Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e pikave kryesore
-
Kërcënim ndaj sigurisë: Si përfitojnë kriminelët nga sfidat politike të Kosovës.
Pavarësisht tri përpjekjeve për anëtarësim, Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it për shkak të marrëdhënieve jo të mira me Serbinë. Kosovën e kanë kritikuar se nuk po bën përpjekje të mjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar, por kjo luftë pengohet nga mungesa e qasjes në informacione dhe në operacione të përbashkëta që lehtësohen nëpërmjet këtyre organeve ligjzbatuese ndërkombëtare dhe rajonale. Duke qenë se organizatat kriminale kërkojnë “parajsa sigurie” në vendet ku zbatimi i ligjit është i dobët, fuqizimi i kapaciteteve të Kosovës për të zbatuar ligjin dhe për të vepruar me shpejtësi me qëllim trajtimin e krimit ndërkufitar mund të ndihmojë me uljen e normës së krimit në rajon.
-
A është nxjerrë ndonjë mësim në lidhje me menaxhimin e valës së re të emigracionit në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Numri i refugjatëve dhe i emigrantëve që udhëtojnë përmes Ballkanit Perëndimor është më i larti që prej vitit 2015. Krahasuar me shtatë vjet më parë, po shfaqen prirje të reja në lidhje me kontrabandimin e emigrantëve nëpërmjet rrugës ballkanike: rrjetet duket se janë përshtatur më shumë dhe janë bërë të decentralizuara, pjesërisht për shkak të përdorimit të teknologjisë. Më tej, duket se ka ndryshuar edhe profili i kontrabandistëve, meqë tregu tani ka marrë përmasa më ndërkombëtare. Përpjekjet për ta penguar emigrimin nga këto vende të Ballkanit Perëndimor dhe shtete anëtare të BE-së, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, duhet të përqendrohen te zbutja e faktorëve nxitës që i shtyjnë emigrantët të vënë jetën e tyre në rrezik në kërkim të një jete më të mirë.
-
Rreziqet në burgje mund të ndikojnë për keq te lufta kundër krimit në Ballkanin Perëndimor.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë norma relativisht të larta të popullatës së burgjeve krahasuar me shtetet e tjera të Evropës. Në teori, burgjet duhet të jenë institucione korrektimi dhe vendi i fundit i shkallëve të krimit. Në realitet, burgjet, në shumë raste, janë shkolla të shkëlqyera ku rekrutohen autorët e veprave penale të lehta, për t’i bërë ata pjesë të krimit të organizuar, nyja të rrjeteve dhe mbështetës të fshehtë për realizimin e veprimtarive kriminale. Pa reformë, ekziston rreziku që burgjet në Ballkanin Perëndimor ta përkeqësojnë, në vend që ta përmirësojnë, problemin e krimit të rëndë të organizuar në rajon.