A është nxjerrë ndonjë mësim në lidhje me menaxhimin e valës së re të emigracionit në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Në vitin 2022, numri i refugjatëve dhe emigrantëve në lëvizje përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor arriti nivelin më të lartë që prej vitit 2015. Deri tani, në vitin 2023, kjo rrugë ka mbetur rruga e dytë më aktive që të shpie në Evropë. Kjo situatë po shkakton shqetësime në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekziston frika e rishfaqjes së sfidave me të cilat janë përballur disa shtete në vitet 2015 dhe 2016 në kuadër të përballjes së tyre me miliona njerëz në lëvizje. Që prej asaj kohe, disa shtete kanë ngritur barriera fizike, kanë kërkuar të përmirësojnë marrëdhëniet me shtetet e treta dhe janë përpjekur të përmirësojnë bashkëpunimin shumëpalësh, sidomos nëpërmjet BE-së. Siç është vënë re edhe në rastin e ishullit italian të Lampeduzës, ky sistem tani është nën stres.
Sipas të dhënave paraprake nga Fontex-i (shqipto: fronteks), Agjencia Kufitare e BE-së, në vitin 2022 në bllok kanë hyrë 330 000 emigrantë të parregullt, çka përbën edhe prurjen më të madhe të parregullt që prej vitit 2016.1 Nga këta, 145 600 emigrantë (45%) kanë ardhur nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, numri i emigrantëve të parregullt është rritur me 136% krahasuar me vitin 2021.2 Shumica e personave në lëvizje kanë ardhur ose nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (MENA) ose përmes këtij rajoni.
Midis janarit dhe gushtit të vitit 2023, rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdoi të ishte rruga e dytë më aktive, edhe pse pati një rënie prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pjesërisht për shkak se Serbia i dha fund ardhjes pa viza të shtetasve të Burundit, Tunizisë, Indisë dhe Guine-Bisaut.3 Ky ndryshim politik nga ana e Serbisë ndodhi pas ushtrimit të presionit nga BE-ja, e cila ngriti shqetësimin se sistemi po shfrytëzohej nga emigrantët që po e përdornin vendin si trampolinë për t’u hedhur në bllok.
Foto: Nicolas Economou/NurPhoto përmes Getty Images
Tri kombësitë kryesore që udhëtojnë përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor janë ato siriane, afganistanase dhe turke.4 Pritet që numrat të vazhdojnë të jenë të lartë si pasojë e shpërthimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, represionit të vazhduar në Afganistan, luftës dhe paqëndrueshmërisë në Libi dhe në Sudan dhe nga vështirësitë ekonomike në shumë vende afrikane. Në gusht, Frontex-i kishte parashikuar një rënie të moderuar për gjithë vitin 2023,5 por kjo ishte përpara sulmit të Hamasit kundër Izraelit, i cili tani ka nisur pushtimin nga toka të Gazës, një zonë bregdetare e banuar nga palestinezët. Ekzistojnë edhe rreziqet e pasojave të konsiderueshme që shkojnë përtej këtij teatri të konfliktit të drejtpërdrejtë.
Në të njëjtën kohë, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse pjesa më e madhe e refugjatëve kanë shkuar drejt vendeve fqinje dhe Evropës Perëndimore, ka dhjetëra-mijëra ukrainas dhe rusë që kanë gjetur strehim në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe nga emigrantët që vijnë nga rajoni i MENA-s, të cilët mbështeten kryesisht në rrjetet e kontrabandimit të njerëzve për të aranzhuar kalimin e paligjshëm të kufijve shtetërorë, refugjatët ukrainas në vendet e Ballkanit, në përgjithësi, gjatë vitit 2022 kanë hyrë në këto vende në mënyrë të ligjshme.
