Të miturit e pashoqëruar përballen me udhëtime të vështira gjatë rrugës së emigrimit nga Ballkani Perëndimor në BE.
Në shkurt 2023, policia e Sllovenisë – në bashkëpunim me autoritetet e zbatimit të ligjit nga Austria, Kroacia, Hungaria, Italia dhe Rumania – arrestuan 13 persona të dyshuar për kontrabandimin e njerëzve. Personat e arrestuar me origjinë nga Sllovenia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dyshohej se ishin përgjegjës për kontrabandimin e më shumë se 200 emigrantëve në BE. Së bashku me armët dhe mijëra fishekë, policia gjeti drogë dhe para.1
Kriminelët i reklamonin aktivitetet e tyre të paligjshme – duke përfshirë video që dokumentonin transportet e suksesshme – në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale për t’i joshur emigrantët që të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme. Ata i transferonin emigrantët në dy rrugë kryesore, ose nga Kroacia përmes Sllovenisë në Itali, ose nga Serbia dhe Hungaria në Austri. Emigrantët që përdorin shërbimet e kontrabandimit paguanin çmime të larta për të hyrë në BE: një udhëtim i paligjshëm nga Serbia në Austri kushtonte rreth 5 000 € për person dhe i gjithë udhëtimi nga vendi i origjinës në BE zakonisht kushtonte midis 15 000 € dhe 20 000 €.2
Burimi: Europol
Emigracioni në rrugën e Ballkanit ka qenë në rritje që prej vitit 2019,3 dhe numri i kalimeve të paligjshme të kufirit është rritur gjatë pandemisë COVID-19.4 Në vitin 2022, më shumë se u zbuluan më shumë se 330 000 hyrje të parregullta në kufijtë e jashtëm të BE-së, i cili është numri më i madh që prej vitit 2016. Hyrjet e paligjshme përmes rrugës së Ballkanit kanë arritur majat, duke arritur numrin më të lartë të regjistruar që prej vitit 2015.5
Sipas një oficeri policie nga Bosnja dhe Hercegovina, shteti është një ‘rrugë më e përshtatshme fitimi’ për trafikantët.6 Emigrantët nga Afrika dhe Azia po hyjnë gjithnjë e më shumë në mënyrë të paligjshme përmes Bosnjës dhe Hercegovinës nga Mali i Zi dhe Serbia. Nga atje përpiqen të kalojnë kufirin në Kroaci.7 Sipas Frontex, shtetasit sirianë dhe turq ishin më të shpeshtit, dhe shtetasit e vendeve të tilla si, Tunizia, Burundi dhe India, të cilat më parë ishin të rrallë, janë vërejtur në rrugët e Ballkanit në vitin 2022.
Profili i njerëzve që lëvizin është gjithashtu duke ndryshuar. Një numër gjithnjë e më i madh i fëmijëve janë përpjekur të futen në BE, sidomos djemtë e rinj nga Afganistani, që kur talebanët morën pushtetin në gusht 2021. Afganët tani përbëjnë rreth 49% të banorëve që kampeve refugjate në Bosnjë dhe Hercegovinë.8
Së bashku me numrin e madh të njerëzve që lëvizin, ekziston një rrezik gjithnjë e më i madh i shfrytëzimit nga rrjetet e kontrabandimit. Një punonjës i një organizate ndërkombëtare që mbështet emigrantët tha se ‘njerëzit që lëvizin shpesh janë më të pambrojtur’. Edhe pse organizatat mund të raportojnë për shfrytëzimin e emigrantëve, shpesh këto raporte nuk sjellin asnjë ndryshim. ‘Nuk ekziston vullnet për t’i hetuar më tej këto raporte, nga organizatat ndërkombëtare tek autoritetet lokale,’ tha punonjësi.9
Shpesh fëmijët emigrantë me familjet e tyre janë viktima të dhunës, diskriminimit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Fëmijët e pashoqëruar10 janë edhe më të ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe dhunës. Zakonisht ata udhëtojnë me familjarë të largët, por bashkohen edhe me persona të panjohur gjatë rrugës për të shmangur qëndrimet e gjata në kampet e refugjatëve. Edhe pse kjo bëhet për t’i mbrojtur, kjo i ekspozon ata ndaj rreziqeve të reja.
Fëmijët emigrantë në rrezik
Në shumicën e rasteve, fëmijët e pashoqëruar bëhen viktima të shfrytëzimit seksual që në fillim të udhëtimit të tyre – një model që vazhdon përgjatë rrugës së emigrimit, e cila zakonisht zgjat më shumë se një vit.
