisë dhe anëtarëve të inatosur të popullsisë lokale. Dhuna u përshkallëzua deri aty sa u sulmuan edhe njësitë e operacioneve speciale. Një komandant i nivelit të lartë dhe nëntë efektivë të tjerë policorë (tre serbë etnikë) u plagosën si pasojë e një shpërthimi dhe predhave që u gjuajtën në drejtim të mjeteve të blinduara të policisë.20 U plagosën edhe një numër civilësh. Pati disa arrestime. Policia tha se u sekuestrua një numër mallrash të kontrabanduara dhe materiale-provë me vlerë qindra mijëra euro.21

Edhe pse këto bastisje mbështesin agjendën e qeverisë për të qenë e ashpër ndaj krimit, ato ndihmojnë forcat lokale që të luajnë kartën e nacionalizmit. Në një diskutim të hapur midis Vuçiçit dhe përfaqësuesve të Listës Serbe, të zhvilluar më 16 tetor 2021 në kazermat e Ushtrisë së Serbisë në Raskë (afër kufirit me Kosovën), Radoiçiçi paralajmëroi se nëse bastisjet e policisë vazhdojnë, “populli do të organizohet dhe do të mbrojnë interesin e serbëve në Kosovë”.22 Me pak fjalë, këto operacione ndihmojnë për ta bërë qeverinë e Kurtit të duket e fuqishme përballë krimit, por njëkohësisht përdoren nga politikanët dhe grupet kriminale në nënrajon, të cilët përfitojnë nga status quo-ja.

Situata në veri të Kosovës vazhdon të tregojë lidhjet e ngatërruara midis krimit të organizuar dhe politikës. Gjithashtu, situata shfaq karakteristikat e vatrës së krimit të organizuar: një zonë kjo ku mbivendosen qeverisja e dobët, dobësitë socio-ekonomike dhe rrugët e trafikimit. Dhe kjo vë në dukje se bashkëpunimi ndërkufitar i kriminelëve është më i mirë sesa ai i policisë ose politikanëve.

Shënime

  1. Ky numër është llogaritje e përafërt, sepse të katër komunat e veriut e bojkotuan regjistrimin më të fundit të popullsisë në vitin 2011. Këto përllogaritje janë nxjerrë nga profili i komunave, i përgatitur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në vitin 2018. OSCE, Municipal Profiles 2018 [Profilet e komunave, 2018], tetor 2018, https://www.osce.org/files/Municipal%20Profiles_2018.pdf

  2. GI-TOC, Zonat problematike të krimit të organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Identifikimi dhe analizimi i pikave të dobëta në zona të caktuara në një kontekst rajonal, maj 2019, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2019/05/Hotspots-Report-Albanian-13Jun1110-Web.pdf

  3. International Crisis Group, Kosovo’s Linchpin: Overcoming Division in Mitrovica [Pika jetike e Kosovës: Kapërcimi i ndasisë në Mitrovicë], Balkans Report No. 96, 31 May 2000, 3, https://d2071andvip0wj.cloudfront.net/96-kosovo-s-linchpin-overcoming-division-in-mitrovica.pdf

  4. Jozef Bátora et al., Spaces and institutional logics in post-conflict settings of Mitrovica [Hapësirat dhe logjistika institucionale në kuadrin paskonfliktor të Mitrovicës], Journal of Intervention and Statebuilding, 15, 1, 114–131. 

  5. Walter Kemp, Mark Shaw dhe Arthur Boutellis, The elephant in the room: How can peace operations deal with organized crime? [Elefanti në dhomë: Si mund ta trajtojnë operacionet paqësore krimin e organizuar?], International Peace Institute, 3 qershor 2013, 46–55, https://www.ipinst.org/wp-content/uploads/2013/06/elephant_in_the_room.pdf

  6. Isidora Stakic dhe Maja Bjelos, The Future of Civil Protection in North of Kosovo [E ardhmja e mbrojtjes civile në veri të Kosovës], Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, 4 tetor 2015, https://www.balkansecurityplatform.org/Publications/354/The-future-of-Civil-Protection-in-North-Kosovo.shtml

  7. Ivana Jeremić, An unexpected cooperation: Albanians and Serbs ‘Affairs’ in Kosovo [Bashkëpunim i papritur: Aferat e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë], Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, 15 tetor 2021, https://bezbednost.org/en/publication/an-unexpected-cooperation-albanians-and-serbs-affairs-in-kosovo/

  8. Adelina Ahmeti dhe Kreshnik Gashi, In North Kosovo, mining for Bitcoin on ‘free’ electricity [Në veri të Kosovës, nxjerrja e bitkoinit me energji elektrike “falas”], BalkanInsight, 12 maj 2021, https://balkaninsight.com/2021/05/12/in-north-kosovo-mining-for-bitcoin-on-free-electricity/

  9. Dragiša Mijačić, O Fondu za razvoj severa Kosova, Kim, 30 nëntor 2020, https://www.radiokim.net/vesti/analiza/o-fondu-za-razvoj-severa-kosova.html