Ndonëse lufta në Ukrainë nuk ka të bëjë shumë me rritjen e konsiderueshme të emigracionit të parregullt, ekziston një lidhje e tërthortë për sa i takon zbatimit të ligjit. Pjesa dërrmuese e burimeve humanitare, për shembull, në Hungari, Bullgari dhe Rumani, u përqendruan në pjesën më të madhe te trajtimi i daljes së refugjatëve nga Ukraina në fillim të vitit 2022. Kjo situatë ua bëri më të lehtë emigrantëve që ta kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme në vendet që ishin më pak të ruajtura, për shkak të zhvendosjes të personelit ligjzbatues. Po sjellim këtu si shembull kufirin midis Rumanisë dhe Hungarisë, kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë dhe kufirin midis Bullgarisë dhe Turqisë.6 Më tej, lufta ka krijuar një grup ukrainasish të cenueshëm, të cilët po rekrutohen nga rrjetet kriminale për të kryer detyra të nivelit të ulët, p.sh. të ngasin automjete të ngarkuara me emigrantë.7 Ka edhe pretendime se rrjetet kriminale ukrainase janë marrë edhe me kontrabandimin e burrave që janë të obliguar t’u bashkohen forcave të armatosura dhe që nuk lejohet të ikin nga Ukraina, për shkak të kufizimit të lëvizjeve.8
Faktorë kriminalë më të ndryshëm dhe më të dhunshëm
Në krahasim me shtatë vjet më parë, për sa i takon kontrabandimit të emigrantëve nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, vihet re se ka prirje të reja. Rrjetet duket se kanë përmirësuar aftësinë për t’u përshtatur dhe janë bërë më të decentralizuara. Përdorimi i teknologjisë, sidomos grupet me biseda të koduara (enkriptuara), aplikacionet e internetit në telefon dhe sistemet e GPS-së, e kanë demokratizuar tregun dhe e kanë pakësuar nevojën për centralizimin dhe mirëkoordinimin e veprimeve.9 Teknologjia ka pakësuar edhe nevojën për udhërrëfyes. Tani rekrutimi dhe reklamimi i kontrabandimit të emigrantëve është më i lehtë.10 Për të paguar për shërbimet e kontrabandimit, tani përdoren edhe aplikacionet e transfertave të parave nga interneti.11 Më tej, përdorimi i enkriptimit ia ka bërë më të vështirë policisë që të bjerë në gjurmët e rrjeteve të kontrabandimit dhe t’i hetojë ato, ndryshe nga sa ndodhte në vitin 2015 dhe 2016, ku këto grupe pikaseshin duke u mbështetur në informacionet e telefonave celularë.12
Emigrantët zakonisht shkojnë nga njëri vend në tjetrin, duke paguar për secilin segment udhëtimi dhe jo për gjithë udhëtimin siç ndodhte kryesisht midis viteve 2015 dhe 2017. Për të lehtësuar kalimin e paligjshëm të kufijve, kontrabandistët zakonisht mbështeten te kontaktet e tyre të besuara, shpesh bashkatdhetarë, në shtetet fqinje.13 Vazhdon të mbetet i njëjtë fakti se korrupsioni mund të ndihmojë me hapjen e dyerve ose t’i bëjë rojat kufitarë të bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh.14
Duket se ka ndryshuar edhe profili i kontrabandistëve. Ndërkohë që në vitet 2015 dhe 2016, shumica e kontrabandistëve ishin shtetas të vendit ku vepronin, tregu duket se është bërë më i paqëndrueshëm dhe ndërkombëtar. Nuk ndodh rrallë që qytetarët e një shteti të Evropës Juglindore të përfshihen, për shembull, si shoferë, për të kontrabanduar emigrantë drejt një shteti tjetër të rajonit. Shoferët shpesh rekrutohen nëpërmjet rrjeteve sociale në internet.15 Gjatë dy-tre viteve të fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të shoferëve në Bullgari, të cilët kanë ardhur nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.16 Edhe emigrantët ose ish-emigrantët, sidomos ata nga Afganistani dhe Pakistani, Afrika e Veriut ose rajonet ku banojnë kurdët, marrin pjesë aktivisht në kontrabandim, ndër të tjera, si rekrutues në qendrat azilkërkuese, si transportues, si qiradhënës për strehimin e emigrantëve dhe si organizatorë të logjistikës. Ata janë të pranishëm sidomos në qendrat kryesore ku emigrantët kërkojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.17 Shumë shpesh, në shumë shtete të rajonit, ndjekja e automjeteve ose ngarja e pakujdesshme e automjeteve bëhen shkak për aksidentet rrugore, ku humbin jetën emigrantët, shoferi dhe/ose përdoruesit e tjerë të rrugës.18