Sipas një studiuesi që heton shfrytëzimin seksual në Ballkanin Perëndimor, më shumë se 99% e fëmijëve të pashoqëruar që janë larguar nga vendet e tyre janë viktima të trafikimit.11
Një raport i vitit 2022 nga OJQ-ja Save the Children zbuloi gjithashtu se fëmijët emigrantë që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor në BE ishin shumë të rrezikuar ndaj dhunës.12 Fëmijët që u intervistuan për raportin folën më së shumti për djem të pashoqëruar që ishin viktima të abuzimeve seksuale në rrugë. Asnjë prej fëmijëve të pyetur nuk tha se kishte qenë viktimë e abuzimit seksual, por pothuajse dy të tretat raportuan një ose më shumë raste në të cilat dalluan shenja ose ishin dëshmitarë të këtyre abuzimeve.13
Burimi: Save the Children
Shpesh fëmijët nuk flasin për shfrytëzimin seksual, madje nuk u tregojnë as familjarëve të ngushtë. Fëmijët mund të ngurrojnë të flasin për këtë ngaqë kanë frikë ose turp, dhe për të mbrojtur privatësinë dhe mirëqenien e tyre psikologjike, intervistuesit nuk këmbëngulin që të marrin përgjigje dhe nuk zhbirojnë më thellë. Fëmijët e intervistuar në rrugën e Ballkanit shpesh nuk kanë pranuar se ka ndodhur një gjë e tillë ose ndonjëherë e kanë treguar si diçka normale si një formë e pritshme e abuzimit të pushtetit. Kjo e bën mjaft të vështirë dallimin e kësaj lloj dhune.14
Një vështirësi tjetër gjatë hetimit të këtyre aktiviteteve kriminale është se rrallëherë fëmijët janë në dijeni të të drejtave të tyre dhe varen te më të rriturit në grupin e tyre, të cilët shpesh janë keqbërësit.15 Një problem tjetër është se këta fëmijë nuk janë të regjistruar dhe nuk qëndrojnë në të njëjtin vend apo në të njëjtin shtet për kohë të gjatë. Ekziston njëfarë frike se nëse i raportojnë incidentet në polici, do t’i detyrojnë të kthehen në vendin e origjinës. Ndaj është e vështirë të merren informacione dhe të dhëna të sakta, edhe kur kontaktohen organizatat ndërkombëtare ose vendëse që punojnë në kampe
Sipas nenit 3 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, ‘Në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët … rëndësi parësore duhet t’u kushtohet interesave të fëmijëve’.16 Përgjatë rrugës së Ballkanit, kjo dispozitë nuk zbatohet. Megjithatë ka raste të rralla në të cilat është zbuluar shfrytëzimi seksual i fëmijëve të pashoqëruar, dhe zbatimi i ligjit dhe prokurorët kanë marrë masa për t’i mbrojtur viktimat.
Në shkurt 2022 u ekspozuan raste të shfrytëzimit seksual në Orasje, Bosnjë dhe Hercegovinë, ku disa viktima ishin të mitur.17 Si keqbërësit e dyshuar, ashtu edhe viktimat u përkisnin popullatës emigrante që qëndronte në qendrat e pranimit në vend, dhe ishin nga Afganistani dhe Pakistani. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe institucionet partnere po punojnë për të siguruar provat e nevojshme për të ndjekur penalisht keqbërësit, dhe për t’u kujdesur e për t’i mbrojtur viktimat.
Një përgjigje e tillë është diçka e pazakontë. Në shumicën e rasteve, fëmijët janë viktima të padukshme: edhe kur identifikohen rastet e shfrytëzimit seksual, përsëri ndërmerren shumë pak masa. Sipas një përfaqësuesi të shoqërisë civile që punon me emigrantët në Tuzla, Bosnjë dhe Hercegovinë, një kontrabandist që ndodhej në qendrën e pranimit të emigrantëve po kryente sheshit veprime të paligjshme. Kur ai kontrabandoi njerëz përgjatë rrugës së Ballkanit, ai ishte gjithnjë i rrethuar nga djem të rinj që i drejtoheshin me fjalët ‘baba’ ose ‘xhaxha’. Ngaqë e thërrisnin si një pjesëtar të familjes, kjo ia bënte më të lehtë t’u afrohej djemve dhe të mos ndahej prej tyre në kampe, dhe i jepte mundësi t’i shfrytëzonte seksualisht.18 Në raste të tjera, kur kontrabandonte njerëz përtej lumit Drina nga Serbia në Bosnjë dhe Hercegovinë, djemve liheshin të drejtonin varkat. Të miturit, kryesisht fëmijë të pashoqëruar, drejtonin varkat ngaqë sepse nëse kapeshin, nuk mbanin përgjegjësi sipas ligjit. Por liroheshin dhe vendoseshin në një qendër refugjatësh.19
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile që punojnë me emigrantët, problemi i hetimit të shfrytëzimit seksual të fëmijëve të pashoqëruar vuan për shkak se mungon interesi nga zbatimi i ligjit, si edhe ngaqë mungojnë kërkimet në terren: ‘Edhe pse disa organizata dhe persona kanë marrë të dhëna në lidhje me ekzistencën e shfrytëzimit seksual mes fëmijëve të pashoqëruar, kjo nuk mjaftonte për t’i bindur autoritetet të nisnin hetime,’ tha një aktivist. 20
Një nga mënyrat për të pakësuar rrezikun e shfrytëzimit seksual të fëmijëve që udhëtojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor është që personat ndihmojnë emigrantët në kampe të fitojnë besimin e fëmijëve. Kjo do të thotë se duhet të përmirësohet komunikimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve, organizatave dhe personave që janë pjesë e rrjetit të mbrojtjes, si dhe rritjen e komunikimit të sistemit të mbrojtjes me refugjatët dhe emigrantët. Kjo përfshin rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Për të respektuar interesat e fëmijëve që lëvizin, zbatimi i ligjit, sistemi i mirëqenies sociale, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku për të adresuar nevojat e të miturve të pashoqëruar.