  10. Pobeda Srpske liste 100%, gradonačelnici u 19 opština u prvom krugu, ni u jednoj LVV, Kossev, 17 tetor 2021, https://kossev.info/danas-su-kosovski-lokalni-izbori-biralista-se-otvaraju-u-7/

  11. Od „čuvara mosta” do međunarodne poternice: Ko je Zvonko Veselinović, BBC, 2 dhjetor 2019, https://www.bbc.com/serbian/lat/srbija-50633650

  12. Rada Trajkoviçi, politikane serbe lokale, ka përsëritur pretendimet se Radoiçiçi qëndron prapa vrasjes së Ivanoviçit. Shihni: Radoičić glavnoosumnjičeni za ubistvo Olivera Ivanovića, Radio Evropa e Lirë, 23 gusht 2019, https://www.slobodnaevropa.org/a/pristina-sud-radoicic-ivanovic/30125833.html

  13. Three Serbs arrested in Oliver Ivanovic murder investigation [Arrestohen tre serbë gjatë hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviçit], EU-OCS, 23 nëntor 2018, https://eu-ocs.com/three-serbs-arrested-in-oliver-ivanovic-murder-investigation/

  14. Pristina court withdraws warrant for Kosovo Serb List official [Gjykata e Prishtinës tërheq urdhër-arrestin për zyrtarin e Listës Serbe në Kosovë], Kossev, 1 mars 2021, https://rs.n1info.com/english/news/pristina-court-withdraws-warrant-for-kosovo-serb-list-official/

  15. US Department of the Treasury, Treasury targets corruption networks linked to transnational organized crime [Thesari vë në shënjestër rrjetet e korrupsionit të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar], 8 dhjetor 2021, https://home.treasury.gov/news/press-releases/jy0519

  16. Intervistë me kryeministrin Kurti, e datës 7 nëntor 2021, shihni: Kurti: Beogradi dëshiron ta ketë një shtet në Kosovë, s’mund të ketë Asociacion, pike, Gazeta Express, 7 nëntor 2021, https://www.gazetaexpress.com/kurti-nuk-mund-te-kete-asociacion-mbi-baza-etnike-pike/

  17. DEKLARATA/ Policia e Kosovës për tensionet në Mitrovicë: Grupet kriminale kanë qëlluar me armë dhe granata, janë plagosur 6 efektivë, Dritehije, 13 tetor 2021, https://www.dritehije.com/2021/10/13/deklarata-policia-e-kosoves-per-tensionet-ne-mitrovice-grupet-kriminale-kane-qelluar-me-arme-dhe-granata-jane-plagosur-6-efektive/

  18. Për më shumë hollësi, shihni deklaratën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti, Drejtori i Policisë: 10 policë u lënduan në Mitrovicën Veriore gjatë aksionit kundër kontrabandimit me mallra, Shqip.com, nëntor 2021, https://shqip.com/drejtori-i-policise-10-zyrtare-policore-u-lenduan-ne-mitrovicen-veriore-gjate-aksionitkunder-kontrabandimit-me-mallra/

  19. Këto njësi të ndërhyrjes speciale quhen “Njësi Speciale Operative” (NJSO). NJSO-të njihen gjerësisht në medien serbe me termin “ROSU”: një akronim që i përket periudhës kur Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar, kur forcat speciale quheshin “Rapid Operational Support Unit” (njësia e shpejtë e mbështetjes operative). Që prej asaj kohe, kjo njësi është riorganizuar. Pavarësisht kësaj, ROSU-ja vazhdon të përfaqësojë një “forcë frike” në sytë e shumë serbëve në veri të Kosovës, ku ngjyresa negative e njësisë është bërë pjesë thelbësore e gjuhës së përditshme të politikanëve serbë dhe e narrativës së gazetave të medieve serbe. 

  20. Për më shumë hollësi, shihni deklaratën e z. Besart Ahmeti, komandant i njësisë operative NJSO, Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti tregon se si u plagos në aksionin kundër kontrabandës në veri, Telegrafi, 3 nëntor 2021, https://telegrafi.com/komandanti-njesise-speciale-besart-ahmeti-tregon-se-si-u-plagos-ne-aksionin-kunder-kontrabandes-ne-veri/

  21. Bekim Shehu, BE reagon për tensionet në veri të Kosovës, Deutsche Welle, 13 tetor 2021, https://www.dw.com/sq/be-reagon-p%C3%ABr-tensionet-n%C3%AB-veri-t%C3%AB-kosov%C3%ABs/a-59497238

  22. Për të mësuar më shumë lidhur me takimin e Raskës, shihni: Vučić sa Srbima u Raški: Čuvaćemo mir, ako krene nasilje zaštitite narod, N1, 13 tetor 2021, https://rs.n1info.com/vesti/vucic-kosovo-sever-policija-akcija-srbi-albanci/. Ndërkohë që takimi transmetojnë drejtpërdrejt, Radoiçiçi e bëri ndërhyrjen e tij në mënyrë publike, së bashku me anëtarët e tjerë të Listës Serbe.