Meqenëse kostoja dhe niveli i sofistikimit që nevojiten për të hyrë në tregun e kontrabandimit, me sa duket, janë mjaft të ulëta, por përfitimet mund të jenë të majme, duket se ka konkurrencë të madhe në lidhje me qendrat kyçe. Kjo konkurrencë shpeshherë është e dhunshme. Vitin e kaluar, kanë ndodhur shumë incidente të dhunshme në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë, ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.19 Në disa raste, dhuna ushtrohet kundër policisë dhe rojave të kufirit. Raportohet se në vitin 2022, në Hungari, u plagosën 12 oficerë policie dhe 29 oficerë të gardës kombëtare,20 ndërsa në Bullgari në vitin 2022 u vranë katër oficerë policie dhe u plagosën shumë të tjerë gjatë përplasjeve të dhunshme me kontrabanduesit e emigrantëve.21 Në raste të tjera, ka përplasje të dhunshme midis grupeve kontrabanduese kundërshtare. Për shembull, të tilla incidente janë raportuar në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku ka pasur përplasje midis grupit të kurdëve dhe grupit të afrikano-veriorëve (marokenë dhe algjerianë).22 Ndonjëherë, dhunë ushtrojnë edhe kontrabanduesit mbi emigrantët, për shembull, kur këta të fundit përpiqen të kapërcejnë ndonjë gardh (si gardhi që ndan Serbinë me Hungarinë) pa paguar për shërbimin. Rastet më të shumta të dhunës ndodhin kryesisht te pikat kryesore të daljes, si në Serbi dhe pranë kampeve informale të emigrantëve.23
Këtë problem ndërkufitar mund ta zgjidhin vetëm reagimet shumëpalëshe
Që prej valës masive të refugjatëve dhe emigrantëve në vitin 2015, vendet e Evropës Juglindore janë prirë drejt ngritjes së mureve dhe gardheve mbrojtëse.
Nga ana e saj, BE-ja është munduar të përforcojë perimetrin e jashtëm, sidomos nëpërmjet përdorimit të Frontex-it. Në këtë kuadër, janë nënshkruar marrëveshje të reja me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për bashkëpunimin operativ në fushën e menaxhimit të kufijve. Këto marrëveshje mundësojnë, ndër të tjera, edhe veprimin në këto vende të oficerëve të Korpusit të Përhershëm të Frontex-it.24 Më tej, në vend që thjesht “ta mbyllin rrugën e Ballkanit” dhe t’i lënë këto vende të mbrojnë vet veten e tyre – siç ndodhi gjatë vitit 2016 – tani ekziston një ndjenjë më e madhe solidariteti, në mos interesi vetjak, për vendet e BE-së që të punojnë më ngushtë me fqinjët e tyre në Ballkanin Perëndimor, në drejtim të menaxhimit dhe pakësimit të fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve.
Duke u mbështetur në “Paktin e ri për emigracionin dhe azilin”, i cili u propozuar në shtator të vitit 2020, Bashkimi Evropian miratoi, në dhjetor të vitit 2022, një plan veprimi për emigracionin në Ballkanin Perëndimor. Ky plan ka 20 masa operative, të kategorizuara në pesë fusha kryesore: forcimi i menaxhimit të kufijve përgjatë rrugëve të trafikimit; procedurat e shpejta të kërkimit të azilit dhe krijimi i kapaciteteve të pritjes; lufta kundër kontrabandimit të emigrantëve; përmirësimi i bashkëpunimit për ripranimin dhe për kthimet; dhe harmonizimi i politikës së vizave.25 Miratimi i këtyre masave, jo vetëm që pritet të ndihmojë BE-në dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që ta trajtojnë emigracionin në mënyrë më efektive, por mund të çojë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE në fushën e migrimit dhe menaxhimit të kufirit.