Shënime
-
EUROPOL, 13 criminals arrested for smuggling at least 212 people, 16 shkurt 2023, https://www.europol.europa.eu/media-press/newsroom/news/13-criminals-arrested-for-smuggling-least-212-people. ↩
-
Ibid. ↩
-
Frontex, Migratory routes, Western Balkan route, https://frontex.europa.eu/what-we-do/migratory-routes/western-balkan-route/. ↩
-
MARRI, Analysing the influence of COVID-19 on migration in the MARRI participants, 25 janar 2021, http://marri-rc.org.mk/wp-content/uploads/2021/02/FINAL-REPORT_Analysing-the-influence-of-COVID-19-on-migration-in-the-MARRI-Praticipants-1.pdf?fbclid=IwAR0KLKkK275b50Q71vMq0XxZ9e781PfndV5sYoPf5iePilGoqWFuMEPpjLU. ↩
-
Frontex, EU’s external borders in 2022: Number of irregular border crossings highest since 2016, 13 janar 2023, https://frontex.europa.eu/media-centre/news/news-release/eu-s-external-borders-in-2022-number-of-irregular-border-crossings-highest-since-2016-YsAZ29. ↩
-
Intervista me një oficer policie në Bosnjë dhe Hercegovinë, Sarajevë, 30 nëntor 2022. ↩
-
Ibid. ↩
-
Povećan broj migranata u BiH izvan privremenih prihvatnih centara, Fokus, 3 nëntor 2022, https://www.fokus.ba/vijesti/bih/povecan-broj-migranata-u-bih-izvan-privremenih-prihvatnih-centara/2430706/. ↩
-
Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile dhe punonjës në një organizatë ndërkombëtare në Una-Sana Canton, Bosnjë dhe Hercegovinë, 21 janar 2023. ↩
-
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) e përkufizon një fëmijë të pashoqëruar si ‘një person që është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, përveç kur, sipas ligjit të zbatueshëm për fëmijën, mosha madhore është arritur më herët dhe që “është i ndarë nga të dy prindërit dhe nuk përkujdeset nga një i rritur i cili sipas ligjit ose zakonit ka përgjegjësi për ta bërë këtë”’. Shiko UNHCR, Guidelines on policies and procedures in dealing with unaccompanied children seeking asylum, shkurt 1997, https://www.unhcr.org/media/guidelines-policies-and-procedures-dealing-unaccompanied-children-seeking-asylum. ↩
-
Eventi i nxjerrjes së raporteve, ‘Wherever we go, someone does us harm: Violence against refugee and migrant children arriving in Europe through the Balkans’, Save the Children, Sarajevë, 29 nëntor 2022. ↩
-
Save the Children, Wherever we go, someone does us harm: Violence against refugee and migrant children arriving in Europe through the Balkans, gusht 2022, https://resourcecentre.savethechildren.net/document/wherever-we-go-someone-does-us-harm-violence-against-refugee-and-migrant-children-arriving-in-europe-through-the-balkans. ↩
-
Ibid. ↩
-
Intervistë me një psikolog në Bosnjë dhe Hercegovinë, 21 dhjetor 2022. ↩
-
Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile që punon me njerëzit në lëvizje, Sarajevë, 10 dhjetor 2022. ↩
-
Kombet e Bashkuara, Convention on the Rights of the Child, 20 nëntor 1989, https://www.ohchr.org/en/instruments-mechanisms/instruments/convention-rights-child. ↩
-
A Deković, BIH: Pronađeni dokazi o zlostavljanju i seksualnoj eksploataciji migranata, Anadolu Agency, 24 shkurt 2022, https://www.aa.com.tr/ba/balkan/bih-pronađeni-dokazi-o-zlostavljanju-i-seksualnoj-eksploataciji-migranata/2512450. ↩
-
Intervistë me një përfaqësues të shoqërisë civile që punon me emigrantët në Tuzla, 15 janar 2023. ↩
-
Intervistë me një inspektor policie në Sarajevë, 1 shkurt 2023. ↩
-
Intervistë me një aktivist të shoqërisë civile që punon me njerëzit në lëvizje, Sarajevë, 10 dhjetor 2022. ↩