Sfidë këtu do të jetë gjetja e përfitimeve të përbashkëta, për shembull, nëpërmjet bashkëndarjes më efektive të informacioneve, në vend të lojërave “kush e ka fajin” (siç ndodhi midis Austrisë dhe Rumanisë, ose në lidhje me vendimin polemizues të Hungarisë për të liruar nga burgu mbi 700 kontrabandistë të njerëzve të huaj, në qershor të vitit 2023), ose nëpërmjet ushtrimit të presionit mbi vendet e Evropës Juglindore, me qëllim që këto të kryejnë kthimin e emigrantëve pa infrastrukturën e nevojshme. Ndër masat praktike mund të përfshihen: operacionet e përbashkëta, standardizimi i metodologjisë për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve rreth emigracionit të parregullt dhe përmirësimi i procedurave për identifikimin dhe regjistrimin e emigrantëve në kufij. Po ashtu, do të ishte vendim i mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëheshin pjesë e Eurodac-it (sistemi evropian për krahasimin e gjurmëve të gishtave të azilkërkuesve).
Në fund, faktorët nxitës që i bëjnë kaq shumë emigrantë të dëshpëruar të vënë jetën e tyre në rrezik duke kërkuar mbrojtje dhe mundësi më të mira për të ardhmen, duhen trajtuar në nivel ndërkombëtar, dhe jo thjesht në nivelin evropian. Vendet në BE, Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kërkojnë bashkërisht një reagim global më të koordinuar ndaj flukseve të mëdha të njerëzve në lëvizje, duke përfshirë edhe nëpërmjet zbatimit të Kompaktit Global për Emigracion të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt. Përndryshe, do të vazhdojnë presionet jopërpjesëtimore mbi vende të caktuara si në Greqi dhe Itali, mungesa e solidaritetit dhe bashkëpunimit, dhe rritja e populizmit të shkaktuar, pjesërisht, nga zhgënjimi i popullsisë me paaftësinë e qeverive për të trajtuar emigracionin.
Shënime
-
Frontex, EU’s external borders in 2022: Number of irregular border crossings highest since 2016, 13 janar 2023, https://frontex.europa.eu/media-centre/news/news-release/eu-s-external-borders-in-2022-number-of-irregular-border-crossings-highest-since-2016-YsAZ29. ↩
-
Po aty. ↩
-
Frontex, Central Mediterranean accounts for half of irregular border crossings in 2023, 14 shtator 2023, https://www.frontex.europa.eu/media-centre/news/news-release/central-mediterranean-accounts-for-half-of-irregular-border-crossings-in-2023-G6q5pF; Sasa Dragojlo, Serbia ends visa-free regimes with Tunisia and Burundi, 25 tetor 2022, https://balkaninsight.com/2022/10/25/serbia-ends-visa-free-regimes-with-tunisia-and-burundi/. ↩
-
Frontex, Central Mediterranean accounts for half of irregular border crossings in 2023, 14 shtator 2023, https://www.frontex.europa.eu/media-centre/news/news-release/central-mediterranean-accounts-for-half-of-irregular-border-crossings-in-2023-G6q5pF. ↩
-
Frontex, Risk Analysis for 2023/2024, Gusht 2023, https://www.frontex.europa.eu/assets/Publications/General/ARA_2023.pdf. ↩
-
Tihomir Bezlov, Atanas Rusev dhe Dardan Kocani, Borderline: Impact of Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), shtator 2023, https://globalinitiative.net/analysis/ukraine-war-impact-migrant-smuggling-south-eastern-europe/. ↩
-
Po aty. ↩
-
GI-TOC, New front lines: Organized criminal economies in Ukraine in 2022, shkurt 2023, https://globalinitiative.net/analysis/organized-criminal-economies-ukraine-2022. ↩
-
Europol, Criminal networks in migrant smuggling, qershor 2023, https://www.europol.europa.eu/cms/sites/default/files/documents/Europol%20Spotlight%20Report%20-%20Criminal%20networks%20in%20migrant%20smuggling.pdf. ↩
-
Europol, Criminal networks in migrant smuggling, qershor 2023, https://www.europol.europa.eu/cms/sites/default/files/documents/Europol%20Spotlight%20Report%20-%20Criminal%20networks%20in%20migrant%20smuggling.pdf. ↩
-
Po aty; Tihomir Bezlov, Atanas Rusev dhe Dardan Kocani, Borderline: Impact of Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, GI-TOC, shtator 2023, https://globalinitiative.net/analysis/ukraine-war-impact-migrant-smuggling-south-eastern-europe/. ↩
-
Po aty. ↩
-
Po aty. ↩
-
Europol, Criminal networks in migrant smuggling, qershor 2023, https://www.europol.europa.eu/cms/sites/default/files/documents/Europol%20Spotlight%20Report%20-%20Criminal%20networks%20in%20migrant%20smuggling.pdf; Tihomir Bezlov, Atanas Rusev dhe Dardan Kocani, Borderline: Impact of Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, GI-TOC, shtator 2023, https://globalinitiative.net/analysis/ukraine-war-impact-migrant-smuggling-south-eastern-europe/. ↩
-
Tihomir Bezlov, Atanas Rusev dhe Dardan Kocani, Borderline: Impact of Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, GI-TOC, shtator 2023, https://globalinitiative.net/analysis/ukraine-war-impact-migrant-smuggling-south-eastern-europe/. ↩
-
Po aty. ↩
-
Europol, Criminal networks in migrant smuggling, qershor 2023, https://www.europol.europa.eu/cms/sites/default/files/documents/Europol%20Spotlight%20Report%20-%20Criminal%20networks%20in%20migrant%20smuggling.pdf; Tihomir Bezlov, Atanas Rusev dhe Dardan Kocani, Borderline: Impact of Ukraine war on migrant smuggling in South Eastern Europe, GI-TOC, shtator 2023, https://globalinitiative.net/analysis/ukraine-war-impact-migrant-smuggling-south-eastern-europe/. ↩
-
Po aty. ↩
-
MTI-Hungary Today, Armed incidents involving migrants on the rise at Hungarian border, 11 nëntor 2022, https://hungarytoday.hu/armed-incidents-involving-migrants-on-the-rise-at-hungarian-border/; AP News, Serb police: Man shot in border town clash between migrants, 25 nëntor 2022, https://apnews.com/article/europe-shootings-hungary-migration-western-269fab3f41a42df0d053e8ed865b49dc. ↩
-
Schengen News, Hungarian border police detected nearly 270,000 illegal migrants last year, 6 janar 2023, https://www.schengenvisainfo.com/news/hungarian-border-police-detected-nearly-270000-illegal-migrants-last-year. ↩
-
Dunavmost, Four police officers have died in the last 12 months due to migrant pressure, 17 shkurt 2023, https://www.dunavmost.com/novini/chetirima-politsai-zaginaha-za-poslednite-12-mesetsa-zaradi-migrantskiya-natisk. ↩
-
GI-TOC, Increasing migratory pressures in Serbia have led to conflict between people smuggling groups and crackdowns on migration, gusht 2023, https://riskbulletins.globalinitiative.net/see-obs-016/01-increasing-migratory-pressures-in-serbia-have-led-to-conflict.html; Intervistë me një oficer të policisë kufitare të Kosovës, Prishtinë, 8 nëntor 2023. ↩
-
GI-TOC, Increasing migratory pressures in Serbia have led to conflict between people smuggling groups and crackdowns on migration, gusht 2023, https://riskbulletins.globalinitiative.net/see-obs-016/01-increasing-migratory-pressures-in-serbia-have-led-to-conflict.html. ↩
-
European Commission, EU Action Plan on the Western Balkans, 5 dhjetor 2022, https://home-affairs.ec.europa.eu/system/files/2022-12/Western%20Balkans_en.pdf. ↩
-
Po aty. ↩